Thethi – destinacion i pëlqyer në çdo stinë të vitit

Periskopi.com Lajme

Të paktë mund të jenë ata shqiptarë, të cilët nuk kanë dëgjuar për Bjeshkët e Namura. Bukuritë natyrore në Parkun e Thethit janë ndër më të rrallËt që mund të shohësh në vendin tonë.

Majat e Alpeve që shkëlqejnë prej rrezeve të diellit, pyjet e dendur të pishave, luleT e ndryshme dhe lumi i Thethit, e bëjnë fshatin e vogël me të njëjtin emër, një qendër te vërtetë të pasurisë natyrore dhe jo vetëm.

Thethi është një nga pikat turistike malore më të njohura në Shqipëri. Në mes të Bjeshkëve të Namura dhe pjesë e Parkut të Paqes, peizazhet natyrore por edhe mikpritja e njerëzve në këtë vend, tërheqin mijëra turist vendas e të huaj.

Turistet e parë në Theth vijnë që në orët e para të mëngjesit. Grupe të organizuara nisen drejt shtegut të majave të Ballkanit. Pjesë e tyre janë edhe dy zviceranet Sibly dhe Fritz.

“ Shqipërinë e zbuluam nëpërmjet një reviste. Kemi 4 ditë që qendrojme në Theth. Na pëlqen shumë thjeshtësia e këtij vendi dhe tani do të ndjekim rrugën për në majat e Ballkanit, shtegun drejt Valbonës. Njerëzit janë shumë të përzemërt”, shprehet Sibly.

Por ka edhe nga ata të cilët janë rikthyer serish në Theth. Hungarezët Adam dhe Laslu, të apasionuar pas motoçikletave thonë se do të rikthen sërish.

“Kemi udhëtuar mes Serbisë, Malit të Zi dhe tashmë jemi këtu, në këtë vend të mrekullueshëm. Është hera e dytë që e vizitoj Shqipërinë dhe mikpritja është fantastike. Askush nuk e di se sa e mrekullueshme është mikpritja shqiptare, por ju kam thënë të gjithëve se është më e mira në Europë. Do të kthehem sëerish, bashke me miqtë e mi këtë herë”, rrëfejnë ata.

E ndërsa në Theth, shtëpitë tradicionale janë duke u pakësuar shpejt, pasi vendin e tyre po e zënë bujtinat, ka edhe nga banorë të cilët përpiqen të ruajnë historinë e të parëve.

“Kjo është shtëpia e babës tim dhe është ndërtuar përpara 168 viteve. Jam munduar që të ruaj strukturën që ka pasur shtëpia më përpara”, shprehet Mark Zef Kaceku, banor i Thethit.

Por Thethi nuk ka vetëm bukurinë e natyrës. Muzeu etnografik i Dukagjinit, i ndërtuar në një shtëpi tipike të fshatit, është një prej objekteve që patjetër duhen vizituar.

“Këtu ka qenë votra ku gatuhej buka, ndizej zjarri dhe rrinin njerëzit. Zakonisht i pari i shtëpisë rrinte pranë zjarrit” , shprehet Zef Bardhi, studiues i entografisë.

Vizitorët nuk mungojnë as në kishën e vetme të Thethit, një ndër pikat me të njohura te fshatit të vogël malor.

Kjo kishë është një nga ndërtesat më të vjetra të Thethit. Ajo ka rezistuar 300 vite, ndërkohe qe ka patur funksione jo vetëm si kishë, por edhe si shkollë e maternitet.

‘Është djegur dy herë nga zjarri dhe është ndërtuar sërish nga thethianët. Herën e tretë e dogji komunizmi”, thotë, Gjergj Harusha, kujdestar i kishës.

Përballë kishës qëndron Kulla e Ngujimit, e cila është një ndër të paktat që është ruajtur prej qindra vitesh.

“Kjo kullë ka 4 shekuj që është ndërtuar. Ka funksionuar si për pajtimin e gjaqeve. Ka një shekull që nuk funksionin sepse nuk ekziston më kanuni i Lekë Dukagjinit”,. Thotë Sokol Koçeku ,trashëgimtar i Kullës së Ngujimit.

Por edhe pse ajo mban emrin Kulla e Ngujimit, ne të vërtetë kjo godine ka shërbyer për pajtimin e gjaqeve.

“Quhet kështu sepse nuk dihej nesh gjaqet do të pajtoheshin dot apo jo. Kjo kullë ka qenë si një gjykatë, që as lejohen të gjithë e as dënohen të gjithë”, rrëfen koçeku.

Nga Thethi, nuk mund te largohesh pa dëgjuar edhe tingujt e parë të muzikës në një kohë kur instrumentet nuk ekzistonin. Por si vegël muzikore përdorej një gjethe.

 

Borë e madhe në Theth, zor që kalohet andej (Video)

Periskopi.com Lajme

Thethi, një nga zonat piktoreske më të njohura në Shqipëri sa i përket turizmit malor, vijon të jetë “mollë e ndaluar” për vizitorët.

