Mbrojtësi i Premierligës i bashkohet protestës në Angli për George Floydin

Periskopi.com Sporti

Tyrone Mings e shprehu përkrahjen e tij për lëvizjen “Black Lives Matter” (shqip: “Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi”), duke marrë pjesë në një protestë, bashkë me rreth 4000 njerëz të tjerë, në Birmingham të Anglisë të enjten.

Mbrojtësi i Aston Villës dhe Anglisë, i cili mori pjesë në protestën në sheshin Victoria në Birmingham, protestoi kundër racizmit dhe brutalitetit policor, pas vdekjes së amerikanit George Floyd.

Mings postoi në llogaritë e tij në rrjete sociale fotografi nga këto protesta, me mbishkrimin: “Asgjë tjetër përveç energjisë së mirë dhe pasionit sot. Unë s’kërkoj falje që po e ngre zërin për atë që e besoj”.

Ndërsa, policia e atij rajoni tha se protestat kishin qenë paqësore dhe se kishin përfunduar pa asnjë incident.“Rreth 4000 persona morën pjesë në një protestë paqësore në qendrën e Birminghamit sot.

Protestuesit ishin të zhurmshëm dhe me pasion dhe e bëmë të qartë synimin e tyre. Nuk pati asnjë të arrestuar dhe asnjë incident”, thuhet në njoftimin e policisë.