11 arsyet, pse vendi ka nevojë për një deputet si Bekim Brestovci

Periskopi.com Lajme

“Fitorja e Nismës Socialdemokrate, është fitore e Çlirimtarëve”. Kështu thotë kandidati i këtij subjekti politik, Bekim Brestovci, i cili garon me numër 11, në Listën me numër 121, në fletëvotim.

Plani dhe programi i Brestovcit ndahet në dy kauza. E para, që është kauzë edhe e subjektit që përfaqëson, është mbrojtja e vlerave të luftës dhe kauza e tij që e ka shtyrë drejt politikës është diaspora.

Në vazhdim, do të listojmë 11 arsye, pse duhet të votohet kandidati Bekim Brestovci.

  1. Nisma, mbrojtëse e vlerave të luftës. Duke parë rreshtimin pas kauzave tjera të subjekteve që kanë dal nga lufta, Nismës dhe komandant Çelikut i mbeti përgjegjësia kryesore ta mbroj të kaluarën, luftën e shenjtë të UÇK-së. Dhe kjo, pikërisht në kohën kur po përballemi me agresivitetin më të madh të Serbisë, dhe kur krerë të UÇK-së, po gjykohen në Hagë.
  1. Padia ndaj Serbisë. Veprimi i parë i Nismës Socialdemokrate në legjislaturën e tetë, është mbledhja e fakteve dhe dëshmive, për ngritjen e padisë ndaj Serbisë, për gjenocidin që e ka bërë në vendin tonë.
  1. Dënim për mohuesit e gjenocidit. Se Serbia ka bërë gjenocid, kjo nuk vihet në pikëpyetje. 10 mijë persona të vrarë, 20 mijë të dhunuar, 1 milion të shpërngulur, e tregojnë të vërtetën. Ndaj, Nisma Socialdemokrate do të jetë ajo që do të inicioj ligjin kundër mohimit të krimeve të luftës.
  1. Përfaqësimi në dialog. Vlerat e luftës, dhe përfaqësimin e tyre në tryezën e bisedimeve Kosovë-Serbi, nuk e bënë më mirë se Fatmir Limaj askush. Andaj, ai duhet të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në fazën finale të këtij procesi.
  1. Lidhja e Diasporës me ekonominë e vendit. Diaspora ka kapacitet të madh, dhe ndërlidhja e ekonomisë së vendit me diasporën, do të ishte hapi i parë drejt një zhvillimi ekonomik serioz. Shndërrimi i diasporës në konsumator, do ta rriste tregun e prodhuesve vendor për gjysmë milion euro.
  1. Krijimi i shoqërive aksionare. Deri më tani diaspora kryesisht investimet i ka orientuar tek familja dhe mirëqenia. Tash, duhet të mblidhen fuqi ekonomike të diasporës, të krijojnë shoqëri aksionare, e më pas të hapen korporata në vendin tonë. Kjo do të hapte direkt vende të reja të punës.
  1. Kartela e diasporës. Çdo pjesëtare i diasporës që për arsye të ndryshme detyrohet të heq dorë nga shtetësia e Kosovës, ai trajtohet si i huaj në vendin e tij. Në këtë rast, do të inicioj kartelën e diasporës, që do të jetë dokument identifikues për pjesëtaret e diasporës, dhe si i tillë do të njihet nga të gjitha organet në vendin tonë.
  1. Mësimi dual. Duke parë që arsimimi në Kosovë dhe tregu i punës kanë një dallim të madh, duhet instaluar projektin gjerman të mësimit dual, që do të ndërlidhte mësimin me praktikën, dhe do të prodhonte kuadro që i nevojiten tregut të punës.
  1. Vota e diasporës. Do të angazhohem për një proces më të lehtë votimi për diasporën. Ligji për zgjedhjet duhet të parasheh lehtësira të tjera, përfshirë mundësinë e dërgimit të votës nëpër konsullatat e ambasada të shtetit, por edhe shumë forma të tjera.
  1. Kthimi i ministrisë së diasporës. Angazhimi im do të jetë në rikthimin e ministrisë së diasporës, dhe funksionalizimi i saj si dikaster i veçantë, me qëllim që ajo të jetë hallkë mes Kosovës dhe mërgatës. Ajo gjithashtu duhet të ketë një buxhet prej 1% të remitencave vjetore, apo rreth 7 milionë euro, që do të ishin të mjaftueshme për t’i kthyer diasporës sadopak atë investim që e bënë për vendlindjen e saj, sidomos në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë.
  1. Bekim Brestovci, zëri juaj në Kuvend. Kandidoj për të qenë zëri i juaj. Me të marr mandatin si deputet, do të funksionalizoj zyrë përmes së cilës, të gjithë qytetarët do të mund ngrisin shqetësimet e tyre dhe ato shqetësime të institucionalizohet në Kuvend.

Këto janë 11 pikat kryesore të planit dhe programit të Bekim Brestovcit, biznesmenit që udhëheq me 11 kompani në Gjermani, me më shumë se 1300 punëtorë.