Ndonëse jemi në muajin prill, në stinën e pranverës, sërish kalimi me makinë drejt këtij destinacioni ndalet në Qafën e Thores, pasi rruga për shkak të borës dhe akullit bëhet e pakalueshme, transmeton tch.

Pjesa tjetër prej 16 km në drejtim të Thethit mund të përshkohet vetëm në këmbë.

Banorët e kësaj zone thonë se fadroma që po punon për hapjen e kësaj rruge është shumë e vjetër dhe e ka të pamundur lirimin e rrugës.

Petrit Shpella, pronar i një bujtine në Theth, thotë se askush nuk është kujtuar për hapjen e rrugës, ndonëse turizmi është e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura në këtë zonë.

Një muaj më parë u hap zyrisht procedura e tenderimit për rrugën Qafë Thore-Theth me gjatësi 16 km që lidh një ndër zonat më të bukura të Alpeve me Bogën dhe Shkodrën. Investimi do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të projektit “Rrugët Lidhëse Rajonale dhe Lokale” për llogari të qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore.

Projekti për këtë rrugë është pjesë e investimeve që rrjedhin nga Plani Sektorial i Turizmit për Rajonin e Alpeve Shqiptare, që bashkë me strategjinë e marketingut turistik dhe programin e investimeve për infrastrukturën vendore përbëjnë atë që njihet si Masterplani i Alpeve.

Ndër të tjera, projekti parashikon gjerësi asfalti 4-4,75 metra dhe në 3 pikat më të rrezikshme të rrugës do të ndërtohen 3 tunele nga 20-30 metra për të siguruar mbrojtje nga ortekët.

 

Thethi i mbuluar nga dëbora, pamje magjepsëse

Periskopi.com Lajme

I paprekshëm vetëm për pak ditë të ftohta dhe me shumë dëborë, i mbyllur në kornizën e bardhësisë. Sfida për të arritur Thethin në këto ditë të bardha janari u takon e gjitha aventurierëve të sporteve ekstreme. Janë të rinjtë ata që kanë sfiduar në fundjavë borën, rrugët e vështira dhe të ftohtin dhe kanë shkelur në bardhësitë e luginës.

I prezantuar si qendra turistike e veriut shqiptar, për të katër stinët e vitit, në dimër, Thethi është gati i paprekshëm. Mund të shkosh deri në Qaf Thore, një ballkon piktoresk 12 km. larg Luginës së Thethit dhe më tej është gati e pamundur ose një aventurë e rrezikshme.

Tani që bora ka mbuluar kreshtat e Alpeve dhe vetë luginën deri në afërsi të Shkodrës, drejt luginës së fshatit turistik, vizitorët aventurierë, kërkojnë të futen e të prekin nga afër këtë mrekulli të natyrës.

Drejtori i AdZM Shkodër Agim Dardha, thotë për ATSH se ”janë të shumtë vizitorët që ngjiten drejt pikave turistike si Razmës apo Bogës, por të rrallë ata që i drejtohen Thethit”.

Zona turistike e Thethit aktualisht ofron rreth 1200 shtretër, që shërbejnë në të katër stinët e vitit me të gjitha aksesorët për të pritur vizitorë edhe në mot të ftohtë.

Nga drejtuesit e AdZM së Shkodrës ku bën pjesë Parku Kombëtar i Thethit, viti 2018 është konsideruar mjaft i suksesshëm në lëvizjen turistike, duke e radhitur Thethin si një veçanti të turizmit të natyrës, të ecjes sportive, të peizazhit, të historisë dhe mitologjisë.

Dardha thotë për ATSH se turizmi familjar në këtë zonë po bëhet i suksesshëm në të katër stinët e vitit, por ka periudha kur ai bëhet i vështirë.

Është premtuar që këtë vit të nisë edhe asfaltimi i rrugës Qafë-Thore – Theth me gjatësi 17 km që do të lehtësojë shumë lëvizjen e vizitorëve edhe në dimër në këtë luginë mbresëlënëse.

Thethi “i pakapshëm” në këtë kohë me dëborë, është i arritshëm vetëm nga më të guximshmit. Dhe një prej tyre është Nard Polia, një ranger i AdZM-Shkodër që shoqëron turistët aventurierë të dëborës, madje edhe për të kaluar qafën që lidh Thethin me Valbonën.

Në qendër të fshatit është ngritur dhe qendra e vizitorëve, e cila u shërben turistëve në orientimin e tyre drejt vendeve më interesante për t’u parë e vizituar edhe tani në periudhën e vështirë të dimrit. Thethi mund të vizitohet edhe tani me dëborë/ATSH.

Thethi i mbuluar nga dëbora, të rinjtë takohen me aventurën

Thethi i mbuluar nga dëbora, të rinjtë takohen me aventurënSfida për të arritur Thethin në këto ditë të bardha janari u takon e gjitha aventurierëve të sporteve ekstreme. Janë të rinjtë ata që kanë sfiduar në fundjavë borën, rrugët e vështira dhe të ftohtin dhe kanë shkelur në bardhësitë e luginës.http://ata.gov.al/2019/01/27/thethi-i-mbuluar-nga-debora-te-rinjte-takohen-me-aventuren/

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on Sunday, 27 January 2019