Serbia po vazhdon të organizojë gara në Kosovë, edhe pas ankesës së FFK-së në UEFA e FIFA

Periskopi.com Sporti

Ankesa e Federatës së Futbollit të Kosovës në shtëpitë më të mëdha të futbollit, UEFA dhe FIFA, duket se nuk i ka frikësuar klubet serbe në Kosovë, të cilat megjithatë po vazhdojnë të marrin pjesë në ligat e Serbisë.

Klubi ilegal i futbollit, Mokra Gora, nga Zubin Potoku, ka bërë të ditur se më 17 gusht do ta zhvillojë ndeshjet e parë në Ligës e Tretë të Serbisë në futboll.

Pjesëmarrjen e klubeve nga Kosova në garat e Serbisë e ka kundërshtuar fuqishëm Federata e Futbollit e Kosovës, e cila insiston se klubet kosovare duhet të zhvillojnë ndeshje vendore vetëm në garat e organizuara nga vetë FFK-ja.

UEFA dhe FIFA ende nuk i janë përgjigjur letrës së presidentit të FFK-së, Agim Ademit, e këtë ankesë e kanë injoruar edhe klubet serbe në Kosovë.

“Në hapjen e kampionatit të ri, i cili fillon më 17 gusht, Mokra Gora mirëpret ekipin e Trepçës”, shkruhet në mes të tjerash në njoftimin e lëshuar nga Mokra Gora.