Nuk po respektohen të drejtat e fëmijëve, ata po shfrytëzohen për punë

Periskopi.com Lajme

Një numër i madh i fëmijëve për shkak të kushteve të rënda ekonomike, e detyrimit familjarë bëjnë punë të rënda. Pavarësisht se ligji nuk lejon të miturit të punojnë, janë 6,8 për qind e fëmijëve në Kosovë, të cilët detyrohen të punojnë në kushte të rrezikshme, madje janë edhe viktima të dhunës në familje.

Në 30-vjetorin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e tyre, po kërkohet nga institucionet që fëmijët të jenë të barabartë dhe të gëzojnë të drejtat për arsim e përkujdesje.

I miratuar për mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e e dhunës, abuzimit apo keqpërdorimit, as Ligji për Mbrojtjen e tyre nuk po respektohet.

Një gjë të tillë e thotë edhe këshilltarja Nacionale për Avokim dhe Edukim në SOS fshatrat e fëmijëve në Kosovë, Remzije Krasniqi.

Sipas saj, institucionet e kanë mandat dhe duhet të sigurojnë që çdo fëmijë të gëzojë të drejtat bazike.

“Me të vërtetë situata nuk është e mirë në shumë fusha. Edhe sa i përket mirëqenies së fëmijëve, shëndetit, arsimit, pjesëmarrjes së tyre dhe të drejtave në përgjithësi. Shumë fëmijë nën moshën e lejueshme i shohim rrugëve, në situata të ndryshme që punojnë. Po ashtu, sa i përket përfshirjes së fëmijëve nga grupe të ndryshme që janë të rrezikuara, margjinalizohen ose për një arsye nuk mund të jenë pjesë e shkollimit, edukimit dhe përfitimit të shërbimeve që iu takojnë, si dhe fëmijët me aftësi të kufizuara”, tha Krasniqi.

Shumë fëmijë fatkeqësisht po mbesin edhe pa përkujdesje prindërore, e vetëm gjatë këtij viti janë 65 fëmijë të cilët kanë marrë shërbime në SOS fshat.

“Gjatë këtij viti kemi më shumë se 65 fëmijë që marrin shërbime 24 orësh, edhe për arsye të ndryshme humbin kujdesin prindëror. Përveç kësaj, është një numër më shumë se 500 që ne punojmë me familjet në komunitet që janë në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror. Për arsye të ndryshme familja nuk është e gatshme dhe nuk ofron ngrohtësi, përkujdesje dhe shërbime për fëmijët e tyre”, tha Krasniqi.

Se gjendja e fëmijëve në vendin tonë nuk është e mirë e thotë edhe Ahmet Kryeziu, drejtori i Save the Children, sipas të cilit Kosova ka edhe shumë për të bërë në respektimin e të drejtave bazike të tyre.

“Kemi grupe të margjinalizuara që ende nuk realizojnë të drejtat. Këtu mund të them janë fëmijët nga komunitetet, posaçërisht komunitetet RAE, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët në familje të varfra. Ende ka punë për t’u bërë, që këto grupe të fëmijëve të jenë të barabartë në shoqërinë tonë. Dhe mbetet obligim i të gjithëve posaçërisht i qeverisë, shoqërisë civile që të angazhohen që ata të jenë pjesë e shoqërisë dhe i zhvillimit si çdo fëmijë tjetër”, deklaron Kryeziu.

Nisur nga gjendja jo e mirë e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, drejtori i Save the Children në Kosovë, thotë për KosovaPress se po punojnë që të ndihmojnë në respektimin e të drejtave të fëmijëve, duke u bërë thirrje institucioneve që të reflektojnë në këtë angazhim të përbashkët.

Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF  gjatë ditës së sotme u ka bërë thirrje institucioneve të marrin të gjitha veprimet përgatitore për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, në mënyrë që të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve. KOMF ka ritheksuar se shkalla e varfërisë së fëmijëve në Kosovë është  20.7%.

“10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, përderisa 6.8% prej tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4 % e fëmijëve në Kosovë kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike gjatë muajit të fundit të intervistimit, kur është bërë hulumtimi. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë qasje në shërbime cilësore shëndetësore, sociale dhe arsim”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, pas gjashtë vjetësh, që nga hartimi të tij, institucionet e Kosovës në qershor kanë miratuar Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili ka për qëllim të mbrojë ata nga të gjitha format  e dhunës abuzimit, keqpërdorimit, shfrytëzimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës.

Mosrespektimi i ligjeve në Kosovë, burim i shkeljes së të drejtave të njeriut

Periskopi.com Lajme

Kosova ka shënuar përparim të ngadalshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Këtë konstatim e ka nxjerr edhe këtë vit organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.

Sipas kësaj organizate, raportet ndëretnike, respektimi i të drejtave të komuniteteve joshumicë, dhuna në familje, gjuha e urrejtjes ndaj komunitetit LGBT-i dhe liria e mediave, janë ndër problemet kryesore me të cilat përballet Kosova në fushën e mbrojtjes të së drejtave të njeriut.

Duke komentuar të gjeturat e raportit, anëtarja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës, Lirie Kajtazi thotë se Kosova përballet me probleme serioze në respektimin e të drejtave të njeriut, si pasojë e mosrespektimit të ligjeve.

