Si e mori gradën e dytë më me peshë në diplomaci burri i Vjosa Osmanit?

Periskopi.com Lajme

Emërimeve në shërbimin diplomatik kosovar, që jo rrallëherë është përballur me kritika, dhe nuk u kanë shpëtuar etiketave, mund t’u jetë shtuar edhe një i tillë.

Kjo pasi vendimi i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, për emërimin e Prindon Sadriut në një pozitë diplomatike është sfiduar brenda vet ministrisë.

Për arsye të procedurës dhe mënyrës se si është marrë vendimi, në dokumentin e siguruar nga Klan Kosova, kërkesë specifike e Drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Arben Prenkaj, është rishqyrtimi i vendimit dhe nxjerrja e një të riu.

Gjeneza e këtij kundërshtimi është në vendimin e datës 15.07.2019, me numër reference 335/2019, sipas të cilit ministri emëron në pozitën Ministër në Misionin Diplomatik të Republikës së Kosovës në Shkup/Maqedonia Veriore, Prindon Sadriun.

Por cilat janë problemet me këtë vendim të MPJ-së?

Në dokumentin me referencë ZDF/123/2019, që mban nënshkrimin e Arben Prenkajt, thuhet të jenë disa.

Duke cituar ligjin numër 03.L-122 Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, që është një nga pikat mbi të cilat mbështetet vendimi i ministrit Pacolli, drejtori Prenkaj pretendon të mos jetë respektuar neni 21 i tij.

Në paragrafin e parë të këtij neni thuhet se “transferimi, lëvizja paralele dhe ngritja në detyrë e nëpunësit të shërbimit të jashtëm bëhet me vendim të Ministrit të Punëve të Jashtme, në bazë të propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm”.

Prenkaj theksin e vë tek pjesa e fundit e fjalisë, që flet për propozuesin, duke nënvizuar se ai nuk ka ofruar ndonjë propozim për vendimin me të cilin është emëruar në pozitën e dytë më me peshë në diplomaci Prindon Osmani.

Më tutje, ai sfidon edhe përfshirjen e provizioneve të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm 02/2009 në preambulën e vendimit, nenet 13 dhe 14, si fakte mbështetëse se Prindon Osmani i është nënshtruar Komisionit për Grada dhe Disiplinë.

Mirëpo, sipas Prenkajt, përgjatë atij procesi, komisionit i janë përcjellë fakte që lidhen me Nenin 15 – Raportimi për shkeljet disiplinore, të po kësaj rregulloreje.

Në pjesën e fundit të arsyetimit të vërejtjeve, Prenkaj, duke u nisur nga pesha që ka grada e ministrit, si e dyta pas asaj të ambasadorit, dhe parakushteve që duhen plotësuar për ta marrë atë, thekson duke shprehur “bindjen e thellë se Shërbimi i Jashtëm i Kosovës nuk posedon kompetencë individuale, profesionale për nivelin e gradës Ministër”.

Po ashtu, nisur nga numri i madh dhe me tendencë rritje të të emëruarve në pozitën Ministër Këshilltar, vendimi për emërimin e Prindon Sadriut në pozitën Ministër do të mund të shërbente si precedent që edhe të tjerët të kërkonin avancime të asaj natyre, “duke aluduar në problemet e natyrës logjistike dhe financiare, pa abstrahuar në asnjë mënyrë aspektin e nivelit të kompetencës profesionale, që shkakton domosdoshmërisht një rritje e nivelit të gradave, tashmë nga ministri këshilltar në ministër”.

Për ta ilustruar situatën, Prenkaj bën një krahasim me Malin e Zi, që në pozitën Ministër Këshilltar ka vetëm dymbëdhjetë të emëruar, për dallim nga Kosova që, siç u tha më lartë, ka pesëdhjetë.

Dhe, krejt në fund, kundërshtimi i Drejtorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Arben Prenkaj, për këtë avancim mbyllet me një lutje.

“Ju lus që të shqyrtohet vendimi datë 15.07.2019, Nr.Ref. 335/2019, dhe të nxirret një vendim i ri, në mënyrë që subjektit të vendimit në fjalë t’i mundësohet kalimi në mision diplomatik me gradën të cilën i është lëshuar me vendim paraprak”.

Kujtojmë se Prindon Sadriu është bashkëshorti i deputetes të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kundërshtare e ashpër e politikave të kësaj qeverie dhe të ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, me të cilin ka pasur një përballje të ashpër në dhjetor të vitit të shkuar, teksa Pacolli po raportonte para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, të cilin e kryeson Osmani, për raportimet se disa shtete kanë tërhequr njohjen që i kanë bërë Kosovës.