Veseli për Isa Mustafën: Me u pasë jep unë tenderë fëmijëve të mi, s’kisha mujt me dalë para juve këtu

Periskopi.com Lajme

Kadri Veseli, kandidat për kryeministër nga PDK ka thënë se është i vendosur për luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit nëpër institucione, transmeton Periskopi.

Veseli sonte në Zona Zgjedhore ka përmendur faktin kur Isa Mustafa u kishte dhënë tender djemve të tij sa ishte kryeministër. Po ashtu edhe drejtorët e Vetëvendosjes me aktakuza në Prizren.

‘Me i pasë jep unë tenderë fëmijëve të mi, s’kisha mujt me njet para juve këtu. Me i sjell familjarët para  bordeve të institucioneve. Me mbajt drejtorë me aktakzua, në Prizren , jo një, por 3. Me tender të imporvizur dhe me regjistrime të Serbisë’’, tha Veseli.

‘’Unë do të flas për brengat dhe hallet e qytetarëve. Jam i vendosur’’, shtoi Veseli./PERISKOPI/

 

 

OSHP’ja gjen kritere favorizuese e diskriminuese në dy tenderë të Komunës së Mitrovicës

Periskopi.com Lajme

Kritere favorizuese, por edhe diskriminuese e kufizuese, ka gjetur Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) në dy tenderë të shpallur nga Komuna e Mitrovicës, e që është planifikuar të peshojnë diku 8 milionë euro. Për pasojë, Komuna që drejtohet nga Agim Bahtiri është obliguar t’i shpallë për të tretën herë tenderët.

Vendimin e saj “gjykata e tenderëve” e ka marrë vetëm pak kohë pasi “Koha Ditore” ka raportuar për rrjedhën e turbullt që kanë marrë këto dy procese prokurimi, nëpërmjet të cilave është treguar mësymja për ta dëmtuar buxhetin e shtetit për rreth dy milionë euro.

Brenda një viti Komuna ka bërë tri përpjekje për ta shpërblyer me dy kontrata milionëshe konsorciumin e drejtuar nga kompania “Lirigzoni S”, i cili, pos ofertës së shtrenjtë, në dosje të tenderit kishte edhe dokumente false. Konsorciumi i udhëhequr nga kompania “Bajraktari” kishte ofertë për 2 milionë euro më të lirë.

Por Komuna e kishte eliminuar, duke thënë se nuk i kishte përmbushur kriteret.

Pretendimet e Komunës “gjykata e tenderëve” i ka quajtur të paqëndrueshme dhe dy herë i ka kthyer në rivlerësim aktivitetet e prokurimit. Në fund, të dyja aktivitetet janë anuluar dhe tenderi është rishpallur. Por në rishpallje janë vënë kritere të reja, pesë prej të cilave OSHP-ja i ka kualifikuar si të jashtëligjshme.

Kryejnë punime të dobëta dhe sërish fitojnë tenderët

Periskopi.com Lajme

Institucionet e Kosovës, çdo vit lidhin mijëra kontrata me kompani dhe operatorë të ndryshëm ekonomik.

Por, shumë nga këto kontrata nuk kanë një menaxhim të mirëfilltë dhe si pasojë kompanitë paguhen pavarësisht se kanë kryer punime të dobëta, thotë Diana Metush-Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas saj, mungesat në ligj për menaxhimin e mirëfilltë të kontratave shkaktojnë dëme të mëdha për buxhetin e Kosovës.

“Është pjesa e menaxhimit të kontratave që ne i kemi humbur 53 milionë euro me Bechtel Enka-n. Është mu pjesa e menaxhimit të kontratës që ne qe 10 vite nuk i kemi përfunduar rrugët me Mitrovicë dhe me Pejë. Është mu menaxhimi i keq i kontratave që shkollat e tona degradohen ende pa u inauguruar mirë, e që asfaltet prishen ende pa u ndrequr. Është pjesa më kritike që fatkeqësisht nuk e di a ka qenë një lëshim i qëllimshëm apo i paqëllimshëm. Është lënë jashtë rregullimit ligjor se si ka me u mbikëqyrur për të siguruar cilësi”, tha Metushi-Krasniqi.

