”Rikthimi i besimit te të kthyerit nga Siria mbetet sfida kryesore”

Periskopi.com Lajme

Personat e kthyer në Kosovës nga luftërat në Lindjes e Mesme po ballafaqohen me stigmatizim sistematik, prandaj edhe kanë humbur besimin ndaj institucioneve në vend.

Kështu ka thënë bashkëthemeluesi i Institutit për Siguri, Integrim dhe Deradikalizim, Arbër Vokrri i cili për KosovaPress thekson se rikthimi i besimit të të kthyerve nga Siria mbetet ndër sfidat kryesore.

“Sfida më e parë është humbja e besimit në institucionet vendore si ato shtetërore, jo qeveritare e kanë humbur kredibilitetin e kësaj kategorie të shoqërisë sonë për shkak se për një periudhë të gjatë kohore ata të kthyerit nga Siria janë ballafaquar me stigmatizim, madje shpesh me stigmatizim në mënyrë sistematikë dhe tani nuk është lehtë që të komunikohet dhe të binden për të bashkëpunuar dhe për të marrë pjesë në programe që synojnë riintegrimin e tyre në shoqëri. Rikthimi i besimit ka qenë dhe mbetet sfida kryesore”, tha ai.

Vokrri ka treguar disa nga faktorët që i kanë shtyrë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme.

“Njëri ka të bëjë me faktorët socio-ekonomik, tjetri grup i arsyeve ka të bëjë me interpretimet e gabuara e devijante të teksteve fetare dhe grupi tjetër i faktorëve ka të bëjë me faktorët psiko-social. Tek personat e ndryshëm, një grup i këtyre faktorëve mund të ketë luajtur rol më të madh sesa tjetri, por zakonisht është i kombinuar. Ka persona që thonë se janë ndier të përjashtuar nga shoqëria”, tha ai.

Gjatë kësaj jave INSID ka lansuar Grupin Ndërkombëtar të Përfshirjes që synon ofrimin e ideve me qëllim të luftimit të radikalizimit në botë.

‘Të kthyerit nga Siria, në vëmendje të agjencive të inteligjencës’

Periskopi.com Lajme

Ermonela Felaj flet për Zërin e Amerikës se sa po e ndjek qeveria e Shqipërisë çështjen e familjarëve të ISIS-it të bllokuar në Siri, për të cilën pati mjaft debate disa muaj më parë.

Ajo tha se agjencitë e inteligjencës kanë qenë vijimisht në ndjekje të problemit.

Felaj, e cila ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në një forum të Kongresit amerikan për çështje të sigurisë dhe inteligjencës, tha se shumica e atyre që kanë shkuar në Siri, luftëtarë të huaj apo familjarë tyre, një pjesë janë rikthyer dhe kanë qenë vazhdimisht në vëmendje të shërbimeve të inteligjencës, në mënyrë që radikalizimi i tyre të mos vijojë te persona të tjerë.

Felaj foli edhe për paketën “Anti-shpifje” të paraqitur nga qeveria në parlament e cila që ka ngjallur kritika nga institucionet e specilizuara ndërkombëtare si dhe nga mediat vendase.

 

Deri në 9 vjet burgim për të kthyerit nga Siria

Periskopi.com Lajme

Të kthyerit nga Siria janë duke u hetuar për “Pjesëmarrje në luftëra të huaja”.

Gratë kosovare tregojnë se si kishin vendosur të shkojnë në zonat e konfliktit në Siri dhe në Irak, duke iu bashkëngjitur organizatave terroriste.

Madje disa treguan se si burrat u kishin thënë se po shkojmë për pushime verore, ndërsa kishin përfunduar në luftë

Personat që janë kthyer nga Siria po hetohen për “Pjesëmarrje në luftëra të huaja”. Prokurori Sylë Hoxha ka thënë për gazetën “Zëri” se për veprimet e tilla ata mund të marrin dënime deri në 9 vjet burg.

