Pas një kohe të gjatë xhudistet e Kosovës do të garojnë në Rusi

Periskopi.com Uncategorized

Pas një kohe të gjatë xhudistet e Kosovës do të garojnë në Rusi. Prej 13 deri më 15 mars në Ekaterinburg të Rusisë mbahet turne Grand Slam i xhudos.

Garat Grand Slam janë prej më të vlerësuarave në sportin e xhudos, ndërsa për pjesëmarrje në Ekaterinburg është paraqitur edhe Kosova. Sajti zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos ka shkruar se Kosovën në garën e rëndësishme në Rusi do ta përfaqësojnë Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë.
Trajneri Driton Kuka ka konfirmuar për Koha.net se Majlinda e Loriana pritet të garojnë, por se kjo duhet të konfirmohet ndërkohë.Ekipi i Kosovës në xhudo për herë të fundit në Rusi ka garuar në fund të vitit 2017. Më 16 dhjetor të vitit 2017 në St. Petersburg kishin garuar Nora Gjakova e Distria Krasniqi, në turneun Masters.Majlinda së fundi në Rusi ka garuar në dhjetor të vitit 2016, kur u mbajt Liga e Kampionëve për klube në Grozny. Majlinda në Rusi ka fituar titullin e dytë të saj të botës (2014) e po ashtu një titull të Evropës (2016).Loriana Kuka për herë të parë do të garoj në Rusi.

Gara në Ekaterinburg nuk do të jetë e zakonshme. Për shkak të përhapjes së koronavirusit, nuk do të ketë shikues në palestër. Ndërsa garuesit mund të marrin pjesë me certifikatë mjekësore. Në mungesë të saj do t’iu nënshtrohen testeve mjekësore me të arritur në Rusi. Rusia ka marrë masa shtesë pasi koronavirusi ka prekur shumë vende të botës.

“Xhudistet mund të kenë shumë telashe gjatë rrugës për në Rusi. Për shkak të koronavirusit janë paraparë kontrollime në kufi dhe masa tjera”, ka thënë trajneri Driton Kuka për Koha.net.

Koronavirusi ka ndikuar edhe në garat e xhudos. Disa gara janë anuluar tashmë e të tjera mund të anulohen në javët në vazhdim.

Në këtë fazë, garat e turit botëror të xhudos vlerësohen me shumë peshë. Xhudistët kërkojnë pikë në secilën garë në përpjekje për renditje më të mirë për Olimpiadën në Tokio.

Majlinda nuk ka garuar nga nëntori i vitit të kaluar, ndërsa Loriana nga tetori i vitit të kaluar.

Xhudistët kosovarë garojnë në të gjitha kategoritë e Kampionatit në Japoni

Periskopi.com Sporti

Njohës të sporteve luftarake po e cilësojnë këtë Kampionat si garën më të vështirë që është mbajtur ndonjëherë në historinë e xhudos.

Është ndarë shorti i Kampionatit Botërorë të Xhudos në Japoni dhe emrat e xhudistëve kosovarë figurojnë në të gjitha kategoritë e kësaj gare.

Njohës të sporteve luftarake po e cilësojnë këtë Kampionat si garën më të vështirë që është mbajtur ndonjëherë në historinë e xhudos, shkruan Klan Kosova.

Në kategorinë -52 kilogramë, konkurrente do të jetë kampionia olimpike Majlinda Kelmendi.

Ndërsa në kategorinë -48 kilogramë, do të garojë xhudistja kosovare, Distria Krasniqi.

Në kategorinë e meshkujve -73 kilogramë, pritet të garojë xhudisti Akil Kosova.

Nora Gjakova do të merr pjesë në kategorinë e femrave -57 kilogramë.

Për fund, në kategorinë e femrave -78 kilogramë do të jetë garuesja kosovare, Loriana Kuka.

Shpërblehen Dritoni, Majlinda, Nora, Loriana, marrin 150 mijë euro

Periskopi.com Sporti

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistët.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se si gjithmonë xhudistët kosovarë kanë bërë një punë të mrekullueshme.

Ai tha se Kosova po njihet nga ky lloj sporti dhe sportistët e xhudos do të mbesin ndër ambasadorët më të mirë.

“Më nuk ka dyshime, as nuk është risi që xhudoja, xhudistët tanë, duke filluar nga Majlinda, Nora, Kosovën e kanë shndërruar në një imazh të ri dhe të mirë. Medalja e artë u fitua nga Majlinda, e Argjenta nga Nora. Për të gjitha këto dua ta falënderoj Dritonin. Ne do të jemi me ju dhe do t’iu mbështesim edhe në Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020′”, tha ai.

