Ja pse po kthehen në Shqipëri të prekurit nga tërmeti që u strehuan në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Mijëra qytetarë të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të strehuar në Kosovë pas tërmetit kanë nisur të rikthehen në Shqipëri përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës.

Ata shprehen se shkak i kthimit ka të bëjë me punën dhe vlerësimin e dëmeve në banesat e tyre, por edhe se e kanë hequr pak frikën që i kapi. Megjithatë, shumica përgjigjen se ende është një situatë e frikshme dhe se po kthehen për të parë shtëpitë e tyre, për shumë njerëz, mundin e një jete.

Të strehuarit për disa ditë në Kosovë që vendosën të ktheheshin të dielën, edhe pse lëkundjet në Durrës nuk kanë reshtur, por janë të një magnitude pak më të ulët, thonë se nëse situatat mbetet e pasigurt, ata do të kthehen përsëri në Kosovë. Shumë prej tyre po kthehen për të ruajtur vendin e punës, edhe pse e dinë se lëkundjet e tokës po vazhdojnë dhe nuk ka asnjë parashikim të saktë se kur do të qetësohet situata.

Në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili tha se pas 26 nëntorit, “Në Kosovë kanë ardhur tri kategori qytetarësh. Një pjesë u janë drejtuar qendrave mikpritëse. Një pjesë te të afërmit, ndërsa një pjesë kanë ardhur vetë këtu dhe janë strehuar në hotele. Kanë hyrë 17 mijë e 500 qytetarë.

Një pjesë e tyre janë kthyer përsëri”, tha ai. Vetëm të premten dhe të shtunën janë kthyer në Shqipëri 7800 qytetarë të zonave të Durrësit, Thumanës dhe Tiranës. Fluksi i lëvizjeve vijoi edhe të dielën, në të dyja drejtimet, disa hynin e disa dilnin nga Kosova. Pasi shumë qytetarë të Tiranës dhe Durrësit që u larguan në drejtim të juglindjes po kthehen në shtëpitë e tyre.

Tërmeti që ra mëngjesin e së martës, por edhe pushimet e festave të nëntorit, bënë që një pjesë e qytetarëve të zhvendosen jashtë kryeqytetit dhe Durrësit. Kosova është solidarizuar shumë me Shqipërinë në këto ditë fatkeqësish, duke ofruar një pjesë të Ushtrisë, Policisë për të nxjerrë trupat, ekspertë të inxhinierisë për ndërtesat e shembura, si dhe ndihma dhe strehë në qendra, hotele e shtëpi.

 

Gjësendet që u gjenden nën rrënojat pas tërmetit (FOTO)

Periskopi.com Lajme

Fletore ku shkruhen bukur detyrat e nxënësve, dëftesa shkolle, rroba e lodra fëmijësh, është gjithë sa ka mbetur nën rrënojat e tërmetit të pabesë, që goditi vendin orët e para të mëngjesit të së martës, ditë që do të mbetet gjatë në kujtesë. Lëkundjet e forta, prenë në mes jetën e 51 personave ndërsa te shumë të tjerë e ndryshoi përjetësisht rrjedhën e saj, por te të gjithë ora 03.54 e 26 nëntorit 2019 do të skalitet në kujtesë.

Foto kujtime të ruajtuara me fanatizëm nga familjarët, tashmë ndodhen nën rrënoja të shkaktuara nga lëkundjet e fuqishme të 26 nëntorit. Gazetari Enrik Mehmeti, sjell përmes këtij foto albumi, një nga ata që kurrë e askush nuk do të kishte dashur të shkrepë, dhimbjen e lënë pas nga forca e natyrës në Thumanë.51 persona humbën jetën si pasojë e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit,ndërsa qindra të tjerë u plagosën. Mijëra qytetarë të prekur nga tërmeti kanë mbetur të pastrehë, disa prej tyre të sistemuar nëpër hotole, pranë të afërmve, qendra sociale apo në çadrat e ngritura për t’iu ardhur në ndihmë.

Bebe Rexha përjeton turbulencë të frikshme gjatë udhëtimit drejt Shqipërisë

Periskopi.com Showbiz

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka udhëtuar drejt Shqipërisë, për t’i vizituar nga afër të prekurit nga tërmetet dhe t’i dërgojë fondet e grumbulluara për t’i ndihmuar të mbijetuarit.

