346 persona me gradë doktorë shkencash të papunë në Shqipëri

Periskopi.com Lajme

Besimi se sa më shumë shkollë të bësh aq më shumë rriten mundësitë për të gjetur një punë nuk funksionon në Shqipëri.

Sistemi arsimor në vend, vit pas viti ka humbur lidhjet me tregun e punës, për shkak se diplomat e prodhuara nuk përputhen me profesionet që kërkojnë sektorët. Për pasojë, shumë njerëz që kanë përfunduar arsimin e lartë në vend mbeten jashtë tregut të punës dhe dekurajohen tërësisht për të gjetur një punë edhe pa lidhje me profesionin.

Sipas një analize që Monitor u bën të dhënave nga INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2019, 18.1% e personave me arsim të lartë në moshë punë ishin inaktivë.

Të dhënat tregtojnë se së paku që nga viti 2016 e deri në vitin e kaluar, shkalla e “dembelizmit” te personat me arsim të lartë luhatet në intervalin 19-21%.

Zgjerimi i sektorëve të ekonomisë që nuk kërkojnë shumë kualifikim, të tillë si fasoni, call center, turizmi etj., po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë punësimin e të arsimuarve në vendin tonë.

Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, numri i të papunëve ishte 173.207 persona, nga të cilët 346 ishin doktorantë. Kjo kategori në të cilën përfshihen edhe personat me gradë doktorë shkencash zuri 0.2% të totalit të të papunëve.

Diploma që nuk i kërkon tregu i punës

Të dhënat mbi papunësinë sipas nivelit arsimor janë një pasqyrë e qartë e mospërputhjes së sistemit arsimor në vend me tregun e punës. Diplomat e arsimit të lartë më së shumti janë për ekonomi, shkenca shoqërore dhe juridik, teksa nevojat për punë janë në bujqësi dhe turizëm.

Statistikat arsimore tregojnë tendencën alarmuese drejt profesioneve për të cilat tregu i punës nuk ka nevojë. Mbi 50% e studentëve vitin e kaluar zgjodhën të studiojnë për shkencat humanitare dhe artet, teksa numri i studentëve në degët që lidhen me bujqësinë dhe turizmin ra përkatësisht me 24 dhe 57% në krahasim me pesë vite më parë.

Më 2018, krahasuar me vitin e mëparshëm, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej është rritur me 2,6 pikë përqindje.

Gjatë vitit 2018, krahasuar me vitin e mëparshëm, pati një rënie të shkallës së papunësisë për personat me arsim 8-9-vjeçar me 2,4 pikë përqindje dhe për personat me arsim të mesëm me 1,2 pikë përqindje.

Vajzat zgjedhin “në degë të lehta”

Të dhënat për vitin e fundit akademik treguan se në pjesën më të madhe të rasteve vajzat janë diplomuar për shkencat shoqërore dhe edukim, ndërsa kanë qenë në minorancë për sa i përket degëve që kanë lidhje me bujqësinë dhe peshkimin, inxhinierinë, prodhimin dhe ndërtimin. Në këto degë mbizotërojnë të diplomuarit djem.

Megjithatë për të dyja gjinitë, peshën kryesore në diplomat e marra sipas fushave të studimit në arsimin e lartë, e zë ajo e shkencave të biznesit, administrimit dhe ligjit për të dyja gjinitë.

Fushat e studimit ku vajzat diplomohen më shumë janë biznes, administrim dhe ligj (27,4 %), shëndet dhe mirëqenie (17,5 %), arte dhe humanitare (12,0 %). Ndërsa fushat e studimit, ku diplomohen më së shumti djemtë, janë biznes administrim dhe ligj (30,1 %), inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (16,1 %)dhe teknologjitë e informacionit (10,4 %).

Sipas një publikimi të INSTAT mbi barazinë gjinore në Shqipëri, fusha e studimit, më e dominuar nga vajzat e diplomuara është ajo e shëndetit dhe mirëqenies në të cilën 78,9 % e studentëve të diplomuar janë vajza, ndjekur nga ajo e arsimit me 77,7 % të studentëve të diplomuar vajza, dhe arte dhe shkenca humane (74,2 %). Ndërsa djemtë dominojnë më shumë në fushën e shërbimeve (71,1 % e të diplomuarve janë djem), ndjekur nga inxhinieri, prodhim dhe ndërtim (61,7 %), si dhe teknologjia e informacionit me 56,3 %.

Gjatë vitit akademik 2017/18 në arsimin e detyruar u diplomuan 37 mijë nxënës nga të cilët 51,1 % ishin djem dhe 48,9 % vajza. Në këtë vit akademik, ka një ulje të vogël të numrit të nxënësve që marrin diplomë të arsimit të mesëm, krahasuar me vitin paraardhës.