“Personat që janë kthyer nga Siria janë duke u hetuar për ‘Pjesëmarrje në luftëra të huaja dhe terrorizëm’. Kryesisht dënimet që mund t’i marrin këta persona të cilët kanë qenë pjesë e organizatave terroriste sillen prej 3 deri në 8 vjet dhe prej 5 deri në 9 vjet burg”, ka thënë Hoxha.

Burrat, por edhe gratë që janë kthyer nga Siria janë aktualisht në procedurë penale. Katër burrat po vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, përderisa gratë aktualisht janë në arrest shtëpiak, i cili do të zgjasë një muaj derisa të merret një vendim tjetër, i cili do të varet nga hetimet që po i zhvillon Prokuroria.

Ekspertët: Ballkani në rrezik nga të kthyerit nga luftërat e huaja

Periskopi.com Lajme

Ballkani Perëndimor vazhdon të vuajë pasojat e përhapjes së ideologjive të ekstremizimt të dhunshëm me bazë fetare. Kthimi në vendlindje i luftëtarëve të huaj, paraqet rrezik të madh, thonë ekspertët e sigurisë.

Këto komente u bënë në një konferencë të organizuar në Uashington nga Fondacioni gjerman ‘Berghof’ dhe Programi për Menaxhimin e Konflikteve i Universitetit Johns Hopkins.

Të dhënat e Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, tregojnë se vetëm nga Kosova, në periudhën 2013-2014, 294 individë iu bashkuan organizatave terroriste në Siri dhe Irak.

Nga viti 2015 deri në vitin 2018, kësaj shifre iu bashkuan edhe 82 persona tjerë.

Shumica e shteteve të Ballkanit, vazhdojnë të përballen me problemin e ekstremizit të dhunshëm fetar.

“Në rajon janë rreth 900 persona, duke përfshirë luftëtarë të huaj, gra e fëmijë, që udhëtuan drejtë Sirisë dhe Irakut për t’iu bashkuar organizatave terroriste”, thotë Skender Perteshi, nga Qendra për Studime të Sigurisë.

Këto të dhëna u publikuan në konferencën mbi ekstremizmin e dhunshëm në Ballkanin perëndimor, organizuar nga programi për menaxhimin e konflikteve dhe fondacioni ‘Berghof’.

Sipas Engjëllushe Morinës nga fondacioni Berghof, veç ideologjisë, një nga shkaktarët kryesorë që ka ndikuar në radikalizimin e të rinjëve të Ballkanit është edhe mosfunksionimi si duhet i institucioneve shtetërore në nivel lokal.

“Faktorët që i ndihmuan ekstremizmit të dhunshëm janë dallimet në ideologji dhe identitetin fetar, institucionet jo-funksionale dhe humbja e besimit në institucione shtetërore por edhe ato fetare. Cilësia e edukimit dhe niveli i edukimit fetar është një faktor tjetër, siç është edhe papunësia, ndonëse jo ndër shkaktarët e pare sidomos tek të rinjtë”, thotë Engjellushe Morina.

Ekspertët po ashtu theksuan se shkaqe tjera që sollën ekstremizmin janë aktivitetet e pakontrolluara të disa organizatave jo-qeveritare, institucionet paralele fetare në disa vende si dhe rrjetet sociale.

Por, sot kur organizata terroriste ISIS është drejtë shuarjes, Ballkani ndeshet me një rrezik tjetër.

“Kthimi në shtëpi i luftëtarëve të huaj, duhet të vëzhgohet me kujdes”, thotë Skender Perteshi nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë.