30-vjeçarja ka treguar se është nisur nga New Yorku, ndërsa burimet e Telegrafit bëjnë të ditur se arritja e saj drejt Tiranës është bërë përmes Romës.

“Turbulenca më e keqe që e kam përjetuar qe një kohë shumë të gjatë. O Zot. Nuk e di edhe sa mund të duroj”, ka shkruar Bebe në një postim në IsntaStory.

Ajo do të qëndrojë vetëm një ditë në vendin amë, ndërsa është zotuar që përmes fondeve të grumbulluara të ndihmojë në ndërtimin e një apo dy shtëpive.

“Objektivi im për këtë udhëtim është që të ngre vetëdijen përmes mediave në gjithë botën dhe të siguroj më shumë ndihmë për vendin dhe të gjej zgjidhjen më të mirë për paratë që i kemi grumbulluar , në mënyrë që të përdoren në mënyrën më të mirë”.

“Ndoshta do të ndërtojmë një shtëpi ose dy, nuk e di, do të shohim sa kushton dhe dua t’i vë në duart e duhura”, kishte deklaruar këngëtarja para nisjes drejt Shqipërisë.

1376 pasgoditje që prej tërmetit të fortë në Shqipëri

Periskopi.com Lajme

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë  ka bërë të ditur sot se numri total i pasgoditjeve që prej tërmetit të fortë të 26 nëntorit është 1376.

“Ndërsa nga ora 7 e mëngjesit të sotëm, 2 dhjetor deri më tani, ora 10:00, janë regjistruar 5 lëkundje dhe dy janë të lokalizuar”, njofton ministria.

Shqipëria mëngjesin e hershëm të 26 nëntorit, u godit nga një tërmet i fuqishëm prej 6. 4 shkallë të Rihterit.

Si pasojë e këtij tërmeti, 51 persona kanë humbur jetën e mbi 750 janë të lënduar.

Mijëra qytetarë kanë mbetur pa strehim nga rrënimi i shtëpive të tyre. Disa prej tyre janë zhvendosur në Kosovë, ku po strehohen nga familjet kosovare, e  disa të tjerë në Kampin gjerman në Prizren./Periskopi/

Kompanitë kineze dhurojnë 2 milionë euro për të prekurit nga tërmeti

Periskopi.com Lajme

Dy kompani kineze kanë dhuruar 2 milionë euro për të ndihmuar të pastrehët dhe të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit.

Me anë të një postimi në Twitter kanë bërë me dije se ushqim, ujë batanije dhe tenda janë dërguar gjithashtu për të gjithë të prekurit.

“Në jemi me popullin shqiptar”, thonë ata.

“Ne jemi me popullin shqiptar. Kompanitë kineze dhurojnë 2 milion euro për të ndihmuar rajonet e goditura nga tërmeti në Shqipëri”.Gjithashtu, ushqim, ujë të pijshëm, batanije dhe tenda u dërguan atyre në nevojë”, shkruhet në postim.

Kush e ndihmoi më së shumti në të vërtetë Shqipërinë?

Periskopi.com Lajme

 Prishtinë, dita e parë e muajit të fundit – Sot po merr fund një javë e mbushur me tërmete vrastare, me një bamirësi që zbulonte shpirtin e madh të shumë shqiptarëve e kosovarëve, me tendenca për të përfituar politikisht nga tragjedia, me certifikimin e zgjedhjeve dhe me arritjen e marrëveshjes për koalicion.

Të martën, afërsisht rreth orës 3 e 50 të mëngjesit, gjysma e Kosovës do të zgjohej nga gjumi pas dridhjeve të forta që lëkundën ndërtesat ku jetonin. Më pas morën vesh se Shqipëria e kishte pësuar keq nga një tërmet i madh me magnitudë 6,4. Orët dhe ditët që do të vinin do ta shfaqnin të plotë forcën monstruoze të kësaj katastrofe natyrore. 51 njerëz do të mbesnin të vdekur. Mbi 600 të tjerë ishin plagosur. Shumë ndërtesa ishin shembur, të tjera rrezikonin të shembeshin dhe mijëra shqiptarë mbetën pa kulm mbi krye. Për më tepër, qindra tërmete tjera, disa prej të cilëve mjaft të fortë, e goditën Shqipërinë edhe në ditët e tjera.

