Bërnabiq: Refuzimi i ekstradimit të Tomor Morinës, vendim politik, Zaev i thotë se ishte vendim i gjykatës

Periskopi.com Lajme

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq tha sot në Shkup se refuzimi i autoriteteve maqedonase për ekstradimin e Tomor Morinës në Serbi është kryesisht një vendim politik.

“Për ne, ky është një vendim politik që ndërhyn drejtpërdrejt në ligjin,” tha ajo në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

E pyetur nga Tanjug nëse ekstradimi i Morinës u diskutua në takimin me homologun e saj maqedonas, Bërnabiq tha se ata po flisnin hapur për të gjitha temat dhe se ekstradimi i Morinës ishte çështje e gjyqësorit.

Ajo deklaroi se nuk mendon se Zaev mund të ndikojë në këtë çështje sepse shtoi se as ajo nuk mund të ndikojë në vendimet e gjykatës në Serbi.

Në të njëjtën pyetje Zaev u përgjigj se ishte një vendim i autoriteteve gjyqësore dhe se vendime të tilla ishin marrë jashtë çdo ndikimi politik.

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Tomor Morina, u lirua  nga burgu më 14 gusht ku po mbahej pas ndalimit në pikën kufitare Bllacë nga policia e Maqedonisë së Veriut, në baze të një fletërresti të INTERPOL-it, të lëshuar me kërkesë të Serbisë

Rrëfimi i Tomor Morinës pas lirimit: Ma kanë ndalë dokumentin e udhëtimit, pasaportën britanike ma ka ndal gjykata

Periskopi.com Lajme

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut e kanë liruar nga paraburgimi ish-luftëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morinën. Ai po mbahej me fletë-arrest të lëshuar nga Serbia, nën dyshimin që dy dekada më parë ka kryer krime lufte. Megjithëse Morina është kthyer në Kosovë, pasaporta e tij po vazhdon të mbahet në Gjykatën e Maqedonisë së Veriut. Për këtë, ndalimin e tij e edhe emrin e tij në listën e veteranëve të rrejshëm, Tomor Morina jep detaje për KosovaPress, në intervistën 45/45.

Më shumë se dy dekada më parë, si një djalë i ri, bashkë me disa shokë që sot janë dëshmorë, iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tomor Morina shërbeu në Zonën e Dukagjinit dhe mori pjesë në shumë beteja, por e fundit për të ishte Beteja e njohur e Koshares.

Pas luftës ai migroi në Mbretërinë e Bashkuar ku edhe ndërtoi jetën e tij familjare, duke u bërë shtetas atje.

Megjithatë vizitonte Kosovën, e hera e tij e fundit këtu nuk ishte e zakonshme.

Derisa po shkonte në kryeqytetin e shtetit fqinj, ai u ndalua nga autoritet e Maqedonisë së Veriut, të cilat zbatuan një fletë-arrest të lëshuar nga Interpol, me kërkesë të Serbisë.

Gjatë bisedës me Teuta Gashin, në intervistën 45/45, Morina shpjegon në detaje rastin se si u ndalua atje.

“Kam ardh nga Londra, unë jetoj në Angli, kam ardhur në pushim, kisha disa ditë që kisha ardh dhe shkova të marrë një shok në Aeroportin e Shkupit i cili vinte nga Suedia dhe bashkë me një shok tjetër udhëtuam, ndaluam në pikën kufitare në Bllacë, dhe më konfirmohet që kam fletë arrest nga shteti serb. Pastaj filloi arrestimi, ndalesa dhe konfirmimi dhe kështu më dërguan në Shkup, në policinë rajonale, aty më konfirmohet që jam ndaluar nga shteti serb kinse për krime lufte që i kam bërë në Gjakovë në vitin ’99. Jam shtetas i Britanisë së Madhe dhe shtetas i Kosovës, i kam dy shtetësi.

Ai ka udhëtuar vazhdimisht, ka qenë edhe më parë në Maqedoni por nuk ka ndodhur diçka e tillë më herët.

Aktakuza për të ka qenë që ka vrarë shumë njerëz dhe ka djegur shtëpi dy dekada më parë.

