Ilir Aliu emërohet zv.ministër në Ministrinë e Financave dhe Transfereve

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot, Ilir Aliun, Zëvendësministër në Ministrinë e Financave dhe Transfereve.

Kryeministri ka uruar Aliun për pozitën në këtë institucion dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në të ardhmen për çështje relevante, në shërbim të qytetarëve.

Zv/ministri që tha se ishte VIP: Polici i tha vëllaut tim pse ti katër femra në kerr, e unë asnjë

Periskopi.com Lajme

Zëvendësministri i Arsimit në detyrë, Arbër Geci, e ka mohuar të ketë kërcënuar një zyrtarë policorë të enjten pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje për vëllanë e tij Ilir Geci, në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë.

Geci për Kohën ka thënë se i gjithë rasti ka ndodhur pasi ai me vëllanë e tij ishin ndalur me makinë, ndërkaq, gjithnjë sipas tij, polici E. B. ishte afruar tek vetura e tyre duke i thënë Ilir Gecit (vëllait të Arbër Gecit) se “pse ai në veturë ka katër femra e ai asnjë”.

Sipas Gecit, polici me zë të lartë i ka kërkuar që të largohet, gjatë kohës sa ai ishte në trotuar e më pas e ka goditur me dorë në krah.

“Unë jam ndal rastësisht, kam biseduar me vëllanë tim. Ai me njoftoi se polici E.B iu kishte afruar tek makina edhe i kishte thënë që s’është në rregull ai me 4 femra në makinë e polici pa asnjë. Kjo nuk është hera e parë që ky polic sillet keq ndaj Ilir Gecit. Pastaj polici më ka bërtitur që të largohem, derisa unë isha në trotuar edhe më ka goditur me dorë në krah”, thotë ai.

Ai tutje shton se e kishte paralajmëruar policin se këtë sjellje do ta raportojë në organet kompetente.

Geci mohon ta ketë përdorur pozitën që ka për ta kërcënuar, derisa demanton se ai e ka fyer e penguar zyrtarin policor.

“I kam thënë që për këtë sjellje do ta raportoj në organet kompetente. Më ka pyetur si e kam emrin ja kam dhënë një dokument ku i kam treguar se kush jam edhe jam larguar. Në asnjë rast as nuk e kam kërcënuar, as nuk e kam fyer, as nuk e kam penguar. Nuk e kam përmendur për asnjë rast se jam VIP apo diçka tjetër”, thotë ai.

Ai shton se rastin e ka lajmëruar në Polici, derisa shton se prokurori e ka hedhur poshtë menjëherë raportimin e policit duke konstatuar se nuk ka as kërcenim as vepër penale.

Ai thotë se policia e ka proceduar si kundërvajtje dhe jo si kërcënim.

Koha.net ka parë edhe dënimin dhe aty shkruan se Geci është dënuar për “mosrespektim të urdhrave të ligjshëm (personit zyrtar)”.

Geci ka thënë se nuk e ka pranuar këtë dënim dhe se do ta apelojë në Gjykatë.

“Gjykata mund ta hedh poshtë edhe këtë dënim”, ka thënë ai.

Zv/ministri i Arsimit kërcënon policët që ia gjobitën vëllanë: Unë jam VIP, mbajmë në mend ti që e shqipton tiketën

Periskopi.com Lajme

Arbër Geci, që është zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, gjatë ditës së djeshme dyshohet se ka kërcënuar dy zyrtarë policorë. Ndaj tij, është iniciuar rasti “pengim ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës”.

Një burim i Kohës ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur dje rreth orës 10 të mëngjesit, në rrugën “Rrustem Statovci” në kryeqytet.

Sipas këtij burimi, Arbër Geci, ka kërcënuar dy zyrtarë policorë pasi ata i shqiptuan një gjobë vëllait të tij, Ilir Gecit.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ndonëse nuk ka folur me emra.

Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë në rajonin e Prishtinës tha se fillimisht i është shqiptuar gjobë ngasësit, në këtë rast Ilir Gecit, e më pas është iniciuar rasti “pengim ndaj personit zyrtar në kryerje të detyrës”, pra ndaj Arbër Gecit.

