Rifat Jashari takohet me Vasfije Krasniqin, përloten kur lexojnë rrëfimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale në luftë (Foto)

Periskopi.com Lajme

Kryefamiljari i familjes legjendare Jashari, Rifat Jashari ka vizituar sot ekspozitën në Muzeun e Kosovës, e cila është hapur në nderë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ai takoi aty të mbijetuarën e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman me ç’rast nga ky takim edhe u përlotën nga mbishkrimet që janë në ekspozitë.

Rifat Jashari iu falënderua për guximin e saj për rrëfimin publik të ngjarjes traumatike dhe kurajon që u ka dhënë të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë për të vazhduar kërkimin e drejtësisë për krimet e kryera ndaj tyre.

Gazetari i KTV-së tregon qëllimin e publikimit të fotografisë nga Flora Brovina

Periskopi.com Lajme

Tashmë kanë kaluar 10 ditë që nga publikimi i fotografisë së një akti seksual përmes të cilit deputetja e PDK-së, znj.Flora Brovina mundohej të ilustronte përdhunimin e forcave serbe ndaj grave shqiptare.

Fotografia në fjalë doli e marrë nga një video pornografike dhe pasojat duket se veç sa kanë nisur, shkruan Periskopi.

Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, deklaroi se publikimi i asaj fotografie e dëmtoi procesin e njohjes ligjore të viktimave të dhunës seksuale. Ajo shpjegoi se shumë të mbijetuara tashmë nuk duan të japin dëshmitë e tyre dhe disa prej tyre veçse i kanë tërhequr dokumentet dhe dëshmitë e ofruara deri tash.

Z.Mefail Bajqinovci i cili përgatit emisionin Puls në Kohavizion në një postim në Facebook ka deklaruar se ky ishte edhe qëllimi i zonjës Brovina dhe PDK-së. /Periskopi

Feride Rushiti: Publikimi i fotografisë nga Flora Brovina dëmtoi procesin e njohjes ligjore të viktimave të dhunës seksuale.Ky ishte edhe qëllimi.

Posted by Mefail Bajqinovci on Sunday, 26 May 2019

Për Surroin publikimi i dhunimit është edhe më zi se pornografia: E quan perverzion

Periskopi.com Lajme

Pas publikimit të një fotografie nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ku shihej një grua derisa dhunohej nga tre policë serbë në sy të familjarëve të saj ka irrituar publikun kosovar, grupet që mbrojnë gratë e dhunuara dhe familjarët e viktimave në fjalë.

Së fundi, publicisti Veton Surroi përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, deklaroi që “Publikimi i një dhunimi [për përfitime politike] quhet perverzion.”

Periskopi më herët hoqi të gjitha fotografitë nga lajmet e publikuara më herët për rastin, sapo mori vesh që familjarët e viktimës kishin kërkuar një gjë të tillë.

Ky është reagimi i plotë i z.Surroi:

Publikimi i një akti seksual për përfitim parash quhet pornografi.
Publikimi i një akti seksual për përfitim politik quhet pornografi politike.
Publikimi i një dhunimi quhet perverzion. Në këso rasti, politik.

Reagojnë të mbijetuarat e dhunës seksuale: Na i keni rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës

Periskopi.com Lajme

Pas publikimit në media dhe rrjetet sociale të fotografisë, e cila paraqet kryerjen e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka pranuar shumë telefonata dhe reagime nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe nga familjarët e tyre.

Në njoftimin për media thuhet se të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë tepër të shqetësuar dhe të indinjuar pas publikimit të këtyre pamjeve.

“Publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë – pa cenzurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës.Paraqitja e këtyre imazheve në mënyrë publike më së paku iu ndihmon të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe familjarëve të tyre, andaj për shkak të emocioneve të provokuara dhe për shkak të pamjeve të ndieshme, kërkojmë nga mediat dhe të gjithë ata që e kanë publikuar këtë fotografi, ta largojnë nga shfaqja në publik”, thuhet në reagim.

Ndryshe në seancën e Kuvendit sot deputetja Flora Brovina ka publikuar një fotografi ku shiheshin ushtarët serbë duke dhunuar një grua në Kosovë, dhe familjarët përreth saj janë disa të vrarë, e disa duke u keqtrajtuar nga ushtria serbe.

 

Shteti ua njeh statusin e viktimave të dhunës seksuale veç 160 vetëve, plot të refuzuar

Periskopi.com Lajme

Shteti ua ka njohur statusin e viktimave të dhunës seksuale vetëm 160 nga 827 aplikime, 27 janë refuzuar

Që nga pesë shkurti, 827 persona kanë aplikuar për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

160 prej tyre u është njohur statusi dhe tashmë gëzojnë pensionin prej 230 euro në muaj, raporton KTV.

Derisa, 27 të tjerëve u është refuzuar njohja e statusit, pasi që komisioni ka verifikuar se të njëjtit kanë deklaruar rrejshëm se janë viktima me qëllim të përfitimit të beneficioneve. Të njëjtit mund të ndiqen penalisht.

Ndërsa, të tjerat aplikacione janë në fazën e shqyrtimit.

Në Qendrën e Rehabilitimit të këtyre viktimave thonë se procesi po stërzgjatet mjaft shumë pasi që të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk po arrijnë ta kompletojnë dokumentacionin e nevojshëm.

Njohja e së drejtës për pension për këtë kategori ka qenë temë diskutimi edhe në mbledhjen e Grupit Ndërministror për të Drejtat e Njeriut.

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se me njohjen e statusit të këtyre viktimave nuk janë kryer të gjitha obligimet.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, porositi institucionet dhe ministritë t’i zbatojnë rekomandimet e këtij institucioni.

Deri më tani, në Kosovë nuk ka persona të cilët janë dënuar për dhunimet seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, derisa konsiderohet se qindra gra e vajza u dhunuan gjatë kësaj periudhe.

Rasti i fundit është ai i Vasfije Krasniqi- Goodmanit, në të cilin, me gjithë dëshmitë dhe provat e ofruara, Gjykata Supreme mori vendim që dy serbët e akuzuar për dhunim t’i lirojë si të pafajshëm.