Kjo tragjedi bëri bashkë shumë kombe që shfaqën vullnetin e mirë për t’i ndihmuar Shqipërisë. Serbë e kosovarë ishin bashkë duke ndihmuar nxjerrjen nga rrënojat të qytetarëve shqiptarë. Por, kosovarët në veçanti u prekën shumë nga ajo që iu bëri vaki shqiptarëve në anën tjetër të kufirit. U mobilizuan në forma të ndryshme për të ndihmuar. Dhuruan para, ushqime, gjësende tjera, e bile edhe i çelën dyert e shtëpive të tyre.

Natyrisht, pati edhe nga ata që vullnetin e mirë nuk e kishin bash të mirë. Dhe ndihmën jo bash ndihmë. Pra, u krekosën për ndihmat që i dhanë dhe provuan të përfitonin moralisht nga ajo gjë.

Po ashtu, u raportua se shumë romë që kishin mbetur të pastrehë nga tërmeti u refuzuan nga kosovarët që specifikisht kërkonin vetëm shqiptarë për të strehuar. Doli se bamirësia nga disa bëhej me kushte. Dhe se ishte pak raciste. Pak? Nejse, shumë raciste. Duhej që të pastrehët të dukeshin të përvuajtur [pop. Gjynahqarë] dhe t’i përkisnin etnisë shqiptare. Këta të përvuajtur duhej të ishin edhe falënderues. E kështu me radhë.

Një pjesë e njerëzve që erdhën nga Shqipëria nuk gjetën strehim menjëherë. Disa deshën të ktheheshin menjëherë në Shqipëri. Ndërsa, nuk dihet se si qëndrojnë raportet mes shqiptarëve që po ndihmohen dhe kosovarëve që po ndihmojnë aktualisht. Të shpresojmë se gjithçka është në rregull.

Kryeministri i Shqipërisë bënte thirrje që të ndaleshin ndihmat materiale. Por, kosovarët nuk ndaleshin duke e shfaqur shpirtin e madh që e kanë në raste të tilla.

E ndërsa Shqipëria dridhej, KQZ-ja certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit. Nuk pati ndonjë ndryshim, përveç faktit që Nisma-AKR u fut përfundimisht në Kuvendin e Kosovës me 5,002 për qind të votave. Fituesja e vërtetë e këtyre zgjedhjeve ishte pa fije dyshimi Lista Serbe, e cila i mori 95,51 për qind të votave nga komuniteti serb. Vetëm 4,49 shkuan për koalicionet e tjera që ishin më lojale ndaj shtetit të Kosovës.

Por, ndërsa Shqipëria dridhej, Lëvizja Vetëvendosje për çudi mundohej t’i jepte një interpretim politik në favor të vetin kësaj gjëme. Elvis Hoxha nga kjo parti tha se një gjë e tillë tregonte se Bashkimi Kombëtar ishte i pashmangshëm në një emision lajmesh në Kosovë. Natyra na bashkoi – ishte pak-a-shumë fjala e tij, pas së cilës moderatori nuk dinte se çka të thoshte. Ai e kritikoi ashpër edhe shtetin e Shqipërisë, duke thënë se Vetëvendosje do t’i hynte edhe zgjedhjeve në Tiranë e në Shqipëri.

Sidoqoftë, kjo parti i la llafet duke arritur marrëveshje më në fund me LDK-në. Nesër pritet të nënshkruhet marrëveshja për koalicion qeveritar që për kryeministër do ta ketë Albin Kurtin. Nuk dihen ende termet e kësaj marrëveshjeje, dhe se cila parti ka lëshuar më shumë pe ndaj tjetrës. /Periskopi

Kida anulon koncertin, lutet për situatën në Shqipëri

Periskopi.com Showbiz

Ashtu si shumë artist shqiptarë, edhe Kida është solidarizuar me banorët e Shqipërisë.

Si shkak i tërmetit të fuqishëm dhe vdekjeprurës, këngëtarja ka anuluar koncerti e planifikuar të mbahet nesër (30 nëntor) në Malmo, shkruan Indekosnline.

Duke u lutur që situata që ka kapluar gjithë shqiptarët të kaloj së më shpejt, Kida njoftoj adhuruesit se koncerti nuk do të mbahet.

“Koncerti ne Malmo qe është parapare te mbahet nesër është anuluar si solidarizim për gjendjen në Shqipëri. Lutemi që të kalojë kjo situate sa me shpejte”, ka shkruar Kida në njoftimin e saj.

