E neveritshme: Zv/ministri i VV’së i kthehet parullës “Isa, Hasha, Esat Pasha”

Periskopi.com Lajme

Zv/ministri i Qeverisë Kurti, Yll Rugova si duket ka harruar se tashmë nuk është në pozitën e aktivistit të Vetëvendosjes, por që ka përgjegjësi të larta institucionale në vend.

Ai pas vendimi të LDK’së për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ka postuar në Facebook-un e vetë një parullë.

‘’Isa, Hasha, Esat-Pasha’’.

Kujtojmë që Yll Rugova më herët mbante pozitën e drejtorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës. Premtimi kryesor i z.Yll Rugova gjatë zgjedhjeve të fundit kishte qenë ofrimi i ujit krahas kafeve nëpër kafene.PERISKOPI/

 

 

 

Këshilltari i Veselit: Krahasimi fotografisë së Pablo Escobarit me lojtarët e Kosovës nga VV, e neveritshme

Periskopi.com Lajme

Avni Bytyçi, këshilltar i Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka reaguar sot ashpër ndaj zyrtarit të Vetëvendosjes, Yll Rugova, i cili në rrjete sociale ka publikuar një fotografi të famëkeqit Pablo Escobar i rrethuar me anëtarë të bandës së tij me rroba të futbollistëve duke e krahasuar atë me fotografinë e liderit të PDK-së, Kadri Veseli bashkë me lojtarët e Kombëtares së Kosovës.

Bytyçi e ka cilësuar veprimin e Yll Rugovës të Vetëvendosjes të neveritshëm dhe në nivel të rrugaçëve.

“Nuk pritet ndryshe nga një formacion para-politik që e mohon shtetin, e djeg atë dhe në fund përbuz Kombëtaren e saj deri në ditën kur për një grusht vota Duce i tyre, Albin Kurti, pafytyrësisht përshëndet suksesin e tyre”, ka shkruar Byçi në profilin e tij në Instagram.

Reagimi i plotë i Avni Bytyçit:

Yll Rugova e paska postuar një fotografi të Kadri Veselit me Kombëtaren e Kosovës, duke ia bashkuar asaj një foto të Pablo Escobar – i cili, prapa vetes ka anëtarë të narko-mafisë të veshur me fanella futbolli.

Pra, Ylli me Vetëvendosjen e krahasojnë Pablo Escobarin me Kadri Veselin dhe anëtarët e ekipit të Kombëtares së Kosovës.

E neveritshme. Dhe në nivel të rrugaçëve.

Nuk pritet ndryshe nga një formacion para-politik që e mohon shtetin, e djeg atë dhe në fund përbuz Kombëtaren e saj deri në ditën kur për një grusht vota Duce i tyre, Albin Kurti, pafytyrësisht përshëndet suksesin e tyre.

Thuhet se karakteri i njeriut përcaktohet nga metodat që ai përdor për ta arritur qëllimin. Këto parime vlejnë edhe në politikë, në këtë rast edhe për formacionin para-politik të partisë Vetëvendosje.

Pra, paradite të linçojnë, të fyejnë dhe të sulmojnë me bomba molotovi, pasdite Duce-Albini të nderon me titullin profesor. Paradite të quajnë koalicion i shpresës, pasdite pyesin ku është aktivisti i tyre i ndjerë?

E keni dekonspiruar veten. Nuk keni platformë politike. Nuk keni ofertë për Kosovën. Dhe, tash po mundoheni që me shpifje dhe etiketime ta ulni nivelin e këtyre zgjedhjeve.

Ne refuzojmë të biem në nivelin tuaj. Sepse, ne besojmë në këtë shtet. Sepse, ne ndërtojmë të ardhmen e këtij vendi me një vizion të qartë. Sepse, ne angazhohemi për qytetarin dhe shtetin e Kosovës.

Rugova i VV-së e pranon Vjosa Osmanin si kryeministre: Është moment historik

Periskopi.com Lajme

Ish drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe ish anëtari i Partisë së Fortë që aktualisht është aktivist i zëshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Yll Rugova, përmes një statusi në Facebook ka dhënë shenja të qarta se partia e tij është afër ta pranojë kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani.

Z.Rugova është treguar i ashpër ndaj PDK-së dhe presidentit Hashim Thaçi, duke u munduar që të justifikojë qëndrimin e tij dhe eventualisht partisë së tij për heqjen dorë nga kryeministri.

