30 krerë shtetesh në funeralin e Chirac

Periskopi.com Lajme

Rreth 30 krerë shtetesh dhe qeverish do të jenë të pranishëm në ceremoninë e varrimit të ish-presidentit francez, Jacques Chirac, që do të zhvillohet të hënën.

”Presidenti rus Vladimir Putin, ai italian Sergio Mattarella dhe kryeministri hungarez Viktor Orban, janë ndër ata që pritet të marrin pjesë”, tha sot Elizeja.

Presidenti i Komisionit të BE-së, Jean-Claude Juncker dhe presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier gjithashtu njoftuan se do të jenë të pranishëm.

”Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder pritet gjithashtu”, sipas Elizesë.

Në vitin 2003, Chirac mbështeti Schroeder në luftën e tij kundër planeve të ish-presidentit amerikan George W. Bush për pushtimin e Irakut.

E hëna do të jetë ditë zie kombëtare për Francën.

Presidenti francez, Emmanuel Macron pritet të jetë i pranishëm në këtë ceremoni, ashtu si ish-presidentët Francois Hollande, Nicolas Sarkozy dhe Valery Giscard d’Estaing./ATSH/

 

Chirac i shkruante Kadaresë më 1998 për bombardimin e Jugosollavisë

Periskopi.com Lajme

Jacques Chirac, presidenti francez i cili ndërroi jetë sot në moshën 86-vjeçare, ishte kryeministër ose president i Francës në ditët e vështira për Kosovën nga regjimi serb i Millosheviqit dhe ai mbajti anën e drejtë.

Ai i shkruante në letrën kthyer shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, në shtatorin e vitit 1998 se Franca nuk e përjashtonte ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nëse Slobodan Milosheviqi nuk do t’i bindej Perëndimit që do ta bombardonte më 1999 regjimin e kasapit të Ballkanit, rikujton “Koha Ditore”.

Këtë e ka zbuluar Kadare në librin, “Mbi krimin në Ballkan: Letërkëmbim i zymtë”, botuar nga “Onufri” më 2011.

Kadareja i shkruante më 2001 letër presidentit francez si “postier” i angazhuar nga poeti i burgosur atëherë, Besim Zymberi, i cili i kishte dërguar letër dorëshkrim shkrimtarit shqiptar që jeton në Paris. Zymberi, nga burgu i Mitrovicës së Sremit, i kërkonte Kadaresë t’i jepte zë thirrjes së të burgosurve politikë që po mbaheshin në burgjet serbe edhe dy vjet pas përfundimit të luftës.

“Unë, një i burgosur shqiptar në një kamp përqendrimi serb, ju kërkoj të hidhni dritë mbi një vuajtje për të cilën institucionet ndërkombëtare nuk kanë dijeni”, i shkruante poeti Zymberi “të dashurit shkrimtar” në vjeshtën e vonshme të vitit 2001. Ai dhe qindra shqiptarë ende po vuanin nëpër burgjet serbe për shkak të veprimtarisë së tyre politike.

Këtë fjali do t’i integronte Kadareja në letrën që do t’ia dërgonte më 12 dhjetor 2001 presidentit Chirac për rritjen e presionit ndaj autoriteteve serbe për lirimin e të burgosurve politikë.

“Ne, të burgosurit shqiptarë të Kosovës, jemi hebrenjtë e fundit të mbajtur në kampet hitleriane të Milosheviqit, madje edhe pas rënies së tij… Dhe bota vazhdon të jetë e verbër”, shkruhej në fund të letrës së poetit Zymberi.

Kadareja i citonte fjalë për fjalë dy paragrafët e Zymberit në letrën drejtuar Chiracut, me të cilin kishte këmbyer edhe më parë letra për çështjen e Kosovës dhe për të burgosurit politikë. Chiracu i kishte premtuar në letrën e shtatorit 1998 se Franca nuk e përjashtonte bombardimin ajror të Serbisë.

“Ma ka drejtuar publikisht këtë dëshmi, si shkrimtar, duke më kërkuar me ngulm t’ia bëj të ditur opinionit evropian, si dhe atij botëror”, shkruhet në letrën e Kadaresë.

Veseli e kujton Shirakun me një video të vitit 1999

Periskopi.com Lajme

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, në profilin e tij në Facebook, ka postuar një Video të ish-presidentit francez, Zhak Shirak të vitit 1999.

Në këtë Video, Shirak iu drejtohet popullit francez, duke arsyetuar intervenimin e NATO-s, si pjesë e fushatës së Perëndimit për të parandaluar masakrat dhe spastrimin etnik.

“Në kujtim të mikut të Kosovës, ish-presidentit francez Jacques Chirac, i cili sot ndërroi jetë në moshën 86 vjeçare”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në Facebook, duke vendosur edhe videon në të cilin Chirac iu drejtohet popullit francez më 1999.

Kandidati për kryeministër i PDK-së ka shkruar më tej se si President i Francës në kohën e bisedimeve në Rambuje dhe sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, ai ishte mbështetës i madh i popullit tonë në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Ne do ta nderojmë përjetësisht kontributin e presidentit Chirac për Kosovën!”, ka shkuar Veseli.

Ky është postimi i plotë i Veselit:

Në kujtim të mikut të Kosovës, ish-presidentit francez Jacques Chirac, i cili sot ndërroi jetë.
Si President i Francës në kohën e bisedimeve në Rambuje dhe sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, ai ishte mbështetës i madh i popullit tonë në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ne do ta nderojmë përjetësisht kontributin e presidentit Chirac për Kosovën!
Adieu monsieur le président, repose en paix!