“Rasti ka ndodhur dje rreth orës 10:00, në udhëkryqin e rrugëve, Rrustem Statovci – Gustav Majer, ku janë penguar zyrtarët policorë nga një person derisa ishin duke shqiptuar gjobë për kundërvajtje një ngasësi, në lokacionin e sipërshënuar. Pas shqiptimit të gjobës për ngasësin, në koordinim me prokurorinë përkatëse në stacionin policor Qendra në Prishtinë, ndaj personit tjetër është iniciuar një rast ‘Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare’, me të cilin po merren njësiti i hetimeve”, tha Ahmeti.

Mbi të gjitha, zv/ministri Arbër Geci është prezantuar edhe si VIP.

“Unë jam VIP, Arbër Geci, jam zv/ministër i Arsimit, maje në mend ti qe po shqipton tiketë. Ama numrin, ka me të raportu në Ministri për këtë, ke me pa kush jam unë”, e citon ky burim të ketë thënë Arbër Geci.

Ky burim i ka thënë portalit se vetura e Ilir Gecit, vëllait të Arbërit, ishte parkuar në një trotuar, dhe kjo ishte arsyeja pse Policia i dha gjobë.

“Policia i kërkonte ta lironte trotuarin, por ata injoruan policinë. Në atë moment, i kërkuan dokumentet për t’ia nënshkruar gjobën për kundërvajtje në trafik dhe Arbër Geci iu afrua duke i thënë se ‘unë jam VIP’”, ka thënë burimi, emër i njohur për redaksinë.

Koha.net gjatë ditës së sotme e ka kontaktuar Arbër Gecin për të mësuar prej tij detaje tjera dhe për ta sqaruar rastin, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Zv/ministri ambicioz që u emërua javën e shkuar: Për pak kohë, do të bëj punë të mira

Periskopi.com Lajme

Kadri Kastrati, ish-komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga e mërkura do të jetë pjesë e Qeverisë si zëvendësministër i Mbrojtjes.

Kjo, pasi ai, të enjten e javës së shkuar, u emërua në këtë pozitë njësoj sikur Myzejene Selmani në postin e zëvendësministres në Ministrinë e Bujqësisë, raporton KTV.

Emërimi i tyre u bë në më pak se 24 orë para se Qeveria Haradinaj të jetë në dorëheqje.

Por, Kastrati, në një intervistë për KTV-në, ka thënë se ndonëse kjo Qeveri mund ta ketë jetën e shkurtër, ai ka shumë për t’i ofruar ministrisë ku do të punojë.

Numrin e madh të zëvendësministrave në kabinetin qeveritar, Kastrati e arsyeton me koalicionin e madh, mirëpo e pranon se ky numër është tejet i lartë.

Por, megjithëse Qeveri në dorëheqje, punën zëvendësministrat e shumtë e këshilltarët e tyre, do ta vazhdojnë deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri.

Sipas një analize të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, në 2018-n në 21 kabinete të ministrave kanë qenë të punësuar 350 persona dhe ata buxhetit të shtetit i kanë kushtuar gati 6 milionë euro.

Gjithashtu, sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, të gjithë zëvendësministrat, edhe pas përfundimit të mandatit, do të vazhdojnë të marrin pagën e tyre edhe për 6 muaj tjerë.

Sipas shoqërisë civile, emërimet e tilla dhe rehatimi i militantëve partiakë e familjarëve të zyrtarëve shtetërorë, është abuzim me buxhetin e shtetit.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, pati emëruar dhjetëra zëvendësministra në disa ministri, madje, nganjëherë mbi 5 të tillë, duke u arsyetuar se koalicioni ka përbërje të gjerë.

Në Qeverinë Haradinaj më përpara shkarkoheni nëse i mbani këmbët përpjetë sesa nëse akuzoheni për korrupsion

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë vendim që ta lirojë nga detyra zëvendësministrin Shukri Maxhuni. Ky vendim i Haradinajt erdhi pas publikimit të disa fotografive, në të cilat shihej Maxhuni në veturë zyrtare, me këmbët e vendosura lart në pjesën përpara të veturës. Por, ky vendim i Haradinajt po cilësohet si hipokrizi. Kjo pasi, prej se ka ardhur në pushtet, ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndëshkues për ministrat e Kabinetit të tij, të ngarkuar me aktakuza për keqpërdorime të detyrës zyrtare – raporton Periskopi.

