Patën kontakt me të infektuarin, vetizolohen 13 pjesëtarë të stafit mjekësor në Kaçanik

Periskopi.com Lajme

Trembëdhjetë persona nga stafi mjekësor në Kaçanik janë futur në vetëizolim, si pasojë e një kontakti me një pacient të shtrirë në Ortopedi, i cili ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i komunës, Besim Ilazi.

“Është e vërtetë 13 persona nga stafi mjekësor në Kaçanik janë futur në vetizolim. Ata kanë pasur kontakt, pra i kanë kryer shërbim një pacientit të infektuar. Tani sipas një riorganizimi të kërkuar drejtori i QKMF-së ata tani janë në pushim në shtëpi, pra në vetizolim”, ka thënë ai për Klan Kosova.

Ilazi tha se ka kërkuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që atyre t’ju merren mostrat për testim.

Dje kemi mbajtur një takim të Shtabit të Emergjencave. E pranishme ka qenë edhe doktoresha nga Ferizaji. Por, tani kemi mungesë të testeve. Duhet pak kohë derisa të realizohet”.

Komuna e Kaçanikut i ka deri më tani shtatë raste me Covid-19.

Sipas kreut të kësaj komune gjashtë prej këtyre iu dihet burimi i infektimit, kurse njërit nuk iu dihet.

“Shtatë persona janë identifikuar si të prekur me COVID-19, ku për 6 prej tyre dihet burimi i infeksionit, teksa për një person i cili ndodhet në Spitalin e Ortopedisë nuk dihet burimi i infeksionit”.

Skandal: Qeveria konfirmon info-n e Agim Veliut se Kurti me staf u testuan për koronavirus

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me stafin e tij të Zyrës së Kryeministrit, i janë nënshtruar testimit për koronavirus.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, i gjithë stafi i kësaj zyre është testuar për të parë nëse janë të prekur me virusin COVID-19, dhe se të gjithë, sipas tij, kanë dalë negativë.

“Duke pas parasysh natyrën e punës së Kryeministrit dhe stafit të tij, natyrë kjo që parasheh takime të shpeshta me delegacione vendore dhe ndërkombëtare në funksion të kryerjes së detyrave zyrtare, dhe në kuadër të masave të nevojshme për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID-19, Kryeministri dhe i gjithë stafi në Zyrën e Kryeministrit (pa përjashtim), si masë kujdesi, janë udhëzuar që t’iu nënshtrohen analizave. Rezultatet nga analizat kanë dalë negative për të gjithë. I ftojmë të gjithë të vazhdojnë me respektimin e masave të vendosura nga Qeveria dhe këshillave të profesionistëve”, ka thënë Kryeziu për Kohën.

Ai ka thënë se këto informata vlejnë vetëm për Zyrën e Kryeministrit, dhe jo për stafin në ministritë e tjera.

Në anën tjetër  në Kosovë,  vetëm 308 vetë janë testuar deri tash për koronavirus, ndërkohë që Kosova ka kapacitet të vogël testues – por Kurti me staf nuk i bën për qytetarët e thjeshtë

O’Connell: Kosova ka nevojë që administrata publike e saj të ketë stafin më profesional të mundshëm

Periskopi.com Lajme

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell përmes një statusi në Facebook ka kritikuar vendimin Ministrisë së Integrimit Evropian për shpalljen e pesë pozitave me konkursë të jashtëm në Skemën e Profesionistëve të Rinj.

O’ Connell tha se ky vendim i ministrisë është në kundërshtim të drejtpërdrejt me zotimin e Kosovës.

Për më shumë lexojeni postimin e plotë të ambasadorit britanik:

Kosova ka nevojë që administrata publike e saj të ketë stafin më profesional të mundshëm.

Skema e Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme) e financuar nga Bashkimi Evropian për vite me radhë i jep Kosovës mundësi të përfitojë nga talenti dhe aftësitë e rinisë së saj.

Në kuadër të kësaj Skeme, Kosova ka obligim të mos bëjë rekrutime të jashtme në shërbimin civil pa akomoduar gjithë bursistët e Skemës së Profesionistëve të Rinj. Vendimi i Ministrisë së Integrimit Evropian për të shpallur pesë pozita me konkurs të jashtëm është në kundërshtim të drejtëpërdrejt me vet zotimin e Kosovës.

Stafi i Ministrisë së Integrimit Evropian që kundërshton këtë shkelje duhet të përgëzohet për guximin dhe përkushtimin ndaj ligjit dhe detyrimeve ndërkombëtare, dhe jo të ndëshkohet me vërejtje.

Kosova ka nevojë për shërbyes të tillë civil që rreshtohen në anën e së drejtës përballë ndikimeve nga politika. Ata janë heronjtë e ditëve të sotme.