Pasaporta e shtetësisë angleze e Morinës vazhdon të jetë të autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

“Ma kanë ndalë dokumentin e udhëtimit, pasaportën britanike atje ma ka ndal gjykata. Tash pres, jam në komunikim me avokatin Naser Raufi, dhe do të shohim çka do të ndodhë. Unë nuk kam me Maqedoni asgjë, këto do t’i rregulloj me anë të ambasadës britanike në Kosovë ose me anë të avokatit në Shkup”, thotë ai.

Morina thotë se derisa ishte në paraburgim është trajtuar mirë dhe në mënyrën më korrekte.Por tregon se kushtet e burgut atje janë të vështira dhe nuk i plotësojnë kriteret, sidomos për një vend siç është Maqedonia e Veriut.

Tomor Morina është një rast i veçantë. Ai ndodhet në listën e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së, ndërkohë për të është lëshuar fletë-arrest nga Serbia për krime lufte.

Thotë se nuk e di pse ndodhet në listën e veteranëve të rrejshëm, ndërkohë thekson se listat janë fryer dhe për këtë duhet të mbahen përgjegjës edhe komandantët e zonave, edhe vet të gjithë pjesëtarët e UÇK-së.“Nuk e di pse jam në listë të veteranëve të rrejshëm, por për fryrjen e listave, nuk është në rregull, nëse nuk ke qenë në lutë nuk ke qenë, ose nëse ke qenë në luftë një ditë ose një javë, ke qenë në luftë, sepse në luftë kur shkon vritesh për një orë ose minutë. Por fryrje të listave ka, ajo është e dëmshme për vet luftëtarët, për shkak se kur fryhet lista, edhe të ardhurat për ata që janë në gjendje të keqe sociale, ju e dini pas luftës ka pasur shumë vetëvrasje të ushtarëve të UÇK-së, ato kanë ndodhë për shkak se ata nuk janë kyçur nëpër parti politike, nuk kanë pasur rrugëdalje, kanë jetuar në mënyrë të keqe, kanë qenë të anashkaluar, prej të gjitha qeverive. Është dashur më bë më shumë për veteranët e luftës, me zbutë varfërinë”, thotë ai.

Tomor Morina, i cili ditë më parë u lirua nga paraburgimi në Maqedoninë e Veriut, ku u mbajt për 20 ditë, thotë se duke e ditur që është i pafajshëm, e ka pasur parasysh që do të lirohet, meqë sipas tij aktakuzat nuk kanë bazë.

Morina thotë se Maqedonia e Veriut nuk duhet të lëshojë fletë-arreste serbe kundër luftëtarëve të Kosovës sepse lufta e UÇK-së ka qenë e pastër.Ai thotë se Serbia është fajtore dhe se ata nuk do të lënë të qetë asnjëherë kombin shqiptar.

 

Tomor Morina në Gjakovë u prit me këngë e valle

Periskopi.com Lajme

Ish- ushtari i UÇK-së Tomor Morina, mbrëmë në vendlindjen e tij në Gjakovë, është pritur si hero me daulle dhe daire.

Ai dje u lirua nga Shutka në Shkup, pas ndalimit, më 24 korrik në vendkalimin kufitar Bllacë, për shkak të kërkimit nga Interpoli, por me kërkesën e bërë nga Beogradi. Gjykata Supreme dhe ajo e shkallës më të ulët vendosi që ta lironte atë dhe të mos ia dorëzonte Beogradit, për shkak se nuk kishte kushte për një vendim të tillë.

 

 

Morina dje ishte i shoqëruar nga zyrtarë të Ambasadës së Kosovës, familjarë dhe shokë të tij dhe se gjatë mbërritjes në Gjakovë, gjakovarët janë përkujdesur që Tomorin ta befasonin me daulle e daire.

Tomor Morina kthehet në Kosovë

Periskopi.com Lajme

Ish ushtari i UÇK-së, Tomor Morina, është kthyer për në Kosovë, pasi sot u vendos për lirimin e tij nga paraburgimi në Maqedoninë e Veriut.

Këtë e ka konfirmuar avokati i tij, Naser Raufi në një postim në Facebook.

Lirimin e Morinës e ka konfirmuar gjatë ditës edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, përmes një postimi në Facebook.

