Loja obsesive e VV-së me kukulla: Ja si i krijuan e zhdukën kukullat e Mustafës, Osmanit, Veliut e Hazirit

Periskopi.com Lajme

Gazeta Periskopi ka përgatitur një histori të shkurtër të etiketave që Vetëvendosje ka mbajtur ndaj LDK-së përgjatë gjashtë viteve të fundit përmes deklaratave të thëna në publik.

Siç mund ta shihni në shtrirjen kohore të mëtejme që nis me qershorin e vitit 2014 dhe mbaron me prillin e sivjetmë, Vetëvendosje ka ndryshuar radikalisht qëndrimet në lidhje me ish-kundërshtarin dhe ish-partnerin e saj, LDK-në.

Një gjë të tillë ajo e ka bërë gjatë gjithë kohës duke përdorur taktikën e desubjektivimit, duke tentuar kështu që t’i ulin rëndësinë në sferën publike. Por, ajo ndërrohej më pas kur VV-së i konvenonte pikërisht taktika e subjektivimit.

Figura më e njohur ishte ajo e “kukullës”, e të cilën në betejën e tyre politike nuk e kanë kursyer madje as ndaj kryetarit Isa Mustafa, apo kandidates për kryeministre Vjosa Osmani, shkruan Periskopi.

Ta zëmë, Isa Mustafa kishte mundësinë që të ishte njëkohshëm ‘kukull’ (ang.puppet) por edhe ‘kukullëzues’ (mjeshtër kukullash).

I vetmi subjekt – përveç tyre – në sferën politike të vendit është presidenti Hashim Thaçi – i cili ka përdorur si ‘kukulla’ politikanët e kësaj partie. Jashtë vendit, subjekt ishte edhe Serbia e cila për një kohë e kishte “argat” po kryetarin Mustafa, e me këtë si “nën-argatë” të gjithë vartësit e tij në qeveri e në parti.

Një diskurs i tillë i tejthjeshtëzuar urrejtës vazhdon të besohet nga shumë njerëz – por shihni këtë kohë-shtrirje të bazuar në qëndrimet publike të kësaj partie.

Qershor 2014: Isa Mustafa bëhet bashkëpunëtori i madh i VV-së në krijimin e koalicionit VLAN;

Nëntor 2014: Isa Mustafa bëhet kryeministër dhe njëkohshëm kukull e Thaçit;

Gusht 2015: Isa Mustafa nënshkruan marrëveshje me Serbinë, bëhet kukull edhe e Vuçiqit;

Maj 2017: Isa Mustafa rrëzohet si kryeministër, nuk është më kukull e Thaçit e as e Vuçiqit;

Shtator 2017: Isa Mustafa bëhet bashkëpunëtor i ngushtë opozitar i VV-së;

Qershor 2019: Isa Mustafa tradhton bashkëpunimin duke e vendosur Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre dhe nga kukull bëhet kukullëzues;

Data e Panjohur: Agim Veliu e Lutfi Haziri bëhen kukulla të Thaçit;

Shtator 2019: Vjosa Osmani bëhet kukull e Isa Mustafës, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit si kandidate për kryeministre; Avdullah Hoti nuk ekziston;

Tetor 2019: Isa Mustafa bëhet papritmas ‘profesor i nderuar’;

Dhjetor 2019: Isa Mustafa bëhet sërish kukull e Thaçit, pasi nuk po arrihej marrëveshja;

Janar 2020: Lutfi Haziri bëhet papritmas konstruktiv dhe ndër njerëzit kryesorë në arritjen e marrëveshjes qeverisëse VV-LDK;

Shkurt: 2020: Avdullah Hoti qëllohet me vezë duke ecur në këmbë si zv.kryeministër i Qeverisë Kurti. Shumë larg të qenit kukull;

Mars 2020: Isa Mustafa ribëhet kukull e Thaçit;

Mars 2020: Haki Abazi zbulon se Avdullah Hoti është në të vërtetë kukull e Mustafës, Thaçit e Vuçiqit dhe e quan “servil si brisku”;

Prill 2020: Glauk Konjufca zbulon se PDK ka qenë shumë më konstruktive se LDK, duke bërë kështu që kjo e fundit të mos jetë e denjë as si kukull e të parës;

Prill 2020: Avdullah Hoti bëhet kryekukull e Mustafës, Thaçit dhe Vuçiqit. /Periskopi

67% e qytetarëve mendojnë se VV nuk duhet ta largojë Konjufcën nga kreu i Kuvendit

Periskopi.com Lajme

Raportohet se negociatat për formimin e Qeverisë Kurti mes VV-së dhe LDK-së kanë ngecur në pozitën e kryetarit të Kuvendit. VV i ka ofruar LDK-së një ministri por partia e z.Mustafa e kërkon me ngulm pozitën e kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që të respektohej rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit. 

