PZAP: Arrin në 100 numri i ankesave nga partitë dhe kandidatët

Periskopi.com Lajme

Nga dita e djeshme kur edhe është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dorëzuar 100 ankesa nga partitë politike dhe kandidatë për deputetë.

Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku, tha  për KosovaPress se deri më tani janë paraqitur gjithsej 100 ankesa.

Prinë Partia e Pavarur Liberale (SLS) me gjithsej 42 ankesa, derisa për nga numri i ankesave e dyta radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me gjithsej 23 ankesa.

“Deri më tani janë dorëzuar në PZAP apo subjektet politike, kandidatët e tyre i kanë dorëzuar gjithsej 100 ankesa. SLS ka dorëzuar më së shumti ankesa 42, Lidhje Demokratike ka dorëzuar 23, Partia Demokratike ka dorëzuar 12 ankesa, koalicioni NISMA-AKR-PD ka dorëzuar 6 ankesa, Lëvizja Vetëvendosje 5 ankesa një parti tjetër serbe PKS ka dorëzua 4 ankesa dhe disa parti të vogla me dy apo një ankesë”, tha Desku.

Desku tha se kryesisht natyra e ankesave ndërlidhet me mos përputhje  të rezultateve, derisa tha se prijnë kandidatët për nga numri i ankesave.

“Kryesisht kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve mos përputhjen e rezultateve mungesa e votave kryesisht kjo është natyra e ankesave… Ka edhe të subjekteve por ka edhe të kandidatëve për shembull tek SLS të gjitha ankesat 42 janë prej vetë subjektit, edhe të Nisma ka edhe të subjektit edhe të kandidatëve pjesa tjetër mund të themi se është e kandidatëve”, deklaroi ai.

Sekretari i PZAP-së për KosovaPress tha se Paneli Zgjedhor ka kohë 72 orë që tu jap përgjigje palëve të ankuara.

Pas pranimit të vendimit nga PZAP-i, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqitjes së ankesave në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve.

“Paneli është i obliguar që brenda 72 orëve të shqyrtojë, të vendos dhe të marr vendime dhe me vendime t’i njoftoj palët. T’iu përgjigjet palëve brenda 72 orëve, ndërsa ndaj vendimeve të PZAP kushdo që është i pakënaqur mund t’i kundërshtojë këto vendime në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve”, u shpreh Desku.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme Komisionit Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit ku prinë  Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 220 mijë e 811 vota, apo shprehur në përqindje 26.159 përqind,  Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 206 mijë e 458 vota apo 24.458 përqind, Partia Demokratike e Kosovës ka 178 mijë e 645 vota apo 21.163 përqind,  AAK-PSD ka marr 96 mijë e 883 vota apo 11.477 përqind, Lista Serbe 57 mijë e 15 vota apo 6.754 përqind, Nisma Socialdemokrate- Aleanca Kosova e Re- Partia e Drejtësisë ka 42 mijë e 72 vota apo 4.984 përqind

 

Drama e 6 tetorit: Pesë kandidatët që shokuan me rezultatet e tyre

Periskopi.com Lajme

Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit do të mbahen mend për një mori çështjesh të ndryshme. Gara ndër-partiake ishte shumë e fortë, ashtu si edhe gara brenda-partiake mes kandidatëve për deputetë.

Periskopi ka përgatitur një listë prej pesë kandidatësh që thyen pritjet dhe arritën rezultat befasues. Kjo listë bazohet në rezultatet përfundimtare të KQZ-së, pas së cilave subjektet politike dhe kandidatët për deputetë i kanë 24 orë për të ushtruar ankesë.

1.Mimoza Kusari Lila – 22 mijë e 553 vota

Ish ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë Thaçi II ia doli që brenda Lëvizjes Vetëvendosje t’i merrte 22 mijë e 553 vota. Konsiderojmë që ky është rezultat më i papritur se ai i zonjës Albulena Haxhiu apo z.Glauk Konjufca që ishin para saj.

Marrë parasysh që zonja Kusari Lila ishte pjesë e Alternativës brenda listës së LDK-së, pastaj ishte kandidate për kryeministre nga AKR dhe punoi në qeveritë e drejtuara prej PDK-së, Thaçi II e Rexhepi I, ky rezultat befason.

Megjithatë, Kusari Lila kishte marrë 20 mijë e 550 vota sa ishte pjesë e listës së LDK-së.

2.Eliza Hoxha – gruaja më e votuar në PDK

Këngëtarja dhe artistja e njohur Eliza Hoxha, befasoi të gjithë kur u bë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës [PDK]. Por, ajo e rriti befasinë edhe më shumë kur kandidoi për deputete me numrin 3 në listë.

Dhe duket se renditja e mirë nga partia ka ndikuar që ajo të jetë gruaja më e votuar në PDK me 9 mijë e 303 vota.

Sidoqoftë, vlen të përmendim se nga ky subjekt politik 15 deputetët më të votuar janë të gjithë burra, shkruan Periskopi.

