Weber: Turqia nuk mund të jetë anëtare e BE-së

Periskopi.com Lajme

Turqia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, ka thënë kandidati i Partisë Popullore Evropiane (EPP), për zgjedhjet e ardhshme evropiane, Manfred Weber.

Përveç tjerash, ai ka përmendur se do t’i japë fund bisedimeve për anëtarësimin e këtij shteti nëse bëhet president i Komisionit Evropian, transmeton Reuters.

Turqia në anën tjetër ka thënë se anëtarësimi në BE, mbetet një nga qëllimet strategjike kryesore, ndonëse bisedimet për anëtarësim, që kanë nisur zyrtarisht më 2004, janë bllokuar për vite të tëra.

Weber, kandidat i partisë së qendrës së djathtë për pozitën e presidentit të Komisionit Evropian ka thënë megjithatë në Bavari të mërkurën se “secili dëshiron të ketë marrëdhënie më të mira me Turqinë dhe se secili dëshiron të bashkëpunojë më shumë”.

“Mirëpo nëse unë bëhem president i Komisionit, atëherë unë do t’i udhëzoj zyrtarët në Bruksel që të ndalin bisedimet me Turqinë për anëtarësim në BE”, ka thënë ai në një fjalim.

“Turqia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, le ta bëjmë të qartë”, ka thënë Weber.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ai do të konsiderojë organizimin e një referendumi rreth kërkesës për anëtarësim në BE, duke shprehur pakënaqësitë në këtë proces, për të cilin ka thënë se është paragjykues kundër myslimanëve.

Weber: Serbia le ta harrojë Kosovën, të ballafaqohet me të ardhmen

Periskopi.com Lajme

Eksperti i Këshillit të Berlinit për politika të demokratizimit, Bodo Weber ka vlerësuar se ka kaluar koha për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmes kompromisit.

Në konferencën “Shqiptarët dhe serbët” organizuar nga agjencia Tanjug dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, mbajtur në Beograd ai ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën nuk mund të bëhet përmes ballafaqimit të shoqërisë serbe me të kaluarën, por me të ardhmen, transmeton televizioni publik.

“Kosova është e humbur për Serbinë dhe në dialog nuk do të ketë zgjidhje përmes kompromisit, ka thënë Weber. “Ky shans është humbur nga Serbia në vitin 2011 apo 2013”, theksoi ai.

Weber ka kritikuar ashpër politikën serbe që tash e tre decenie ka instrumentalizuar çështjen e Kosovës, duke mashtruar opinionin publik, se do ta kthejë procesin në rrugën drejt kompromisit.

Rrëfimi për pajtimin mes dy popujve paraqet një keqpërdorim nga ana e Qeverisë serbe, me qëllim ndarjen e Kosovës, vlerëson Weber.

Sipas tij, marrëveshja mes serbëve dhe shqiptarëve nuk mund të shkojë përmes rrugës Tiranë – Beograd, por në pjesën më të madhe Prishtinë – Beograd.

Weber, ka theksuar se është më se e nevojshme që të ketë përparim në procesin e formimit të Asociacionit të Komunave serbe, ndërsa ka kritikuar tendencën për diskutime se kush do të qeverisë me territore dhe jo si të qeveriset.

Me këtë mënyrë të menduarit, duhet thënë se përmes dialogut deri më tani, shqiptarët e Kosovës kanë fituar më së paku, Serbia më së shumti, kurse serbët e Kosovës pothuaj asgjë, tha Weber.

Eksperti Weber, ka kritikuar edhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili, siç tha Weber “ka tendenca të aktrojë babain e kombit shqiptar”. Ai mund të mësojë nga historia jo e largët e Serbisë se interpretimi i rolit të babait të kombit është një koncept i keq, pasi historia ka treguar se gjithmonë e pësojnë fëmijët dhe jo babai”.