Kush janë kandidatët joseriozë për kreun e LDK’së, sipas Adem Salihajt

Periskopi.com Lajme

Adem Salihaj thotë se ‘shumë njerëz kanë shprehur dëshira për ta udhëhequr LDK’në” dhe sipas tij ‘këto dëshira ata i kanë shprehur kryesisht në media’. Por për të, kandidaturat serioze do të vërehen të shtunën, më 3 gusht. Në një bisedë të shkurtër për Periskopin, Salihaj ka thënë se mund të jetë vetëm një apo dy kandidatë serioz për ta marrë udhëheqjen e LDK’së…

Ish – deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në një bisedë për Periskopin ka folur për zgjedhjet në LDK si dhe për zhvillimet e fundit në vend, që u krijuan pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit

Salihaj ka thënë se në LDK ka kandidat joserioz të cilët shpallin kandidaturën në këmbim të një pozite tjetër.

“Besoj se në Kuvendin e LDK-së mund të jetë vetëm një kandidaturë dhe, e shumta, dy, por jo me tepër. Disa që shpallin kandidatura kërkojnë marrëveshje, heqin dorë nga kandidatura, në këmbim të një pozite tjetër. Pra, një lloj pazari me poste partiake dhe qeveritare, gjë që nuk është aspak e mirë”, ka thënë Salihaj për Periskopin.

Salihaj thotë ‘disa kandidatura po shpallen në media’ dhe për të, ato janë ‘joserioze’.

“Të gjitha këto shpalljet e “kandidaturave” nëpër media dhe portale i shoh si joserioze dhe më shumë një lakmi dhe shprehje dëshirash, e jo një ambicie reale”, ka thënë ai.

Gjithashtu Salihaj për Periskopin ka treguar që është pro një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe se ky koalicion do sjellë fitore të sigurt.

“Sa u përket koalicioneve, unë kam qenë ithtarë i koalicionit parazgjedhor LDK-VV, si mënyrë e sigurt për të fituar dhe për t’i larguar nga pushteti të gjitha partitë e ashtuquajtura të komandantëve, të cilat po e shkatërrojnë Kosovën”, u shpreh Salihaj.

Kujtojmë që, LDK me 3 gusht do të mbajë Kuvendin ku do të zgjidhet kryetari i ri i kësaj partie. /Periskopi/

 

Lufta për kolltukun e LDK-së

Periskopi.com Lajme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë të shtunë mban Kuvendin Zgjedhor, përderisa emrat e pesë kandidatëve po lakohen se janë në garë për t’u ulur në kolltukun e partisë më të madhe parlamentare në vend.

Emrat e pesë kandidatëve po lakohen se janë në garë për kreun e LDK-së dhe kandidaturat pritet t’i bëjnë publike në Kuvendin Zgjedhor, i cili do të mbahet këtë të shtunë.

Ndonëse ende zyrtarisht nuk dihet se cilët janë kandidatët për kryetar të LDK-së mësohet se Isa Mustafa po synon ta marrë edhe për një mandat drejtimin e partisë. Për të marrë përgjegjësinë e liderit të LDK-së është shprehur i gatshëm edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu. Po ashtu në opinion po lakohet edhe emri i kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Hazirit, i kreut të Podujevës Agim Veliut, si dhe i deputetes Vjosa Osmani.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, emri i të cilit është lakuar shpeshherë si kandidat potencial për të parin e LDK-së, për “Zërin” ka thënë se vetëm në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së do ta bëjë të ditur nëse synon ta marrë postin e kreut të partisë, shkruan sot gazeta “Zëri”

“Procesi i brendshëm zgjedhor në LDK ka shkuar shumë mirë. Kandidaturat ende nuk janë shpallur, ato do të paraqiten në Kuvend dhe unë ambiciet e mia do t’i shpreh po aty, në Kuvend”, ka thënë Veliu.

Në rast të moskandidimit të tij, Veliu nuk tregoi nëse ka një kandidat të cilin do ta përkrahë për të parin e LDK-së. Ai theksoi se çdo gjë do të bëhet publike më 3 gusht...

Fatmir Sejdiun e tradhtojnë fjalët: Zbulon se kush e ka fituar LDK-në

Periskopi.com Lajme

Ish presidenti i vendit dhe kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka bërë së voni një status në profilin e tij në Facebook në lidhje me përfundimin e zgjedhjeve të brendshme në nivel degësh e nëndegësh në parti dhe lidhur me zgjedhjen e lidershipit që pritet të ndodh më 3 gusht.

Z.Sejdiu njihet si një ndër kandidatët e mundshëm për të pasuar Isa Mustafën në pozitën e kryetarit.

Duke marrë parasysh përbërjen e delegatëve nga e mbarë Kosova që do të votojnë për kreun e ri të kësaj partie, tashmë njerëzit kryesorë e dinë epilogun e zgjedhjeve dhe edhe kryetarin e ri, raporton Periskopi.