Diana Metushi-Krasniqi thotë se çështja e menaxhimit të kontratave do të duhej të adresohej në ndryshimet ligjore që pritet të bëhen, pasi aktualisht sipas saj, ka institucione që kanë dënuar apo paditur kompanitë dhe pavarësisht kësaj, po të njëjtave iu kanë dhënë sërish tender.

“I kemi edhe disa komuna të cilat kanë bërë padi kundër operatorëve ekonomikw për mospërmbushje të kushteve të kontratës, mirëpo, fatkeqësisht për shembull e kemi rastin e komunë së Obiliqit që e ka dënuar kompaninë dhe pas dënimit i ka dhënë kontratë të njëjtës kompani që të kryej punë të tjera”, tha Metushi-Krasniqi.

Në vitin 2017, Instituti Demokratik i Kosovës kishte bërë një hulumtim në të cilin kishte rezultuar se në disa raste nuk ishin respektuar kontratat dhe si pasojë ishte dëmtuar buxheti i Kosovës, shkruan rel.

Një prej rasteve të menaxhimit të keq të kontratës ishte evidentuar në ndërtimin e Parkut të Biznesit në fshatin Koreticë e Epërme në komunën e Drenasit, ku që nga fillimi i ndërtimit të këtij parku vetëm për ndërtimin, trajtimin dhe mirëmbajtjen e impiantit për ujëra të zeza ishin lidhur katër kontrata përgjatë periudhës 6-7 vjeçare por ende nuk është bërë sanimi i të gjitha problemeve.

Probleme në menaxhimin e kontratave dhe sigurimin e cilësisë së punimeve, sipas atij raporti, kishte pasur në ndërtimin e shkollave, asfaltimin e rrugëve si dhe palestrave sportive. Të gjitha këto kishin rezultuar me kosto shtesë, në sanimin apo edhe përfundimin e punimeve.

Përveç problemeve në menaxhimin e kontratave, ndikimi politik mbetet një problem vendimtar në garën për të fituar tenderët thotë Drejtori i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

“Duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të sjellë cilësinë e punimeve, produkteve ose shërbimeve çka do që ata ofrojnë në nivelin e kërkuar. Ne si Odë Amerikane kemi kërkuar që të ketë një listë të zezë të kompanive të cilat nuk përmbushin kriteret e tenderëve dhe natyrisht në atë listë do të duhej të kishin qasje të gjitha organet e prokurorinmit në Kosovë dhe të shërbente si diskualifimin për procedurat e ardhshme tenderuese”, tha Zeka.

Këtë vit, Qeveria e Kosovës i pagoi 53 milionë euro shtesë për kompaninë Bechtel-Enka-n e cila ndërtoni autostrafën “Arbën Xhaferi”.

Duke arsyetuar vendimin për dhënien e 53 milionë eurove, Ministri i Transportit, Pal Lekaj, tha se fajin e kishte qeverisja e kaluar, pasi sipas tij nga viti 2014 deri me 2017, Bechtel-Enkas nuk ia kishte paguar me rregull faturat vjetore dhe si pasojë ishte shtyrë afati i përfundimit ë punimeve.

Ministri Lekaj nën dyshime për keqpërdorim të tenderëve

Periskopi.com Lajme

Dyshimet për keqpërdorime të tenderëve në Ministrinë e Infrastrukturës e kanë dërguar hetuesinë deri tek udhëheqësi i këtij dikasteri, Pal Lekaj. Prokuroria Themelore në Prishtinë, para disa muajsh, sipas burimeve të gazetës, ka hapur një rast “PPN” (rasti PPN është kur ende nuk ka aktvendim për fillimin e hetimeve) e ku është i përfshirë edhe ministri i Infrastrukturës.