“Nuk është fer ndaj të ardhmes sonë të përbashkët që ky moment historik të kushtëzohet me pozita për kryeministër.” – shkruan Rugova.

Ai thotë se ky do të jetë një moment i ndryshimit dhe historic, dhe se koalicioni mes LVV dhe LDK do të ndodh.

Ky është statusi i plotë i tij në Facebook:

Nuk ka guxim më të madh politik se me u bashku opozita e deridjeshme në një koalicion që do të jetë qeverisja e ardhshme.

Një bashkim i tillë parazgjedhor kish me tregu vizion dhe maturi të hatashme politike dhe përfundimisht kish me vendosë në pozitë mat PDK-në, Hashim Thaçin dhe preponentët e tyre.

Një bashkim i tillë kish me fitu i vetëm. Duke e lënë jashtë kështu edhe Listën Serbe.

Nuk është fer ndaj të ardhmes sonë të përbashkët që ky moment historik të kushtëzohet me pozita për kryeministër.

Momenti i ndryshimit që po e presim është moment historik. Andaj edhe duhen marrë masa dhe veprime të guximshme historike. Unë besoj se kjo do të ndodhë! /Periskopi

Yll Rugova jep dorëheqje edhe formalisht nga drejtori i Kulturës në Prishtinë

Periskopi.com Lajme

Yll Rugova ka bërë publike lajmin për dorëheqjen e ti formale nga posti I drejtorit të Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Në një sqarim në profilin e tij në Facebook, Rugova ka thënë se e ka parë të arsyeshme të sqarojë publikisht dorëheqjen e tij tashmë edhe formale.

“Këto ditë edhe formalisht kam dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit të kulturës, për arsyet që i kam bërë publike tashmë. Më duhet të them edhe njëherë se dorëheqja ime nuk është assesi heqje dorë nga projektet e rëndësishme kulturore, e shoqërore që janë nisur, e as nga projektet e rëndësishme programore që janë proklamuar bashkërisht, por është heqje dorë nga qeverisja e zbehtë e Prishtinës që e ka shkëputur tash edhe bashkëpunimin me Vetëvendosjen. Do të fokusohem në rolin tim brenda Lëvizjes Vetëvendosje për ta mbrojtur vizionin qeverisës për Prishtinën dhe për ta bërë gati programin e ri për të ardhmen”, ka shkruar ai.

Pakënaqësitë e tij, Rugova, i kishte shprehur  me kryetarin e Komunës Shpend Ahmeti.

Rugova kishte thënë se Ahmeti në mënyrë selektive për shkak të bindjeve partiake po shkarkon drejtorët. Mirëpo Shpend Ahmeti kishte thënë se Prishtina është shumë më e madhe se çdo ego e inat politik, dhe se nuk mund të sakrifikohet kryeqyteti për çështje personale.

Gjatë vizitës që i ka bërë sot Pallatit të Rinisë, Ahmeti tha se nuk do të ketë koalicion

“Situata në relacion me Lëvizjen Vetëvendosje është bërë e paqëndrueshme. Ka 5 muaj që i kam dërguar ofertë zyrtare me numrin më të madh të drejtorive komunale. Përveç që nuk kanë dhënë përgjigje, ata kanë vazhduar me sulme të përditshme të aktivistëve, por dhe komunikata zyrtare. Të njëjtën kohë nuk e kanë votuar asnjë propozim të cilin e kam dërguar, përkundrazi, kanë bërë edhe shumë gjëra të tjera. Nuk mundem të sakrifikojmë Prishtinën për shkak të inateve e egove personale”, pati deklaruar Ahmeti.

Ndërsa, për drejtorin e Kulturës në Prishtinë, Yll Rugova, Ahmeti ka thënë të mos jetë në dijeni se ai nuk po dilte në punë për disa ditë.

Rugova thotë se Shpend Ahmeti po përdorë taktika serbe, por nuk tregon a do të jap dorëheqje

Periskopi.com Lajme

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës, Ylli Rugova ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të kësaj komune, Shpend Ahmeti në Rubikon të KTV’së, i cili paralajmëroi shkarkimin e dy drejtorëve që vinë nga radhët e VV’së, Arben Vitia e Nora Kelmendin, ndërsa një gjë të tillë nuk do ta bëjë me Rugovën, raporton periskopi.