 

Fluks i madh i pacientëve në QKUK, mungesë e stafit mjekësor

Periskopi.com Lajme

Qendra Klinike Universiatre e Kosovës (QKUK) pritet të përballet me fluks të madh të pacientëve gjatë muajve të verës, periudhë kjo kur një pjesë e madhe e stafit mjekësor do të shkojë në pushime verore. Shumë shërbime mjekësore nuk do të mundë t’u ofrohen pacientëve sidomos gjatë muajve korrik – gusht në mungesë të mjekëve dhe të infermierëve të nevojshëm, përderisa institucionet kompetente nuk kanë ndonjë zgjidhje konkrete për një situatë të tillë.

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Xhevdet Gojnovci, pranon se mungesa e infermierëve dhe fillimi i sezonit veror do ta vështirësojë ofrimin e shërbimeve cilësore në këtë klinikë. Sipas tij, në klinikë kanë nevojë për punësimin e 15 infermierëve. “Ende nuk kemi rekrutim të infermierëve dhe ka mungesë të tyre në Klinikën e Neonatologjisë. Pushimet verore e vështirësojnë edhe më shumë ofrimin e shërbimeve cilësore shëndetësore në klinikë. Në bazë të vlerësimit që kemi bërë dhe në bazë të nevojave sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Shërbimin Intenziv të Neonatologjisë duhet të jenë një infermier për dy foshnja, andaj ne e kemi paraqitur edhe kërkesën për 15 infermierë”, ka thënë ai.

Gojnovci ka thënë se si klinika në vazhdimësi ka përsëritur kërkesat për rekrutimin e infermierëve të rinj, por që ende nuk kanë marrë përgjigje prej institucioneve relevante.

Pushimet vjetore pritet të vështirësojnë edhe më shumë punën e mjekëve edhe në klinikat tjera të QKUK-së. Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku, ka thënë  se për shkak të pushimeve të verës, kanë nevojë për më shumë infermierë. “Ndoshta personel mjekësor, infermierë kërkojmë më shumë për shkak se janë pushimet e lehonisë e pushimet e verës, kështu që stafi i mesëm nganjëherë është në mungesë”, ka thënë ajo.

Telaku ka theksuar se në mënyrë që puna në këtë klinikë të mos ngecë, mjekët koordinohen se kur do t’i marrin pushimet verore. “Është diçka që ndodh çdo vjet, pra shkojnë në pushime, por ata shkojnë në mënyrë të koordinuar, një palë shkon e një palë vjen që puna të mos ngecë”, ka thënë ajo, shkruan gazeta “Zëri”.

Tashmë me rritjen e temperaturave ka filluar të rritet numri i pacientëve edhe në Klinikën Emergjente në QKUK. Mjeku kujdestar në këtë klinikë, Avdush Bajgora, ka thënë   se fluksi i pacientëve në këtë klinikë është i madh, edhe tani kur është koha që mjekët të marrin pushimet vjetore. Ai ka thënë se pavarësisht kësaj mjekët punojnë shumë dhe e përballojnë numrin e madh të pacientëve. “Është duke u punuar shumë në Qendrën Emergjente. Fluksi i punës është i madh. Ne gjithmonë jemi të përgatitur 24 orë. Ne e kryejmë punën më të mirë në krejt QKUK-në dhe e përballojmë fluksin e madh prej të gjithë anëve”, ka thënë ai.

Syla: 5000 mjekë i kemi në mungesë, të koordinohen pushimet vjetore

Me fillimin e periudhës kur stafi mjekësor shfrytëzon pushimet vjetore që u takojnë, Federata e Shëndetësisë ka apeluar që të bëhet një menaxhim se si të merren pushimet nga personeli shëndetësor, në mënyrë që të mbulohen të gjitha shërbimet që kërkojnë qytetarët.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se tani kur do të fillojë të rritet fluksi i pacientëve QKUK-ja do të ketë mungesë të kuadrit. “Tani kemi pushimet, disa që kanë mbetur edhe të vitit të kaluar. Unë disa herë kam apeluar edhe te menaxhmenti që duhet të bëhet një vlerësim dhe një sistemim i marrjes së pushimit dhe të shfrytëzimit të pushimeve vjetore. Tani verës kemi edhe fluks të madh, por edhe fillon mungesa e kuadrit. I mbetet drejtorit e menaxhmentit se si do ta mbulojnë edhe atë vakuum, i cili do t’i mbulonte shërbimet”, ka deklaruar ai.

Syla ka thënë më tej se për ta përballuar numrin e madh të pacientëve duhet të punësohen edhe mjekë të rinj, sepse institucionet shëndetësore kanë nevojë edhe për 5 mijë mjekë. “Ne si Federatë gjithmonë kemi thënë se jemi në mungesë për 5000 punëtorë shëndetësorë. Është e domosdoshme, sepse një infermiere natën shërben me 40 deri në 60 pacientë e është e pamundshme të jepet shërbimi kualitativ. Duhet të punësohen aty ku ka mundësi. Nuk duhet të shikohet buxheti, ai po harxhohet si po do. Duhet të shikohet që sa më shumë të punësohen, përndryshe nuk do të mund ta përballojmë këtë krizë”, ka shtuar ai.