Shkruan: Artina Muçiqi 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mëngjesin e sotëm, përmes një publikimi në shkurtër në rrjetin social “Facebook”, njoftoi se ka marrë vendim për lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhunit.

Ky vendim i kryeministrit Haradinaj erdhi pas publikimit nga mediat të disa fotografive, në të cilat Maxhuni shihej duke qëndruar me këmbë lart në veturë zyrtare.

Kjo sjellje e tij u dënua dhe u cilësua si keqpërdorim i veturës zyrtare.

Vendimi për shkarkimin e zv/ministrit Maxhuni, ndonëse po cilësohet si i duhuri, shpërfaqi edhe një herë standardet e dyfishta të kryeministrit Haradinaj për kabinetin e tij.

Kjo, pasi për të paraqet shqetësim sjellja e një zëvendësministri në veturë zyrtare, por nuk e çan kokën aspak t’i ketë në Kabinet dy ministra nga partia e tij, me aktakuza për keqpërdorime të detyrës zyrtare.

Bëhet fjalë për ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Lekaj, akuzohet për për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas njoftimit që kishte lëshuar Prokuroria, Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij në komunë dyshoheshin se në bashkëkryerje, gjatë muajit mars të vitit 2012, duke kontribuar esencialisht në raport me njëri tjetrin dhe duke shfrytëzuar detyrat apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, që t’i shkaktojnë  dëm Komunës dhe banorëve të saj.

Përveç Lekajt, aktakuzë në fuqi ka edhe për ministrin tjetër nga radhët e partisë së kryeministrit Haradinaj, atë të Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Së bashku me ish-kryeministrin Agim Çeku dhe deputetin e AAK’së, Shkumbin Demalijaj, Berisha akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si ‘Veteranët’. Ai ishte anëtar i Komisionit për verifikimin e statusit të veteranëve dhe invalidëve të UÇK’së.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës. Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68,153,533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.

Për njohësin e zhvillimeve politike në vend, Imer Mushkolajn, këto standarde të dyfishta të kryeministrit Haradinaj janë të qëllimshme.

Në një deklaratë dhënë Periskopit, Mushkolaj thotë se në rastin Maxhuni është dashur të merret ky vendim, por është hipokrizi nga ana e Haradinajt, përderisa në kabinetin e tij ka ministra me aktakuza që vazhdojnë punën pa asnjë problem.

“Nuk e di me çfarë kushti po i mat kryeministri kush ka bërë shkelje më të vogël e më të madhe për me marrë vendime me i shkarku. Sigurisht që për rastin Maxhuni është dashur të merret ky vendim, por është hipokrizi kur në Kabinetin e tij ka ministra me aktakuza që vazhdojnë punën pa problem, ndërkohë që e gjen një zëvendësministër siç ka ndodh edhe me zëvendësministra të tjerë, për të cilët me pompozitet bën të ditur se i ka shkarkuar. Nuk është kulti i njëjtë për të gjithë, e do të duhej të ishte. Së pari të fillojë me njerëzit e nivelit më të lartë, që po i bie ministrat, e më pas të kalojë edhe te zëvendësministrat dhe të tjerët”, ka thënë Mushkolaj për Periskopin.

Tutje, ai thotë se këto veprime, Haraidnaj po i bën me qëllim të krijimit të një përshtypjeje se ai po shkarkon njerëzit që kanë probleme me ligjin.

“Në këtë formë ai po provon me kriju një lloj përshtypje se ai po i shkarkon njerëzit që mund të kenë probleme me ligjin, por në anën tjetër po harron se pikërisht me bashkëpunëtorët e tij, në rastin e Lekajt apo dikujt tjetër, i ka njerëz që kanë aktakuza dhe me këtë logjikë ata do të duhej të shkarkoheshin edhe të mos i mbanin ato pozita. Në këtë mënyrë ai po përpiqet me i mbulu skandalet që e kanë karakterizuar qeverisjen e tij që nga fillimi dhe me kriju një përshtypje në fillim se njerëzit që s’po e respektojnë ligjin, po ndëshkohen. Por, po e them se në kabinet i ka bashkëpunëtorë të ngushtë emra të cilët mund të dyshohen se kanë lidhje me miliona. Dhe në vend se ë bëjë thirrje te organet e drejtësisë që të hetohen e të largohen nga pozita në aspektin moral sepse me ligj ata mund të qëndrojnë në pozita derisa të kryhen hetimet, Haradinaj po i gjen këto viktima më të vogla e që ka shumë. Kur po them shumë, e kam fjalën për 100 zëvendësministra për të cilët mund të marrë vendime, por nuk po godet në kokë që thuhet dhe nuk po merret me emra të rëndësishëm, të cilët i ka në Kabinet”, ka thënë Mushkolaj tutje për Periskopin.

