Shqipëria ende vendi më i preferuar për pushime

Periskopi.com Lajme

Shqipëria ishte këto ditë top-lajm në mediat botërore.

Shkas për këtë u bë incidenti në jug të vendit, ku disa turistë spanjollë u sulmuan brutalisht nga pronari i një restauranti në bregdetin shqiptar, shkruan lajmi.net.

Imazhet e sulmit u shpërndanë me të madhe në mediat botërore, teksa për shumëkë në shtetin fqinj, kjo ngjarje i ka dhënë hije të zezë turizmit shqiptar.

Sidoqoftë, kjo ngjarje dhe incidente të tilla, nuk i kanë zbrapsur kosovarët që t’i kalojnë pushimet verore në Shqipëri.

Këtë e konfirmon për lajmi.net edhe kryetari i Shoqatës së Turizmit, njëherit edhe pronar i kompanisë “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj.

Ai thotë se incidente të tilla janë të izoluara dhe mund të ndodhin në çdo vend të botës.

Kurtishaj thekson se Shqipëria vazhdon të jetë njëri prej destinacioneve më të kërkuara turistike nga kosovarët.

“Këto janë incidente të izoluara që mund të ndodhin edhe në vende tjera. Edhe më tutje Shqipëria mbetet njëri prej destinacioneve më të kërkuara turistike, dhe për shumë arsye; për arsye të afërsisë, të çmimeve të favorshme dhe për arsye tjera”, thotë Kurtishaj.

Ndonëse këto incidente janë shqetësuese për secilin kosovar, Kurtishaj thotë se nuk ka pasur ndikim në kërkesat e tyre për t’i kaluar pushimet në Shqipëri.

Madje shton se ka pasur rritje të kërkesave për t’i kaluar pushimet në Vlorë.

“Këto incidente të kohëve të fundi normal që janë shqetësuese për secilin shqiptar në Kosovë apo edhe Shqipëri. Edhe pse ka ndikim në opinionin e jashtëm, nuk ka ndonjë ndikim në kërkesën e kosovarëve për t’i kaluar pushimet në Shqipëri. Këtë vit, Vlora ka rritje të kërkesës për t’i kaluar pushimet në Vlorë, por nuk është në nivelin e duhur karshi investimeve që janë bërë këtë vit në Vlorë. Në “Sharr Travel”, Shqipëria është top destinacion dhe besoj që do të jetë edhe viteve të ardshme”, thotë ai.

Në fund, sipas Kurtishajt marrja e masave nga shteti shqiptar sipas tij dëshmon seriozitetin e tyre për zhvillimin e turizmit, dhe se sipas tij kjo është shumë e rëndësishme për shtetasit e Kosovës.

Turizmi Kosovë – Shqipëri, mori hov që nga ndërtimi i “Rrugës së Kombit”, e cila lehtësoi qarkullimin e  njerëzve në këto dy shtete.

Nga ky vit, në këtë rrugë është aplikuar edhe taksa.

Pronari i restorantit në Sarandë i rrah keq turistët spanjoll, Klosi u kërkon falje (VIDEO)

Periskopi.com Lajme

Arrestohet nga policia e Sarandës shtetasi Mihal Kokëdhima, pronar i restorantit “Panorama” në Porto-Palermo të Himarës.

Arrestimi i tij ka ndodhur pas ngjarjes së të enjtes, ku pas një konflikti në biznesin e tij ndoqi nga pas dhe sulmoi grupin e turistëve spanjollë.

Sipas policisë, në pranga është vënë shtetasi Mihal Kokëdhima, 51 vjeç, banues në Sarandë.

“Në lokalin e tij Bar-Restorant në Porto Palermo të Himarës, shtetasi Mihal Kokëdhima, për motive të dobëta, ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë dhe më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre dhe është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup, por më shumë është dëmtuar shtetësia spanjolle K.R”- njofton Policia Shqiptare.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprat penale “Kanosje”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”. Dhunimi i një familjeje turistësh spanjollë nga pronari i një lokali në Himarë është një nga episodet e rënda të këtij sezoni ku jo vetëm se u cenua jeta e turistëve që zgjedhin Shqipërinë, por edhe imazhin e këtij vendi në sytë e të huajve.

Shkak për këtë ngjarje të rëndë për turizmin shqiptar, sipas raportimeve, ishte refuzimi që familja spanjolle i bëri shërbimit të keq. Pesë turistët dhe dy shoqëruesit shqiptarë u larguan nga lokali, por sipas policisë u ndoqën dhe u dhunuan nga pronari i biznesit që i kishte ndjekur më pas. Më e dëmtuar mbeti një prej anëtarëve të familjes që kishte mbërritur me jaht në Sarandë. Ata morën ndihmën e parë në spital dhe më pas janë larguar nga spitali, ndërsa kanë denoncuar dhe rrëfyer të gjithë ngjarjen në polici.

Grupi i turistëve spanjollë kishin mbërritur me jaht dhe po vizitonin jugun e Shqipërisë, por pas incidentit ata nuk pranuan të prononcoheshin. Një ditë pas ngjarjes familjen e turistëve të huaj në Sarandë e takoi ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i cili u kërkoi ndjesë në emër të Qeverisë Shqiptare. Ai tha se ngjarje të tilla janë të papranueshme. Ministri Klosi shprehet, mes të tjerash, se ajo që përjetuan pushuesit spanjollë nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve.

“Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve. Por, siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë, sikundër vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtpërdrejtë të Qeverisë”, shkruan Klosi.