Mustafa: LDK shkon vetë në zgjedhje

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se partia e tij do të shkoj vetëm në zgjedhje, raporton Periskopi.

Me gjithë takimet që i ka pasur me kreun e PSD-ës, Shpend Ahmetin dhe kryetarin  e Nismës, Fatmir Limaj, Mustafa nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me ta dhe si duket as nuk e ka ndërmend të bëj ndonjë koalicion.

“LDK mban qëndrimin parimor që të shkojmë vetë në zgjedhje, por edhe këtë do ta diskutojmë në ditët në vijim në Këshillin e Përgjithshëm. Vendi është qeverisur keq e më keq nga Koalicioni PAN, prandaj nevojiten ndryshime”, ka thënë Mustafa për Express.

Mustafa ka paralajmëruar edhe një takim me kryetarin e AAK-ës, Ramush Haradinajn, ndërsa nuk ka përmendur Albin Kurtin e VV-ës, megjithëse këta të fundit duket se janë shumë të interesuar për një koalicion me LDK-ën.

Një lloj “lutje” për koalicion e ka bërë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca i cili  mbrëmë deklaroi se presin deri në fund të gushtit që të bëjnë koalicion me LDK-ën e Isa Mustafës.

‘LDK’në nuk po e lusim por unë e shoh se gara është mes tri partive, Vetëvendosje, LDK dhe PDK sipas sondazheve. Por, matematika thotë se koalicionet duhet të bëhen gjithsesi e ai mund të jetë LDK – PDK ose VV – LDK. Pra mes këtyre koalicioneve, VV- LDK, është më i miri për Kosovën. Por LDK’në e presim veç deri në fund të gushtit dhe kush dëshiron t’i bashkohet Vetëvendosjes për ndryshim, duhet ta dijë se ndryshimi ndodh me Albin Kurtin kryeministër”, ka thënë Konjufca. /Periskopi