Pas publikimit të fotografive të pahijshme në veturë zyrtare, kishte reaguar edhe vetë zv/ministri Maxhuni.

Ai kishte thënë se e gjithë ngjarje kishte ndodhur për shkak të problemeve shëndetësore.

Zv/ministri thoshte se po kthehej pas një dite të lodhshme nga Fakulteti ku jepte mësim dhe është detyruar të shtrijë këmbët.

Sipas tij fotoja është keqpërdorur.

“S’ka të bëj me ndonjë fodollak a keqpërdorim po për shkaqe shëndetësore se e dinë të gjithë që kam probleme me këmbën. Për shkak të muskujve më është dashtë me shtri këmbët dhe ka qenë një moment 15 minuta… dhe në atë moment e ka kap dikush”, kishte deklaruar ai.

I pari që kishte kërkuar shkarkimin e Maxhunit ishte zëvendëskryeministri dhe ministri i MPJ’së, Behgjet Pacolli.

Por, arsyetimi i tij kalonte në banalitet.

“Kjo nuk është mënyra se si duhet të trajtohet prona publike dhe ne e dënojmë aktin dhe të parandalojmë rastet e tilla. AKR dhe unë nuk do të tolerojmë dhe nuk pranojmë akte të tilla nga zyrtaret tanë”, shkruante ai.

Se Haradinaj nuk e ka ndërmend të marrë masa për ministrat me aktakuza, e dëshmon kjo deklaratë e tij.

“Sa u përket vendimeve që ka me marrë Qeveria ndaj ministrave me aktakuzë duhet pritur vendimet nga gjykata dhe njëherë nuk mund të marrim vendim. Qeveria do të marrë vendime sipas ligjit për këtë”, thoshte ai.

Që nga marrja e mandatit, gjashtë nga 22 ministrat e Qeverisë Haradinaj ishin me aktakuza nga organet e drejtësisë, nën dyshime të ndryshme si, keqpërdorim i detyrës, posedim i armëve dhe punësime të paligjshme.

Pjesë e kësaj Qeveri përveç Lekajt e Berishës është edhe Endrit Shala i Nismës në postin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, i cili akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Me të njëjtën akuzë është i ngarkuar edhe Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës.

Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka qenë i akuzuar për konflikt interesi, por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kurse rasti është në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë që ministri tjetër, ai i Inovacionit, Besim Beqaj është dorëhequr nga ky post pas vendimit të kryetarit të partisë së tij [PDK], Kadri Veseli, për largimin e të gjithë zyrtarëve me aktakuza nga postet partiake dhe institucionale deri në një vendim të Gjykatës.

Ndryshe, ligjet ekzistuese në Kosovë mundësojnë të ushtrohet funksioni i zyrtarit të lartë publik edhe në rastet kur ka procedura të hapura gjyqësore, përderisa vendimi i gjykatës të mos jetë i plotfuqishëm./PERISKOPI

 

 

 

 

 

Haradinaj shkarkon zv/ministrin që mbante këmbët në dritare të veturës zyrtare

Periskopi.com Lajme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, mëngjesin e sotëm ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Bujqësisë Shukri Maxhuni.

“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kujtojmë se ditë më parë, Maxhuni gjatë një udhëtimi me veturë zyrtare, mbante këmbët në xhamin e përparmë të veturës.

Ky veprim i tij ngjalli reagime të shumta. Ndër ta ishte zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili i ka kërkuar kryeministrit Ramush Haradinaj të shkarkojë atë.

Pacolli: Kam kërkuar nga Haradinaj që ta shkarkojë zv/ministrin që u shtri në veturë zyrtare

Periskopi.com Lajme

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj veprimit të zëvendësministrit të Bujqësisë, i cili ditë më parë është fotografuar në veturën zyrtare, deri sa i mbante këmbët pranë xhamit të përparmë.