Tërmeti: Dy nga të plagosurit dërgohen me avion drejt Italisë

Periskopi.com Lajme

Dy nga të plagosurit e tërmetit që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit janë dërguar me avion drejt Italisë.

Të pranishëm në Rinas janë kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Është gjykuar që dy të plagosurit, të ndodhur në gjendje të rëndë duhet të marrin një ndihmë më të specializuar./tch/

Djaloshi nga Gjakova dhuron të gjitha lodrat për fëmijët në Shqipëri

Periskopi.com Lajme

Mobilizimi i shqipëtarëve nga Kosova për të ju dalë në ndihmë bashkëkombasëve të tyre të prekur nga tërmeti në Shqipëri qenë i madh.

Një akt simbolik të ndihmës e ka bërë edhe një djalosh nga Gjakova.

Ani Sadiku ka vendosur që të gjitha lodrat e tij t’i dhurojë për bashkëmoshatarët të prekur nga tërmeti në Shqipëri

Tërmeti prej 6.4 shkallësh të Rihterit që goditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha.

Prekëse: Durrsaku ndihmon gruan nga Peja që vuan nga kanceri por dhuroi 50 euro pas tërmetit në Shqipëri

Periskopi.com Lajme

Ditë më parë, një grua nga Peja, e sëmurë me kancer, dhuroi 50 euro për tu dalë në ndihmë shqiptarëve të prekur nga tërmeti.

E, ky gjest i saj, ngjalli shumë reagime pozitive si në Shqipëri, ashtu në Kosovë, duke filluar kështu që ta ndihmojnë atë grua.

Një gjë të tillë, e ka bërë edhe një durrsak që jeton në Itali.

Ai ka dhuruar 50 euro për gruan e prekur me kancer nga Peja.Kjo u bë e ditur përmes publikimit të faturës së pagesës, nëpër rrjetet sociale.

Shkon në 900 numri i të lënduarve nga tërmeti

Periskopi.com Lajme

Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Durrësit dhe të Traumës janë paraqitur 52 qytetarë të lënduar/të traumatizuar si pasojë e tërmetit, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor.

Kështu ka shkuar në rreth 900 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 731 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit. Aktualisht janë të shtruar 63 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç një person që paraqitet në gjendje më të rënduar.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë rreth 1107 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura.

Ndërsa mbi 350 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampit të emergjencës në Thumanë dhe pikave të ngritur në Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë.

Urgjenca kombëtare ka përballuar 5094 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1311 misione me autoambulancë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.

Haradinaj: Të gjitha materialet për ndihma të dërgohen në kazemrën e FSK-së në Prizren

Periskopi.com Lajme

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj,ka bërë thirrje që të gjitha ushqimet dhe materialet e tjera për ndihmë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, të dërgohen në Kazermën e FSK-së në Prizren.

“Andaj, për t’i evituar të gjitha konfuzionet për këtë mobilizim qytetar të ofrimit të ndihmës dhe grumbullimin e ushqimeve, ju bëjë apel të gjithëve që ushqimin dhe materialet e tjera të nevojshme, t’i dërgojnë në Kazermën e FSK-së në Prizren dhe pastaj ato do të delegohen në mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluara në vendet ku ka nevojë”, thotë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë  ndër të tjerash thotë se të gjitha veprimet ndër-institucionale që Kosova ka ndërmarrë pas tërmetit me pasoja tragjike në Shqipëri, kanë qenë të koordinuara dhe në bashkëveprim me të gjitha palët.

“Në këto momente, në Kosovë kanë arritur mijëra persona nga Shqipëria, të cilët po evidentohen dhe po strehohen qoftë në baza individuale, qoftë në mënyrë të organizuar institucionale. Përkitazi për këtë, ne kemi mobilizuar të gjitha mekanizmat e nevojshëm për të menaxhuar situata të kësaj natyre”, ka shkruar Haradinaj në Facebook-un e tij./Periskopi/

Shikoni se si duket plazhi në Durrës (Foto)

Periskopi.com Lajme

Jeta osh qef, ka publikuar fotografi se si duket plazhi në Hamallaj të Durrësit, pas tërmetit të fuqishëm që ka goditur vendin.

Deri tani, janë konfirmuar 49 viktima në Shqipëri, si pasojë e tërmetit që goditi vendin mëngjesin e së martës.