“Lirohet Tomor Morina, e drejta triumfon. Tomor Morina, ish-ushtar i UÇK-së, është liruar sot nga burgu, ku po mbahej pas ndalimit në pikën kufitare Bllacë Hani i Elezit, nga policia e Maqedonisë së Veriut në bazë të një flet-arresti të INTERPOL-it. Falënderojmë institucionet e Shkupit zyrtar, drejtorinë e burgut Shutka, për bashkëpunimin me institucionet dhe ambasadën e Republikës së Kosovës, për lirimin e Tomor Morinës”, ka shkruar Dedaj.

Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale Shkup, se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin Morinës në Serbi.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Lirimi i Tomor Morinës, pamje nga burgu i Shutkës

Periskopi.com Lajme

Shumë shpejt pritet lirimi i ish-ushtarit të UÇK-së Tomor Morina.

Në burgun e Shutkës tashmë ka arritur vetura me të cilën pritet të largohet Morina.Ekipi i televizionit Alsat është para burgut të Shutkës dhe ka siguruar pamje nga hyrja e veturës në ambientet e burgut.

Ndryshe, Gjykata Supreme vulosi vendimin e Këshillit penal, ku thuhej se nuk ka bazë për ekstradimin e ish-luftëtarit të UÇK-së në Serbi.

Sipas tyre, ekstradimi i Morinës në Serbi është i pamundur, pasi që ai dyshohet për vepra të kryera në Kosovë, shtetësinë e të cilit shtet edhe e posedon personi në fjalë.

Behgjet Pacolli i gëzohet lirimit të Tomor Morinës

Periskopi.com Lajme

Ministri i Jashtëm në detyrë Behgjet Pacolli, është shprehur i lumur me lirimin e ish ushtarit të UÇK-së Tomor Morina dhe refuzimin e kërkesës serbe për ekstradim.

Pacolli përmes një shkrimi në Facebook shprehu mirënjohje për autoritetet e Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin që kanë treguar.

“Jam i lumtur që Gjykatat në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur për lirimin e Tomor Morinës dhe refuzimin e kërkesës serbe për ekstradim. Unë jam mirënjohës ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për vendimin parimor të marrë në lidhje me këtë çështje dhe bashkëpunimin që kemi pasur për ta zgjidhur atë në mënyrën më të mirë”, ka shkruar Pacolli.

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Tomor Morina, është liruar sot nga burgu ku po mbahej pas ndalimit në pikën kufitare Bllacë të Hanit të Elezit, nga policia e Maqedonisë së Veriut, në baze të një fletarresti të INTERPOL-it, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina sapo është liruar është nisur për Kosovë nga burgu i Shutkës ku qëndroi për dy javë.

Familjarët e Tomor Morinës konfirmojnë se është marrë vendimi për lirimin e tij

Periskopi.com Lajme

Është liruar nga burgu ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina.

Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar djali i dajës së ish ushtarit, Gurakuq Dobruna.

Ai ka thënë se vendimi për lirimin e tij është marr por nuk dihet se kur do të lirohet.

“Vendimi për lirim është marr sot, kur do të lirohet nuk e dijmë ende, sepse dokumenti i vendimit duhet te dergohet ne burgun ku po qendron Tomori.”

Dobruna shtoi se lirimi i Tomor Morinës mund të ndodhë gjatë ditës së nesërme ose gjatë dy apo tre ditëve të ardhshme.

“Sipas avokatit, kjo mund te ndodhë gjatë ditës së nesërme ose 2-3 ditët e ardhshme.”

Ish ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, u arrestua më 24 korrik në pikën kufitare në Bllacë.

Ai u mbajt për më shumë se dy javë në Burgun e Shutkës, në bazë të një fletarresti të Interpolit të lëshuar nga Serbia.

Morina akuzohej se gjatë viteve 98-99-të kishte kryer krime lufte.

Serbia kishte kërkuar nga Maqedonia e Veriut të ekstradonte Tomor Morinën.

Pritet lirimi i Tomor Morinës (Video)

Periskopi.com Lajme

Gjykata Supreme ka marrë vendim negativ për ekstradimin ish-luftëtarit të UÇK-së Tomor Morina drejt Serbisë.

