Dikur krahasohej me Ibrahimoviçin, sot futbollistin kosovar s’e do askush!

Periskopi.com Sporti

Valmir Berisha është ndarë me klubin e tij të deritashëm, AaFK pasi nuk bindi me kualitetin e tij.

Valmir Berisha dikur krahasohej me Zlatan Ibrahimoviçin, shkruan Gazeta Express.

Futbollisti kosovar kishte shkëlqyer në Kampionatin Botëror U-17 me Suedinë, me të cilën kishte fituar medalje dhe ishte shpallur golashënuesi më i mirë i turneut me 7 gola.

Me këtë rast, atij i erdhën në atë kohë shumë oferta dhe në fund vendosi t’i bashkohej Romës.

Mirëpo, nga një talent që pritej të bëhej yll i kalibrit botëror, Berisha më nuk pa dritë me sy, ende pa e nisur mirë karrierën.

Tash, ai ka ardhur në ditën që një klub i panjohur t’ia shkëput kontratën.

Në fakt, Berisha i ka zhvilluar nga fillimi vetëm katër ndeshje në dy vjetët e fundit me ekipin AaFK, i cili vendosi ta përfundojë para kohe kontratën, e cila do të skadonte në verën e këtij viti.

“Ne duam ta falënderojmë Valmir Berishën për periudhën sa ka qëndruar në klubin tonë. Valmiri është një djalosh fantastik dhe ia urojmë të gjitha të mirat në të ardhmen”, ka thënë drejtori sportiv, Bjorn Erik Melland për “aafk.no”, përcjell Gazeta Express.

Berisha ishte transferuar në klubin norvegjez në vitin 2017, por nuk ka bindur asnjëherë.

Në vitin 2018 ai nuk e kishte zhvilluar asnjë ndeshje, madje as në kupë me AaFK, ndërsa ishte huazuar shkurt tek ekipi nga Islanda, Fjölnir.

Në të kaluarën, Berisha ka luajtur në ekipet Halmstad, Romë, Panathinaikos e Cambuur.

Tash është i lirë dhe në kërkim të klubit të ri.