Edhe lumi Llap vërshohet nga mbeturinat e ujërat e zeza

Periskopi.com Lajme

Me mbeturina e barishte një metër të gjata është mbushur shtrati i lumit Llap. Ky lumë është shndërruar në një deponi mbeturinash e “impiant” të ujërave të zeza që derdhen aty. Gjithçka është “zbuluar” pas rënies së nivelit të ujit. Por deri tash askush nuk është duke u marrë me të.

Qytetarët kanë fajësuar pushtetin e Komunës së Podujevës për gjendjen në të cilën është shndërruar Llapi. Mustafë Potera ka thënë se i kishte ardhur turp po të ishte kryetar i Podujevës me rrugët e prishura të qendrës së qytetit e me lumin Llap të ndotur.

“Në prag të ardhjes së mërgimtarëve tonë për pushime në vendlindje, Llapi i pret me këtë infrastrukturë (të prishur v.j.) e me këtë gjendje të lumit. Turp më kish ardhë me qenë kryetar i shehrit”, ka thënë ai.

Mustafa ka fajësuar edhe qytetarët për hedhjen e mbeturinave në lumë, por ka thënë se më fajtorë janë pushtetarët që nuk ndërmarrin diçka për ta pastruar.

“Përveç thatësisë munden me pastrua e me ba ndonjë fushatë (për vetëdijesim v.j.) se edhe qytetarët e pandërgjegjshëm po hedhin bërllok kudo. Pushtetarët e kanë fajin e madh, pasi as kontejnerë nuk ka sa duhet. Edhe mbeturinat menaxhohen keq”, është shprehur Mustafë Potera.

Edhe qytetarët e tjerë janë shprehur të zhgënjyer me pamjen që ka marrë lumi Llap pasi ujë ka shteruar shumë.

Banorët e lagjes Kalabria përballen çdo ditë me ujërat e zeza

Periskopi.com Lajme

Banorët e rrugës ‘Rexhep Krasniqi’ në lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë përballen çdo ditë me erën e pakëndshme që kundërmon nga ujërat e zeza.

Ujërat e zeza derdhen në lumin Mat, i cili kalon nën urën e kësaj rruge që  është bërë e pakalueshme nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë rënë në muajt e kaluar.

Sadik Mehmeti, i cili jeton në lagjen Kalabria që nga vitet e 70-ta ka treguar se fillimisht në atë kohë ura ishte improvizuar me dërrasa për t’ua mundësuar fëmijëve që të shkojnë në shkollë.

“Këtë urë e kemi rregulluar që gati 30 vjet, e kemi mbaru këtu edhe tash është kështu. E tash që është çrregulluar i ka gati qw 3 muaj ose 4, të gjithë verën, po e shihni vetë, unë kam qenë te Shpendi edhe nuk më kanë lejuar me hy hiq, por e kam një letër aty, janë bërë 3 muaj dhe askush nuk më ka dhënë përgjigje edhe askush nuk ka ardhur me shiku”, ka deklaruar Mehmeti.

Mehmeti ka rrëfyer që veturat po detyrohen të kthehen prapa për shkak se ura në rrugën ‘Rexhep Krasniqi’ është bërë e pakalueshme.

“Ne jemi këtu 200 ose 300 shtëpi, lagje e madhe këtu, edhe banesat janë bërë dhe askush më nuk ka ardhë me u interesu, leje që nuk po mundemi me kalu me vetura por edhe era, nuk po mundemi me qëndru brenda prej saj”, është shprehur ai.

Edhe Feti Buzoku, një banor tjetër i lagjes ‘Kalabria’ është shprehur se kur temperaturat janë të larta banorët nuk mund të kalojnë nga kjo rrugë për shkak të kundërmimit të ujërave të zeza.

“Jeta është e vështirë këtu se këtu kalojnë gratë me fëmijë, kah me dalë këtu, nxënësit shkojnë në shkollë për këtë rrugë këtu”, ka theksuar Buzoku.

Adonis Tahiri, zyrtar për informim në Komunën e Prishtinës ka thënë për KALLXO.com se Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave është duke u angazhuar maksimalisht që të zgjidhen sa më parë problemet e mbetura pronësore dhe të përfundohet ky projekt.

“Jemi duke punuar në ndërtimin e kolektorit në lagjen ‘Kalabria’. I kemi pasur disa probleme pronësore me banorët e zonës, shumica prej të cilave janë zgjidhur, dhe jemi drejt zgjidhjes edhe të rastit të fundit. Çështja e urës, ndërlidhet me këto, për shkak se ajo do të jetë mbi kolektor”, ka deklaruar Tahiri.

 

​Përurohet fabrika e trajtimit të ujërave të zeza në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Fabrika e dytë e trajtimit të ujërave të zeza, në vlerë me më shumë se 700.000 euro, e ndërtuar në territorin e Republikës së Kosovës, do t’i dorëzohet sot Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, gjatë ceremonisë zyrtare.

Ceremonia do të fillojë në orën 10:00, në vendin e fabrikës së sapo ndërtuar të trajtimit të ujërave të zeza, në bregun lindor të Liqenit të Badocit, pranë fshatit Mramor dhe do të marrin pjesë Ambasadori i Republikës Çeke, Ivo Silhavy si dhe drejtori i Agjencisë së Zhvillimit Çek, Pavel Frelich, përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të tjera relevante.

Pjesë e ceremonisë do të jetë edhe demonstrimi dhe shpjegimi i proceseve të trajtimit të ujërave të zeza.

Sipas njoftimit të ujësjellësit, ky projekt është financuar nga Republika Çeke në kuadër të Programit Çek të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës dhe KRU Prishtina. Ky projekt paraqet një moment të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit  të mjedisit në Kosovë.

Projekti është implementuar nga shoqata e kompanive profesionale nga Republika Çeke – Ircon sh.pk si udhëheqëse e konsorciumit dhe TopolËater.

Partneri lokal në Kosovë ishte kompania Projekti Plus L.L.C. “Ne jemi shumë të kënaqur që jemi një ndër kompanitë e para çeke që ndihmojnë Republikën e Kosovës për të zgjidhur problemin me ngarkesat ekologjike të ujërave të zeza të patrajtuara. Ky impiant i ri i trajtimit të ujërave të zeza do të pajiset me teknologjitë e fundit efikase në fushën e trajtimit të ujërave të zeza” tha Z. Jan Topol, drejtor i kompanisë TopolËater.

Kompania zbatuese, përveç ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza, realizoi trajnime për operim dhe mirëmbajtje dhe organizuan fushatë ndërgjegjësimi për banorët, me fokus të veçantë  te  fëmijët.