“Kthimi i tyre në Kosovë dhe rajon është me rrezik, sepse ata pas vetes kanë një përvojë shumë të madhe, që e kanë marrë në luftë. Pas vetes sjellin një ideologji ose një nivel shumë më të madh të radikalizmit, që e kanë marrë në vendet ku kanë qenë. Mos të harrojmë se këta në kohën sa qëndruan në Siri dhe Irak, kanë ndërtuar një rrjet ndërkombëtar të terroristëve, që kanë kontakte jo vetëm me shqiptarët që janë atje, por edhe me individë të vendeve tjera të Lindjes së mesme dhe vendeve të Evropës. Edhe nuk e dimë arsyen, pse realisht janë kthyer, a janë kthyer se me të vërtetë janë kundër ideologjisë së përgjithshme për vendimit që e kanë marrë apo janë kthyer për shkak se kanë qenë të zhgënjyer me ISIS-in si organizatë, që nuk ka arritur t’i mbërrij qëllimet e tyre në përgjithësi”, thotë ai

Riintegrimi i këtyre personave do të kërkojë kohë dhe vullnet të institucioneve dhe shoqërisë. Megjithatë, Engjellushe Morina nga Fondacioni Berghof, mendon se ky proces është sfidë e madhe duke ditur se faktorët që çuan në ikjen e këtyre personave në zona lufte, nuk janë përmirësuar ende.

“Procesi i riintegrimit nuk do të thotë vetëm arrestimi dhe procesi gjyqësor i këtyre individëve, por plane të tjera të riintegrimit në shoqëri, ku shumica prej faktorëve dhe aktorëve kyç nuk kanë ndryshuar, lënë shumë për të dëshiruar dhe pak për të besuar se të kthyerit do të integrohen si duhet”, thotë Engjellushe Morina.

Muajin e kaluar, në Kosovë janë kthyer 110 persona nga vatrat e luftës. Shumica prej tyre janë gra dhe fëmijë.

Rreth po aq persona ishin kthyer në Kosovë në periudhën 2013-2014, mirëpo atëherë shumica prej tyre ishin luftëtarë të huaj.

Kosova ka nisur zbatimin e programit të riintegrimit, por ekspertët rekomandojnë më shumë bashkëpunim midis autoriteteve lokale dhe atyre shtetërore.

Alarmon imami nga Peja: Të kthyerit nga Siria i presin libra të autorëve terroristë

Periskopi.com Lajme

Zuhdi Hajzeri, anëtar i Qendrës Evropianë për Studime kundër Terrorizmit dhe inteligjencës në Gjermani dhe Holandë, thotë se është një vendim i mirë kthimi i mbi 100 kosovarëve nga Siri, megjithatë ai e sheh si problem, faktin që, në Kosovë ata do të priten nga libra të ‘autorëve terrorist’.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës, që t’i trajtojnë ata me shumë kujdes, pasi siç thotë ai  Kosova nuk duket që të jetë një terren i përshtatshëm që ata të harrojnë ideologjinë e cila i ka dërguar në Siri.

Sipas tij BIK-u, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë, duhet të veprojnë në mënyrë të matur.

Secili nga këto institucione duhet dhe besoj se janë te kyçur ne atë se si do te veprohet dhe si te trajtohen e çka do te behet e veprohet me ata qe u kthyen këto dite nga Siria, por se terreni këtu nuk po duket se është, apo mund te jetë shume i përshtatshëm qe ata ti braktisin idetë dhe ideologjinë qe i ka shty dhe dërguar deri ne Siri dhe te futen ne gojën e ujkut, ideologjia është ajo qe i ka mashtruar, por se dikush e ka sjell atë ideologji këtu, dikush  e ka ujit atë ideologji, dikush  e ka përkrah atë ideologji, dikush e ka financua, dikush e ka shpjegua dhe ua ka servuar këtij populli”, ka thënë ai.

Hajzeri përmend faktin se kohëve të fundit në Kosovë janë përkthyer dhe shpërndarë falas libra të një autori që ai e quan ‘terrorist’, të përkthyera nga kryemimami i Pejës, Enes Goga.

