Riakreditohen 8 programe të Universitetit të Mitrovicës

Periskopi.com Lajme

Faqja e Universitetit të Mitrovicës ka njoftuar se janë riakredituar edhe tetë programe të tjera për studim, por nuk ka cektur se cilat.

UMIB ka njoftuar se KSHC-ja ka riakredituar 8 programe që funksionojnë në kuadër të fakulteteve të Universitetit të Mitrovicës, shkruan lajmi.net.

Në njoftim thuhet se UMIB është në pritje të vendimit zyrtar nga KSHC-ja sa i përket këtyre riakreditimeve.

Më poshtë lexoni njoftimin e plotë:

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), ka riakredituar 8 programe që funksionojnë në kuadër të fakulteteve të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB). Këto programe, në nivelin bachelor dhe master, janë riakredituar për një periudhë 3-vjeçare. Tashmë në UMIB janë të akredituara gjithsej 18 programe në të dy nivelet.

Në ndërkohë UMIB-i është në pritje të vendimit zyrtar nga KSHC-ja sa i përket riakreditimit institucional, në mënyrë që të shfrytëzoj të drejtën e ankesës. Drejtuesit e UMIB-it janë të bindur se argumentet që kanë janë bindëse për të marrë një përgjigje pozitive sa i përket akreditimit institucional.

Vendimi i KSHC-së për mosakreditim institucional që pamundëson regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2019/20, vlerësohet skandaloz, i pabazuar në gjendjen faktike dhe shumë i dëmshëm për Universitetin dhe të rinjtë  e rajonit. Si rrjedhojë kërkohet ndërhyrja e drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të ndaluar veprime të tilla të papërgjegjshme të KSHC-së.

Për çdo risi sa i përket zhvillimeve që kanë të bëjnë me riakreditimin institucional, opinioni do të njoftohet me kohë. Ndërsa studentëve që janë pjesë e UMIB-it u bëhet me dije se UMIB-i nuk do të mbyllet dhe ata do të vazhdojnë studimet e tyre normalisht.

 

Ja vendi që zinte Universiteti i Pejës, Mitrovicës e Prizrenit (Screenshot)

Periskopi.com Lajme

Këshilli Shtetëror i Cilësisë [KShC] vendosi që t’i linte pa akreditim për një vit tri universitete publike, atë të Pejës “Haxhi Zekën”, të Prizrenit “Ukshin Hotin” dhe të Mitrovicës “Isa Boletinin”.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar ashpër kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili praktikisht i shpalli luftë KShC-së në emër të studentëve që do të mbesnin të paregjistruar, shkruan Periskopi.

Por, cili ishte vendi që zinin në Webometrics këto tri universitete?

Universiteti i Mitrovicës renditej në vendin e 12620, Universiteti i Prizrenit zinte vendin e 13341 ndërsa ai i Pejës në të 16884-in.

Mësojmë që Universiteti i Prishtinës aktualisht ka përmirësuar renditjen duke zënë vendin e 2668./Periskopi

Universiteti i Mitrovicës rrezikon të mbyllet

Periskopi.com Lajme

Në muajin mars të vitit 2013, u themelua Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”.

Në atë kohë, ky institucion ishte akredituar, edhe pse nuk kishte objekt si dhe numëronte shumë pak staf akademik.

Ndërsa këtë vit, Universiteti i Mitrovicës mund të mos akreditohet fare, pasi në raportin e dy ekspertëve të huaj të Bordit të Agjencisë së Akreditimit, është vlerësuar se nuk ka mjaftueshëm kualitet në studime, raporton KTV.

Në raportin e Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, ndër të tjera i rekomandohet universitetit që të: “Implementojë metodat për vlerësimin e studentëve, të zhvillojë një llogaridhënie të brendshme të kualitetit që nuk është i varur në proceset e jashtme akredituese, si dhe të sigurojë praktika të mira për menaxhimin e kualitetit të programeve të standardizuara në këtë institucion”.

Parlamenti Studentor ka frikë që si pasojë e këtij rekomandimi, universiteti mund të mbyllet, prandaj paralajmëroi protesta.

Edhe zëdhënësi i Universitetit të Mitrovicës, Ahmet Jasahri, ka thënë se nuk ka arsye për mosakreditimin e këtij institucioni, meqë i kanë të plotësuara të gjitha kushtet.

E nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, shpreh keqardhje për mosakreditimin e mundshëm, por thotë se ky institucion duhet ta ngritë kualitetin në arsim.

Përveç Universitetit të Mitrovicës, në rrezik të mbylljes janë edhe dy universitete tjera publike, ai i Prizrenit dhe i Pejës.

Gazmend Luboteni, kryetar i Bordit të Agjencisë së Akreditimit, ka thënë se këto pika do të trajtohen deri të premten.

Bahtiri kërkon nga ministri Bytyqi shkarkimin e stafit drejtuesit të Universitetit të Mitrovicës

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri  ka kërkuar nga ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, që të merr veprimet dhe vendimet e nevojshme për shkarkimin e komplet stafit drejtuesit të Universitetit të Mitrovicës dhe të emërojë përkohësisht një staf drejtues me një rektor të përgjegjshëm për një periudhë kalimtare, derisa të bëhen emërimet e nevojshme.

