Fillon viti i ri akademik në Universitetin “Hasan Prishtina”

Periskopi.com Lajme

UP organizon ditën e orientimit të studentëve të rinj Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” po e vazhdon traditën e pritjes dhe orientimit të studentëve të rinj.

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2019/20, UP-ja organizon “Ditën e orientimit të studentëve të rinj”, aktivitet që synon mikpritjen dhe orientimin e kandidatëve të pranuar për vijim të studimeve në UP.

Në këtë ditë orientuese do të marrin pjesë fakultetet dhe të gjitha zyrat që kanë kontakt me studentët, në mënyrë që studentët e rinj të informohen nga afër lidhur me studimet në Universitetin e Prishtinës.

Aktivitetet për shënimin e kësaj dite do të mbahen sot, duke filluar nga ora 10:00, në kampusin para Bibliotekës Kombëtare. Studentët e rinj janë ftuar që t’i bashkohen këtij eventi.

“Asistenti” me gabime drejtshkrimore nuk është pjesë e UP-së

Periskopi.com Lajme

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” reagoi ndaj qarkullimit në rrjete sociale të një postimi nga një person i cili pretendon se është i angazhuar si asistent në UP.

Në këtë postim, i cili kishte shumë gabime drejtshkrimore, personi pretedonte se ishte pranuar si asistent në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Pas përmasave që mori ky lajm, Zyra për Çështje Akademike në UP konfirmon se personi në fjalë nuk është i angazhuar në asnjë pozicion ligjërimi në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tyre, Universiteti i Prishtinës aktualisht është në pushim kolektiv dhe rrjedhimisht, gjatë kësaj periudhe nuk është marrë asnjë vendim lidhur me angazhim të stafit akademik në kuadër të UP-së.

“Universiteti i Prishtinës, përkatësisht Fakulteti i Filologjisë, nuk ka degë të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në të cilën personi në fjalë pretendon se është angazhuar, por ka departamente të veçanta për Gjuhën Shqipe dhe për Letërsinë Shqipe”, thuhet në sqarimin e UP-së.

Sipas tyre, kjo nuk është hera e parë që publikohen shkrime të pakonfirmuara që lidhen me Universitetin e Prishtinës, të cilat synojnë dëmtimin e imazhit të UP-së.

Mbi 7 mijë studentë të rinj do të pranohen në Universitetin e Prishtinës

Periskopi.com Lajme

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ka hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2019/2020. Këtë vit është paraparë që UP të pranojë 7 mijë e 116 studentë në 66 programe studimi.

Në numrin prej 7 mijë e 116 studentë, 6 mijë e 206 do të jenë studentë të rregullt, ndërsa 910 studentë me korrespodencë. Për dallim nga herët e tjera, këtë vit nuk është paraparë kuota për studentët që janë familjarë të ngushtë të dëshmorëve.

Prorektori për mësim dhe çështje të studentëve, Hysen Bytyçi, ka bërë të ditur për KosovaPress se konkursi do të jetë i hapur deri të premten e javës së ardhshme.

Bytyçi ka treguar se cilat janë kushtet që duhet të përmbushin studentët për të qenë pjesë e UP-së.

Bytyçi tha se ata që dëshirojnë të aplikojnë në UP e që kanë kryer studimet në kohën kur nuk ka pasur test të maturës, atëherë për ta llogaritet suksesi me 70 përqind të testimit në fakultetin ku aplikon, kurse 30 përqind nga suksesi i shkollës së mesme.

Ai bëri të ditur se si shtesë e numrit të përgjithshëm UP do të regjistrojë deri në 12 përqind të studentëve nga komunitetet jo shumicë. Po ashtu, është paraparë edhe regjistrimi i studentëve që vijnë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës.Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Bytyçi deklaroi se nuk është paraparë kuotë për studentët që janë familjarë të ngushtë të dëshmorëve.

Konkursi nga sot do të jetë i hapur deri më 12 korrik, ku studentët do të kenë mundësi që në mënyrë elektronike të aplikojnë.