Statusi i z.Sejdiu sugjeron se LDK-ja veçse e ka zgjedhur kryetarin e ri dhe kandidatin për kryeministër në formë konsensuale.

Ai përsërit në disa raste se LDK-ja do të udhëhiqet bashkërisht dhe se do të dëshmojë se është e fuqishme dhe se do të marrë pushtetin.

“LDK do të dëshmojë se është e fuqishme pikërisht se është parti e njerëzve të lirë dhe me përkushtim të madh demokratik.” – shkruan ai.

Kjo lë të kuptohet se Sejdiu do të jetë pjesë e strukturës së LDK-së. Si kryetar i ri konsensual i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga ajo që merr vesh Periskopi pritet të jetë z.Kujtim Shala.

Ky është statusi i plotë i z.Sejdiu.

LDK është shtëpi që e ndërtuam bashkarisht dhe që duhet ta mbajmë të fortë dhe madhështore, po bashkarisht.

Tashmë është përmbyllur procesi i zgjedhjeve të brendshme në nivel të të gjitha degëve të LDK-së.
Në përfundim të këtij procesi dëshiroj t’i uroj për zgjedhjen dhe marrjen e përgjegjësive të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, të zgjedhurit në të gjitha strukturat e degëve dhe nëndegëve, si dhe delegatët e Kuvendit të IX Zgjedhor, si përfaqësues të mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Bashkë me urimin, për punë të mbarë dhe suksese në përgjegjësitë që kanë marrë përsipër, dëshiroj të theksoj se Kuvendi i ardhshëm si përmbyllje kulmore e këtij procesi zgjedhor, duhet të jetë një kuvend i pasurimit dhe ringritjes së parimeve fundamentale mbi të cilat është themeluar dhe është ngritur LDK-ja e që janë thellësisht demokratike: liria, toleranca, konkurrenca, përgjegjësia dhe transparenca. Këto parime i dhanë identitetin fisnik, politik dhe qytetërues popullit dhe vendit tonë të dashur, Republikës së Kosovës, që ka për emblemë filozofinë e Presidentit historik të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që u bë edhe shenjë respekti për Kosovën kudo në botë.
Në Kuvendin e ardhshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ne duhet të gjithë bashkë, me unitet veprimesh si një forcë politike prijëse, të mobilizohemi edhe njëherë për të realizuar plotësisht vizionin e Kosovës shtet i pavarur, sovran, e demokratik. Për ta bërë Kosovën një vend normal dhe me perspektivë të qartë të zhvillimit, në të cilin të gjithë duam të jetojmë. Një Kosovë në të cilën sundon rendi dhe ligji dhe që përparon shpejt në procesin e integrimit euroatlantik- në BE dhe në NATO, dhe që mban fuqishëm bashkëpunimin e miqësinë e përhershme me SHBA-të.
Me vizion e veprime të qarta dhe të vendosura, e bashkuar dhe me lidership të urtë të dalë nga Kuvendi i ardhshëm, LDK do të dëshmojë se është e fuqishme pikërisht se është parti e njerëzve të lirë dhe me përkushtim të madh demokratik. Ajo do të dëshmojë se është parti moderne ku realizohen potencialet e të gjitha gjeneratave, duke kombinuar fuqishëm traditën me modernen dhe duke zhvilluar dhe zbatuar parimet më të mira të qeverisjes bashkëkohëse. Si e tillë LDK si forcë politike e qendrës së djathtë dhe anëtare fuqiplotë në familjen e Partive Popullore Evropiane, do të dëshmohet si parti e së ardhmes evropiane të vendit tonë.
Kosova është duke kaluar në një fazë kritike tash e sa vjet. Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e vizionit të qartë dhe e veprimeve të qëndrueshme e të guximshme, i duhet më shumë se kurrë në udhëheqje vendit tonë.
Kosovës i duhet lidershipi i LDK-së i vendosur në mbrojtje dhe ruajtje të sovranitetit shtetëror dhe të integritetit territorial të Kosovës, që është të vënë në shënjestër nga veprimet e Serbisë të kamufluara në pakon e “dialogut me Kosovën”. Këto veprime të Serbisë janë thellësisht të orientuara në komprometimin e të gjitha proceseve që kanë sjellë pavarësinë e Kosovës, duke filluar nga vetë Akti i Pavarësisë në ditën e 17 Shkurtit 2008, njohjet e saj nga mbi 115 vende, fuqizimi i shtetësisë së saj që u konfirmua edhe me anë të Vendimit të GJND-së, si dhe luftimi i Kosovës duke e penguar anëtarësimin e saj në mekanizma ndërkombëtar.
Është momenti që në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor të LDK-së, të dëshmojmë vlerat tona demokratike dhe duke kurorëzuar me sukses procesin zgjedhor, kështu do të shkruajmë bashkërisht edhe një faqe të re të historisë sonë, që do të jetë shenjë se LDK është partia më e besuar dhe më e organizuar në Kosovë.
Me vizion të qartë dhe me lidership të zgjedhur në Kuvendin e ardhshëm që do të jetë përfaqësues i identitetit të një partie me vlera të dëshmuara politike, nacionale, humane dhe qytetare; si një forcë politike e përgjegjshme para interesave të qytetarëve të Kosovës, LDK do të jetë e gatshme të marr përsipër drejtimin dhe qeverisjen e vendit në mandatin e ardhshëm që do të dalë nga zgjedhjet nacionale para nesh.
Siç e kam thënë edhe më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës është vlerë sublime politike e Kosovës, ndërsa është detyrë e jona ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë më tej këtë vlerë!
LDK është shtëpi që e ndërtuam bashkarisht dhe që duhet ta mbajmë të fortë dhe madhështore, po bashkërisht. LDK është shpresa dhe e ardhmja e këtij vendi.