Krejt këto deklarata e paralajmërime të Ahmetit, Rugova i ka cilësuar si ‘lojë me shkarkime selektive’.

Madje, ai e ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin se po përdor taktika serbe, por në tërë publikimin e tij nuk ka sqaruar nëse do të jap dorëheqje nga posti i drejtorit të Kulturës.

Lexoni të plotë publikimin e tij:

Lojë me shkarkime selektive

Duke e shkarkuar Arben Vitine dhe Nora Kelmendin, dhe duke mos më shkarkuar mua si drejtor të Vetëvendosjes, Shpendi po e përdorë taktikën që serbët e përdornin me “shqiptarët e ndershëm” duke më shpallur “Vetëvendosje i ndershëm”.

Kjo i bie, se edhe nëse dikush është Vetëvendosje, ai si kryetar është në gjendje ta lejojë në qeverisje. Por kjo është vetëm lojë për të legjitimuar qeverisjen e tij, absolutisht të zaptuar në zgjedhjet e fundit nga Vetëvendosja. E për më shumë qeverisje që ka tendenca të zgjerohet edhe me PDK-në.

Është e vërtetë që në zgjedhjet e fundit në komunë i jam bashkuar Vetëvendosjes me ftesë nga vetë Shpendi dhe Dardani. Po unë e di se nuk do t’i kishim votat e duhura pa qenë duke garuar bashkarisht si Vetëvendosje.

Andaj, përderisa kam garuar me këtë subjekt, edhe vazhdoj të jem pjesë e tij, nuk ka gjasa të marr vendime pa diskutuar me Lëvizjen. Megjithëse tashmë bashkëpunimi po duket se s’ka gjasa të vazhdojë.

Pa marrë parasysh qysh po përjashtohemi, ne e dimë si do të kthehemi. #prishtina

A do të ndryshohet Biblioteka Kombëtare e Kosovës? Vjen një sqarim nga Komuna e Prishtinës

Periskopi.com Lajme

Në rrjetet sociale sot ka qarkulluar një fotografi e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’, ku tregon se do të ndërhyet në të.

Është edhe vet drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova që ka shpërndarë një imazh të tillë, ku thotë se objekti i bibliotekës në fjalë do të izolohet me fasadë. Mirëpo Rugova më tej ka sqaruar se çdo gjë ka qenë një shaka me idenë që të nxitet diskutimi dhe vetëdija me ndërtesat e trashëgimisë kulturore.

Ky është sqarimi i Rugovës në lidhje me shakanë që ka bërë:

“Postimi i mëposhtëm është një shaka, e bërë me idenë që të nxitet edhe më tutje diskutimi dhe vetëdija në lidhje me ndërtesat e trashëgimisë kulturore. Ne aspirojmë të jemi pjesë e UNESCO-s dhe si të tillë na duhet të mbrojmë vlerat e trashëgimisë, qofshin ato nga me arkitekturë otomane, vernakulare, moderniste apo çfaredo tjetër. Trashëgiminë e prekshme dhe të paprekshme.

Qyteti ndërtohet duke u zgjeruar edhe në aspektin historik, dhe jo vetëm në atë gjeografik.

Diskutimet gjithnjë e më të shpeshta që po bëhen për arkitekturën dhe trashëgiminë janë shenjë e një shoqërie të shëndoshë dhe për mendimin tim nëse trajtohen si duhet, do të kemi rezultate pozitive për të ardhmen e qyteteve dhe zhvillimit tonë urbanistik”.

 

 

Drejtori i Kulturës në komunën e Prishtinës tallet me BE-në, kursen Qeverinë dhe korrupsionin

Periskopi.com Lajme

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Aty Rugova ka ironizuar me qëndrimet e Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Më konkretisht, me kriterin e mbetur, atë të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, shkruan Periskopi.

“Viti 2062, më në fund Kosova i ka plotësu të gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Ka mbetur veç edhe një kusht. Ai do të bëhet publik nga BE në vitin 2063.” – shkruan Rugova.

Sidoqoftë, nuk mund të mohohet se Kosova ballafaqohet me një korrupsion endemik i dëftuar nga shumë raporte të ndryshme ndërkombëtare. Ndërkohë që lufta kundër korrupsionit deri më tash ka qenë tepër e zbehtë, dhe nuk ka prodhuar rezultate./Periskopi