Se rasti i nisur si hetim parapenal përfshin edhe Pal Lekajn e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Imer Beka. Ai nuk ka dhënë shumë detaje. Ka treguar vetëm se Prokuroria që e udhëheq ai ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit sqarim nëse kjo lëndë është në kompetencë të kësaj prokurorie, shkruan sot Koha Ditore.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konstatuar se kjo lëndë është në kompetencë të Prokurorisë Speciale dhe se kjo prokurori tash e tutje merret me këtë rast”, ka thënë Beka.

Në Prokurorinë Speciale nuk janë përgjigjur për këtë çështje.

Ndërsa, gazeta, nga burimet e saj është informuar se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të premten e javës së kaluar i është përgjigjur kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

 

Favorizimi i një kompanie në tenderë, ja si arsyetohet Komuna e Drenasit

Periskopi.com Lajme

FLOSSK dhe Qendra Kosovare Kundër Korrupsion, të cilët po realizojnë një projekt me mbështetjen e  Ambasadës së SHBAve në Kosovë,  sot kanë ngritur shqetësimin se Komuna e Drenasit po bashkëpunon kogja ngushtë me një kompani të vetme.

Sipas të dhënave të tyre, është kompania ‘N.N.T. Milazim Shala’, ajo që ka fituar 100.00%, të tenderëve. Konkretisht 9 nga 9, të tenderëve në këtë komunë me vlerë mbi 400 mijë euro.

Megjithatë Periskopi ka marrë një përgjigje nga Komuna e Drenasit të cilët arsyetohen se çmimi i volitshëm është arsyeja pse kompania në fjalë ka fituar të gjithë tenderët e shpallur.

Zëdhënësi i Komunës, Bekim Dobra ka thënë për Periskopin se përzgjedhja e kompanive bëhet në mënyrë transparente, edhe përmes Prokurimit online si  dhe KRPP’së.

”Zgjedhja  e kompanive për tender është transparente çdoherë, edhe përmes Prokuorimit online dhe KRPP’së. Asnjëherë nuk është favorizuar, jo vetëm kjo kompani në fjalë. Por si e tillë është e njohur në krejt Kosovë për çmimin më të favorshëm, më i liri në treg. Kjo ka qenë edhe arsyeja. Nuk ekzistojnë ato pretendime asnjëherë që komuna favorizon kompani për kryerjen e shërbimeve. Ligji i Prokurimit favorizon operatorin ekonomik i cili oferton me çmimin më të ulët. Kjo ka qenë krejt çka ka mujt  me ndodh’’, është përgjigjur Dobra./Periskopi/

‘Baba i tenderëve’ para shkarkimit për shkak të një tenderi

Periskopi.com Lajme

Shefi i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi është para shkarkimit nga pozita që mban brenda kësaj ministrie.

Raportohet se vendimi tashmë është marrë për shkarkimin e tij, dhe pritet që të bëhet zyrtare shpejt ky vendim.

“Arsyeja ka të bëjë me pa dëgjueshmërinë ndaj drejtuesve të Ministrisë”, raporton Blic.

Sipas burimeve, Krasniqi nuk i është nënshtruar presionit për ta favorizuar një operator ekonomik.

Vendimin e ka marrë ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, i cili para pak ditësh ka ardhur në krye të kësaj pozite.

Merret vesh se sekretari ka ndërmarrë masë disiplinore ndaj Krasniqit, duke e suspenduar dhe duke ia ndaluar edhe hyrjen në objekt.

Theksojmë që Nexhat Krasniqi, ishte akuzuar vite më parë për keqpërdorime me tenderë, gjatë punës së tij në Ministrinë e Tregtisë, nga 14 shtatori 2005 deri më 31 dhjetor 2007.

Por Gjykata e Apelit më pas e ka shpallur të pafajshëm atë dhe disa zyrtarë tjerë.

Por pas lirimit nga akuza, Krasniqi i ishte rikthyer vendit të tij të punës si shef i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Pal Lekaj, nuk është përgjigjur për këtë çështje.