Nxënësit e diplomuar në arsimin e mesëm sipas gjinisë ishin 48,6 % djem dhe 51,4 % vajza. Numri i të diplomuarve në arsimin e lartë në vitin akademik 2017/18 ishte 34 mijë studentë ndër të cilët vajzat përbënin 63,3 %. Numri i të diplomuarve vajza në krahasim me një vit më parë ka rënë me 4,1 %.

Niveli i pjesëmarrjes bruto në arsimin e detyrueshëm është 102,1 % për djemtë dhe 99,2 % për vajzat. Edhe pjesëmarrja në nivelin e mesëm të studimeve është më e lartë për djemtë se për vajzat, përkatësisht 97,4 % dhe 90,1 %, ndërsa në nivelin universitar raporti përmbyset, ku pjesëmarrja është më e lartë për vajzat, me 66,4 % sesa për djemtë, me 43,8 %.

Pjesëmarrja sipas gjinisë në ciklet arsimore tregon për ekzistencën e diferencave gjinore në nivelet e ndryshme të arsimit. Ka një raport më të lartë të djemve, krahasuar me vajzat në arsimin parauniversitar, ndërkohë që në arsimin e lartë 59,7 % e studentëve të këtij cikli janë vajza./monitor

 

Shifra shqetësuese: 11 mijë persona me diplomë universitare janë të papunë në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Diploma që po marrin pas përfundimit të studimeve në universitete, kosovarëve nuk po u shërben që të punësohen. Madje, disa prej tyre po i afrohen moshës së pleqërisë, si të papunë. Me këtë trend, ata duket se më parë do ta marrin pensionin e pleqërisë, sesa pagën e parë. Aktualisht, në tërë vendin janë rreth 95 mijë qytetarë të papunë, 10 mijë prej të cilëve me diploma universitare. Njohësit e arsimit fajin për këtë po ua lënë institucioneve arsimore, pasi që, sipas tyre, nuk po i pajisin studentët me shkathtësitë që i kërkon tregu i punës. 

Adelina Rizanaj ka katër vite që ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin Biologji-Kimi. Por, diploma që mori pas përfundimit të studimeve nuk po i shërben për t’u punësuar.

Edhe pas kaq vitesh, ajo është në kërkim të një vendi pune.

Rizanaj tregon se është interesuar shumë herë që të punësohet në Komunën e Prishtinës, Prizrenit e Podujevës, por se gjithmonë kishte marrë të njëjtën përgjigje, “nuk ka vende të lira për këtë profesion”.

Ajo është ende në pritje të një konkursi për profesionin në të cilin ka përfunduar studimet.

Por, Adelina nuk është e vetmja që ka diplomë dhe është e papunë. Fat të njëjtë me të, ndajnë më shumë se 10 mijë persona të tjerë.

Madje, disa prej tyre i janë afruar moshës së pleqërisë, e siç duket më herët do të arrijnë që të marrin pensionin e pleqërisë, sesa pagën e parë në punë.

Sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që ka siguruar Gazeta Express, numri i të papunëve në vend arrin në rreth 95 mijë.

Zëdhënësi për media në MPMS, Musa Demiri deklaron se të prej gjithë këtij numri të të papunëve, mbi 10 mijë prej tyre kanë edhe diploma universitare. Demiri thotë se krahasuar me vitin e kaluar numri i të papunëve është përafërsisht i njëjtë.

“Numri i të papunësuarve të regjistruar të cilët kanë diplomë Bachelor janë rreth 10,572 persona”, thuhet në statistikat e MPMS-së.

Në bazë të këtyre statistikave, qytetet me numrin më të madh të të papunëve po del të jenë Prizreni, Prishtina, Mitrovica, Peja, Ferizaj e Podujeva.

Vetëm në këto komuna, numri i personave që nuk janë të punësuar shkon në rreth 30 mijë qytetarë.

E ndonëse, shumë prej qytetarëve ankohen se nuk kanë punë, në vend aktualisht janë rreth 12 mijë e 685 vende të lira të punës. Sektorët që aktualisht janë në kërkim të punëtorëve janë ai i tregtisë, industrisë, hotelerisë, ndërtimit dhe bujqësisë.

Ndërkohë, fajin se pse kosovarët e diplomuar nuk po arrijnë që të gjejnë punë, njohësit e arsimit po ua lënë institucioneve arsimore, derisa thonë se ndikim ka edhe ekonomia.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Arsim, Dukagjin Pupovci, i ka thënë Gazetës Express  se arsyeja kryesore që kosovarët nuk po arrijnë të gjejnë punë qëndron te ekonomia, pasi që nuk gjeneron vende të punës aq sa ka kërkesa.