Nga zgjedhjet e 6 tetorit, Vetëvendosje doli e para me 26,27 për qind ndërkaq LDK-ja doli e dyta me 24,54 për qind. Këto dy parti ndahen nga vetëm 1,7 për qind të votave, ose përkthyer në vota nga vetëm 14 mijë e 400 e kusur vota.

Por, pozita e kryeministrit do t’i takojë z.Kurti të Vetëvendosjes, ashtu siç do t’i takojnë edhe pozita e Zv/Kryeministrit të dytë, pesë ministra dhe dhjetë zv/kryeministri, shkruan Periskopi.

Ndërkohë LDK-ja e ka më të zorshme të respektojë qytetarët që e votuan më 6 tetor. Partia e z.Mustafa nuk do ta ketë as postin e kryeministrit, as atë të kryetarit të Kuvendit por as atë të presidentit nga mënyra se si qëndrojnë gjërat aktualisht. Kjo parti kërkon tashmë të paktën pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Periskopi bëri një sondazh me lexuesit e saj e të cilët i pyeti nëse do të pajtoheshin që VV-ja t’i ofronte LDK-së pozitën e të parit të Kuvendit në mënyrë që të formohej “Qeveria Kurti”.

Nga 3 mijë votues, 67 për qind e qytetarëve votuan kundër një gjëje të tillë ndërkaq vetëm 33 për qind e qytetarëve votuan për.

Kujtojmë se z.Konjufca ishte votuar si kryetar Kuvendi në seancën konstituive të Legjislaturës së VII me 75 vota për. Por, vetë Konjufca kishte abstenuar ndoshta duke e ditur se zgjedhja e tij do të mund ta dëmtonte figurën e tij në një të ardhme të afërt, ose do të dëmtonte shanset për formimin e Qeverisë Kurti me LDK-në.

Marrëveshja në prag: Kjo është pika e vetme që ndan VV-në me LDK-në

Periskopi.com Lajme

Dje u raportua se Vetëvendosje i kishte ofruar LDK-së së Isa Mustafës një ministri, duke i dhënë mundësinë të zgjedhte mes pesë ministrive të saj, në këmbim të pozitës së kryeparlamentarit të cilën e mori më 26 dhjetor.

Glauk Konjufca është kryetar kuvendi tash e 17 ditë. Por, partia e tij po lufton që ta mbajë në këtë detyrë edhe pas arritjes së marrëveshjes qeverisëse me LDK-në.

Në këmbim, z.Kurti i ka ofruar LDK-së një ministri, duke e bërë ‘kurban’ në këtë formë secilin prej ministrave që propozoi para një jave, shkruan Periskopi.

Nga kjo del se Kurti ka bërë një gabim të tmerrshëm kur ka treguar emrat e ministrave, pasi që në një formë e në një shkallë do t’i dëmtojë reputacionin emrave të tij për ministra.

Një tjetër gabim i tmerrshëm ishte edhe vendosja e Konjufcës në krye të Kuvendit.

“Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia. Le t’ia fillojmë punës për të mirën e qytetarëve, e sipas programit qeverisës tashmë të dakorduar. Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat joserbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave” – kishte thënë në një video-adresim z.Kurti

Mes Konjufcës dhe Blerim Rekës, Rozeta Hajdarit, Albulena Haxhiut, Besnik Bislimit dhe Arben Vitisë, Kurti dhe Vetëvendosje kanë zgjedhur me të drejtë z.Konjufca i cili në zgjedhjet e fundit i fitoi mbi 76 mijë vota.

Dorëheqja e z.Konjufca do të ishte mjaft e dhimbshme për vetë Konjufcën dhe zgjedhësit e tij, por edhe për Lëvizjen Vetëvendosje.

Ndërkohë, nëse LDK do të pranonte ofertën atëherë do të kishte në dorë ‘djegien’ e njërit prej pesë ministrave të lartpërmendur duke shkaktuar potencialisht pakënaqësi në Vetëvendosje.

