Gazetari britanik vjen në Kosovë në 20 vjetorin e çlirimit, flet për përvojat e tij gjatë luftës

Periskopi.com Lajme

Gazetari britanik, Vaughn Smith, sot në Prishtinë do të flasë për përvojën e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë – raporton Periskopi.

“Lufta në Kosovë – e parë nga objektivi i gazetarit, Vaughn Smith” është tema e diskutimit të sotëm në Prishtinë.

Bashkëbisedimi me të do të mbahet sot, duke filluar nga ora 13:00 dhe do të zgjas deri në orën 15:00, ndërsa do të mbahet në Pejton te Mensa Ramiz Sadiku.

Në këtë ngjarje premierë, folës do të jetë gazetari britanik, Vaughn Smith, si një nga personalitetet më të shquara të komunitetit ndërkombëtar të gazetarëve të guximshëm. Ai do të flas për perspektivën e tij mbi luftën e Kosovës, siç e kishte pasqyruar në dokumentarin e tij në vitin 1999, të quajtur “Lugina”.

Vaughan Smith aktualisht është themelues i Frontline Club, me seli në Londër – një institut që promovon gazetarinë e pavarur dhe të kuptuarit më të mirë të lajmeve ndërkombëtare.

Duke pasur parasysh rëndësinë e shënimit të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, kjo bisedë dhe ky diskutim me Vaughn, synon të theksojë rolin e gazetarëve të guximshëm, të cilët sakrifikojnë për të përhapur lajmin, të vërtetën për komunitetin ndërkombëtar, dhe për mizoritë që ndodhën kundër popullatës civile në Kosovë, të kryer nga regjimi serb.

Vaughan Smith është një gazetar britanik me eksperiencë shumë vjeçare.

Ai themeloi Frontline Club në Londër në vitin 2003. Ky institut i cili ka degë edhe nëpër qendra të ndryshme të botës synon të promovojë gazetarinë e pavarur.

Vaughn ka raportuar si gazetar dhe kameraman nëpër luftërat si Kosova, Bosnja, Çeçenia, Afganistani dhe Iraku, tek sa për punën e tij si është shpërblyer edhe me çmime ndërkombëtare.

Gjatë këtyre viteve, ai poashtu ka drejtuar televizionin Frontline News, një agjenci e cila promovonte gazetarët e rinj, në përpjekje për të arritur një stad më të lartë të profesionalizimit.

Televizioni Frontline u ballafaqua me rreziqe të mëdha gjatë kësaj periudhe kohore. Tetë anëtarë të këtij mediumi u vranë duke raportuar nga terrenet e luftës.

Frontline Club, i cili u themelua më vonë, është dedikim për të gjithë ata që u sakrifikuan për të sjellë lajmet nga zona e luftës.

Vaughan filmoi pamjet e vetme të pakontrolluara gjatë Luftës së Gjirit Arabik në vitin 1991, kur arriti të maskohej si një oficer i armatës britanike, duke depërtuar në zonës e luftimeve.

Duke raportuar gjatë luftës së Kosovës gjatë viteve 1998/1999 për televizionin britanik BBC, Vaughn ishte goditur me plumb në telefonin e tij mobil, të cilin atë kohë ishte duke e mbajtur në trup.

Kjo ngjarje ka ndodhur kur Vaughan kishte filmuar sulmet e forcave serbe në Prekaz të Drenicës.

Gazetari Vaughan Smith ishte i pari që xhiroi një intervistë me komandantin e UÇK-së Fehmi Lladrovcin, tek sa Lladrovci në intervistë ishte paraqitur i pamaskuar.

Pasi kishte xhiruar masakrën ndaj familjes Deliaj në fshatin Abri të Drenicës, Vaughan kishte prodhuar filmin dokumentar Lugina, dedikuar luftës në Kosovë.

Para se të punonte si gazetar, Vaughan ishte kapiten dhe rreshter në armatën e Britanisë së Madhe, duke shërbyer në Irlandën e Veriut, Qipro dhe Gjermani.

Ai ishte kapiten në armatën britanike kur fitoi garën ndërushtarake për qitje.