Sipas burimeve, në Supreme është vendosur pas marrjes së mendimit për herë të ditë, nga Prokuroria Republikane.

Tani është çështjeje kohe lirimi i ish luftëtarit të UCK-së Morina, pasi vendimi i Supremes duhet të udhëtojë së pari drejt Gjykatës Themelore, dhe kjo e fundit, pas kompletimit të dosjes me këto mendime, duhet ta dorëzojë për qëndrimin final te Ministria e Drejtësisë.

Një procedurë e tillë pritet të përfundoi në harkun kohor të disa orëve, por edhe të disa ditëve. Avokati i Morinës, Naser Raufi tha gjithashtu se pret me optimizëm një vendim të tillë, edhe pse prej ditësh theksonte se ligji për bashkëpunim ndërkombëtare për materie penale, ishte në favor të klientit të tij., njofton Alsat-M.

Morina u ndalua në vendkalimin kufitar të Bllacës, në 24 korrik.

Në bazë të fletë-arrestit të Interpolit, me kërkesë të Serbisë, Morina akuzohej për krime lufte gjatë viteve 98-99.

“Tomor Morina nuk do të ekstradohet në Serbi”

Periskopi.com Lajme

Ish- ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina është arrestuar në Maqedoninë e Veriut në vendkalimin kufitar në Bllacë më datën 24 korrik me kërkesë të Serbisë përmes Interpolit.

Ai në Serbi kërkohet nën dyshimet se kinse kreu krime lufte kundër civilëve serbë në Kosovë.

Alsat mëson se Gjykata Supreme do të marr vendim negativ për ekstradimin ish-luftëtarit të UÇK-së, Tomor Morinës drejt Serbisë.

Vendimin përfundimtar rreth kërkesës së Serbisë e sjell ministri maqedonas i Drejtësisë. Në anën tjetër, reagime të shumta ka pasur lidhur me arrestimin e Morinës.

Përpos zyrtarëve kosovarë, reagime pati edhe mes partive politike shqiptare në Shkup.

Por kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka thënë se në këtë rast do të respektohet ligji.

Veseli: Tomor Morina kurrsesi nuk do të ekstradohet në Serbi, t’u jepet fund praktikave të Millosheviqit

Periskopi.com Lajme

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka reaguar pas kërkesës së Serbisë që luftëtari i UÇK’së, Tomor Morina të ekstradohet nga Maqedonia e Veriut në Beograd, transmeton Periskopi

Veseli ka thënë se Morina kurrsesi nuk do të ekstradohet në Serbisë, ndërsa thekson se duhet t’u jepet fund praktikave të fletëarrestimeve të Interpolit që janë gjeneruar prej kohës dhe mentalitetit të Millosheviqit.

Veseli ka folur me avokatin e tij, ku shkruan se Morina së shpejti do të kthehet në Kosovë.

Ja postimi i plotë:

Gjatë këtyre ditëve kam ndjekur me shqetësim e vëmendje çështjen e bashkëluftëtarit tim Tomor Morina. Kam biseduar në telefon me ambasadorin e Kosovës në Shkup, si dhe me avokatin e tij, Naser Raufi, për të mësuar më shumë për zhvillimet e fundit. Kurrsesi nuk ka për t’u ekstraduar në Serbi dhe duhet t’u jepet fund praktikave të fletëarrestimeve të Interpolit që janë gjeneruar prej kohës dhe mentalitetit të Millosheviqit. Së shpejti do kthehet në familjen e tij. Shteti ynë do jetë përherë mirënjohës ndaj veteranëve si Tomori për sakrificën e bërë dhe nuk do t’i lërë asnjëherë vetëm.

Edhe Britania angazhohet në rastin e Tomor Morinës

Periskopi.com Lajme

Përveç asaj kosovare, Tomor Morina gjithashtu ka shtetësinë edhe të Mbretërisë së Bashkuar.

TV21 në Maqedoni mëson se Ambasada Britanike në Shkup po interesohet për fatin e tij.

“Jemi duke ndihmuar një burrë britaniko-kosovar, që është ndaluar në Maqedoninë e Veriut dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”, deklaruan nga Ambasada e Britanisë.