Millaku: Ministria nuk ka plan “B” për pushimet verore

Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Drita Millaku, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për gjendjen aktuale në institucionet publike shëndetësore në vend. Ajo ka thënë se tashmë gjatë stinës së verës kur dyfishohet numri i pacientëve, Ministria nuk ka bërë ndonjë plan “B” sa u përket shërbimeve shëndetësore. “Për fat të keq kemi një ministri që promovon vetëm marketing e jo punë, për atë e kemi gjendjen qysh e kemi. Në pushimet verore numri i popullsisë dyfishohet. Këta nuk kanë plan ‘B’ se çfarë duhet të bëjnë, por punojnë qysh po u konvenon për kokë të veten”, ka thënë ajo.

Sa u përket pushimeve verore, Millaku ka vlerësuar se nuk ka menaxhim të mirë sa i përket marrjes së pushimeve. “Problem është menaxhimi. Stafi duhet të menaxhohet mirë dhe jo të gjithëve në të njëjtën kohë t’u jepen pushimet”, ka shtuar ajo.

 

Mariah Carey qendër e skandalit, çfarë bëri kësaj here diva e Hollywood-it?

Periskopi.com Showbiz

Këngëtarja Mariah Carey (49) është kthyer në qendër të skandalit. Siç shkruan “Daily Mail”, Mariah e ka përdorur kartën e kreditit të asistentes së saj për t’i paguar dhe fshehur operacionet plastike dhe shopingun e shpeshtë.

“Mariah nuk donte që njerëzit ta dinin se sa shpenzon për shoping dhe sa në të vërtetë i ka pasur operacionet estetike, kështu që kostot i kishte ngarkuar në kartelën e ish-asistentes Lianna apo ish-menaxheres Stelle. Ajo e ka Amexin e saj, por ekipi i saj ia lejon që ajo ta ketë vetëm një kartelë, sepse shpenzon shumë para dhe të gjitha (kartelat) ia anulonin”, – tha një anëtar i ekipit të këngëtares për mediat e huaja.

Megjithatë, Mariahs nuk i mjaftoi vetëm një person për t’i blerë të gjitha për të, por më shumë, shkruan Koha Ditore.

“I gjithë stafi i saj, duke përfshirë rojat dhe dadot, duhet të merrnin diçka për të me kartelat e tyre, dhe pastaj ajo ua kthente paratë. Edhe për gjërat si McDonald’s për fëmijë. Ajo kurrë nuk ua jepte paratë atyre paraprakisht”, – thotë burimi.

Mediat e huaja hasën në një dokument në të cilin shkruan se sa ka shpenzuar Mariah në operacionet plastike, për të cilat ajo pretendon se kurrë nuk i kishte bërë. Në fillerët për vithe ajo i ka shpenzuar 10.000 dollarë, trajtimin laserik të indit dhjamor 4.800 dollarë, në liftingun ultrazanor të qafës dhe mjekrës 8.900 dollarë dhe në trajtimin e kofshëve 7.900 dollarë.

Mariah është aktualisht në gjykim me ish-punonjësen Lianna Shakhnazaryan (36 vjeç), sepse i detyrohet rreth 600 mijë dollarë dhe e ka fyer në baza racore. Këngëtaren e kishte paditur edhe ish-menaxherja Stella Bulochnikov, e cila pretendon se Carey drogohet dhe se i detyrohet asaj për honoraret e saj. Ato në fund e arritën një marrëveshje.

​Stafi i QKUK’së në ekskursion në Shqipëri, pacientët ankohen

Periskopi.com Lajme

Me qindra punëtorë të QKUK-së, të premten në mëngjes janë nisur për në Shqipëri. Stafi i QKUK-së ka kaluar vikendin duke shëtitur në qytetet bregdetare të Shqipërisë.

Sipas burimeve të KosovaPress-it, Sindikata e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka angazhuar kompaninë private, me nëntë autobusë për t’i çuar anëtarët e saj në këtë “ekskursion”. E ky udhëtim organizohet nga kjo sindikatë pothuajse çdo vit.

Pacientët të dielën janë ankuar për numër të vogël të stafit, megjithatë të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.

Sipas tyre, gjatë këtij vikendi ka pasur mungesë të mjekëve, e në këto reparte ka pasur vetëm infermierë kujdestarë.

KosovaPress ka tentuar të bisedojw me Islam Krasniqin, përfaqësuesin e Sindikatës së QKUK-së, por që i njëjti nuk është përgjigjur në telefonatat tona.