3.Jasmina Dediq – më e votuara nga serbët e Kosovës

Jasmina Dediq doli të ishte politikanja më e votuar nga Lista Serbe me 19 mijë e 703 vota. Ajo la prapa vetes të gjithë politikanët e tjerë, disa prej të cilëve mjaft të njohur për publikun kosovar.

Igor Simiq që bartte numrin 1 doli i katërti më i votuar, ndërsa Slavko Simiq doli i dhjeti.

4.Vjosa Osmani – 176,188 vota

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, znj.Vjosa Osmani, ia doli mbanë që t’i fitonte 176 mijë e 188 vota ose vetëm 7 mijë vota më pak se Albin Kurti.

Marrë parasysh votat e partisë, del se zonja Osmani ishte më e fuqishme brenda LDK-së se sa që ishte Albin Kurti brenda VV-së.

Dhe padyshim, kjo nuk është pritur nga zgjedhësit në Kosovë.

5.Marigona Geci – 17 mijë e 740 vota

Marigona Geci – Lala është gruaja e dytë më e votuar në LDK pas Vjosa Osmanit dhe pa dyshim, një ndër gratë më të votuara në Kosovë. Ajo i mori 17 mijë e 740 vota duke u renditur si kandidatja e tetë më e votuar në nivel partie. Ajo njihet në opinion si e bija e z.Gani Geci.

Periskopi nuk ka përdorur në këtë artikull kriterin gjinor, por doli që të gjitha befasitë e mëdha ishin gra. /Periskopi

Vëzhguesit e BE-së: Jemi gati për zgjedhjet e 6 tetorit

Periskopi.com Lajme

Zyra e BE-së në Kosovë është shprehur e gatshme përmes ekipit vëzhgues të monitorojë zgjedhjet nacionale të 6 tetorit në Kosovë. Teksa kërkuan që përkundër disa mangësive gjithë procesi zgjedhor të shkojë në mënyrë të rregullt.

Përmes një konference për media, zyrtarë të ekipit vëzhgues dhanë detaje për misionin e tyre.

Shefja e misionit vëzhgues të zgjedhjeve të BE-së në Kosovë, Viola Von Cramon Taubadel tha se shpreson që me anë të pranisë së tyre do të evitohen gjitha praktikat e pahijshme që mund të dalin në zgjedhjet e pas dy jave.

Derisa deklaroi se ata janë duke i kushtuar rëndësi këtyre zgjedhjeve, më pastaj për të dhënë vlerësime të paanshme dhe objektive.

“Misioni ynë në përbërje të plotë do të vëzhgoj para gjatë dhe pas ditës së votimit me 6 tetor. Kjo reflekton në zotimin e vazhdueshëm të BE-së për të mbështetur zgjedhjet të cilat janë transparente në Kosovë dhe gjithëpërfshirëse në Kosovë…ne jemi në mënyrë strikte në mënyrë të paanshëm gjatë punës sonë dhe nuk ndërhyjmë në procesin e zgjedhjeve. Si mision ne nuk jemi të interesuar në rezultatin e zgjedhjeve, nuk kemi asnjë interesim që të shohim këtë kandidat, apo parti  të fitoj. Ne sinqerisht shpresojmë që prania jonë do të ketë efekt pozitiv në frenimin e praktikave të pahijshme në që mund të dalin potencialisht”, tha ajo.

Kryevëzhguesja e BE-së dha kritika për mos realizimin e disa prej rekomandimeve që BE-ja i ka adresuar qysh në vitin 2017, që kryesisht kanë të bëjnë me ndryshime legjislative dhe me pastrimin e listës zgjedhore.

“Misioni për zgjedhjet e hershme parlamentare të viti 2017 ofroj 26 rekomandime. Shumë prej këtyre rekomandimeve nuk janë zbatuar. Në fakt asnjë prej rekomandimeve që kërkonin ndryshime legjislative nuk janë miratuar”, tha ajo

Ndërkaq, analistja e financave të fushatave zgjedhore, Elissavet Karagiannido foli për mënyrën e financimit të partive politike, teksa tha se janë duke shikuar mënyrën si financohen dhe a ka ndonjë ushtrim ndikim nga kompani të ndryshme, apo anasjelltas.

“ Do të shqyrtojmë transparencën e financave të fushatës zgjedhore, duam të shikojmë se si të hyrat dhe shpenzimet e partive politike raportohen dhe bëhen publike. Kjo nuk i referohet vetëm fushatës prej 10 ditëve, por e shikojmë mjedisin në tërësi. Po ashtu, duam që të shohim që të gjitha këto informacione dhe raportet financiare do të publikohen me kohë nga autoritet përkatëse dhe subjektet politike. Po ashtu, jemi duke shikuar se cilat janë burimet e të ardhurave, duam të shohim se kush kontribuon për këto parti politike. Këto nuk kufizohen vetëm për periudhën zyrtare të fushatës. Kush janë kontribuuesit a ka lidhje të pahijshme me kontratat e prokurimit publik. A po ndonjë ushtrim ndikimi nga kompanitë apo partitë politike nga njëra apo ana tjetër”, u shpreh analistja financiare.