Pacolli: Tomor Morina shumë shpejt do të kthehet në shtëpi te familja

Periskopi.com Lajme

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli është shprehur i lumtur që Tomor Morina e fitoi betejën e parë të gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut, për të kundërshtuar kërkesën serbe për ekstradim.

“Jam i lumtur që Tomor Morina fitoi betejën e parë të gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut për të kundërshtuar kërkesën serbe për ekstradim.  Ne besojmë fuqimisht në punën profesionale të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe lidhjen e miqësisë që kanë vendet tona.  Shumë shpejt ai do të kthehet në shtëpi te familja dhe miqtë e tij dhe u bëj thirrje të gjithëve të jenë të durueshëm”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

 

Gjykata në Shkup thotë se Tomor Morina s’duhet të dorëzohet në Serbi

Periskopi.com Lajme

Ish-ushtari i UÇK-së, Tomor Morina, nuk duhet të dorëzohet në Serbi.

Kështu vlerëson Gjykata Penale e Shkupit e cila thotë se nuk janë përmbushur kushtet sa i përket kërkesës së Beogradit për ekstradimin e tij, raporton Alsat-M.

Nga Gjykata shtojnë se lënda për shqyrtim të mëtejshëm do të dërgohet në Gjykatën Supreme.

Ndërkaq masa e paraburgimit ndaj Morinës do të vlejë derisa vendimi i Këshillit Penal të hyjë në fuqi.

Morina tashmë dy javë mbahen të paraburgim në Shutkë, i cili u arrestua në vendkalimin kufitar Bllacë për shkak të fletarrestit të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Avokati: Tomor Morina do të lirohet nga paraburgimi, s’ka ekstradim në Serbi

Periskopi.com Lajme

Gati dy javë kanë kaluar që nga arrestimi në Maqedoninë e Veriut të ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina.

I njëjti, nga autoritetet maqedonase u arrestua pas fletëarrestit të INTERPOL-it të lëshuar nga shtetit serb.

Beogradi zyrtar tashmë ka bërë kërkesë edhe për ekstradimin e tij në Serbi, mirëpo një gjë e tillë së pari duhet të shqyrtohet nga Gjykata Penale e Maqedonisë së Veriut.

Sidoqoftë, mbrojtja e Morinës nuk beson se ish-ushtari i UÇK-së, do të ekstradohet në Serbi.

Madje avokati i tij, Naser Raufi, për lajminka thënë se përgjigja nga Gjykata Penale pritet në çdo moment, ngase janë bërë tashmë gjashtë ditë që prej se e njëjta është proceduar.

Ai ka thënë se ekstradim të Morinës në Serbi nuk ka gjasa të ketë.

“Do të lirohet. Presim përgjigje nga Gjykata penale për kërkesën tonë për lirim nga paraburgimi çdo moment. Tashmë janë bërë gjashtë ditë prej se e kam dorëzuar. Ekstradim nuk do të ketë”, ka thënë Raufi.

E Tomor Morina gjatë ditës së sotme është vizituar edhe nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

Ky i fundit ka bërë të ditur se ish-ushtari i UÇK-së ndjehet mirë dhe plotësisht i pafajshëm.

Gjithashtu ai është shprehur i bindur se Morina shumë shpejtë do t’i kthehet familjes së tij në Kosovë.

“Ka vrarë shumë serbë në luftë” – Aktakuza në bazë të së cilës Interpol arrestoi Tomor Morinën

Periskopi.com Lajme

“Ka vrarë shumë serbë në luftën e Kosovës, respektivisht në Gjakovë”. Kjo është akuza bazë e Interpolit serb ndaj ish ushtarit të UÇK-së nga Gjakova, Tomor Morina, i cili para gati dy javëve është arrestuar në Maqedoni dhe ende nuk po lirohet.

Burime të Gazetës Lajm thonë se akuza serbe e ngarkon Morinën edhe si “terrorist” i cili ka luftuar në radhët e “organizatës terroriste Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.

Kjo akuzë është bazë edhe në kërkesën për ekstradim që ka dërguar ministria serbe e drejtësisë deri te ministria e drejtësisë në Maqedoni.

Mbrojtja e Morinës vlerëson si paushalle edhe padinë serbe, por edhe kërkesën e ministrisë së drejtësisë

“Nuk mund të ngresh padi ndaj dikujt me floskulën ‘ka vrarë shumë njerëz’. Aktpadia duhet të përmbajë të dhëna konkrete, kush është vrarë, ku është vrarë, pse është vrarë… Kjo është dëshmi se Serbia nuk posedon argumente kundër Morinës, por se ka tendencë për të ngritur aktpadi paushalle ndaj ish ushtarëve të UÇK-së për të penguar lëvizjen e tyre të lirë”, ka thënë për Gazetën Lajm avokati Naser Raufi.

Ai ka kërkuar nga organet kompetente në Maqedoni që sa më shpejtë të lirojnë Morinën, kurse nga politika shqiptare të qëndrojë sa më larg rastit, sepse sa herë që përzihet në vend se të ndihmojë vetëm komplikon edhe më tepër.

 

Gjykata sot vendos për ekstradimin e Tomor Morinës

Periskopi.com Lajme

Gjykata Penale sot do duhet të vendos se a do të ekstradohet ish pjesëtari i UÇK-së, Tomor Morina, i cili u arrestua në Bllacë me fletarrest nga Interpol-i, me kërkesë të Serbisë.

Me qenë se kërkesa për ekstardimin e Tomor Morinës u desh të udhëtonte disa ditë, të premten arriti në Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë dhe e njëjta sot do të dërgohet në Gjykatën Penale. Kërkesa e ekstradimit do ti dërgohet edhe dy ambasadave, të Kosovës dhe të Britanisë, me qenë se Morina ka dy shtetësi.

Ndërkaq, edhe përkundër paralajmërimeve të zëvendës kryeministrit Bujar Osmanit për ti bërë vizitë Morinës në burgun e Shutkës, ai nuk është lejuar për ta bërë një gjë të tillë. Madje, për këtë Gjykata Penale u kishte bërë të qartë se funksionarë të Qeverisë, nuk lejohet që të vizitojnë një të paraburgosur. Kërkesën funksionarët e BDI-së, Bujar Osmani dhe zëvendës ministri i policisë, Agim Nuhiu, e kishin bërë përmes Qeverisë

 

Ministri serb i drejtohet Maqedonisë Veriore: Do t’i shkelni ligjet ndërkombëtare nëse nuk e ekstradoni Morinën

Periskopi.com Lajme

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç tha gjatë ditës së sotme se Maqedonia Veriore do të shkel ligjet ndërkombëtare nëse nuk e ekstradon ish-ushtarin e UÇK-së, Tomor Morina.

Për ‘REL’, Stefanoviç tha se të gjitha vendet e Interpolit duhet të respektojnë rregulloret ndërkombëtare.

 

“Të gjitha vendet që janë pjesë e Interpolit duhet të respektojnë rregulloren ndërkombëtare. Maqedonia Veriore duhet, në bazë të urdhrit të arrestit dhe dokumenteve të siguruara nga Serbia, të dorëzoj Morinën autoriteteve shtetërore që kanë të drejtë për të.”, u shprehë ministri serb.

Ai u shprehë i shqetësuar me komentet e kryeministrit Zoran Zaev.

“Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev ka thënë se ata do të respektojnë ligjin ndërkombëtar, që do të thotë ekstradim te autoritetet serbe. Nëse kjo nuk ndodh, ne do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas, unë nuk dua të paragjykoj.”, tha ai.

Kujtojmë që Morina u arrestua nga policia maqedonase javën e kaluar pas një urdhri arrestimi të Interpolit dhe Serbisë, e cila dyshon atë për krime lufte kundër civilëve në Kosovë. Gjykata penale e Shkupit e urdhëroi ekstradimin e tij në 30 ditë . Ministria serbe e drejtësisë ka treguar se do të aplikojë në gjyqësorin maqedonas për ekstradimin e tij.

Në fillim të kësaj jave , Prokuroria e Krimit të Organizuar në Shkup hodhi poshtë një kërkesë të avokatit të Morina, Naser Raufi, për lirim me arsyetimin se ai ishte një “shtetas i huaj” dhe se ekzistonte mundësia e arratisjes.