Në lidhje me këtë ka folur, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

“Kjo është me ligj e rregulluar, nuk po shoh diçka dramatike dhe të keqe. Ky organizim bëhet çdo vit, shkon në kuadër të relaksimit dhe marrëdhënieve të mira ndërnjerëzore, vetëm kështu mund të ecim përpara. Këto janë parat e njerëzve të cilat grumbullohen, organizimin e bënë sindikata, nuk e bën federata”, tha ai.

Ai ka mohuar të ketë pasur mungesë të stafit gjatë këtyre dy ditëve.

“ Nëse vërtetohet që dikund ka pasur mungesë të stafit, zakonisht është bërë marrëveshje ndërnjerëzore, atëherë ne japim përgjegjësi. Shkon komform rregullave, paraqiten kërkesat dhjetë ditë, një javë përpara, rregullohen çështjet e ndërrimeve”, tha ai.

Megjithatë, Syla ka thënë se nuk është i informuar se sa është numri i saktë i stafit të QKUK-së që janë pjesë e këtij ekskursioni.

 

Pak staf në burgjet e Kosovës, ata që janë thonë se po rrezikohen në punë

Periskopi.com Lajme

Fenomenet si haraçi, droga, alkooli e dhuna, në burgjet e Kosovës, po justifikohen me numrin jo adekuat të stafit. Këta të fundit po thonë se janë të rrezikuar në punën që po bëjnë, për shkak të kushteve jo të mira, numrit të madh të të burgosurve dhe numrit të vogël të stafit. Për këtë situatë, flasin edhe monitorues dhe njohës të çështjeve të sigurisë, të cilët pohojnë se numri i oficerëve korrektues në burgjet e Kosovës nuk është adekuat.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj në një intervistë për KosovaPress thotë se janë të zhgënjyer me institucionet e vendit, me premtimet që u janë dhënë herë pas here.

Sipas tij, punëtorët e stafit korrektues çdo ditë po përballen me pakënaqësi të shumta, duke filluar nga numri jo adekuat i oficerëve korrektues. E sipas tij, kjo po u ndikon edhe në efikasitetin në punë.

“Secila qendër e burgimit dhe paraburgimit sipas nesh ka mungesë të stafit edhe stafi që 10 vite e më tepër, askush nuk është pranuar stafi i ri përveç në Qendrën Korrektuese në burgun e Sigurisë së Lartë dhe tash që po flitet 120 punëtorë të rinj me u pranu. Dhe kjo shkakton një mos efikasitet për punën tonë që e kemi të përditshme. Stafi është plakur shumë, ku diku mosha mesatare është 48 vite. Merre me mend një person 48 vjet, çfarë punë të suksesshme mund të bëjë, do të thotë nuk ka punë efikase në Shërbimin Korrektues. Ne kemi kërkuar kohë pas kohe që të pranohen oficerë të ri, mirëpo çdo herë na kanë thënë se ka mungesë të mjeteve”, thotë ai.

Sadikaj thotë se stafi korrektues edhe janë të rrezikuar.

“Është një mbipopullim, sidomos në Burgun e Dubravës, një pavion mbi 100 e më tepër të dënuar, 150 -160 të dënuar, punojnë pesë, gjashtë gardianë, punët janë të ndryshme, rutina të ndryshme, shëtitjet, sporti, te mjeku e kështu, atëherë në pavion mbesin shumë pak oficerë që duhet të punojnë. Është punë shumë e rëndë, punë ku ke të bësh me njerëz që janë të privuar nga liria me vite e vite, nuk është punë e lehtë”, shton ai.

Ai kritikon edhe ligjin që trajton këta punëtorë.

Ku thotë se stafi korrektues  trajtohen me disa ligje, e që u mungon edhe udhëzimi administrativ.

Me këto pakënaqësi, po pajtohet edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ai thotë se organet e drejtësisë nuk guxojnë të justifikohen me mungesën e mjeteve.

“Edhe aspekti i kapaciteteve apo numrit të gardianëve që duhet të mbulojnë një qendër, nuk është i mjaftueshëm. Shpesh janë në mungesën e mjeteve, por nuk duhet të justifikohet me atë. Nevojat për një kapacitet të tillë duhet të jenë konform asaj që duhet të jetë parashikuar. Jo të arsyetohet me atë se kinse nuk ka mjete, dhe duhet të merret staf ose procedura të tjera siç e dimë, mungesa e stafit për shkak ngecjeve të procesit të rekrutimit dhe të përzgjedhjes së tyre, shumë shpesh këto konkurse janë shpallur dhe janë tërhequr për shkak  të mungesës të mjeteve”, thotë Ibishi.

Nga monitorimet që bëhen në burgjet e Kosovës, nga Qendra Kosovare për  Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Alban Muriqi thotë se është evidente që  qendrat korrektuese, kanë mungesë të stafit.

