Universitetet në Shqipëri shpenzojnë deri në 8 milionë euro, prej tyre vetëm 12 mijë euro për studime shkencore

Periskopi.com Lajme

Të ardhurat e universiteteve vijojnë të përdoren për dieta, karburant dhe sigurimin e objekteve. “Qëndresa Qytetare” ka monitoruar për tetë muaj, shtatë universitete, ku rezulton se kanë shpenzuar afro 12 mijë euro për investime dhe vetëm dy mijë e 900 euro për studime dhe kërkime shkencore.

Universiteti Politeknik i Tiranës kryeson listën e shpenzimeve ku në tetë muaj ka paguar 100 mijë euro dieta, 160 mijë euro shpërblime dhe honorare si dhe 70 mijë euro karburant.

Në një vit, ky universitet ka shpenzuar 8.1 milionë euro, nga të cilat vetëm 12 mijë euro kanë shkuar për studime.

Të larta janë shpenzimet edhe në universitetet e rretheve. Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës nuk ka blerë asnjë libër, por ka blerë 16 mijë euro perde kundër diellit.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër është kursyer në studime dhe kërkime shkencore por ka shpallur tender 45 mijë euro për rrufepritëse.

“Universiteti “Aleksandër Xhuvani” tre milionë euro pas asnjë kërkim shkencor dhe studim, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Katër milionë euro me zero lekë për studime dhe kërkime, Universiteti i Tiranës 2.6 milionë euro me zero kërkime dhe studime, zëri i pajisjeve dhe orendive shkon rreth 200 mijë euro.”

Studentët thonë se të ardhurat duhet të shkojnë për të përmbushur nevojat e tyre si përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies apo infrastrukturës studimore.

“Paratë duhet të shkojnë për studentët, rritjen e cilësisë në arsim, auditorë më komode, libra, kushte më të mira studimi, biblioteka, praktika mësimore”, kanë thënë studentët.

“Bibliotekat janë shumë të varfra, literaturë jashtëzakonisht e vjetër. Vazhdon të harxhohet pafund naftë, karburant për makina, por nuk ka ngrohje në universitete”.

Një vit më parë, studentët kërkuan nga drejtuesit e universiteteve reduktim të shpenzimeve të luksit, por pavarësisht protestave duket se kërkesat ende nuk janë reflektuar.

Haradinaj iu tha ‘mercenarë’. Anëtari i KShC’së, profesor Dukagjin Zeka flet për Periskopin

Periskopi.com Lajme

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakreditimin e Universiteteve Publike në Pejë, Mitrovicë e Prizren, ka bërë që kryeministri Ramush Haradinaj të reagojë menjëherë. Por, reagimi i tij nuk ishte dosido. Ai vlerësohet si ndërhyrje e politikës në arsim. Për të mos u mjaftuar me kaq, Haradinaj sot ka sulmuar edhe anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, duke i quajtur ‘mercenarë e mafiozë’. Periskopi e ka pyetur anëtarin e KShC’së, profesor Dukagjin Zekën për këto akuza të kryeministrit, mirëpo ai preferon të rezervohet ndaj deklarimeve të tilla…

“Është i pa pranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri Universiteteve Publike; atij në Pejë, në Mitrovicë dhe në Prizren. Si kryeministër i vendit, e konsideroj të padrejtë mohimin e mundësisë për regjistrim të studentëve, duke ua humbur atyre vitin. Ndaj këtij rasti do të veprojmë menjëherë, duke ndërmarrë hapa konkret në zgjidhjen e kësaj situate”. Ky ka qenë reagimi që kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë pak orë pas vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakreditimin e tri Universiteteve publike.

E sikur kjo të mos mjaftonte, i pari i Qeverisë, ka reaguar sërish në një konferencë për media ku i ka goditur anëtarët e KShC-së duke i quajtur mercenarë dhe mafiozë.

Anëtari i bordit të KShC’së, Dukagjin Zeka në një përgjigje dhënë Periskopit thotë së vendimet e marra bazohen në rekomandimet që jepen nga ekspertë ndërkombëtarë dhe të bazuara në ligj.

‘’KShC, i merr vendimet në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtar nga ENQA dhe EQAR, sipas kornizës ligjore vendore të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe UA 15/18’’, tha Zeka për Periskopin.

I pyetur se çfarë qëndrimi ka ndaj deklaratës së rëndë të dhënë nga Haradinaj, Zeka e ka injohuar komplet dhe e ka quajtur deklaratë politike.

‘’Një profesionist i cili ka përfituar bursa nga Uppsala, Praga, Zagrebi dhe Tokio nuk lëshohet në deklarata politike’’, përfundon Zeka.

Kujtojmë se pas rekomandimeve ndërkombëtare, është vendosur përfundimisht që Universiteti i Pejës, Mitrovicës e Prizrenit të mbyllen.

Këtë vendim e ka marrë gjatë ditës së djeshme Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Në bazë të vendimit të marrë, Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit nuk e kanë të drejtën për të regjistruar studentë në këtë vit akademik. Këto tri Universiteteve u është mohuar e drejta për të pranuar studentë të rinj pasi që nuk i kanë përmbushur kriteret e duhura.

Reagimi i kryeministrit Ramush Haradinaj ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akreditimin e Universiteteve publike në Pejë, Prizren e Mitrovicë, po shihet i pa tolerueshëm dhe vetëm si ‘kalkulim për vota’ nga deputetë si dhe nga Komisioni për Arsim Shkencë dhe Kulturë në Kuvendin e Kosovës, shkruan Periskopi…/Periskopi/

Sociologu Gola ia sqaron Haradinajt dallimin mes mbylljes dhe mosakreditimit të Universiteteve

Periskopi.com Lajme

Sociologu i njohur Ardian Gola, shkruan se kryeministri duhet ta dallojë mosakreditimin dhe mbylljen e një Universiteti.

Përmes një reagimi në Facebook, Gola shkruan se ‘Universitetet në Pejë, Mitrovicë e Prizren nuk janë mbyllur, por vetëm s’janë akredituar’.

Ja shkrimi i plotë i Golës në llogarinë e tij në FB:

“Kryeminister, duhet dallu mbylljen prej mosakreditimit te nje universiteti. Keto tri Universitete, pra ai i Pejes, Mitrovices dhe Prizrenit, nuk jane mbylle, por nuk jane akreditu. E dyta, fale te qofte gafi i reagimit politikisht skandaloz ndaj nje vendimi institucionalisht te drejte, nese i mbyllni keto universitete qashtu qysh i keni hape, shpejt e shpejt! Beso, qe me kete i bene nje te mire ketij vendi!”/Periskopi/

Universitetet e Kosovës paraqiten si pjesë e Serbisë

Periskopi.com Lajme

Organizata spanjolle për kërkime shkencore, e cila është e lidhur me Ministrinë spanjolle të Arsimit, që prioritet të punë së saj ka rangimin e universiteteve, universitet dhe kolegjet e Kosovës i trajton si institucione shkencore të Serbisë.

http://www.webometrics.info/en…, të gjitha universitet dhe kolegjet e Kosovës i prezanton si pjesë të Serbisë, duke i futur nën ikonën që mban flamurin e Serbisë.

Siç shkruan në faqen e saj, CSIC është ndër organizatat e para kërkimore në Evropë, e themeluar në vitin 2006 dhe ka 126 qendra dhe institute të shpërndara në të gjithë Spanjën.

Spanja është njëra nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.

 

Këshilli Shtetëror i Cilësisë i suspendon 9 programe akademike të Universiteteve në Kosovë (Dokument)

Periskopi.com Lajme

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) ka vendosur në mbledhjen e 57 që të ua heq akreditimin 9 programeve akademike në Universitet të ndryshme në Kosovë.

Me këtë rast këto programe nuk kanë të drejtë që të pranojnë studentë të rinj për të i vazhduar studimet.

Në këtë mbledhje janë shqyrtuar edhe programet e tjera të suspenduara nga ky këshill, pjesë e Bartësve Publik të Arsimit të Lartë.

“Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), mbajti mbledhjen e 57-të të radhës në të cilën u shqyrtuan programet e suspenduara të Bartësve Publik të Arsimit të Lartë, përkatësisht plotësimi i kritereve lidhur me bartësit e programeve/ stafin akademik për programet e studimit ashtu siç është e përcaktuar me Udhëzimin Administrativ për Akreditimt. Pas trajtimit të gjendjes së stafit akademik dhe programeve respektive, të paraqitura nga Bartësit Publik të Arsimit të Lartë, KSHC bazuar në legjislacionin në fuqi, morri vendim për tërheqjen e akreditimit për programet studimore të cilat nuk plotësojnë kriteret e parapara me Udhëzimin Administrativ për Akreditim dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në komunikatën e AKA-së

Po ashtu në këtë document tregohet edhe për vendimin e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për shkarkimin e drejtoreshës së këtij institucioni.

“KSHC mirëpriti vendimin e Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për shkarkimin e U.D Drejtores së AKA-së znj. Shyhrete Reçica për shkak të tejkalimit të kompetencave të saj dhe presionit të vazhdueshëm në vendimmarrjen e anëtarëve të KSHC-së. KSHC konsideron se ky vendim siguron funksionimin dhe pavarësinë e AKA-s, si dhe vendimmarrjen me llogaridhënie të KSHC. KSHC diskutoi edhe çështje të tjera si: funksionalizimi i komisionit të ankesave të AKA-së; zbatimi i standardeve dhe udhëzuesve të rijnë të AKA-së; raportimi para Komisionit për Arsim të Kuvendit të Republikës së Kosovës. KSHC mbështeti procesin e auditimit të AKA-së nga institucionet relevante bazuar në kompetencat e tyre kushtetuese dhe ligjore, për fusha që mund të jenë subjekt i trajtimit nga këto institucione”, thuhet tutje.

Gjeni të gjitha programet e suspenduara:

http://www.akreditimi-ks.org/new/index.php/sq/homepage-2/98-kaa-articles-2/lajmet/382-kshc57