“Duan kryeparlamentarin [LDK] si shkëmbim për presidentin që nuk duhet ta kenë.” – shkroi më herët në Facebook-un e tij, z.Elvis Hoxha, një profesor universitar nga Tirana që është edhe anëtar i Vetëvendosjes.

Pra, LDK dhe Vetëvendosje janë fare pranë marrëveshjes aktualisht dhe e vetmja çështje që i ndan është ajo e kryetarit të Kuvendit, e cila kërkohet me ngulm nga partia e z.Mustafa i cili në këtë formë kërkon të respektojë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit ku dolën vetëm 1,5 për qind poshtë partisë së parë, Vetëvendosjes.

Është e vështirë të besohet që LDK do të heqë dorë nga pozita e kryetarit të Kuvendit duke pranuar vetëm një ministri në këmbim, ndërkohë që Vetëvendosje është më e mundshme që të lëshojë pe.

Në rast se arrihet marrëveshja aktuale, atëherë kjo do të jetë ndarja e përgjegjësive institucionale:

VV: Kryeministri [Albin Kurti], Zv.kryeministri i dytë [Haki Abazi], Ministri i Financave dhe Transfereve [Besnik Bislimi], Ministri i Shëndetësisë dhe Sporteve [Arben Vitia], Ministrja e Drejtësisë [Albulena Haxhiu], Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë [Rozeta Hajdari] dhe Ministri i Punëve të Jashtme [Blerim Reka], plus të paktën 10 zëvendësministra.

LDK: Kryetari/ja i/e Kuvendit [?], zv.kryeministri/ja i/e parë [?}, Ministri/ja i/e Infrastrukturës, Ministri/ja i/e Punëve të Brendshme [?], Ministri/ja i/e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Kulturës dhe Rinisë [?], dhe dy ministri të tjera, plus të paktën 10 zëvendësministra.

Ndërkohë që numri i zëvendësministrave pritet të jetë të paktën 24, pasi Kurti ka premtuar “të paktën” 10 zëvendësministra nga partia e tij, duke lënë të hapur mundësinë për më shumë emra të tillë. Kjo do të nënkuptonte po aq zëvendësministra edhe nga LDK-ja, si dhe nga partitë e pakicave. /Periskopi

Elvis Hoxha i VV-së i familjarizuar me “Lutën dhe Agimin”, nënkupton se marrëveshja është gati

Periskopi.com Lajme

Profesori universitar nga Shqipëria dhe anëtari i Vetëvendosjes, Elvis Hoxha, para një ore ka bërë një status në profilin e tij në Facebook e në të cilin ka bërë kritika të ashpra ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shqiptari Hoxha ka thënë se LDK-ja “si duket” kërkon me çdo kusht koalicion me PDK-në dhe jo me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Duan presidentin që nuk ka kuptim të kërkohet.” – shkruan ai pa treguar pse në të vërtetë nuk ka kuptim që të kërkohet kjo pozitë nga partia e z.Mustafa që i mori vetëm 1,5 për qind më pak në zgjedhjet e 6 tetorit.

Por, ai zbulon se tashmë LDK po kërkon pozitën e kryeparlamentarit “si shkëmbim për presidentin”, duke lënë të kuptohet që partia e z.Mustafa ka hequr dorë nga kërkesa e mëhershme për këtë pozitë, shkruan Periskopi.

Por, z.Hoxha duket se është kritik edhe ndaj partisë së tij.

“Kryesia e LDK-së kërkon të ketë atë që nuk e ka patur kurrë. Dhe Lëvizja, kësi kryesie ia jep edhe këtë.” – shkruan Hoxha.

Ai madje duket mjaft i familjarizuar edhe me dy nënkryetarët e partisë së z.Mustafa, Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin, të cilët i thërret në emra.

“Kjo kryesi, si në historinë e tipit që ka humbur milionat që nuk i ka patur, mendon ende se është partia më e madhe që në fakt nuk është, mendon ende se ka kokat më të ditura, tashmë të gjithë në të shkuarën, sepse në të tashmen ka Lutën dhe Agimin.” – shkruan ai.