Shikoni për më shumë fotografitë…

Biznesmeni Samir Mane dhuron 1.2 milion euro për të prekurit nga tërmeti

Periskopi.com Lajme

Biznesmeni shqiptar, Samir Mane, ka vendosur të dhurojë 1.2 milionë euro për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të 26 nëntorit, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Gjithashtu, presidenti i Grupit Balfin, Mane, së bashku me Bordin Drejtues dhe kompanitë përkatëse, kanë vendosur që, përveç kësaj shume, t’iu vijnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti edhe me mjetet e nevojshme e baza ushqimore.

“Bordi Drejtues i Grupit Balfin nën kujdesin e veçantë të presidentit Samir Mane, dhe kompanitë përkatëse të Grupit vendosen sot që të akordojnë shumën prej 1.2 milion eurosh për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.

Përveç kësaj shume të akorduar, kompanitë e Grupit Balfin, si Spar, Neptun, Jumbo, etj, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, Maqedonisë, Bosnjës, e kështu me radhë, që në ditën e parë, i kanë qëndruar pranë banorëve të pastrehë, duke u ardhur në ndihmë me mjetet e nevojshme dhe bazën ushqimore. Grupi Balfin bën të ditur se ndihmat e Grupit do të vijojnë çdo ditë”, thuhet në njoftim. /BW

 

Pronari i hotelit të rrënuar: U turpëruam, kosovarët na thonë vëllezër, ne i quanim ‘pushues kosovarë’

Periskopi.com Lajme

Pronari i një hoteli i cili u rrënua si pasojë e tërmetit në Shqipëri, ka shkruar një letër emocionuese që i dedikohet ndihmës së kosovarëve dhënë Shqipërisë pas tërmetit tragjik.

Në mes tjerash, ai shkruan se ndjehet i turpëruar, kur në Shqipëri i quanin kosovarët thjeshtë ‘pushues kosovarë’,  ndërsa  thotë se kosovarët i quajnë ata vëllezër e motra.

Letra:

Fjalia qe kam patur me shume tmerr te artikuloj ka qene “pushuesit kosovare”! Me kane pyetur jo pak here se cfare jane pjesa me e madhe e pushuesve qe na frekuentojne, gjithnje u jam pergjigjur “te huaj dhe shqiptare te kosoves” madje edhe regjistrimin e pashaportes se tyre ne sistemin e hotelit e kam bere “shqiptar” asnjehere “kosovar”! Kohen e luftes ne shtepi kemi mbajtur nje familje me plot halle,kemi ndare gezimin tone me ta dhe ata hidherimin e tyre me ne,kemi ndare buken bashke ne nje tryeze! Degjoja shpesh “aman mos me trego mua kosovaret se jane te pabese,do i mbani me buke por do ikin e as emrat tuaj nuk do kujtojne me”!

Sot ata erdhen ne heshtje, pa buje pa kamera,pa lajmerime,erdhen per te ndare sot me ne dhimbjen tone…Po ne sot mbetem pa fjale perballe tyre dhe plot turp: ata edhe pushimet i kalojne tek ne per te mos ia dhene dikujt tjeter ato para,ne cfare bejme???? Ata edhe ne stadiumin e tyre ngrejne flamurin kuq e zi, po ne cfare bejme???? Ata na thone “vellezer e motra” po ne cfare u themi atyre???? Shpirtmadhesia jone vdiq pas viteve ’98-’99, njerezit u bene si kafshe dhe nisen te shqyhen mes tyre per nje mur,per nje oborr,per dy rrenje ullinj…Nxorrem dhembet ndaj vellait,motres,femijes,mikut,komshiut…u transformuam ne armikun e gjakut tone,disa zgjodhen te ikin larg Shqiperise per te mos rene ne kete kategori njerezish se me keqardhje e them:po behej mese e natyrshme te ishe kesisoj njeriu!!!