“Qytetarë të nderuar, arsye e kandidimit tim nuk është përfitimi personal, rritja e kapitalit apo veprime të tilla. Kam kontribuar që nga lufta, për të cilën kam edhe statusin e veteranit, dhe dua ta vazhdoj kontributin e sinqertë për vendin tim. Andaj po kërkoj të më votoni mua me numër 11, dhe Nismën Socialdemokrate me numër 121”, ishte thirrja e Brestovcit.

KEDS mobilizon mbi 1300 punëtorë për ditën e zgjedhjeve

Periskopi.com Lajme

KEDS është përgatitur maksimalisht për ditën e zgjedhjeve që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për të gjitha qendrat e votimit. 

Mbi 1300 punëtorë do të jenë të angazhuar që nga momenti i hapjes së qendrave të votimit e deri në përfundim të tyre. Ekipet do të jenë në dispozicion për të intervenuar menjëherë në rast se paraqitet nevoja në mënyrë që të sigurohet furnizimi stabil me energji elektrike. Ata do të jenë të shpërndarë në secilën qendër të votimit në mënyrë që intervenimi të jetë i menjëhershëm për cdo gjë që mund të jetë e nevojshme.

Krahas kësaj, KEDS ka instaluar në qendrat e votimit 1000 bateri emergjente, të cilat do të vihen në përdorim në rast nevoje. Të njëjtat pas përfundimit të votimit, do t’i lihen në shfrytëzim shkollave.

KEDS ka në dispozicion edhe 70 gjeneratorë mobil, të cilët do të shfrytëzohen në rast të ndonjë të papriture në rrjet në mënyrë që mbarëvajtja e procesit të votimit të vijoj sipas planifikimeve.

Në ditën e zgjedhjeve, furnizimi me energji elektrike do të monitorohet në kohë reale përmes programit më të avancuar Kosovanet dhe sistemit për kontrollimin e nënstacioneve SCADA, i cili do të ofrojë të dhëna të detajuara për secilën situatë të krijuar.

KEDS apelon tek të gjithë qytetarët që në rast të ndonjë avarie të paraqitur në rrjet, të lajmërojnë menjëherë kompaninë duke thirrur në Qendrën e Thirrjeve pa pagesë në numrin 0800 791 00 apo duke shënuar në rrjetet sociale të KEDS.

Pse të votohet Flamur Sefaj?

Periskopi.com Lajme

Saherë që Kosova gjendet në udhëkryqe të mëdha, siç është ky moment politik, disa figura specifike janë të rëndësishme për t’u përkrahur. Flamur Sefaj është një prej tyre, por të thuash kështu nuk është e mjaftueshme. Shpjegimi duhet të shkojë më tej. Pse? 

Sepse Sefaj, si ish-ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka dëshmuar guxim, ka dëshmuar që nuk është figurë politike në kërkim të shmangies së sfidave, kur e bëri arrestimin e shumëpërfolur të Marko Gjuriqit. Ky guxim, i padëshmuar më parë në skenën tonë politike, megjithatë nuk e bëri z.Sefaj që të dalë në publik e të rrahë gjoks për të marrë kredite patriotike. Dhe këtu vijmë tek arsyeja e dytë për t’u votuar ai: është punëtor, por jo fjalaman.

Këtë identitet të qartë ai e ka krijuar edhe si biznesmen i suksesshëm në Lugano të Zvicrës, duke krijuar lidhje e besim kolegial me krejt bashkëpunëtorët dhe duke dëshmuar lidership e aftësi të jashtëzakonshme menaxhuese. Natyrisht që edhe kjo është e një rëndësie jetike për vendin. Z.Sefaj është rasti tipik i një personaliteti të suksesshëm në diasporë, që vjen në Kosovë me vetëdije e plane konkrete, për ta derdhur përvojën, dijen e përkushtimin.

Sa ishte ministër, Flamur Sefaj e ka treguar me shembuj që, për aq sa është e mundshme të bëhet, njerëzit nuk mbeten pa e ndjerë dorën e shtetit në ndihmë. Nxori vendim për t’i paguar orët shtesë të zyrtarëve policor, shpërbleu familjet e të gjthë zyrtarëve të rënë në detyrë, u siguroi të gjithë policëve pakon e vitit të ri, etj etj.

Dhe kështu dalim edhe te pika tjetër: premtimi konkret.

Sefaj premton ndihmë me pagesa shtesë të punëtorëve shëndetësorë dhe atyre të sigurisë, kategoria e njerëzve që më së forti e ka ndjerë përballjen me pandeminë e që, patjetër, meritojnë përkrahje edhe më shumë se ç’u është dhënë.

Me Flamur Sefajn në Kuvend, qytetari mund të ndihet i sigurtë se përfaqësimi do të jetë dinjitoz dhe se asnjëherë nuk do t’i shkelet asnjë e drejtë si peng i mospasjes së një zëri që e artikulon në Kuvend problemin konkret që e shqetëson qytetarin e Kosovës. Kjo sepse qytetarët në fakt do ta kenë zërin në Kuvend: Flamur Sefajn e koalicionit LDK-AKR me numër 55.