“Institucione te nderuara te larte përmendura, ne Kosovën tone te dashur vitin e fundit apo muajt e fundit janë përkthyer dhe janë shpërndarë falas libër dhe ide te një autori terrorist te rrezikshëm, se paku për një libër po dihet hapur e për tjera qe ende nuk i ka shikuar dhe analizuar askush nuk po dihet dhe nuk po behet hetim ne atë drejtim sepse mund te jene shume”, thotë ai.

Sipas Hajzerit në Kosovë terreni është i minuar, dhe se duhet marrë masa të mënjëhershme ndaj përkthyesit të librit të Muhamed Salih El Munxhid”

“Institucioni fetar duhet ta analizoj dhe te marr masa te menjëhershme dhe te rrepta ndaj atij qe ka mundësua përkthimin e librit te një autori terrorist dhe ka mundësuar shpërndarjen falas ne 15 mije kopje, autori nxitës dhe financues i terrorizmit, sepse përkthyesi është pjesë e institucionit fetar (BIK), prandaj ndihma me e madhe ndaj atyre qe u kthyen dhe te tjerëve me ato ide është qe BIK ne aspektin fetar ta pastroj terrenin ne Kosove, sepse nëse ata janë kthyer nga terrori ne Siri dhe kanë ardhur këtu ne një atmosfere dhe terren i mbushur me libra te autorëve terrorist, është shkatërrim i tyre dhe shkatërrim i vendit, sepse atyre ua lehtëson qe ata te vazhdojnë ne ideologjinë qe i ka dërguar atje, prandaj  terrenin po e gjejnë te minuar ata qe u kthyen, sepse tani ata thuajse te gjithë e njohin edhe gjuhen arabe dhe këto libra te autorëve terrorist i drejtojnë ata qe ti lexojnë edhe librat tjera te autorit terrorist te librit “70 çështje rreth Agjërimit dhe rregullat e Agjërimit”, i nderuar institucion fetare bëjeni punën tuaj shumë shpejt dhe rreptë sepse tani është koha, dhe ndihma me e madhe është kjo, duke  e pastruar institucionin nga ai/ata qe po e minojnë dhe e kanë minuar terrenin me libra te autorëve terrorist e te cilët duken se nuk janë penduar dhe jo vetëm kaç por edhe kane vazhduar si ne rastin konkret e keni me librin e autorit “Muhamed Salih El Munxhid”  , e përkthyes e keni njeriun me pozitë ne BIK (Kryeimami i Pejës Enes Goga)”, shton ai.

Ai thotë se duhet të ndalohen të gjitha librat të cilat nuk janë në fryëmën e idelogjisë  dhe mendimit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Ne këtë aspekt Ministria e Punëve te Brendshme duhet te angazhohet shume seriozisht qe përmes Ministrisë se Drejtësisë dhe Prokurorisë te fillohet hulumtim dhe hetim e analizim i librave te ndryshme dhe ligjërimeve te ndryshme, dhe te gjitha ato qe nuk janë ne përputhje me idetë, mendimet dhe ideologjinë e institucionit fetar legjitim BIK atëherë përkthyesit servuesit, ndihmësit, financuesit e deri te ata qe i shpërndajnë te ndalohen ato libra e ato ligjërime, te ndalohen dhe hetohen autoret apo përkthyesit e atyre librave dhe te gjithë ata qe janë ne ndonjë forme pjesëmarrës ne ato libra”, shton ai.

Ai thotë se këto veprime do të jenë ndihmë e madhe, pasi që libra të tilla të kthyerve nga Siria do t’ua bëjnë të pamundur atyre që të harrojnë idelogjinë që i ka dërguar për të luftuar në Siri.