Arrestimi i Morinës provokoi reagime të shumta në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore.

Serbia vazhdon t’i bëjë presion Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e Tomor Morinës

Periskopi.com Lajme

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsa Stefanoviq, tha se nuk mund të besojë se Maqedonia e Veriut nuk do ta ekstradojë Tomor Morinën, sepse kjo do të ishte mosrespekt i ligjit ndërkombëtar.

“Të gjitha vendet që janë pjesë e Interpolit duhet të respektojnë rregullat ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut, duhet që në bazë të urdhrit dhe dokumenteve të ofruara nga Serbia, ta ekstradojë Morinën”, tha Stefanoviq.

Më 24 korrik, policia maqedonase e arrestoi ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga INTERPOL-i me kërkesë të Serbisë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se në këtë rast do të respektohet ligji.

Për ministrin e brendshëm serb, kjo deklaratë do të thotë se Morina do të ekstradohet.

“Kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev ka thënë se ata do të respektojnë ligjin ndërkombëtar, dhe kjo do të thotë ekstradim te autoritetet serbe. Nëse kjo nuk ndodh, ne do të shohim se çfarë do të bëjmë më tej, unë nuk dua të paragjykoj”, tha Stefanoviq./Indeksonline/

 

Arrestimi i Tomorit, deklarohet shteti maqedon

Periskopi.com Lajme

Ministrja e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut, Renata Deskoska lidhur me rastin e ish-ushtarit të UÇK-së, Tomor Morinës nga Gjakova që po mbahet në paraburgim në Maqedoni theksoi se për momentin deri tek ministria e tyre ende nuk ma arritur kërkesa nga Serbia për ekstradimin e tij.

Sipas saj, nëse kërkesa mbërrin atëherë Ministria është e obliguar që atë ta dorëzoj në Gjykatë , nga ku edhe pritet vendimi për Morinën.

“Procedura shkon deri tek gjykatat përgjegjëse. Sipas Ligjit tonë kërkesa për ekstradim duhet të arrij deri tek Ministria e Drejtësisë më pas kërkesa dërgohet deri tek gjykatat që vendosin. Procedura e deri tanishme ishte që me kërkesë të Interpolit, MPB ndalon personin që ka dashur të kaloj kufirin më pas Gjykata vendos. Ne si Ministri deri më tani kemi pasur përgjegjësi që të informojnë ambasadat përmes Ministris së Punëve të Jashtme. Ai është shtetas i Britanisë dhe i Kosovës, komfor këtyre procedurave kemi dërguar lajmërim deri tek ambasadat përkatëse në shtetin tonë. Deri dje nuk kemi marrë kërkesë për ekstradim. Nëse tashmë ka arritur kërkesa, ne e dërgojmë deri tel Gjykata e cila do të vepron më tutje”, tha Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Ndryshe, dje u paralajmërua se ish ushtari i UÇK-së Tomor Morina sot do të lirohet nga paraburgimi. Një gjë të tillë për Alsat e tha avokati i tij Naser Raufi. Lidhur me shqyrtimin e kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi, juristi Sejfulla Osmani dje tha se vetëm gjykata e Hagës është kompetente për ekzekutimin e procedurave për krime lufte në Kosovë dhe përjashton mundësinë që Morina të ekstradohet në Serbi./Alsat

Gjakova proteston për Tomor Morinën, kërkohet që të punohet për lirimin e tij

Periskopi.com Lajme

Në Gjakovë sot është mbajtur një protestë, ku është kërkuar lirimi i ish-luftëtarit të UCK-së Tomor Morina, i cili është arrestuar javën e shkuar në pikën kufitare Blacë sipas fletëarrestit nga Interpoli. Morina kërkohet nga Serbia nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër civilëve serbë në Kosovë.

Familjarë e qytetarë të shumtë kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të punojnë më shumë që Maqedonia e Veriut të lirojë sa më shpejt Morinën.

Gjatë protestës, kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ka bërë të ditur se kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj e ka njoftuar se ka pasur biseda me autoritetet maqedonase dhe i është premtuar se do të jenë të kujdesshëm sa i përket këtij rasti.

