Probleme me sigurim të vizave kanë edhe të ftuarit e Speciales

Periskopi.com Lajme

Dhomat e Specializuara të prokurorisë në Hagë, me gjasë të madhe gjatë muajit dhjetor veç do të nisin me ngritjen e aktakuzave të para.

Si pjesë e punës për sigurimin e terrenit, hetuesit e Speciales, si dhe zyrtarë të saj gjatë këtij muaji kanë nisur me marrjen e pasaportave për personat që u intervistuan në cilësinë e të dyshuarve, dhe që ndaj tyre në të ardhmen me gjasë të madhe do të ketë aktakuzë.

I gjithë ky veprim nga Specialja, po bëhet në atë formë që për të akuzuarit e mundshëm të rregullohen vizat për në Holandë, ku edhe e ka selinë kjo prokurori.

Forma e cila është zgjedhur nga Specialja, është që të ftuarve t’u merren pasaportat dhe e gjithë procedura përmes ambasadës të rregullohet nga zyrtarët apo punonjësit e kësaj Prokurorie.

Këtë e thotë për lajmi.net edhe nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, e që sipas tij edhe vetë Specialja po ka problem me çështjen e rregullimit të vizave.

“Çështja e pasaportave është se të ftuarve ua kanë marrë pasaportat për ta rregulluar punën e vizave. Pra disave ua kanë marrë, e disave po ua rregullojnë përmes disa ambasadave tjera, ngase edhe këta po kanë problem për zgjidhjen e çështjes së vizave”, ka thënë Haradinaj për lajmi.net.

Në opinion ishte përmendur shumë edhe çështja e arrestimeve të të dyshuarve, për të cilën Haradinaj thotë se informacionin e kanë marrë nga avokatët e huaj.

Sidoqoftë, në bazë të asaj që deri tani dihet, nuk pritet të ketë arrestime “spektakolare”, të cilat do të shkaktonin reagime në publik.

Të dyshuarit pritet të udhëtojnë drejtë selisë në Hagë, dhe në bazë të kërkesës së Prokurorisë ata do të qëndrojnë në paraburgim.

Nga ana tjetër, avokati i akredituar nga Specialja, Teki Bokshi thotë për lajmi.net se vetë shteti i Holandës në bazë të marrëveshjes e ka për detyrim thjeshtësimin e procedurave të vizave.“

Në bazë të marrëveshjes së arritur me Dhomat e Specializuara të Prokurorisë, Holanda e ka për detyrim thjeshtësimin e procedurës së vizave, dhe në këtë aspekt nuk besoj se mund të ketë problem”, thotë ai.

Ndryshe nga Haradinaj, Bokshi thotë se asnjëri nga klientët e tij, nuk ka pasur probleme me sigurimin e vizave.Specialja deri më tani konsiderohet se në Hagë për intervistim ka ftuar gjithësej mbi 250 persona.Ndër figurat e larta politike që u ftua së fundmi është edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai do të paraqitet më 4 dhjetor për intervistim para dhomave të Specializuara të Prokurorisë.

Të ftuarit e Gjykatës Speciale mund edhe të paraburgosen

Periskopi.com Lajme

Disa të ftuar nga Gjykata Speciale mund që të paraburgosen gjatë procesit të intervistimit.

Gjykata Speciale deri më tani ka dërguar disa ftesa për ish-eprorët e ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare.

Të fundit nga skena politike që janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, janë kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj si dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Haradinaj ishte thirrur nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit mirëpo, ai është mbrojtur në heshtje.

Por a ekziston ndonjë mundësi që të gjithë të ftuarit nga Gjykata Speciale të paraburgosen gjatë procesit të intervistimit?

Avokati i akredituar i Gjykatës Speciale, Tomë Gashi, ka bërë të ditur për lajmi.net, se në raste të caktuara edhe mund të ndodhë paraburgimi i ndonjërit prej të dyshuarve.

“Normal që në raste të caktuara Prokuroria Speciale në Hagë mund të kërkoj që Gjykata Speciale në raste të caktuara të paraburgos dikë prej të dyshuarve dhe atë para gjatë, por edhe pas interviatimit të tij apo të saj”, tregoi Gashi.

Sipas tij, rastet e tilla mund të ndodhin kur prokuroria ka dyshime se të dyshuarit mund të ndikojnë te dëshmitarët apo te provat, por edhe kur ka dyshime se mund të largohen nga vendi.

“Prokuroria e kërkon këtë kur ka dyshime se personi i dyshuar mund të ik, mund të ndikojë në dëshmitarë dhe prova për të siguruar prezencën e tij, paraburgimi si masa më e ashpër mund të parandalojë këto veprime. Por gjithmonë Gjykata do të vlerësoj se rreziqe të tilla se a mund të eliminohen me masa të tjera alternative, siç janë arresti shtëpiak, lajmërim në polici në dite dhe kohë të caktuar, konfiskimi i dokumenteve të udhëtimit, kaucioni dhe veprime të tjera, të ndërlidhura”, u shpreh Gashi.

Sipas tij, mund të ndodhë që Gjykata Speciale të kërkojë që ndonjë i dyshuar të qëndrojë në Hagë.

“Por specifika është se Gjykata Speciale mund të kërkoj që i dyshuari të qëndrojë në Hagë në kushtet që gjykata i përcakton”, theksoi ai.

Gashi tregoi se praktikat e Gjykatës Speciale janë të njëjta siç kanë qenë në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, ku të dyshuarit kanë qëndruar në paraburgim edhe gjatë procesit të intervistimit dhe nuk kanë pasur mundësi që të mbrohen në liri.

“Praktikat janë të njëjta siç kanë qenë në Tribunalin e Hagës për ish -Jugosllavinë, edhe pse në atë Tribunal secili i akuzuar gjatë fazës së gjykimit ka qëndruar në paraburgim dhe nuk ka pasur mundësi askush të mbrohet në liri derisa të zhvillohet gjykimi”, tregoi ai.

Tutje Gashi ka thënë se ka shumë gjasa që dikush prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së të arrestohet dhe të mbahet në paraburgim menjëherë pas ngritjes së aktakuzës.

“ Gjasat më reale janë që dikush prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së të arrestohet dhe të mbahet në paraburgim pas ngritjes se aktakuzave në Gjykatën Speciale. Shpresojmë që kjo mos të ndodhë por gjasat janë shumë shumë të mëdha”, theksoi Gashi.