“E shohim kohëve të fundit, se ka mungesë të stafit korrektues në këto institucione, kushtet e tyre, pagesat nuk janë të mira, janë të ulëta. Pak janë të motivuar për punë dhe kjo ndikon gjithsesi në performancën e tyre, mirëpo edhe në raport me vet të dënuarit, stafi korrektues nuk është i motivuar, dhe kjo sigurisht reflektohet në punën e tyre edhe në raport më të dënuarit me të cilat kanë kontakt çdo ditë”, deklaron ai.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Sigurisë dhe Operacionit në Shërbimin Korrektues, Burim Buleshkaj pohon se mungesa e stafit ka ndikuar edhe në kontrabandimet të cilat jo rrallë herë ndodhin në burgjet e Kosovës.

Sipas tij, mungesa e pajisjeve të sigurisë për shkak të buxhetit të limituar i ka penalizuar në këto çështje.

“Është e vërtetë kemi mungesë të kapaciteteve, në mungesë të stafit të burimeve njerëzore, por fatmirësisht këtë vit, që tani këtë muaj të fillojnë në akademi, të shtohen edhe 120 oficerë të ri, zyrtarë korrektues. Të cilët do të ndihmojnë dukshëm, në rritjen e kapacitetit, sepse të gjithë janë të ri në moshë, kështu që do të zbritet edhe mosha mesatare e shërbimit tonë, dhe besoj që do të rritet edhe efikasiteti në punë. Po ashtu ky numër ndikon edhe në shtimin e përgjithshëm të kapaciteteve tona”, përfundon Buleshkaj.

Ndryshe, aktualisht në burgjet e Kosovës janë rreth 1650 të burgosur. Ndërsa, 1800 është numri i stafit korrektues, duke përfshirë oficerët korrektues, stafin civil dhe stafin mbështetës.

 

Udhëtimet: Stafi i Veselit harxhoi afro 60 mijë euro për tre muaj, deputetët mbi 100 mijë

Periskopi.com Lajme

Në muajin tetor të vitit të kaluar, kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte udhëtuar për një vizitë në Çeki, me të kishin shkuar edhe pesë persona nga stafi i tij mbështetës.

Gjatë kësaj vizite, stafi i tij i ka harxhuar rreth 3.500 euro vetëm për akomodim dhe mëditje.

Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2018, sipas Raportit të Shpenzimeve të Kuvendit, të cilin e posedon “Koha Ditore”, stafi i Veselit ka shpenzuar afro 60 mijë euro për udhëtime jashtë vendit. Në anën tjetër, për të njëjtën periudhë kohore, deputetët e Kuvendit kanë harxhuar afro 105 mijë euro.

Në tërësi, vitin e kaluar Kuvendi ka shpenzuar afro 9 milionë euro për paga e mëditje, subvencione e udhëtime brenda e jashtë vendit, si dhe shërbime të tjera.

Një përmbledhje e raportit me shifra të përgjithshme është prezantuar të mërkurën në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Deputetët kanë kritikuar posaçërisht shpenzimet për subvencione, si dhe shpenzimet e kabinetit të kryetarit, Kadri Veseli, për udhëtime jashtë vendit.

Kanë thënë se është e palogjikshme që në një udhëtim me kryetarin e Kuvendit të shkojnë kah pesë këshilltarë të tij, siç ka ndodhur, sipas tyre thuajse në secilin udhëtim vitin e kaluar. /Koha/

 

Dhjetëra programe të UP’së rrezikohen në mungesë të stafit akademik

Periskopi.com Lajme

Një pjesë e madhe e programeve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” varen nga bashkëpunëtorët e jashtëm, pasi kanë mungesë të profesorëve të rregullt. Madje gjendja në shumë prej programeve është duke u përkeqësuar, pasi nga viti në vit ka rënie të numrit të profesorëve të rregullt dhe kështu këto programe rrezikojnë që në të ardhmen të mos akreditohen pikërisht në mungesë të stafit të rregullt akademik

Gjendje më e rëndë sa i përket stafit të rregullt akademik është në Fakultetin e Arteve, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Ndërkohë që të parrezikuara nuk mbesin as programet në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

Se këto njësi akademike kanë probleme me numrin e vogël të profesorëve të rregullt është konfirmuar edhe nga Rektorati i UP-së. Ndërsa dekanët e disa prej njësive akademike thonë se nëse nuk shtohet numri i profesorëve në ato fakultete ka rrezik që shumë programe të mos akreditohen.

Aktualisht Universiteti i Prishtinës ka 143 programe studimore, prej tyre 65 në studimet baçelor, 57 në studimet master, 17 në studimet e doktoratës dhe 4 programe në studimet e integruara. Në këto programe ky universitet ka rreth 42.000 studentë dhe 900 anëtarë të stafit akademik të rregullt, domethënë 1 mësimdhënës për 47 studentë, por ka fakultete ku ky përpjesëtim është edhe më i pavolitshëm dhe shkon deri në një mësimdhënës për 140 studentë.