“Secili prej nesh sot e ka një mllef dhe me plot të drejtë, i kemi lënë 20 vite pas luftës dhe ata që faktikisht kanë kryer krime kërkojnë të na dënojnë. Gjithë njerëzit që janë sot këtu, e me këtë ndjenjë e dërgojnë një mesazh që ne e dëshirojmë Tomorin, bashkëluftëtarin tonë, djalin e Gjakovës sa më shpejt në shtëpi të vet, tek miqtë e familjarët. E kemi zor më fol më shumë për detaje, mirëpo kryeministri më ka treguar që mund t’iu konfirmoj që ka pasur biseda në nivelin më të lartë, më tepër do të shohim shumë shpejt, po këto janë edhe çështje delikate. Kryeministri ka marrë premtime se do të jenë tepër të kujdesshëm autoritetet e Maqedonisë, i kanë disa çështje ligjore, por do të jenë të kujdesshëm. Kjo është ajo çka kam biseduar edhe dje edhe sot edhe në ditët e kaluara. Ne derisa ta kemi Tomorin këtu nuk mund të qetësohemi, por unë e kam një bindje që autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk do të bëjnë diçka çka nuk e bënë kurrkush në botë”, u shpreh ai.

Në emër të familjes së Tomor Morinës, ka folur Gurakuq Dobruna, i cili tha se janë më shumë të brengosur sot për Tomorin sesa kur kishte qenë në luftë.

Ai tha se një luftëtar shembullor siç ka qenë Tomor Morina duhet të mbrohet fuqishëm nga institucionet e Kosovës.

“Në emër të familjes së Tomorit jemi të brengosur për fatin e Tomorit, më shumë jemi të brengosur sot se dje kur ishte në luftë, sepse ai që i ka provuar burgjet sllave e kupton më së miri këtë ndjenjë tonën. Tani po flitet shumë se kemi 100 përqind shtet, 100 përqind liri, por liria nuk është e plotë nëse liria e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës nuk është ngritur deri në fund. Po flitet se po mbrohen vlerat e luftës, e tani dua t’iu them a ka vlerë më të madhe se një luftëtar shembullor siç ishte Tomor Morina, kur iu përgjigj ftesës u nis në luftë, përfundoi lufta, dorëzoi uniformën me nder dhe kjo vlerë duhet të mbrohet jo në mënyrë klandestine nga shteti jonë, por duhet fuqishëm të mbrohet në mënyrë institucionale. Reagimet nga shteti jonë janë të vakëta si nga Kosova, si nga Shqipëria. Për ironi të fatit  Millosheviqi para 20 viteve dha urdhër që të v endosen topat mbi Gjakovë dhe të shkatërrohet ky qytet për arsye të shumta. Për ironi të fatit listat e Millosheviqit ende mbesin peng i lëvizjes së lirë së qytetarëve tanë”, tha ai.

Kurse, kryetari i OVL UCK-së dega në Gjakovë Sadri Hoxha, tha se i bënë apel ministrisë së Punëve të Jashtme që të merret me këtë rast, në mënyrë që sa më shpejt Tomor Morina t’i kthehet familjes.

“Ne sot kemi dal këtu t’i themi jo ekstradimit të Tomor Morinës, jo i kemi thënë Serbisë Ushtria Çlirimtare e Kosovës më 1999 dhe do t’i themi jo gjithë jetën. Ne kemi besim tek institucionet tona që të bëjnë për cdo ushtar, për cdo qytetar. Bëjë apel që ministri i Kosovës i Jashtëm të merret me këtë çështje, e mos të dalim ne rrugës sikur kemi dal që 20 vite për padrejtësitë që i bënë Serbia. Apeloj që sa më shpejt ai të kthehet në shtëpinë e vet, se UCK nuk ka bërë krime sa kanë bërë Serbia, ne e kemi bërë një luftë të pastër, një luftë çlirimtare”, tha ai.

Shteti i Serbisë i ka dorëzuar kërkesën Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e Tomor Morinës, por vendimin përfundimtar rreth kësaj kërkesë do ta marrë ministri maqedonas i Drejtësisë.