Më poshtë keni statusin e plotë të z.Hoxha:

Isa Mustafa do ta bëjë gjithçka bajat. Sepse kërkon si duket me çdo kusht koalicion me PDK-në dhe jo me Lëvizjen Vetëvendosje! Duan presidentin që nuk ka kuptim të kërkohet. Duan kryeparlamentarin si shkëmbim për presidentin që nuk duhet ta kenë.

Logjika e LDK-së është si e atij tipit që bërtiste ngado se i kishin humbur 10 milionë dollarë. Kur e pyetën se ku i gjeti tërë ato parà, u përgjigj thjesht: “Nuk ka rëndësi ku i gjeta, e rëndësishme është që i humba”. Por të gjithë e dinin të vërtetën, ai nuk e kishte patur kurrë një shumë të tillë. Dhe të gjithë e dinë mirë se kur nuk ke asgjë mund të thuash se ke humbur miliardat. Kryesia e LDK-së kërkon të këtë atë që nuk e ka patur kurrë. Dhe Lëvizja, kësi kryesie ia jep edhe këtë. Kjo kryesi, si në historinë e tipit që ka humbur milionat që nuk i ka patur, mendon ende se është partia më e madhe që në fakt nuk është, mendon ende se ka kokat më të ditura, tashmë të gjithë në të shkuarën, sepse në të tashmen ka Lutën dhe Agimin. Pra, mund të kërkojë edhe postin e kryeparlamentarit që vetë e votoi.

Adoleshentë të plakur, apo pleq të kapur nga e rinia e tyre e gabuar? Kjo nuk është dilema ime, por e atyre që votojnë për ta.

Syla: Vonesa për marrëveshjen VV-LDK tregon se çfarë qeverisje do të kemi

Periskopi.com Lajme

Analisti politik Valon Syla ka thënë se për shkak të situatës që është krijuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit është krejt e natyrshme që LDK-ja të tentojë të përfitojë sa më shumë në marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Është e natyrshme që LDK-ja të jetë fitues i hises duke pasë parasysh që Lëvizja Vetëvendosja me diskursin e saj pothuajse i ka përjashtuar të gjitha partneritetet me partitë e tjera. Deklarimi i PDK-së dhe AAK-së që në secilin variant do të jenë në opozitë e kanë vënë LDK-në në pozicion shumë më të favorshëm negociues”.

“Është e natyrshme, ne kemi parë parti që më 5, 8 apo 10 për qind e kanë pasë postin e kryeministrit. Është e natyrshme që LDK-ja të shkojë në negociata deri në pikën ku mund të kërkojë edhe më shumë se kaq sepse demografia politike ja lejon”.

Syla në Zonën e Debatit në Klan Kosova ka thënë se vonesa për arritjen e marrëveshjes për qeverinë VV-LDK është pasqyrë se si do të jetë bashkëqeverisja e këtyre dy partive.

“Ajo që më bën përshtypje është se kjo vonesë, ky ngadalësim për marrëveshje duket të jetë sikur një ngrohje se si do të duket qeverisja e ardhshme”.

“Po shihet që kanë mospajtime esenciale. Kanë mungesë besimi dhe mospajtime konceptualisht dhe ideologjikisht, si dhe gjithçka që e kanë thënë do ta kenë shumë të vështirë që ‘atë që e kanë pështyrë ta lëpijnë sot’”.

Ai ka treguar edhe pse beson se LDK-ja e Isa Mustafës po insiston në postin e presidentit.

“Te presidenti shihet qartë që LDK-ja është më me përvojë dhe e sheh situatën më afatgjate. Arsyeja pse LDK-ja këmbëngul te presidenti nuk është te dëshira që dikë nga partia e tyre ta bëjë president, por është më shumë që ta ruajë këtë rezultat dhe me këtë rezultat që e ka të krijojë sa më shumë vite qeverisje”.

“LDK-ja dyshon që një mosmarrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje do ta dëmtonte duke e pasë parasysh që shkuan përpara me kandidaten Vjosa Osmani dhe ajo sot nuk shihet askund”.

“Një mosmarrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje do ta dëmtonte LDK-në në aspektin elektoral dhe do ta hiqte atë nga oferta për një ndryshim brenda vetes, por edhe kontribut në udhëheqjen e vendit”.

Syla ka folur edhe për Ministrinë e Kulturës, që siç ka raportuar Klan Kosova gjatë ditës, nuk pritet t’i takojë as LDK-së dhe as Lëvizjes Vetëvendosje, por minoriteteve të tjera.