5 raste dhune brenda strukturave të LDK-së: A duhet të mbahen nën masat e sigurisë?

Periskopi.com Lajme

Lidhja Demokratike e Kosovës, aktualisht po zhvillon procesin e brendshëm zgjedhor. Por gjatë këtij procesi po ndodhin përleshje të cilat tashmë kanë marrë përmasa shqetësuese. E në këto tubime zgjedhore po kurset dajaku çdo ditë, shkruan Periskopi.

Për më pak së dy javë në degë e nëndegë të LDK’së kanë ndodhur 5 përleshje me grushte e me karrige.

Përleshjet në këtë parti kanë filluar me degën e LDK’së në Mitrovicë e kanë vazhduar deri të kjo e ditë së sotme në të cilën u përdoren edhe karriget.

Nga kjo rrahje që ndodhi në nëndegën e LDK’së në Mat, janë arrestuar 3 persona, ndërsa pas dajakut kryesia ka zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarin e kësaj nëndege.

Më poshtë janë përmbledhur përleshjet e LDK’së:

Përleshje edhe në Ferizaj e Mitrovicë

Më 29 maj, gjatë tubimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në fshatin Koshare të komunës së Ferizajt, ka ndodhur një përleshje.

Rasti ishte konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kishin bërë të ditur se nga përleshjet kishte mbetur i lënduar një person.

“Policia ka arrestuar katër persona, dyshohet se mund të ketë edhe persona tjerë. Është njoftuar prokurori kujdestar, dhe në bazë të urdhrit jemi duke vazhduar hetimet”, thonin nga Policia.

Ndërsa, më 19 maj përleshje në një tubim zgjedhor të LDK’së kishte ndodhur në Mitrovicë.

Mësohet se përleshja ka ndodhur si shkak i pakënaqësive ndërmjet delegatëve të kësaj dege, për shkak të zgjedhjes së kryetarit të ri.

Në videot e publikuara në rrjete sociale, shihej se në atë tubim kishte qenë edhe shefi i deputetëve të partisë, Avdullah Hoti, por ky i fundit e kishte mohuar.

Përleshja fizike brenda LDK-së kishin filluar vite më parë ku zgjedhjet e brendshme të kësaj partie kishin përfunduar në rrahje me karrige. Pas asaj përleshje, LDK ishte ndarë duke u krijuar partia e re në krye me Nexhat Dacin e quajtur Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD).

Përplasje në Prishtinë mes përkrahësve të Arban Abrashit e Hazir Borovcit

Në Degën e LDK’së në Prishtinë, te ‘Mati 1’ të enjten janë përleshur përkrahësit e deputetit Arban Abrashi dhe Hazir Borovcit, i cili shquhet për ‘komunikimin në varr’ me ish-kryetarin e kësaj partie, presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.

Kryetar i nëndegës së tretë të LDK-së në lagjen “Mati 1” në Prishtinë është rizgjedhur Avdi Pireva. Megjithatë Pireva, mbështetës i Hazir Borovcit akuzon Arban Abrashin se në LDK po shfaqet me bandë. Ai thotë se skena të ngjashme sikur dy ditët e fundit janë çdoherë kur nuk anojnë për Hazir Borovcin.

Por, Fatos Azemi po pretendon se kishte qenë kundërkandidat i Pirevës dhe se nuk ishte lejuar të futet në kuvend.

Ai po thotë se Pireva si pjesë ekipit të Hazir Borovcit ka mbajtur kuvendin zgjedhor pa njoftuar askënd.

“Nuk ekzistojnë banda në LDK. Thjesht, dikush po besoj që është frikësuar nga numrat e mi si kundërkandidat. Qëllimi im, dhe besoj i të gjithë kundërkandidatëve, duhet të jetë masivizimi i LDK-së, përkatësisht Degës së 3-të në këtë rast”.

“Ekipi i Hazirit (Brozovcit) nuk e ka njoftuar askënd. Madje, shumica nga kryesia e nëndegës Mati 1 nuk kanë pasur informata për kuvendin e djeshëm”, ka thënë ai.

Po ashtu gjatë javës së kaluar u raportua edhe për përleshjen e radhës në Kodrën e Trimave, e cila rezultoi me arrestimin e disa personave./Periskopi/