“Kjo është ndihma me e madhe ne këtë kohe dhe me afatgjata, sepse këto libra dhe ligjërime ua mundësojnë te radikalizuarve dhe atyre qe u kthyen nga Siria qe ata te vazhdojnë ne idetë dhe ideologjinë e tyre, terreni duhet te pastrohet qe planet dhe programet tjera ne te ardhmen te kenë sukses, sepse te gjitha planet tjera janë te minuara nëse ky pastrim nuk realizohet, sepse ata fëmijë qe do shkojnë ne shkolla, nesër ne duart e tyre do i keni këto libra me ide dhe ideologji te kundërt me BIK, ata fëmijë do i dërgojnë ato libra tek nenat e  tyre apo  e kundërta, këtu po flasim për 15 mijë kopje te vetëm një libri e nëse zgjerohemi edhe ne libra te tjerë shifrat dalin tmerruese, hetojini prej nga ato financa, hetojini a ka përfituar dhe nëse ka përfituar çka kane përfituar nga këto përkthime?,  vendosni rregulla dhe standarde ne lidhje me ligjërimet dhe përkthimet e botimet e librave fetare qe janë ne kundërshtim me islamin e praktikuar dhe shpjeguar nga BIK, vendosni rregull ne këtë pike edhe me shtëpitë botuese duke i kontaktuar dhe biseduar qe edhe nëse tentohet te fshihet ndonjë botim ata te jene qe ta nderojnë vendin duke njoftuar institucionet e sigurisë duke i motivuar se kjo është ndihme ndaj vendit dhe sigurisë se vendit e atdheut, kjo është ruajtje e jetës se banorëve te Kosovës dhe pune e cila bene qe fëmijët tanë te jetojnë te qete”, përfundon ai.

Zuhdi Hajzeri është imam i cili është suspenduar nga BIK-u.

 

Sharron thellë Drecun: 110 kosovarët e kthyer nga Siria janë xhihadistë që do t’i sulmojnë serbët

Periskopi.com Lajme

Analistët në Serbi kanë diskutuar për kthimin e 110 personave nga Siria në Kosovë, duke thënë se ata ‘do të përhapin edhe më tutje ideologjinë radikale’. Kështu ka thënë Milovan Drecun për tv Pink, përcjell Periskopi.

Mediat serbe citojnë deklaratën e ministrit të drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, i cili ka deklaruar se ‘kthimi i këtyre familjeve nga Siria është bërë me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës’.

“Kur ata kthehen nga ai rajon, ata nuk do të mund t’ia dalin në procesin e ri-socializimit, por sigurisht se do të vazhdojnë të përhapin ideologjinë radikale e cila do të prekë gjithë rajonin. Ata janë të trajnuar nga ushtria për të kryer sulme terroriste dhe kanë kontakte ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, Kosova mund të shërbejë si bazë për rekrutimin e xhihadistëve dhe për kryerjen e sulmeve terroriste. Target i sulmeve janë popullata e krishterë, në veçanti serbët”, ka thënë Drecun./Periskopi/

Rreth 120 kosovarë që luftuan krah ISIS-it janë kthyer në Kosovë

Rreth 120 qytetarë të Kosovës që kanë marrë pjesë në luftën e të ashtuquajturit Shtet Islamik, janë kthyer në Kosovë.

Periskopi.com Lajme

Deri tash, institucionet e vendit nuk kanë bërë asgjë për ri-integrimin dhe deradikalizmin e tyre.

Një pjesë e madhe e tyre janë arrestuar e disa edhe janë dënuar në gjykatat e Kosovës.

Skender Perteshi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se nuk mjafton vetëm burgosja e tyre, pasi sipas tij, radikalizmi i tyre, mund të vazhdojë edhe në burgje.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme e as në Ministrinë e Drejtësisë, nuk kanë pranuar të flasin për këtë temë.

Kryemami i Bashkësia Islame të Kosovës, Sabri Bajgora, ka thënë se ky institucion ka marrë pjesë në hartimin e Strategjisë Kombëtare kundër Ekstremizmit.

Gjatë luftërave të zhvilluara në Siri dhe Irak, janë vrarë dhjetëra kosovarë.