Babai shqiptar plagos rëndë të bijën me grushta dhe shkelma, pasi ia lexoi mesazhet

Periskopi.com Lajme

Ka mjaftuar një mesazh në telefon, që një shtetas shqiptar 52 vjeç, të bëjë për spital të bijën 15 vjeçare.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës në fshatin Acalenjo, në ishullin grek të Kretës, në kohën që zilja e mbërritjes së një mesazhi në telefonin së bijës 15 vjeçare ka sjellë reagimin e babait 52 vjeçar, i cili sapo lexoi mesazhin që i ishte adresuar së bijës, filloi ta godasë me grushta dhe shkelma, duke e dëmtuar rëndë.

Pak më vonë e mitura u dërgua në spital me plagë të rënda, ndërsa policia që u njoftua prej fqinjve, arrestoi babain “monstër” nën akuzën e dëmtimeve të rënda të personit, dhunë brenda familjes dhe kërcënim ndaj personave të mitur, raporton Top Channel.

Gjyqi ndaj babait “monstër” do të bëhet gjatë ditës së hënë, ndërsa deponimet e së bijës dhe bashkëshortes duket se e dërgojnë në burg autorin.

Mësohet se shtetasi shqiptar, tashmë i arrestuar, përdor shpesh dhunë ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, ndërsa është përdorues i shpeshtë i alkoolit.

Emri i autorit për momentin nuk bëhet publik, por gjatë ditëve në vazhdim, prokuroria e Kretës pritet të urdhërojë publikimin e të dhënave dhe fotove të tij, praktikë që përdoret shpesh për autorët e akteve të dhunës ndaj të miturve.