Xhudistja Majlinda Kelmendin shprehi falënderime për ministrin Gashi, për pritjen dhe ato që ky i fundit po bën për sportin.

“Po besoj dhe po shpresoj se sukseset tina nuk kanë me u ndalë. Caku jonë janë Lojërat Olimpike, jemi duke u përgatitur dhe besoj se do të kthehemi me medalje”, u shpreh ajo.

Trajneri Driton Kuka tha se si trajner është gjithmonë i gatshëm të marrë përgjegjësi, qoftë për mirë apo jo, pasi sipas tij, tashmë janë krijuar të gjitha kushtet për punë.

“Unë po mendoj që sporti i xhudos prinë dhe besoj se edhe në të ardhmen të ndodhë kështu. I kisha inkuraju edhe trajnerët e sportive tjera që të punojnë më shumë pasi që kushtet janë. Do të doja që të jeni ministër deri në 2020, kur të kthehemi me medalje nga Lojërat Olimpike”, tha ai.

Majlinda Kelmendi është shpërblyer me 50 mijë euro për Medaljen e Artë, 50 mijë Driton Kuka si trajner i tri xhudisteve, Nora Gjakova me 30 mijë euro për Medaljen e Argjendtë dhe Loriana Kuka me 20 mijë euro për Medaljen e Bronztë.

MKRS ndan mijëra euro për xhudistët kosovarë dhe trajnerin Kuka

Periskopi.com Lajme

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka njoftuar se ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me disa sportistë nga Kosova si dhe trajnerin Driton Kuka, të cilët do të mbështeten financiarisht nga MKRS.

Trajneri Driton Kuka dhe sportistët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova, Shpat Zeka, Erza Muminoviq dhe Laura Fazlia janë përfitues të kësaj mbështetjeje financiare.

Postimi i plotë i Gashit:

Sot nënshkrova memorandume bashkëpunimi me trajnerin Driton Kuka, dhe sportistët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova, Shpat Zeka, Erza Muminoviq dhe Laura Fazlia.

Trajneri Kuka në bazë të memorandumit mbështetet financiarisht për këtë vit në vlerën prej 26 mijë e 625 euro, me qëllim të realizimit të objektivave dhe synimeve duke i shfrytëzuar mjetet për realizimin e politikave programore të avancimit të sportit cilësor. Ndërsa, sportistët u mbështetën veç e veç sipas shumave në vijim: Majlinda Kelmendi me 15 mijë euro, Nora Gjakova me 9 mijë euro, Distria Krasniqi me 7 mijë e 500 euro, Loriana Kuka me 6 mijë e 750 euro, Akil Gjakova me 6 mijë e 750 euro, Shpat Zeka me 3 mijë e 750 euro, Erza Muminoviq me 3 mijë euro dhe Laura Fazlia me 1 mijë e 500 euro.

Kjo përkrahje e MKRS-së për trajnerin Kuka dhe sportistët vjen në bazë të rezultateve që ata kanë treguar dhe që i kanë sjellë vendit tonë medalje dhe kanë ngritur flamurin e Republikës së Kosovës anekënd Botës. Trajneri Kuka, Majlinda dhe xhudistët janë ambasadorët e vërtetë të promovimit të shtetit

Shpërblehen xhudistët që fituan në Izrael

Periskopi.com Sporti

Ministri i Kulturës, Rinise dhe Sportit, Kujtim Gashi, do të vizitojë Federatën e Xhudos në Pejë ku në një ceremoni të organizuar do t’u ndajë ceqet xhudisteve Nora Gjakova në vlerë prej 20 mijë euro, për fitoren e medaljes së artë në Kampionatin Evropian që është mbajtur në prill të këtij viti në Izrael dhe Distria Krasniqi në vlerë prej 14 mijë euro, për fitoren e medaljes së argjendtë.

Kurse, trajneri Driton Kuka do të shpërblehet me 14 mijë euro si trajner i dy xhudisteve që janë kurorëzuar me medalje në këtë kampionat.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, në kuadër të kësaj vizite do të diskutohet për ecurinë e procesit për ndërtimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

Ministri Gashi  gjithashtu do ta vizitojë edhe Parkun Arkeologjik Ulpiana, ku do të njoftohet me ecurinë e punimeve që po ndërmerren nga Instituti Arkeologjik, punime tjera në bashkëpunim me  L’Ecole Normale Superiore –Paris (Universitet me karakter shkencor, kulturor dhe profesional ) dhe Universitetin e Prishtinës, sipas marrëveshjes se nënshkruar vitin e kaluar.