“Mendoj që çështja e Ministrisë së Kulturës tregon edhe qasjen politike që do ta ketë qeveria e ardhshme”.

“Mendoj që është jostrategjike që Ministria e Kulturës, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Brendshme t’i lihen partive minoritare sepse janë të lidhura ngushtë me kulturën dhe planprogramin që e kanë partitë, sidomos Vetëvendosja që flet për bashkim kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës ja lë serbëve”.

“Është demagogji në vete nëse ndodh kështu”.

Surroi bëhet me VV-në: LDK duhet të lëshojë pe për presidentin

Periskopi.com Lajme

Publicistja e njohur kosovare, Flaka Surroi, në shkrimin e radhës të publikuar në portalin KOHA, ka mbajtur anën e Vetëvendosjes në mosmarrëveshjen e krijuar për marrëveshjen për qeverisje me LDK-në.

Ajo e ka quajtur të paarsyeshme kërkesën e LDK-së që të ketë edhe pozitën e presidentit të vendit, e madje ka kontestuar edhe kërkesën që partia e udhëhequr nga Isa Mustafa të drejtojë ministritë kryesore të vendit.

“VV-ja dhe LDK-ja duhen të vendosin nëse janë që t’i ndryshojnë të këqijat që i trashëgojnë nga krejt qeveritë paraprake, përfshirë edhe gabimet e vetë LDK-së, apo janë të interesuar të akomodojnë njerëz që mund t’iu bëjnë probleme në parti, po qe se mbeten pa ndonjë post.” – shkruan ajo ndër rreshtash.

Qeverinë Haradinaj, Surroi e ka cilësuar si “më të keqen” që ka pasur Kosova ndonjëherë, dhe bën përgjegjëse direkte Vetëvendosjen dhe LDK-në sa i përket zgjatjes së jetës së saj, përcjell Periskopi.

Data përfundimtare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është 27 dhjetori, dhe kjo përmendet po ashtu me shqetësim nga Surroi, si një arsye për t’u ngutur që të bëhet marrëveshja për koalicionin qeveritar mes dy partive që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit.

Për ta lexuar të plotë shkrimin, iu ftojmë të klikoni KËTU.

Iu kujtojmë se mbrëmë një gazetë e afërt me Policinë e Kosovës, Indeksonline, kishte raportuar se Vetëvendosje kishte lëshuar pe për pozitën e presidentit, por një gjë e tillë ishte mohuar nga partia e Kurtit për portalin Periskopi.

Analistët: Ndarja e ministrive nuk rrezikon arritjen e marrëveshjes VV-LDK

Periskopi.com Lajme

Gjatë ditës së sotme nuk ka pasur ndonjë takim në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të arritur një marrëveshje rreth koalicionit qeverisës. Pavarësisht kësaj analistët politik nuk shohin ndonjë mundësi që këto bisedime të dështojnë, madje thotë se një koalicion mes këtyre dy partive është e vetmja alternativë.

Të dy partitë, gjatë ditës së hënë kanë dështuar të nënshkruajnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës, pasi që nuk kanë arritur të dakordohen për ndarjen e posteve.

Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon që të marrë kryetarin e Kuvendit, presidentin dhe pesë ministri, por që kjo nuk po pranohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjuca, gjatë një emisioni televiziv ka deklaruar se nëse LDK insiston se duhet të ketë presidentin, kryeparlamentarin dhe ndarjen e ministrive 50-50, atëherë marrëveshja është e paarritshme. Ai kishte deklaruar se kryeministrin e zgjedh populli, por jo edhe presidentin.

E pas kësaj deklarate, ka pasur reagime të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku përmes një komunikate për media kishin thënë se janë të përkushtuar për të respektuar dhe për të zbatuar vullnetin e qytetarëve.

“Ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshjeje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional. Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”, thuhet në komunikatë.

Përkundër që nuk ka pasur takime në mes të dy partive politike, analistët politikë vlerësojnë se ndarja e ministrive nuk është pengesë për arritjen e një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Politologu Ramush Tahiri, për KosovaPress thotë se nuk beson që koalicioni në mes LVV-së dhe LDK-së do të dështojë sa i përket ndarjeve të ministrive.

Ai thotë se kërkesa e LDK-së sa i përket ministrive, postit të kryetarit të Kuvendit dhe presidentit është normale, por që thotë se Kushtetuta dhe ligjet e kanë paraparë që partia e parë fituese e zgjedhjeve e ka kryetarin e Kuvendit.