Bahtiri ka shkruar në Facebook se rekomandimin e grupit të ekspertëve ndërkombëtar për mbylljen e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” e kam marrë me mjaftë shqetësim, pasi qe Mitrovica ka shumë nevojë ta ketë universitetin e vet.

“Kërkoj nga ministri Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, që të merr veprimet dhe vendimet e nevojshme për shkarkimin e komplet stafit drejtuesit të Universitetit të Mitrovicës dhe të emëroj përkohësisht një staf drejtues me një rektor të përgjegjshëm për një periudhë kalimtare, derisa të bëhen emërimet e nevojshme sipas procedurave standarde duke respektuar kriteret më të larta, që do t’i mundësonin UMIB-it zhvillimin e punës në mënyrë të suksesshme dhe të rinjve studime të mirëfillta. Deri te kjo gjendje e UMIB-it ka ardhur pasi që atë e udhëheqin njerëz jo profesional, të cilët kanë ardhur aty me ndikim të politikës. Pra, njerëzit që e kanë humbur pushtetin me ardhjen time në krye të komunës, kanë gjetur strehë aty dhe gjendja ku e kanë katandisur këtë universitet tashmë po shihet sa e rëndë është. Unë e kam ditur se do të vije deri te kjo gjendje, pasi që kam reaguar disa h erë për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimet në UMIB, por që reagimet e mia kanë hasur në vesh të shurdhër. Tash është momenti i fundit që të reagoj dhe të merr veprime konkrete MAShT-i. Prandaj menjëherë duhet të largohet komplet stafi drejtues me në krye rektorin aktual dhe kështu t’i hapet rrugë një menaxhmeti të dëshmuar, i cili do t’ia kthen dinjitetin Universitetit të Mitrovicës”, ka shkruar ai në Facebook.

 

Parregullsi në Universitetin e Mitrovicës për shkak të grevës

Periskopi.com Lajme

Këshilli grevist i Universitet të Mitrovicës është penguar të zhvillojë procesin normal të grevës.

Një ditë më parë, sekretarët e njësive kanë kërkuar nga personeli, i cili po vazhdon grevën, që t’i dorëzojnë vulat dhe librat e protokollit me qëllim që ato të përdoreshin nga kjo pjesë e Universitetit.
Kryetari i Sindikatës së Universitetit të Mitrovicës, Afrim Çela, thotë se i ka njoftuar organet tjera të sindikatës me këtë ndërhyrje, derisa këto tentativa i ka konsideruar si presion ndaj stafit që po vazhdon grevën.

Por, profesorët e këtij universiteti thonë se asgjë nuk do t’i ndalë për ta vazhduar grevën.

KTV-ja ka siguruar një email të dekanit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore, Milaim Sadiku, i cili përmes tij, i ka kërkuar një kolegeje që t’i kthejë vulat. Në këtë email, Sadiku gjithashtu thekson se në rast se këto vula nuk kthehen, ai do t’i konsiderojë si tentativë për t’i keqpërdorur .

“Kohavisioni” ka kontaktuar me dekanin Sadiku, por ai nuk ka qenë i gatshëm të flasë për këtë çështje.
E para kamerës nuk kanë pranuar të japin sqarime as sekretarët e njësive.

Arjeta Alidemaj, sekretare e Njësisë së Teknologjisë Ushqimore, prapa kamerës ka pranuar se ka kërkuar nga personeli, i cili është në grevë, që t’i kthejë vulat dhe librat e protokollit.

Derisa ajo ka thënë se ka të drejtë ta bëjë këtë në rastet urgjente.

Ndërsa, Ermira Sopa, sekretare në njësinë e Gjeoshkencës ka konfirmuar se me kërkesë të dekanit ka kërkuar që të kthehen këto vula, por që sipas saj, nuk ka ndodhur. /Periskopi

Vetura dhe paratë e gatshme të rektorit të universitetit të Mitrovicës

Periskopi.com Lajme

I pari i universitetit të Mitrovicës nuk qëndron keq sa i përket pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme.

Rektori i universitetit publik të Mitrovicës ‘Isa Boletini’, Alush Musaj deklaroi në total 118 mijë e 500 euro vlerë të pasurisë së paluajtshme.

Në Agjenicë Kundër Korrupsionit, Musaj deklaroi se ka një  banesë në vlerë prej 70 mijë euro, një tjetër banesë në vlerë prej 38 mijë e 500 euro dhe tokë 10 mijë euro.

Musaj po ashtu ka deklaruar një veturë në vlerë 10 mijë euro.

Megjithatë, rektori nuk kishte shpëtuar nga borxhet pasi ka deklaruar 25 mijë euro kredi në një nga bankat vendore.

Patatë e gatshme të rektorit kapin shifrën 4 mijë euro në total, shkruan Kallxo.com

Musaj në deklarimin e pasurisë tha që paga e tij vjetore si rektor, duke përfshirë edhe pagesat për mbi normë dhe mëditjet shtesë është 30 mijë e 716 euro.

Ndërsa bashkëshortja e tij merr pagë vjetore 5 mijë euro nga Spitali Rajonal në Mitrovicë.