Vajza e Xhemajl Fetahajt: Babai nuk i ka takuar asnjë krahu, por vetëm UÇK-së

Periskopi.com Lajme

Dëshmorët Xhemajl Fetahaj dhe Milazim Shala janë përkujtuar sot në një akademi përkujtimore në 20 vjetorin e rënies së tyre në Betejën e Koshares.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Xhemajl Fetahaj ka një biografi të jashtëzakonshme për kontributin që ka dhënë për Kosovën.

“Rënia  e dëshmorëve tregon çmimin e lartë të pavarësisë dhe lirisë se Kosovës. UÇK-ja është projekti me produktiv i historisë Kosovës”, tha Thaçi.

Ndërsa kryeministri u Kosovës  Ramush Haradinaj ka shprehur  fjalë të mëdha, për heroin Xhemajl Fetahaj të cilin e cilësoi si njërin nga personat kyç për lirinë e Kosovës.

“Është një rast se si një familje shqiptare jep gjithçka për çlirimin dhe lirinë e Kosovës. Duke qenë kështu ne kemi për nder që t’i nderojmë gjithë këta persona për rrugën tonë deri në liri”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha tha se përmes vlerësimit të heronjve të Brigadës 138 nderohet dhe beteja e Koshares.

E bija e dëshmorit Xhemajl Fetahaj, Erza Fetahaj kritikoi për akademitë e kaluara që janë mbajtur ku theksoi se babai i saj nuk i ka takuar asnjë krahu, por vetëm UÇK-së.

“Ai nuk i ka takuar asnjë krahu, por i ka takuar vetëm UÇK-së, ai ka shkuar në luftë për askënd por vetëm për Kosovën”, tha ajo.