Ish-prokurori që Albin Kurti i thur poezi, në darkë me zyrtarin e Vetëvendosjes

Periskopi.com Lajme

“Le të shkon Lumezi, le të vije Elezi”, kështu tha Albin Kurti në një tubim me qytetarë në Podujevë, nga ku paralajmëroi se me ardhjen e tij në pushtet, kryeprokurorin Lumezi do ta heq nga detyra.

Cak i Kurtit, sipas asaj që ai thotë vazhdimisht, është që prokurori i dorëhequr nga rasti “Veteranët”, Elez Blakaj të caktohet si kryeprokuror i shtetit.

Ndonëse këto deklarata po shihen të jenë si ndërhyrje direkte në politikës e drejtësi, partia e Kurtit siç duket ka edhe lidhje të tjera me ish-prokurorin që tashmë jeton në Amerikë.

Blakaj, duket të jetë i afërt me Vetëvendosjen. Në rrjetin social, Facebook, mund të shihen disa fotografi nga një ndejë e organizuar në SHBA, ku prezent përveç Elez Blakajt është edhe ish-deputeti i Vetëvendosjes, Ali Lajçi.

Lajçi është përsëri në listën e Vetëvendosjes për deputet.

Ndonëse në fotografi duken mjaft të afërt, vetë Lajçi në një deklaratë të dhënë për lajmi.net ka thënë se Blakajn nuk e ka njohur më herët nga afër.

Ai thotë se nuk ka as afërsi familjare me të, teksa tregon se e ka takuar gjatë vizitës një-mujore që e ka pasur në SHBA.

“Jo, nuk kam ndonjë afërsi familjare me të. Kur kam shkuar në Amerikë kam qëndruar një muaj, ai ka me disa kushërinj të mi, dhe ka pas dëshirë të takohet me mua. Nuk është se kam shkuar me ndonjë mision”, ka thënë Lajçi për lajmi.net.

Sidoqoftë, në listën e kryefjalëve të parafushatës së Albin Kurtit, mund të konsiderohet se është edhe emri i Elez Blakajt.

Këtë të fundit, Kurti po premton se do ta kthejë në Kosovë me ardhjen e tij në Qeveri.

Blakaj ishte kritikuar jashtëzakonisht shumë për faktin se në aktakuzën për veteranët e rrejshëm kishte pasur mijëra emra që në të vërtetë ishin pjesë e UÇK-së.

Aktualisht, në Gjykatën Themelore të Prishtinës është dërguar aktakuza nga Prokuroria Speciale ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit.