Kika i Talent Show befason me këtë lajm: Do të bëhem deputet, i duhem popullit tim

Periskopi.com Showbiz

Kreshnik Husaj, i njohur si Kika, tashmë është bërë i njohur për të gjithë, me atë show’n e tij të ‘famshëm’, për të cilin në fillim shumica mendonin se ishte tallje, ngase nuk besohej se dikush po pretendonte se po bënte show të vërtetë, dhe po zbulonte talentë, me performanca të stilit të lojërave të fëmijëve në mëhallë.

Megjithatë, Kika duket të ketë arritur qëllimin e tij, me rëndësi të të njohin të gjithë, dhe e parëndësishme nëse të njohin për të mirë apo për të keq.

Tani ai duket t’i ketë vendosur një cak tjetër vetës, të bëhet deputet i Parlamentit të Kosovës.

“Nga sonte edhe zyrtarisht filloj pregaditjet e mia për fitore parlamentare. Unë jam i parlamentetit dhe i duhem popullit tim. Falemnderit”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Kika që ishte anëtar i Partisë Social Demokrate deri para se ajo të merrej nga ata që braktisën Vetëvendosjen, tani ka aderuar në një parti tjetër. Bëhet fjalë për partinë ‘Ura’ të boshnjakëve të Mitrovicës.

Edhe këtu nuk mund të thuash se i ka bërë përllogaritjet gabim. Në Parlamentin e Kosovës, tani ka deputetë jo të paktë të profileve përafërsisht të ngjashme sikurse Kika. Një prej tyre, është këngëtari i dasmave Labinot Tahiri, me të cilin tallej gjysma e Kosovës kur ai bënte postime jo fort të zakonshme në rrjetet sociale.

Por, nuk është vetëm Labi. Kuvendi i Kosovës është i mbushur me njerëz që kanë të kaluar kontroverse.

Nuk do të duhej të na dukej e habitshme, nëse në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, do të kishim deputetë edhe Kikën e Talent Show, e edhe Linda Morinën.