Ky ekip i BE-së për zgjedhjet e 6 tetorit përbehet prej rreth 100 vëzhguesve, derisa prej vitit 2013 është hera e pestë që i vëzhgojnë zgjedhjet në Kosovë.

 

Për 120 ulëse në Kuvend, garojnë 1070 kandidatë 

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 25 subjekte politike të cilat hyjnë në garën zgjedhore për të siguruar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha këtyre subjekteve politike, në garë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës janë gjithsej 1070 kandidatë.

Nga subjektet e certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, 20 janë parti politike dhe iniciativa qytetare: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demoratike e Kosovës (PDK), Lëvizja Vetëvendosje (LV), Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDPT), Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Fjala, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK), Partia e Pavarur Liberale (SLS), Iniciativa Qytetare Gora (GIG), Partia e Re Demokratike (NDS), Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Liberale Egjiptiane (PLE), Partia e Serbëve të Kosovës (PKS), Partia e Bashkuar e Goranëve (JGP), Nisma për Gorën (PG), Lista Serbe, Partia e Veprimit Demokratik (SDA), Partia e Re Rome e Kosovës (KNRP), Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK).

Kurse koalicionet e certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje janë: Koalicioni AAK-PSD (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Socialdemokrate), Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë (Nisma, AKR-PD), Koalicioni VAKAT, Koalicioni Liria (Sloboda).

Në kuadër të subjekteve të certifikuara është edhe kandidati i vetëm i pavarur, Esmir Kasi.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se është përmbyllur cikli i certifikimit të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje. Ndërkohë, KQZ po vazhdon me certifikimin e vëzhguesve të zgjedhjeve, për çka interesim kanë shprehur organizata vendore, por edhe ndërkombëtare që të përcjellin nga afër procesin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet joserbe. /REL

 

Analistët: Partitë politike nuk duhet të nguten me vijat e kuqe

Periskopi.com Lajme

Zgjedhjet e 6 tetorit po konsiderohen interesante dhe të paparashikueshme nga njohësit e çështjeve politike. Madje pati prej tyre që u sugjeruan subjekteve politike të mos nguten sa u përket vijave të kuqe.

Zgjedhjet e 6 tetorit po konsiderohen të paparashikueshme nga njohësit e çështjeve politike. Ramush Tahiri, analist, thotë se duke parë deklaratat e Lidhjes Demokratike të Kosovës teksa shprehen definitivisht kundër një koalicioni me PDK-në, atëherë kjo e fundit mund të mbetet në opozitë.

“Nëse ka pajtim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për koalicion pas zgjedhor dhe nëse merren votat e nevojshme, unë konsideroj se qeveria e ardhshme do të përbëhet nga këto parti. Ndoshta do të ndahet PSD-ja nga AAK-ja sepse këto parti nuk kanë aleancë programore por për zgjedhje. Ndoshta do të bashkohet edhe partia e Pacollit, varet edhe sa deputetë fiton – tre apo katër, në kuadër të NISMA-s sepse parashikimet nuk u japin shumë këtyre dy partive por edhe në gjendjen reale nuk kanë shumë”, shprehet për RTV Dukagjinin, Ramush Tahiri.

Edhe sipas njohësit politik Rrahman Paçarizi, këto zgjedhje do të jenë interesante.

Megjithatë ai thotë se partitë politike nuk duhet të nguten sa i përket vijave të kuqe sepse PDK-ja mund të ju duhet për partneritet.

“Ka disa vija të kuqe që janë vënë nga disa parti politike sidomos ndaj PDK-së duke menduar se kjo parti nuk do të dalë mirë në zgjedhje, mirëpo në bazë të sondazheve të fundit tregojnë një situatë krejtësisht tjetër dhe partitë politike do të detyrohen të gjejnë strategji dalëse. Mendoj se partitë politike po nguten kur po flasin për vija të kuqe”, tha Rrahman Paçarizi.

LDK-ja ia pren VV-së: Vjosa është kryeministre dhe pikë, merreni cilëndo ministri

Periskopi.com Lajme

Burime të Periskopit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK] kanë bërë të ditur disa detaje të takimeve të fundit mes anëtarëve të partisë së tyre dhe LVV-së në përpjekjet e fundit për formimin e një koalicioni parazgjedhor.

Këto burime më tej kanë shtuar se partia e tyre është shprehur e gatshme t’i ofrojë Lëvizjes Vetëvendosje çdo ministri që e kërkon në mënyrë që ta bindin të heqin dorë nga pozita e kryeministrit.

LDK-ja duket se e kërkon me ngulm këtë pozitë, pas kandidimit të zonjës Osmani para disa ditësh.

Mësohet që këto dy parti kanë pasur diskutime edhe në lidhje me çështjen e privatizimeve [e në veçanti atë të Telekomit, për të cilën duket se partia e zotit Mustafa ka qëndrim interesant] dhe atë të Trepçës, shkruan Periskopi.

LDK dhe LVV janë në diskutime të vazhdueshme në dy javët e fundit për formimin e koalicionit. Afati i fundit për të arritur një marrëveshje të mundshme është dita e pasnesërme, 31 gushti. /Periskopi