ZKA-ja mbi 60 mijë euro veç në udhëtime zyrtare

Periskopi.com Lajme

Mesatarisht 3.1 vizita në muaj jashtë vendit ka realizuar Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) këtë vit. Në 38 udhëtime jashtë vendit janë shpenzuar 60 mijë e 541 euro, prej të cilave 22 mijë euro kanë qenë mëditje të paguara për zyrtarët që kanë qenë pjesë e udhëtimeve.

Përveç 38 udhëtimeve, ZKA-ja ka realizuar edhe tri vizita më qëllim të auditimit të ambasadave të Kosovës në Gjermani, Austri dhe Francë. Për auditim të këtyre ambasadave janë shpenzuar më shumë se 11 mijë e 400 euro, shkruan sot Koha Ditore.

Listës për nga numri i udhëtimeve e edhe për nga shpenzimi i prin auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, i cili ka qenë pjesë e 15 udhëtimeve dhe ka shpenzuar gjithsej 10 mijë e 167 euro, ose 677 euro për secilin udhëtim, ose 16.6 për qind të totalit të shpenzimeve.

Sipas një përgjigjeje të shkruar të ZKA-së dhënë gazetës, të gjitha këto udhëtime janë realizuar për qëllime profesionale. “Vlera totale e shpenzuar në udhëtime për qëllime profesionale është rreth 60 mijë e 541 euro. Në shumën prej 60 mijë e 541 eurosh janë paraqitur të gjitha shpenzimet e realizuara për udhëtimet zyrtare për qëllime profesionale, përfshirë këtu edhe shpenzimet e vogla- para xhepi. Shuma e parave të xhepit nga vlera 60 mijë e 541 euro është 22 mijë e 445 euro”, thuhet në këtë përgjigje.

Sipas ZKA-së, këto para janë shpenzuar për realizimin e gjithsej 38 udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe 3 udhëtime me qëllim të kryerjes së auditimit të ambasadave. Në këto udhëtime thuhet se kanë marrë pjesë 66 zyrtarë të ZKA-së.

 

 

BE investon 700 mijë euro në fuqizimin e ZKA-së

Periskopi.com Lajme

Sot mbahet konferenca e hapjes së projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë”.

Projekti do të financohet nga Bashkimi Evropian dhe do të zbatohet nga Zyra Supreme e Auditimit të Polonisë me mbështetjen edhe të kolegëve ekspertë nga Institucionet Supreme të Auditimit të Kroacisë, të Republikës së Çekisë, të Letonisë, të Lituanisë dhe të Portugalisë.

Vlera e tërësishme e projektit është 700 000 € dhe pritet të realizohet brenda 18 muajve.

Objektiva specifike e projektit është që ta mbështes Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të saj në realizimin e qëndrueshëm të objektivave të misionit të vet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA) dhe rritjen e ndikimit të saj përmes komunikimit të intensifikuar me qytetarët, Parlamentin dhe palët tjera të interesit.

Konferenca mbahet në ora 11:00 në Shtëpinë e Evropës në kryeqytet.