BE-ja reagon për takimin e fshehtë në Berlin

Periskopi.com Lajme

Një takim i fshehtë u mbajt të mërkurën e kësaj jave në Berlin mes delegacionit kosovar e atij serb.

Delegacioni kosovar ishte prezentuar nga ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj e Michael O’Riley, ish avokat i Haradinajt.

E për këtë takim, për herë të parë kanë folur edhe nga Bashkimi Evropian.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini nuk ka dhënë detaje lidhur me darkën e fshehtë në Berlin, por ka shtuar se BE-ja i mirëpret përpjekjet e Francës dhe Gjermanisë për rifillimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

“Ne i mbështesim dhe mirëpresim përpjekjet e Francës dhe Gjermanisë për promovimin e rifillimit të plotë të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja. Pyetjet rreth takimit duhet t’u dërgohen atyre”, ka thënë Kocijançiq për lajmi.net.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj kishte thënë se për këtë takim i kishte informuar edhe partnerët e koalicionit e edhe akterët tjerë, përfshirë Ekipin Negociator.

Sidoqoftë, një deklaratë e tillë e Haradinajt ndryshonte me atë të bashkëkryesuesit të Ekipit Dialogues, Shpend Ahmeti, dhënë për lajmi.net, në të cilën sqaronte se nuk ka pasur asnjë informacion për një takim të tillë.