“LDK përveç posteve ministrore 5 me 5, kërkon edhe pozitën e presidentit pas një viti e gjysmë dhe kërkon edhe postin e kryeparlamentarit. Kjo është normale për një parti politike e cila dëshiron ta forcojë pozicionin e vet në tavolinë të bisedimeve, ndoshta edhe më shumë sesa që ka marrë vota. Mirëpo, gjithashtu ligjet dhe Kushtetuta e kanë paraparë që partia e parë e ka kryetarin e Kuvendit dhe një nënkryetar, partia e dytë e ka një nënkryetar, partia e tretë e ka një nënkryetar dhe dy partitë, një e minoriteteve tjera, një minoriteti serb. Kjo formulë dhe kjo skemë nuk mundet me vota ose me marrëveshje të ndryshohet”, thotë ai.

Sa i përket kërkesës së LDK-së që të ketë postin e presidentit, Tahiri thotë se nga aspekti partiak është legjitime, por nga aspekti kushtetues dhe ligjor është e jashtëligjshme.

“Është e jashtëligjshme çështja e presidentit që po diskutohet, por edhe çështja e kujt i takon kryeparlamentari dhe jashtë kushtetutës. Ndarja e pushtetit tash bëhet vetëm për Kuvend, është e përcaktuar  dhe për qeverinë, zgjedhjet janë mbajtur vetëm për këto forma, jo për të tjerat. Nga segmenti partiak është legjitime që LDK dëshiron me marrë më shumë, edhe pse nuk është partia e parë dëshiron, ndoshta me u afruar dhe me dal partia e parë. Por, nuk ka ndonjë garancë që kjo marrëveshje politike të jetë e qëndrueshme, sepse ne kemi pas më herët një marrëveshje mes LDK-së dhe PDK-së për zgjedhjen e Thaçit, mirëpo në momentin që PDK e ka votuar mocionin e mosbesimit për qeverinë e Isa Mustafës qeveria ka ra, por presidenti ka mbet. Do të thotë marrëveshja nuk ka obligime ligjore dhe në këtë bazë insistimi i LDK-së nuk më duket shumë politik, do të thotë një interes i ngushtë partiak”, thotë ai.

Kurse, analisti politik Rasim Alija, për KosovaPress, thotë se përplasja e të dy subjekteve për ndarjen e posteve është normale, pasi sipas tij të dy subjektet e dinë peshën e ministrive të caktuara brenda qeverisë.

Ai thotë se nuk beson se koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së do të dështojë për shkak të ndarjes së ministrive apo çështjes së postit të presidentit.

Alija thotë se të dy partitë politike duhet të merren vesh edhe sa i përket postit të presidentit dhe të mos mbetet që të diskutohet, pasi të përfundojë mandati i presidentit aktual.

“E pamë që jo gjithçka është dakorduar gjatë atyre takimeve të grupeve punuese, mirëpo edhe takimet e liderëve. Siç duket përplasjet janë tek aspekti i ndarjes së resorëve të caktuar, kjo është krejt normale duke pasur parasysh se të dyja subjektet politike edhe LVV, edhe LDK e dinë peshën e resorëve të caktuar brenda qeverisë, ka ministri që ka peshë më të madhe si bashkëqeverisje, ka resor tjetër që ka peshë më të vogël dhe siç duket këtu është problemi. Mirëpo, pa përjashtuar edhe dakordimin ose mosmarrëveshjet lidhur me figurën e presidentit, e cila me gjasë duhet të arrihet dhe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes, sepse kjo i hap rrugë pastaj edhe stabilitetit të vet koalicionit pas një viti e gjysmë kur është koha që i përfundon mandati presidentit aktual”, thotë ai.

Po ashtu, Alija thotë se të dy partitë politike e dinë se alternativa e vetme e tyre është arritja e koalicionit, pasi sipas tij, nuk kanë ndonjë alternativë të dytë.