“Kemi shumë probleme të cilat besoj edhe si Komision për të Drejtat e Njeriut duhet të kërkojë më shumë monitorim nga institucionet, agjencionet dhe qoftë nga forume të ndryshme të cilat do të ishin sjell më ndryshe, do t’i kryenin detyrat e veta. Vet fakti që ligjet tona nuk respektohen as 50 për qind e asaj që është e shkruar, flet që ne jemi larg respektimit të disa të drejtave të njeriut në përgjithësi”, tha Kajtazi.

Gazetarëve po u shkelen të drejtat

Periskopi.com Lajme

Mungesa e kontratave, vonesat e pagave, shkeljet në pushim të lehonisë, angazhimi jashtë orarit pa asnjë kompensim dhe mos deklarimet e kontributeve, janë disa nga problemet me të cilat gazetarët përballen në vendin e punës.

Kjo u tha në takimin e grupit punues për “Kushtet e punës së gazetarëve”, organizuar nga OSBE, ku u tha se veç tjerash, gazetarët përballen edhe me mungesë të kushteve të punës, ndërsa u theksua se shpesh gazetarët nuk ngritin zërin e tyre për shkak se u kanoset shkëputja e marrëdhënieve kontraktuale me punëdhënësin.

Kaltrina Hoxha nga OSBE, u shpreh se është pikërisht rreziku i shkëputjes së kontratave dhe marrëdhënies së punës, ajo që i shtyn gazetarët dhe praktikantët të heshtin atëherë kur të drejtat e tyre shkelen.

“Në vitet e fundit kemi lexuar për raste kur gazetarët kanë treguar publikisht për shkeljet që iu janë bërë në vendin e punës. Flasim për mungesë të kontratave, për pagesa të vonuara, për shkelje në pushim të lehonisë, e angazhim jashtë orarit pa asnjë kompensim si dhe për rastet për mospagim të kontributeve. Kemi dëgjuar edhe raste kur praktikantët kanë ngritur zërin për trajtimin që iu bëhet në redaksi. Ndonëse në kundërshtim me ligjin e punës, praktikantët e rinj e të aftë për punë mbesin në këto pozita deri në 12 muaj. Mbeten sporadike këto, sikur edhe rastet e gazetarëve, sepse një sinjalizim i tillë lehtë mund të çojë në ndërprerje të marrëdhënieve kontraktuale me punëdhënësin”, u shpreh ajo.

Edhe Ardiana Thaçi – Mehmeti nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se gazetarët përballen me shkelje të të drejtave në punë, në mungesë të kushteve në punë dhe shkeljeve të të drejtave të tyre, derisa pati një thirrje për gazetarët.

Ajo bëri të ditur se vitin e ardhshëm AGK-ja do të bëjë një anketë me të gjitha mediat lokale dhe nacionale, në mënyrë që të ketë të dhëna të sakta se ku janë të drejtat e punëtorëve, ku shkelen të drejtat e tyre, dhe se për çka pengohen ata në vendin e punës.

E për të arritur këtë, ajo ftoi gazetarët që të ngritin zërin e tyre.

“Kjo nuk mund të realizohet nëse ne si gazetarë, si Asociacion nuk sensibilizohem që të flasim për ato të drejta, edhe nëse ajo na kushton ndoshta me shkëputje të kontratave edhe pse besoj që nëse gjërat bëhen sa më të mëdha nuk do të ketë shkëputje të kontratave sepse edhe punëdhënësit nuk janë ata të cilët duan të dëmtojnë imazhin e kompanive ku punojnë”, tha ajo.

Zhelko Tvrdishiq nga Radio Kontakt Plus lavdëroi vendin e tij të punës, pasi siç tha ai, aty orari i punës rregullohet me rregullore të punës, ndërsa orët shtesë u paguhen. Sa i përket mungesës së kushteve të punës, ai tha se institucionet duhet të merren me përmirësimin e gjendjes aktuale.

“Kur flasim sidomos për veriun e Kosovës, kemi pasur një problem shtesë, një paqëndrueshmëri juridike që është më specifike për këtë pjesë të Kosovës, e që ka qenë problem shtesë më të cilin janë përballur gazetarët. Kam frikën se këta gazetarë lokalë që punojnë në këto mediume janë të paguar mjaft dobët dhe në anën tjetër ka mungesë të kushteve të punës, të rregullores të punës. Probleme këto që do të duhej të zgjidheshin në mënyrë institucionale”, theksoi ai.

Ndërsa Zekrija Shabani nga Infokus tha se në Kosovë, zinxhiri që garanton të drejtën e fjalës është goxha i brishtë.

Ndryshe, sipas anketës “Perceptimi Publik për mediat dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë”, e kryer nga misioni i OSBE-s në Kosovë, ka gjetur se 52,8 për qind e të anketuarve besojnë se gazetarët nuk janë të sigurt gjatë kryerjes së punës së tyre, 59.6 për qind besojnë se si gazetarët meshkuj ashtu edhe femra janë po aq të cenueshëm, ndërsa 30,7 për qind besojnë se gazetaria hulumtuese është arsyeja përse gazetarët përballen me kërcënime, sulme dhe frikësime.