Ndërkohë që 31 tetori ishte data e fundit kur UP-ja, si dhe institucionet tjera të arsimit të lartë do të duhej të bënin deklarimin e stafit akademik.

Sipas njohësve të çështjeve të arsimit në Kosovë, deri te mungesa e stafit të rregullt akademik ka ardhur si pasojë e hapjes së shumë programeve të reja, si dhe mungesës së nxjerrjes së kuadrove të reja akademike, ndërkohë që shumë profesorë kanë dalë në pension e shumë të tjerë do të dalin në vitet në vijim.

Fakulteti i Arteve nga 34 programe sa kishte dikur pritet të bjerë në 12

Dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi, ka thënë për “Zërin” se nga 79 profesorë të rregullt sa i kishte ky fakultet në vitin e kaluar akademik tani ka rënë në rreth 70.
“Përafërsisht janë rreth 70 profesorë të rregullt, kurse nevojat janë më të mëdha. Te ne mënyra e mësimit është edhe individuale, për shembull violina, pianoja e të tjera kanë orë individuale, kështu që në këtë aspekt ne kemi numër të madh të profesorëve, por që nuk është i bollshëm”, është shprehur Selimi.

Më tej dekani i Fakultetit të Arteve ka bërë të ditur se që nga viti 2013 nuk kanë marrë profesorë të rregullt, ndërkohë që vazhdimisht ka pasur profesorë që kanë dalë në pension. Ai ka thënë se pret që në konkursin i cili është hapur së fundi të pranohen disa profesorë të rinj.

Selimi po ashtu ka thënë se në vitin 2016 numri i programeve ka qenë 34, ndërsa deri në vitin 2020 pritet që të bëhet fuzionim i disa programeve dhe numri të bjerë në 12 sosh.

“Ne kemi pasur shumë programe, diku 34 programe në vitin 2016, kur edhe jemi akredituar. Jemi munduar t’i fuzionojmë programet dhe kemi mbërritur në 17 dhe besoj që me akreditimin e ri që bëhet më 2020-n (pasi deri atëherë jemi të akredituar) duhet të kalojmë diku në 12 programe dhe t’i ndajmë këto nënprofile. Jemi duke shkuar drejt zvogëlimit, pasi për akreditim duhet numër i madh i pedagogëve”, është shprehur Selimi.

Sipas tij, në këtë fakultet përveç pensionimit nuk ka pasur ndonjë rast që profesorët të jenë larguar për arsye tjera. Selimi gjithashtu ka thënë se disa drejtime në Fakultetin e Arteve nuk do të mundë të akreditohen në të ardhmen nëse nuk pranohen profesorë të rinj.

Inxhinieria Mekanike pret profesorët për programin e doktoraturës

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala, ka thënë se aktualisht stafi i rregullt akademik në këtë fakultet arrin në 39 (29 profesorë dhe 10 asistentë). Ky numër sipas tij është minimal, ndërkohë që ka bërë të ditur se në shtatorin e vitit të ardhshëm edhe dy profesorë dalin në pension.

Shala shpreson se në konkursin e ardhshëm, që do të hapet në kuadër të Universitetit të Prishtinës, këtij fakulteti do t’i mundësohet të marrë staf të ri.

“Aktualisht i kemi të mbuluara programet me bartës, pra jemi në atë minimumin e lejuar, mirëpo nga 30 shtatori i vitit të ardhëm na largohen dy profesorë, pasi dalin në pension, por presim që në konkursin e ardhshëm do të na mundësohet t’i marrim edhe dy profesorë tjerë”, ka deklaruar Shala.

Sipas tij, problemi i stafit akademik në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të zgjidhej po që se do të akreditohej programi i doktoraturës. Megjithatë, ai thotë se për akreditimin e këtij programi u duhen edhe tre profesorë.

“Tash e një kohë po përpiqemi t’i kemi tre profesorë të lirë për studimet e doktoraturës, por aktualisht nuk po mundemi, pasi po na duhen në programet tjera. Pra, nga shtatori i vitit të ardhshëm si fakultet do të jemi minus pesë profesorë, dy për këto programet aktuale dhe tre na duhen për programin e doktoraturës”, ka theksuar Shala.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se në konkursin e fundit në këtë vit kanë marrë një profesor meqenëse paraprakisht një profesor tjetër e ka lënë detyrën, pasi ka vendosur të largohet nga Kosova për të jetuar në një shtet tjetër.

“Në konkursin e fundit e kemi marrë një, pasi na është larguar një profesor tjetër, i cili ishte pranuar para dy vjetësh, por ka vendosur që të shkojë sërish jashtë vendit”, ka përfunduar dekani Shala.