Deklaron se problem tjetër qëndron edhe te Institucionet e Arsimit të Lartë, që sipas tij nuk po i pajisin studentët me shkathtësitë që i kërkon tregu i punës.

“Arsye kryesore është ekonomia, e cila nuk gjeneron vende të punës aq sa ka kërkesë. Tjetër arsye, është edhe numri i madh i të diplomuarve në arsimin e lartë. Është vendi i tetë në botë për nga pjesëmarrja, dhe ekonomia në gjendjen në të cilën është nuk mund t’i absorbojë të gjithë të diplomuarit”, thotë Pupovci.

Deklaron se numri i të papunëve me diploma do të rritet edhe më shumë viteve të ardhshme. Madje, thotë se edhe në statistikat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk janë përfshirë ata që kanë diplomë universiteti e punojnë punë që nuk kërkohet diplomë.

“Mendoj që numri i të papunëve me diplomë universiteti do të shkojë duke u rritur. Në këto statistika nuk janë llogaritë ata që kanë diplomë universiteti e punojnë punë që nuk kërkohet diplomë, pra punojnë punë që janë nën kërkesat e kualifikimeve të tyre”, tha Pupovci për Express.

Pupovci thotë se për tu përmirësuar kjo gjendje, Institucionet arsimore duhet t’i pajisin studentët me shkathtësitë që kërkohen në tregun e punës.

Në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se shumë prej bizneseve ankohen se të punësuarit nuk po janë të aftë për tregun e punës.

Zëdhënësi i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka thënë se një nga arsyet se pse ka kaq shumë të pa punësuar në vend është edhe mungesa e komunikimit në mes të sektorit privat dhe publik.

Rukiqi thotë se me një komunikim të tillë do të diheshin nevojat e tregut të punës, dhe se universitet do të përgatisnin kuadro që i nevojiten tregut.

“Shumica e kompanive ankohen se punëtorët nuk janë të përgatitur sa duhet dhe nuk janë shumë produktiv. Ka mungesë komunikimi në mes të sektorit privat dhe publik. Mungesa e këtij komunikimi po shfaqet në ankesat e bizneseve për të gjithë ata që synojnë”, tha Rukiqi.

I pari i OEK-ut sugjeron që disa prej drejtimeve duhet të reduktohen ose të mbyllen tërësisht.

“Ka shumë drejtime të cilat nxjerrin të diplomuar më shumë se që ka nevojë tregu i punës. Këto drejtime duhet të reduktohen apo fare të mos ekzistojnë, siç janë drejtimet që lidhen me administratën dhe shkencat shoqërore”, tha Rukiqi për Express.

Shqetësues e konsideron faktin se shumë prej të punësuarve janë të mbi kualifikuar për punën që bëjnë.

“Mirëpo, ajo që është më shqetësuese është se edhe kur e gjejnë ndonjë vend pune, nuk e gjejnë në bazë të kualifikimit. Pra, kemi një mospërputhje mes kualifikimit që marrin dhe nevojave të tregut”, deklaroi Rukiqi.

E se të diplomuarit nuk po janë të aftë për tregun e punës, ishte ngritur si shqetësim disa herë nga bizneset kosovare.

Në një analizë të institutit GAP mbi përgatitjen profesionale për tregun e punës bizneset kanë thënë se vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar.

Prej 92.6 për qind të kompanive të anketuara të cilat kanë punësuar punëtorë të rinj gjatë tri viteve të fundit, 82.1 për qind kanë hasur në vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar.

“Mospërputhja e aftësive me kërkesat e bizneseve ka bërë që kompanitë të punësojnë punëtorë më pak të kualifikuar, të pengohet zhvillimi i shërbimeve të reja dhe të ulet produktiviteti”, thuhet në raportin e GAP-it.

Por gjendja del të jetë më e rëndë sesa vetëm mungesa e vendeve të reja të punës.

Sipas një raporti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, janë mbi 100 mijë të rinj në Kosovë që janë krejtësisht të shkëputur nga tregu punës si pasojë e mungesës se shkollimit.

Në Anketën e Fuqisë punëtore për tremujorin e fundit të vitit 2017, kjo agjenci alarmon se si pasojë e kësaj Kosova mund të këtë probleme të mëdha sociale në të ardhmen.

Të rrezikuar janë kryesisht të rinjtë joaktivë, pra që nuk janë të punësuar. Të kjo kategori të rinjtë nuk ndjekin shkollimin as nuk trajnohen, dhe janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor.

Bëhet fjalë për më shumë se 100 mijë të rinj të kësaj kategorie (të moshës 15 deri 24), të cilët nuk ndjekin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnim dhe përbënin 29.7  për qind të popullsisë së re.