“Është normale sepse vet të qenit dhe të garuarit në zgjedhje dhe fitimi i votave bëhet që përmes plan programe të subjekteve politike dhe më pas me ndarjen e resorëve të caktuar t’i shtyjnë përpara ato politika që iu janë proklamuar qytetarëve dhe i kanë fituar votat. Kemi këtu parasysh Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur strumbullar të fushatës së saj luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e kjo i bie e gjithë puna t’i shkojë në Ministrinë e Drejtësisë dhe rrjedhimisht edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pra, këtu kemi edhe ndeshjet të vet programeve politike, është krejt normale në kuadrin ku jemi që të kenë mosmarrëveshje të dy subjektet politike rreth ndarjes së resorëve. Ajo çka nuk është normale është qasja e tyre karshi opinionit dhe elektoratit, një herë kemi pas deklarata që gjithçka është gati dhe në masën e 100 përqind që janë marrë vesh, por e kemi pa tash që jo gjithçka ësh të marrë vesh dhe jo gjithçka ka shkuar në 100 përqind të dakordimit”, thotë ai.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë certifikimin e zgjedhjeve të 6 tetor më 27 nëntor, ku Lëvizja Vetëvendosje ka dal partia e parë, e pasuar nga LDK si partia e dytë dhe PDK si partia e tretë.

Mustafa e Osmani heshtin, por dikush në LDK mbron Lutfi Hazirin

Periskopi.com Lajme

Vetëm dy ditë para takimit të pestë të grupeve punuese të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në kuadër të arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës,  nënkryetari i  LDK-së Lutfi Haziri nxiti reagime të shumta me një deklaratë të publikuar në profilin e tij në Facebook.  Duke e sjellë çështjen e kryeministrit sërish në pikëpyetje, nënkryetari i LDK-së tha se emri i kryeministrit kalon nëpër zyrat e kësaj partie.

“Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por, ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK’së!”, ka shkruar numri dy i LDK-së.

Ndonëse kjo deklaratë u pa si një favorizim i pozicionit ndaj partnerit të mundshëm të koalicionit VV, e njëjta nuk gjeti përkrahje nga kryetari i partisë Isa Mustafa dhe kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani.

Deklarata e Hazirit nxiti polemika  me zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, e më i zëshmi ishte nënkryetari i LVV-së Besnik Bislmi, i cili duke folur për Periskopin deklaroi se  “nuk ka rol të rëndësishëm, dhe nuk çon peshë në bisedimet që po i zhvillojnë me LDK-në”. 

Por pavarësisht mos reagimit të udhëheqësve më të lartë të LDK-së, duket se dikush në këtë parti pajtohet me deklaratat e Lutfi Hazirit.

I kontaktuar nga Periskopi, anëtari i LDK-së, Arben Gashi tha se nuk ka asnjë koment për këtë deklaratë të Lutfi Hazirit, duke shtuar se “kur flet nënkryetari, ka fol partia”.

“Zotëri Haziri është nënkryetar i LDK-së, edhe ai i din mendimet e veta. As nuk qëndroj mbrapa as para asaj deklarate, zotëri Haziri është nënkryetar i LDK-së, unë nuk kam çka me komentu për këtë punë, kur flet kryetari dhe nënkryetarët, ka fol partia”, tha Gashi për Periskopin.

Gashi shtoi se ajo që ka thënë Haziri, po nxirret nga konteksti.

“Po nxirret prej konteksti ajo që zotëri Haziri ka thënë duke u mundu me kriju situata të paqena”, u shpreh Gashi.

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu i kontaktuar nga Periskopi nuk e komentoi fare këtë deklaratë, duke thënë se nuk ka kohë të flas pasi gjendet në një takim, ndërsa të tjerët anëtarë të partisë si kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani e të tjerë si Kujtim Shala, Avdullah Hoti e Lumir Abdixhiku e Doruntinë Maloku  nuk u përgjigjën fare në telefon.

Përkrahje Haziri ka  gjetur edhe nga Faton Bislimi, i cili përmes një shkrimi në Facebook u deklarua duke thënë se reagimet e VV-së për deklaratën e Hazirit ishin të paarsyeshme. 

Reagimi i parë nga Vetëvendosje në lidhje me këtë deklaratë kishte ardhur menjëherë nga Albulena Haxhiu, e cila u shpreh se “emri i kryeministrit është vendosur me 6 tetor”.

Deklaratës së nënkryetarit Bislimi mbrëmë i është kundërpërgjigj Haziri, duke thënë se Bislimi e di fort mirë rolin e Hazirit në LDK.