Fakultetit të Ndërtimtarisë pas dy vjetësh i pensionohen disa profesorë

Aktualisht numër të mjaftueshëm të stafit të rregullt akademik ka edhe Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, megjithatë pas dy vjetësh disa profesorë të këtij fakulteti do ta arrijnë moshën e pensionimit.

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Abdullah Zejnullahu, ka thënë se aktualisht nuk ka rrezik që të mbyllet ndonjë program i këtij fakulteti.

“Aktualisht nuk ka rrezik për mbyllje të ndonjë programi, megjithëse kemi nevojë për më shumë staf. Përafërsisht numri i profesorëve është i njëjtë me vitin e kaluar. Edhe dy vjet nuk kemi ndonjë profesor që del në pension, ndërkohë që ne po shkojmë duke plotësuar numrin”, ka potencuar Zejnullahu.

Dekani i FNA-së ka bërë të ditur se në konkursin e fundit ky fakultet ka marrë 4 profesorë të rinj, po ashtu ai ka thënë se ka pasur edhe avancime të profesorëve tjerë.
“Gjithsesi, shpresojmë që edhe në të ardhmen do të na japin mundësinë të marrim staf të ri, pasi kemi nevojë për më shumë staf akademik”, ka deklaruar Zejnullahu.

Rektorati: Po punojmë për ngritjen e stafit akademikRektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se aktualisht ky universitet ka të akredituara dhe në implementim 143 programe studimore, prej tyre 65 në studimet baçelor, 57 në studimet master, 17 në studimet e doktoratës dhe 4 programe në studimet e integruara.

Rektorati vlerëson se tani për tani numri i stafit akademik, respektivisht i atyre me gradën shkencore doktor shkence, është i mjaftueshëm për të mbuluar kërkesën sipas Udhëzimit Administrativ të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, një doktor i shkencave për 60 ECTS kredi.

Po ashtu në përgjigjen e Rektoratit thuhet se për të avancuar cilësinë dhe punën me studentë Universiteti i Prishtinës punon në ngritjen sa më të madhe të stafit akademik si nga aspekti cilësor, ashtu edhe sasior.

Sipas Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, në disa njësi akademike numri i stafit akademik të angazhuar është më i madh sesa numri i stafit të rregullt.
“Disa njësi akademike qëndrojnë më dobët se të tjerat, si për shembull: Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë e të tjerë”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UP-së, ku po ashtu theksohet gjendja jo e mirë në Fakultetin e Arteve.

Konkurset e fundit të hapura për pranim të stafit të ri akademik vlerësohen si mundësi për zbutjen e këtyre mungesave.

Ndërkohë që shifrat e sakta të numrit të profesorëve të rregullt dhe të atyre të angazhuar do të dihen pas përmbylljes së konkurseve që janë hapur në shumë programe në UP, shkruan më tutje “Zëri”.

“Në ditët në vijim do të jemi në gjendje t’ju japim informata më të sakta, sepse aktualisht është në proces konkursi për staf akademik në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe të dhënat mund të ndryshojnë”, thuhet më tej në përgjigjen e Rektoratit të UP-së.

31 tetori, afati i fundit për deklarim të stafit

Në Agjencinë e Akreditimit thonë se duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës institucionet e arsimit të lartë janë të obliguara që të bëjnë deklarimin e stafit akademik jo më vonë se data 31 tetor.

Sipas këtij Udhëzimi Administrativ, “për çdo 60 ECTS kredi të programit të studimit institucioni duhet të ketë të paktën një (1) staf me marrëdhënie të rregullt të punës me titull PhD nga fusha e programit të studimeve”.

“Pas procesit të deklarimit të stafit akademik Zyra e AKA-së bën verifikimin e gjendjes së dokumentacionit të dorëzuar nga stafi akademik, si dhe konstaton mungesat e stafit akademik, të cilat i paraqet pastaj Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), ndërsa vlerësimi i fushës së studimeve të bartësve të programeve të studimit bëhet nga KSHC-ja me rastin e shqyrtimit të aplikacionit të dorëzuar nga institucionet e arsimit të lartë (për aplikim formal) ose nga ekspertët ndërkombëtarë të akreditimit me rastin e vlerësimit të programit të studimit”, ka sqaruar Vjollca Krasniqi, nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Ndërsa muaj më parë Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka marrë vendim për tërheqjen e akreditimit të disa programeve të studimit si rezultat i mungesës së stafit akademik ose mosrespektimit të kërkesave tjera ligjore për stafin akademik të parapara me Udhëzimin Administrativ.

Krasniqi ka bërë të ditur se këtë vit Agjencia e Kosovës për Akreditim procesin e deklarimit të stafit akademik dhe aplikimit për akreditim do ta realizojë përmes sistemit online/elektronik “E-Akreditimi”.

