Arrestohen dy persona, dyshohen për transplantim dhe trafikim të organeve

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate se janë arrestuar dy persona të dyshuar për vepra penale të Transplantimit të  kundërligjshëm dhe Trafikim të organeve.

Ngjarja ka ndodhur sot në njërin nga spitalet e Gjakovës.

“Sot më 18.06.2019, Policia e Kosovës, konkretisht, Sektori Qendror i Hetimeve-Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente në Gjakovë, kanë realizuar një plan taktik në një spital në Gjakovë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Ky plan ka rezultuar me arrestimin e dy personave me inicialet A.M. mashkull/shqiptar kosovar dhe B.B. femër/shqiptare kosovare.

Të dy u arrestuan nën dyshimin se kanë kryer veprat penale: Transplantim i kundërligjshëm dhe Trafikim i Organeve dhe Qelizave njerëzore, si dhe Bashkëkryerja, sipas kodit penal të RKS-së, transmeton Periskopi.

“Nga autoritetet kompetente janë sekuestruar edhe dokumentacione të ndryshme lidhur me rastin për procedura të mëtejme”, thuhet në komunikatë. /Periskopi