Reagime të tjera nga Lëvizja Vetëvendosje pati edhe nga ekonomisti, Hekuran Murati, e madje edhe nga Avni Zogiani. /PERISKOPI

Politologu Ramadani: Kurti do pushtet absolut, qëllimi është që ta çojë vendin prapë në zgjedhje

Periskopi.com Lajme

Politologu nga Gjilani, Shkodran Ramadani, ka analizuar zhvillimet e fundit politike që kanë të bëjnë me negociatat mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për formimin e koalicionit qeveritar.

Ramadani shprehet skeptik sa i përket arritjes së një koalicioni të tillë duke deklaruar se “Kurti kërkon që ta dërgojë vendin në zgjedhje për të shpresuar në një epërsi më të thellë” në zgjedhjet potenciale të ardhshme.

Më tej, ai ka analizuar edhe ngërçin aktual në këto negociata duke hedhur akuza të forta ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes. Z.Ramadani pretendon se Kurti po kërkon jo vetëm pozitën e kryeministrit por po ashtu edhe që kjo pozitë të ketë pushtet absolut dhe të kontrollojë vendimet e të gjitha ministrive, të cilat mund t’i shkarkojë sa herë të dojë, përcjell Periskopi.

Sipas tij, LDK-ja nuk mund të pranojë një marrëveshje të tillë. E megjithatë, ai beson se në këtë situatë Vjosa Osmani dhe krahu i saj është duke përfituar duke dashur që ta neutralizojë “gardën e vjetër brenda LDK-së”.

Akuza e Ramadanit ndaj zonjës Vjosa Osmani është mjaft serioze në këtë pikë sepse e lidh atë me një braktisje të interesave të partisë në të mirë të interesave personale.

Ndryshe, Vetëvendosje dhe LDK janë takuar dy herë gjatë kësaj jave për të diskutuar për ekonominë dhe fushën e sundimit të ligjit që është një ndër çështjet për të cilat ka avokuar në ndryshime më së shumti faktori ndërkombëtar.

Më poshtë e keni statusin e plotë e të paredaktuar të z.Ramadani:

Demi: Suksesi apo dështimi i Qeverisë së re do të varet nga krijimi i vendeve të reja të punës

Periskopi.com Lajme

Nga veprimet në ekonomi, sidomos në krijimin e vendeve të reja të punës, do të varet suksesi apo dështimi i qeverisë së re, ashtu sikurse i të gjitha qeverive deri më tani, ka thënë Agron Demi. E, me rritjen e vendeve të punës, ai ka parashikuar se mund të bjerë edhe shkalla e migrimit.

Demi është analist politikash në Institutin GAP dhe, në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ka folur për problemet më kryesore me të cilat përballet vendi, për veprimet që duhet ndërmarrë menjëherë qeveria e re, por edhe për prioritetet mandatore që duhet t’i ketë kjo qeveri.

Ai ka treguar edhe se cilat janë pritjet e përgjithshme, nga ekzekutivi që pritet të drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekt të cilin e nxorën fitues zgjedhjet e 6 tetorit.

KD: Z. Demi, cilat janë veprimet që kërkojnë më shumë urgjencë, e që duhet ndërmarrë nga qeveria e re që në ditët e para të punës?

Demi: Ekzistojnë disa sfida të cilat me vullnet politik mund të zgjidhen menjëherë. Serioziteti i qeverisë së re, duke supozuar se ajo do të përbëhet nga koalicioni Vetëvendosje-LDK, do të shihet që në ditën e parë.

A do t’i përmbahen këto dy parti premtimit për një qeveri më të vogël, me dy zëvendëskryeministra, 12 ministri, 24 zëvendësministra maksimumi dhe me së paku katër gra ministre? Nëse po, një veprim i tillë do të kursente mbi 11 milionë euro brenda mandatit qeverisës vetëm në paga të pozitave të larta politike, pa llogaritur këtu edhe shpenzimet e tjera që shkojnë me këto pozita. E siç keni raportuar edhe ju si gazetë, por edhe ne në kuadër të platformës së GAP-it për transparencë buxhetore, shpenzimet për dreka zyrtare, telefona e mëditje janë më të mëdha se pagat.

Që në javën e parë të qeverisjes, partitë mund të vënë rregull në shpenzimet për pensionet e veteranëve të luftës, të cilat kanë dalë nga kontrolli dhe deri në fund të vitit pritet që të arrijnë mbi 78 milionë euro.