Ne shkaterrojme vendin tone,pronen tone,perdhosim emrin tone neper bote,madje ne te shumten e rasteve u beme Maria nga Mejreme dhe mohuam origjinen tone per nje vend pune,per nje grusht para…Kjo eshte gjeja me e shemtuar qe dikush i ben vetes dhe kombit te tij-te mohosh gjenezen eshte sikur te mohosh nenen qe te lindi!!! Ja,kesisoj njerezish u beme ne- lepijme doren e atij qe na trajton si kafshe e qe na pi gjakun ne pune dhe kafshojme doren e atij qe na mban me buke e qe na ofron strehe! Ne po pranojme mbi kurrizin tone lloj-lloj mashtrimesh,padrejtesish,ligesish,vjedhjesh,etj etj etj, po i pranojme dhe nuk po ngreme krye as per te pare driten e diellit! Po na shkulet zemra vendit tek shohim femijet tane qe mezi i rritem,te ikin neper bote ne kerkim te nje jete me te mire…dhe heshtim,pranojme cdo lloj dhimbjeje dhe mallkimi! Ne jemi bere si ai uji i ndenjur qe qelbet e vjen ere,e Zoti lart po zemerohet kaq shume me ne dhe me mendjet tona!!!

Me falni o njerez,por personalisht mendoj se keto jane sinjale te Zotit per reflektim,per vetegjykim,per veteveprim! Shikoni brenda vetes me shume me teper dashuri dhe besim,sepse dashuria lind nga brenda vetes dhe reflektohet tek te tjeret! Mos dashuroni makina,çanta,shtepira dhe bizhuteri- dashuroni njeriun!!! Mos e zemeroni Perendine me shume se dite me te keqija mund te perjetojme nese vazhdojme keshtu! Pse duhet te kemi nevoje per nje tragjedi te tille,qe te tregojme miresine qe kemi brenda nesh???? Perse duhet te perjetojme dite tmerri si keto per te treguar qe sic dime te duam ne askush ne bote nuk di ta beje???

Perse duhet ta shohim vdekjen me sy qe ta kuptojme vleren e vertete te jetes? Ata qe na vjedhin cdo dite,ata qe nuk kane miresi ne shpirt,ata qe nuk kane as din e as iman,sot bejne sikur qajne por nga xhepat e tyre nje cent s’e dhane!!! Shqiptare kudo qe jeni neper bote,vetem nje gje te dini te beni: te doni me shume dhe cdo dite njeri-tjetrin,me pas Zoti serish do na doje me shume neve! Me lot ne shpirt,me gur ne zemer,ju themi qe hapim dyert e hotelit per te ofruar strehe per familjet ne nevoje! Zoti na ndihmofte!

Autori eshte pronari i nje hoteli ne Shqiperi (Marrë nga “Gazeta Shqiptare”)

 

Gazeta italiane: Tërmeti në Shqipëri bashkoi shqiptarë, kosovarë e serbë

Periskopi.com Lajme

Serbë, kosovarë dhe shqiptarë. Tërmeti bashkon ish-armiqtë. Nën këtë titull, e përditshmja italiane Corriere Della Sera, sjell një reportazh nga vendet ku ethet e shpëtimit të të bllokuara nën rrënoja, janë të larta.

Në pritje të një mrekullie gjithnjë e më pak të besueshme mes rrënojave, ndoshta, ky trekëndësh toke i plagosur, ka parë një tjetër mrekulli, shkruan corriere. Kosovarë, serbë, shqiptarë, kroatë, maqedonas, krah për krah në rrënoja në Durrës dhe Thumanë.

’20 vjet pas luftës në Kosovë, ish-Jugosllavia formohet thuajse e gjitha sërish për herë të parë pas shpërbërjes së saj në emër të solidaritetit. Ballkani është bashkuar edhe pse vetëm për pak ditë ndërsa vazhdojnë përpjekjet për ti bërë ballë pasojave të tërmetit që goditi Shqipërinë, orët e para të së martës.

Prej dy ditësh skuadra ndihme nga Prishtina Beogradi, Tirana, Zagrebi, Shkupi janë bërë bashkë; zjarrfikës, ushtarakë, njësi me qen nuhatës, skuadra me uniforma dhe flamuj të ndryshëm, që në një kohë deklaroheshin armiq të betuar, sot janë në garë me kohën për të shpëtuar viktimat.

Ndoshta nuk bëhen vëllezër, por bashkojnë forcat drejt një objektivi të përbashkët”. Në Thumanë, shkruan Corriere, një repart serb nga Nishi erdhi me një kamion dhe mjetet e nevojshme për të rrëmuar mes rrënojave të një pallati 3 katësh të shembur pjesërisht, ndërsa në anën tjetër të rrugës u panë të punonin zjarrëfikësit nga Suhareka e Prishtinës që shpëtuan një grua një natë më parë, si dhe një grup ushtarakësh më stemën RKS, Republika e Kosovës.

