Zv.presidenti amerikan shfaqet pa maskë virusi në spital

Periskopi.com Lajme

Zëvendëspresidenti i SHBA-së Mike Pence, ka vizituar një spital të njohur amerikan.

Megjithatë vizitën e bëri pa veshur maskë, pavarësisht rregullave të vet qendrës mjekësore që vizitorët duhet të veshin pajisjet personale mbrojtëse, përcjellë Klan Kosova.

Pence dukej se ishte personi i vetëm i pranishëm pa mbulesë të fytyrës në Klinikën Mayo në Minesota.

Në një cicërimë të fshirë më pas, klinika tha se nënkryetari ishte njoftuar paraprakisht për politikën e saj që kërkon posedimin e maskës.

Pence drejton grupin e taskforcës rreth koronavirusit të Shtëpisë së Bardhë.

Ai mbrojti vendimin e tij si të nevojshme për të takuar stafin dhe pacientët.

Një grua ishte burimi kryesor i informacionit për operacionin kundër Al Baghdadi

Periskopi.com Lajme

Zëvendëspresidenti i SHBA-së Mike Pence ka dhënë detaje të reja në lidhje me operacionin ushtarak amerikan për vrasjen e liderit të Shtetit Islamik.

Pence tha se ai dhe presidenti Donald Trump mësuan të enjten pasdite se ekzistonte një “probabilitet i lartë” që Al Baghdadi do të ishte në strehën e tij në provincën siriane të Idlib, transmeton Associated Press.

Sipas tij, presidenti Trump kishte porositur komandantët që të hartonin opsione ushtarake dhe t’ia paraqisnin atij.

Ditën e shtunë në mëngjes, kreu i SHBA kishte marrë informacionet që mundësonin operacionin e aprovuar nga Trump.

Një zyrtar i lartë i inteligjencës irakiane tha sot se ndihmësi i Al Baghdadit në Irak u vra disa muaj më parë në perëndimin e vendit nga një sulm ajror të forcave amerikane, dhe se amerikanët kishin arrestuar gruan e tij dhe ia kishin dorëzuar autoriteteve irakiane, transmeton AP.

Zyrtari irakian tha se gruaja ishte bërë një burim kryesor informacioni mbi lëvizjen e udhëheqësve të Shtetit Islamik dhe se autoritetet irakiane ishin në gjendje të përcaktonin koordinatat e Al Baghdadit falë saj.

Një tjetër zyrtar irakian i sigurimit tha se irakianët kohët e fundit kishin arrestuar kushëririn e Al Baghdadit, i cili gjithashtu ndihmoi me informacione rreth lëvizjes së tij.

Operacioni kundër Al Baghdadit përfshiu gjithashtu Turqinë dhe forcat kurde në Siri.

Trump tha sot se Al Baghdadi ishte vrarë në një operacion të ushtrisë amerikane gjatë natës së kaluar në provincën Idlib.

Al Baghdadi u bë i famshëm në vitin 2014 kur shpalli “kalifatin” në pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë, ku vendosi një sundim brutal mbi afro 8 milionë njerëz dhe ishte përgjegjës për sulme të shumta terroriste në të gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara shpallën të mposhtur “kalifatin” e Shtetit Islamik këtë vit.

Pence: Vendndodhja e Al Baghdadi ishte e njohur qysh nga e enjtja

Periskopi.com Lajme

Zëvendëspresidenti i SHBA-së Mike Pence zbuloi sot detaje të reja në lidhje me aksionin ushtarak amerikan që vrau liderin e Shtetit Islamik Abu Bakr Al Baghdadi, duke thënë se informacioni rreth fshehjes së tij në Idlib ishte i njohur qysh ditën e enjte.

Pence tha për televizionin CBS, se ai dhe presidenti Donald Trump mësuan të enjten pasdite se “ekziston një probabilitet i lartë” që Al Baghdadi strehohet në Idlib.

Sipas Pence, Trump urdhëroi komandantët e ushtrisë që të marrin në konsideratë të gjitha opsionet ushtarake dhe t’i paraqesin atij të premten në mëngjes.

“Ne morëm një plan të zbatueshëm të inteligjencës të shtunën në mëngjes, i cili u miratua nga Trump”, tha Pence, transmeton KosovaPress.

Trump tha më herët sot se Al Baghdadi u vra në një operacion ushtarak të kryer gjatë natës së kaluar nga forcat amerikane në provincën siriane të Idlib.

Sipas Trump, Al Baghdadi vrau veten dhe tre fëmijët e tij duke shpërthyer një jelek me eksploziv në tunel.

Ai tha se shumë nga bashkëpunëtorët e Al Baghdadit u vranë gjithashtu, dhe se nuk pati viktima në radhët e ushtarëve amerikanë.

Trump falënderoi Rusinë, Irakun, Sirinë dhe Turqinë për ndihmën e tyre, duke thënë se Rusia kishte hapur hapësirën ajrore mbi Sirinë për avionët amerikanë.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë ka thënë se dyshon se ky operacion ushtarak amerikan ka ndodhur ndonjëherë, pasi nuk ka asnjë provë të besueshme se Al Baghdadi ka vdekur.

Për më tepër, ministria mohoi që ajo kishte hapur hapësirën ajrore të Sirisë për Forcën Ajrore të SHBA-së.