“AKA-ja pas përmbylljes së procesit të deklarimit të stafit akademik dhe verifikimit të tyre do t’i njoftojë IAL-të dhe opinionin publik lidhur me gjendjen e stafit akademik, si dhe me vendimet e KSHC-së lidhur mbi programet e studimit të IAL-ve duke u bazuar në gjendjen e stafit akademik”, ka thënë Krasniqi.

Pupovci: Mesatarja në UP, 1 mësimdhënës për 47 studentë

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se kushti formal i Agjencisë së Kosovës për Akreditim për 3 doktorë të shkencave për një program mbase edhe plotësohet, por sipas tij ende qëndron konstatimi se Universiteti i Prishtinës nuk ka staf akademik të mjaftueshëm.

“Sipas të dhënave zyrtare, UP-ja ka rreth 42.000 studentë dhe 900 anëtarë të stafit akademik të rregullt, domethënë 1 mësimdhënës për 47 studentë. Ka fakultete ku ky përpjesëtim është akoma më i pavolitshëm dhe shkon një mësimdhënës për 140 studentë”, ka deklaruar Pupovci, duke thënë se ky problem mund të zgjidhet përmes zvogëlimit të numrit të studentëve ose rritjes së numrit të stafit akademik të rregullt.
Por, sipas tij, për kushtet e Kosovës përpjesëtimi duhet të jetë diku 1 mësimdhënës për 20-25 studentë, ndërsa në disiplina të caktuara numri i studentëve duhet të jetë edhe më i vogël.

“Ndërkaq nëse duam krahasim me vende të tjera duhet ta dimë se universitetet e mira kanë 1 staf akademik për më pak se 10 studentë”, ka shtuar Pupovci.

Sipas tij, ka rrezik që disa programe në Universitetin e Prishtinës të mbyllen pikërisht për shkak të mungesës së stafit akademik të rregullt.

“Tanimë janë mbyllur disa programe që shkollojnë kuadro për energjetikë në fakultetet teknike pikërisht për mungesë kuadri, edhe atë pas 40 vjetësh funksionimi”, ka theksuar profesori Pupovci.

Më tej ai ka thënë se deri vonë për akreditimin e një programi ka mjaftuar të prezantohen CV-të e 3 doktorëve të shkencave në marrëdhënie të plotë pune, por tani Agjencia e Kosovës për Akreditim kërkon që ata të jenë të profilit përkatës.

Kështu, sipas Pupovcit, kjo mund të sjellë deri te mbyllja e një numri të programeve, jo vetëm në UP, por edhe në institucionet të tjera të arsimit të lartë, pasi në Kosovë ka shumë programe që funksionojnë duke shpërfillur këtë kërkesë.

Ndërsa duke folur për shkaqet që kanë sjellë deri të kjo mungesë e stafit të rregullt akademik në UP, profesori Dukagjin Pupovci ka thënë se nuk ka pasur shumë profesorë që janë larguar nga ky universitet, me përjashtim të atyre që janë pensionuar.

Përkundrazi, sipas tij, ka pasur një dyndje drejt UP-së të njerëzve që janë larg çdo standardi akademik dhe sot, thotë Pupovci, të tillë ka në të gjitha fakultetet.

“Mendoj se mungesa e kuadrit është shkaktuar nga hapja e pakontrolluar e programeve studimore, edhe në ato raste kur nuk ka ekzistuar as minimumi i kushteve kadrovike. Kështu është krijuar numër i madh i orëve që nuk mund të mbulohen me kuadër të rregullt, bile edhe programe për të cilat nuk gjen njerëz të kualifikuar në Kosovë. Dhe këtu fillon improvizimi: ose duhet të angazhosh kuadër të pakualifikuar, ose njerëzit tejngarkohen me orë mësimi. Në të dyja rastet dëmtohet cilësia”, ka vlerësuar Pupovci.

Kurse Gramos Buçinca, hulumtues në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka thënë se si bashkëpunëtor i jashtëm kontraktohet edhe stafi i rregullt në Universitetin e Prishtinës, që sipas tij duke u angazhuar si bashkëpunëtorë në lëndët tjera përfitojnë materialisht.

“Kjo ndodh për shkak të menaxhimit të dobët të burimeve njerëzore, moshapjes (ngrirjes) së pozitave të reja për profesorë derisa t’i plotësojnë kriteret personat e caktuar dhe për shkak të mungesës së strategjisë për futjen e kuadrove të reja kompetente në Universitet”, ka theksuar Buçinca.

Ai po ashtu ka thënë se nëse kësaj i shtohet edhe numri i madh i profesorëve që nuk i justifikojnë titujt, kemi një situatë ku në njërën anë studenti dëmtohet për shkak të mungesës së cilësisë dhe në anën tjetër keqshpenzohet paraja e taksapagueseve.
Statistikat për vitin akademik 2017/18 ndërkohë që ende nuk dihet numri i saktë i profesorëve për këtë vit akademik, pasi deri në fund të tetorit kanë qenë të hapura konkurset për staf të ri akademik.