Po në Thumanë, janë edhe 26 grekë të mbrojtjes civile në Athinë, me dy qen, që alternohen me turne. ‘A kishte probleme? Aspak, përkundrazi, ndoshta ky është momenti të krijojmë një miqësi-thonë vetë protagonistët’.

 

Fenomen i frikshëm: Dalin pamjet se si tërmeti çau tokën në Shijak (Video)

Periskopi.com Lajme

Tërmeti i fuqishëm i së martës ka çarë tokën në një gjatësi rreth 1 kilometër në fshatin Jubë të Shijakut.

Banorët e zonës janë shprehur të habitur me atë që ka ndodhur në tokat e tyre dhe nga fenomeni i pazakontë.

Sipas ekspertëve çarje të tilla të tokës janë normale në tërmete të fuqishme si ai 26 nëntorit.

Banorët e zonës janë shprehur të habitur me atë që ka ndodhur në tokat e tyre dhe nga fenomeni i pazakontë.

Eksperti i mjedisit, Dëfrim Shkupi, ka shpjeguar se si ka ndodhur ky fenomen. Sipas Shkupit, kjo ngjarje është riaktivizim i shkarjeve dhe ka ndodhur për shkak të tërmetit.

“Profesori Shyqyri Aliaj ka botuar një hartë për të gjithë shkarjet aktive të Shqipërisë dhe janë disa shkarje aktive që kapin këtë trevë, pjesën e Durrësit që kalojnë nga Shijaku. Këto janë shkarje aktive që janë të thella. Kjo është edhe që mund të jetë e thellë. Kjo është thjeshtë shkarje e ndodhur dhe e aktivizuar. Ne kemi parë hapje toke nga tërmeti në Kaliforni të llahtarshme. Kjo është e vogël. Kjo vjen nga tërmeti. Është riaktivizim i shkarjes”, tha Shkupi.

Eksperti u shpreh se është i qetë pasi goditja kryesore e tërmetit kaloi dhe pasgoditjet sa vijnë dhe do të shuhen.

“Kjo është e natyrshme. Unë jam i qetë sepse goditja kryesore kaloi. Sa vjen, vjen në shuarje sepse energjia më e madhe është çliruar tashmë”, tha Shkupi.

Vjen lajmi i mirë:  Sizmiologu  thotë se aktiviteti sizmik është drejt relaksimit

Periskopi.com Lajme

Nga data 26 nëntor deri sot (29) janë shënuar mbi 1 mijë lëkundje tërmeti, por këto janë me ritme më të ngadalta dhe në tërësi aktiviteti sizmik është drejt relaksimit, thotë sizmiologu I Institutit të Gjeoshkencave, Edmond Nushi.

Në një prononcim për Ora News, Nushi thotë: Aktiviteti sizmik ka përvijuar por me ritme më të ngadalta.

Kemi theksuar se do të ketë dhe magnitude dhe mikrotërmete që e kalojnë pragun e ndjeshmërisë. Kjo sepse zona ku zhvillohet aktiviteti sizmik është shumë afër Tiranës.  Në tërësi aktiviteti është drejt relaksimi dhe magnitudat janë gjithmonë e më të ulëta. Në terma mesatarë magnitudat kanë ardhur  duke u ulur”

Vdiq pak minuta pasi e nxorën nga gërmadhat: Historia e trishtë e djalit që erdhi nga Anglia dy ditë para tërmetit

Periskopi.com Lajme

Tre pjesëtarë të familjes Çupi nga Thumana janë përcjellë sot në banesën e fundit. I vetmi që arriti të shpëtonte ishte Micoli, 31 vjeç, i cili i plagosur rëndë nuk mundi dot të merrte pjesë në ceremoninë mortore.

“Ia kemi rrëfyer, nëpërmjet mjekut ia kemi shpjeguar. Nuk mundi të vinte, sepse nuk ishte në gjendje”. Hajredini 67 vjeç, Lutfija 59 vjeçe dhe Keli 35 vjeç, humbën jetën nga tërmeti i 26 Nëntorit. Të ardhur pas viteve ‘90 nga Burreli në Thumanë për një jetë më të mirë, familja Çupi jetonte në katin e tretë të këtij pallati tashmë të shpërbërë.

