Tërhiqet Rregullorja për orarin e punës për bizneset në Ferizaj

Periskopi.com Lajme

Pas një varg reagimesh nga shoqëria civile, bizneset dhe qytetarët e Ferizajt, Kuvendi Komunal, të premten, me propozim të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, ka tërhequr draftrregulloren që përcakton orarin e punës së veprimtarive afariste dhe veprimtarive të tjera biznesore në territorin e kësaj komune, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo rregullore ka përcaktuar që dita e diel dhe ditët e festave zyrtare të jenë ditë pushimi, mirëpo ajo tashti do të ndryshohet dhe do të sillet sërish në një mbledhje tjetër të KK-së.

Zekir Bytyçi, drejtor për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Ferizajt, ka thënë se është interes i të gjitha bizneseve që kjo rregullore të harmonizohet dhe të dalë sa më mirë që është e mundur.

“Megjithëse kemi punuar shumë gjatë në këtë rregullore, pastaj i kemi mbajtur debatet publike dhe të gjitha kërkesat i kemi pranuar nga të gjitha bizneset, mirëpo pas shqetësimeve të shumë bizneseve e kemi parë që këtë rregullore ta shtrojmë për diskutim në një seancë të radhës dhe t’i inkorporojmë kërkesat e tyre”, tha ai.