Detaje të reja për 9-vjeçaren të cilën daja i saj tentoi ta trafikonte

Periskopi.com Lajme

Autoritete serbe në pikën kufitare në Merdare mbrëmë kishin ndaluar një shtetas kosovarë i cili në bagazhin e veturës kishte fshehur mbesën e tij 9-vjeçare, raporton Periskopi.

Burime të Periskopit brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë thënë se procedurat e riatdhesimit të vajzës tashmë kanë filluar.

“MPJ është në dijeni për rastin e ndalimit të minorenës në PKK në Merdare. Jemi në koordinim me institucionet për fillimin e procedurës së  riatdhesimit”, tha ky burim për Periskopin.

Periskopi mëson se vajza gjendet në njërën nga Qendrat për Punë Sociale në Serbi, të cilat në koordinim me Qendrën për Punë Sociale në Podujevë do të duhej ta kthente vajzën tek familjarët.

Ende nuk ka rritur askush që ta shoh vajzën 9-vjeçare e cila që nga mbrëmë gjendet në Serbi.

Sipas fotografive të publikuara vajza ishte fshehur në gomën rezervë të veturës e cila drejtohet nga daja i saj i shoqëruar nga i biri që ishte 17-vjeç.

Mediet serbe raportuan se vetura në të cilën po fshihej vajza ishte me targa të Gjermanisë ndërsa po drejtohet nga një burrë 42-vjeçar, shkruan Periskopi.

Gjatë inspektimit të rregullt, ata thanë se nuk kishin asgjë për të raportuar, por oficerët doganorë gjetën një vajzë nëntë vjeçare shqiptare të fshehur te vendi për gomën rezervë. Më pas policia gjeti në veturë dokumentet e vajzës, e cila është nga Podujeva.

Shoferi i veturës i ka thënë autoriteteve serbe se fëmija ishte i motrës së tij, e cila jeton në Gjermani, dhe ajo derisa po luante aksidentalisht ishte fshehur në bagazh.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për të cilët më nuk ka ndonjë informacion.

9 vjeçarja ishte nisur në Gjermani për t’u bashkuar me nënë e saj.  Vajza kishte katër vite që po tentonte të siguronte dokumentet por të gjitha tentimet kishin dështuar. /Periskopi