“Në Shkurtin e vitit 1953 ka mbaruar shkollën e mesme, për rezervat e punës. Ka punuar në ndërmarrje të ndryshme në rrethin e Matit. Në pas vitit 1997 ka ardhur e ka jetuar në Thumanë, për një jetë më të mirë se ashtu ishin punët, edhe ka ardhur ka punuar në shumë vende si saldator. Bashkëshortja shtëpiake. Dy djemtë në emigracion”.

Familjes Çupi, gëzimi i pritshëm për fejesën e djalit të vogël Micolit, iu kthye në tragjedi. Kelmenti kishte dy ditë që ishte kthyer për këtë gëzim nga Anglia, ku kishte emigruar prej disa vitesh dhe punonte për të siguruar jetesën.

“Njëri jetonte në Angli, tjetri shumicën në Greqi dhe Itali. Dy ditë përpara kishte ardhur Kelmenti, për një gëzim familjar, për të fejuar Micolin. Prisnim ditën kur ishte caktuar, ndodhi tragjedia dhe çdo gjë u ndërpre”.

Dy xhaxhallarët e tij, Adriatiku dhe Hamzai tregojnë bisedat me nipin në 16 orë, gjatë përpjekjeve heroike të grupeve të specializuara për ta shpëtuar nipin e tyre.

“Herën e fundit kam folur, 5 minuta para se me dhënë jetë. Thoshte më ndihmoni, ndihmë o xhaxhi, ndihmë më shpëtoni. Nuk arritëm dot. Nuk ishte mundësia, nuk e di, ishin shumë betone sipër, shumë gjëra… U munduan boll ata të ndërhyrjes greke dhe të Kosovës. U munduan boll, madje njëri nga Kosova bërtiste, Kel qëndro dhe pak, por nuk arritën dot ta shpëtonin”.

“Në momentin që kanë arritur tek i ndjeri, në momentin që kanë prerë traun ai ka dhënë jetë. Atëherë e lanë në moment aty, mbrapa kemi ndërhyrë e kanë filluar dhe e kanë nxjerrë, është nxjerrë në mëngjes”.

U tha që hëngri bukë, kërkoi cigare…

“Ne ia dhamë të gjitha. Kemi komunikuar, kanë komunikuar njerëzit, nipërit”.

Po çfarë u thoshte Keli?

“Aman më shpëtoni, jam gjallë, aman vetëm më shpëtoni. Ishte i bllokuar në të dy krahët, në këmbë dhe në mes. Jetën e humbi nga rrjedhja e gjakut nga këmba”.

Vëllezërit e Hajredin Çupit kanë një shqetësim. Sipas tyre, për shtetin, viktimat e familjeve të tyre as nuk ishin shënuar në listat e të vdekurve nga tërmeti, ose iu ishte shënuar emri gabim.

“Kelmentit ia kanë bërë Klevis, ia kanë ngatërruar. Njëkohësisht edhe nuses nuk i ka dalë emri në listat zyrtare, Lutfies.”

Ata rrëfejnë dhe dëshminë e Micolit, nipit që mbijetoi nën rrënoja, i cili u arrit të nxirrej shëndoshë e mirë pas disa orësh dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës, i plagosur.

“Kur erdhën në mëngjes, kunata Lutfia gjendet e vdekur, konfirmohet dhe më pas rreth orës 12 morëm vesh se edhe Hajredini nuk jetonte. Para orës 12 kanë shpëtuar vetëm Micolin. E nxorën forcat e ndërhyrjes së policisë shqiptare. Micoli ka qëndruar disa orë i varur nën rrënoja. vetëm thoshte më ndihmoni se jam shumë mirë, më ndihmoni më nxirrnin nga rrënojat. Ishte i varur dhe bërtiste, kaq”.

 

Gjithë bota sytë nga Shqipëria, kjo është fotografia që u bë virale në mediat botërore

Periskopi.com Lajme

Mediat ndërkombëtare po vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ngjarjet në Shqipëri, pas tërmetit të 26 nëntorit, i cili shkaktoi shumë viktima e dëme të mëdha materiale.

Është një fotografi e agjencisë britanike të lajmeve Reuters, e cila është bërë virale në rrjetet sociale e mediat e huaja.

Ajo tregon një punonjës të ekipeve të shpëtimit teksa ngre flamurin shqiptar mbi rrënojat e një godine në Durrës pikërisht me 28 Nëntor 2019, që është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo fotografi e realizuar nga mediumi britanik,  është bërë foto hit në botë nga të gjitha agjencitë e lajmeve dhe disa media kryesore ndërkombëtare./Periskopi/