“Pavarësisht kush është, është një akt i papranishëm që nuk pasqyron vizionin tonë për zhvillim dhe shërbime më të mira për qytetarët tanë.  Kjo nuk është mënyra se si duhet të trajtohet prona publike dhe ne e dënojmë aktin dhe të parandalojmë rastet e tilla”, ka shkruar Pacolli.

Postimi i Pacollit në Facebook:

I pahijshem akti i Zëvendës Ministrit të Bujqësisë zotni Maxhunit me sjelljen e tij në një veturë zyrtare.  Kjo nuk është mënyra se si një zyrtar qeveritar sillet me pronën që është blerë nga taksat e qytetarëve tanë.  Pavarësisht kush është , është një akt i papranushem që nuk pasqyron vizionin tonë për zhvillim dhe shërbime më të mira për qytetarët tanë.  Kjo nuk është mënyra se si duhet të trajtohet prona publike dhe ne e dënojmë aktin dhe të parandalojmë rastet e tilla.  Unë kam kërkuar nga Kryeministri të shkarkojë Zëvendësministrin Maxhuni nga detyra e tij.  AKR dhe unë nuk do të tolerojmë dhe nuk pranojmë akte të tilla nga zyrtaret tanë.  Zyrtarët publik duhet t’u shërbejnë qytetareve tanë dhe të mos abuzojnë me pozitat e tyre në një mënyrë të tillë.

Flet zv/ministri që u shtri në veturë zyrtare: Kam qenë shumë i lodhur, e kam bërë për arsye shëndetësore

Periskopi.com Lajme

Kjo është vetura zyrtare e zëvendësministrit të Bujqësisë, Shukri Maxhuni.

Një ditë më parë, në të njëjtin automjet, u pa dikush i shtrirë gjatë qarkullimit nëpër rrugë.

E edhe gjatë së mërkurës, ulësja përpara qëndronte në të njëjtën pozitë.

Për T7, zëvendësministri Shukri Maxhuni,  dha një arsye për gjithë këtë ngjarje.

Sipas tij, ai nuk e ka keqpërdorur veturën e tij zyrtare.

“Pas një dite të lodhshme në fakultet ka jom kthy ndoshta siç e kanë shpreh ata nuk është keqpërdor”.

Sipas Maxhunit, ai ishte shtrirë në atë mënyrë në veturë, për shkaqe shëndetësore.

“S’ka të bëj me ndonjë fodollak a keqpërdorim po për shkaqe shëndetësore  se e dinë të gjithë që kam probleme me këmbën më është dashtë me shtri  ka qenë një moment 15 minuta… dhe e ka kap dikush”.

Ky zyrtar tha se ishte shëndeti që e obligoi të shtrihet në veturë zyrtare.

Por të tilla automjete, shpesh u keqpërdorën për qëllime të tjera, nga zyrtarë në institucionet e Kosovës.

Në Ministrinë e Administratës Publike, thonë që secili institucion duhet të bartë përgjegjësi për mënyrën se si përdoren veturat zyrtare.

“Nuk kemi ndonjë evidencë, është obligim i secilit institucion vec e vec që me i marrë masat sepse secili ky udhëzi i obligon me i zbatu”.

Bekolli thotë se veturat zyrtare duhet të përdoren vetëm për qëllime të tilla.

Ndërsa nga Policia e Kosovës, përmes një përgjigjeje me shkrim, thanë se secili person që bie ndesh me ligjin, merren veprime pa dallim, mirëpo nuk kanë dhënë ndonjë statistikë se sa raste të keqpërdorimit të veturave zyrtare, janë në Polici.

Reagon zv/ministri: Unë s’kam aktakuzë

Periskopi.com Lajme

Zëvendësministri i Bujqësisë, Vesel Krasniqi ka thënë se nuk ka aktakuzë ndaj tij.

Pas lajmit të publikuar dje për zyrtarët e lartë me aktakuzë që udhëheqin institucione të larta, e që njëri ndër ta ishte edhe anëtari i Nismës, vetë Vesel Krasniqi e ka quajtur dezinformatë këtë.

“Dua të ju informojë se muaj më parë drejtësia në Kosovë ka apostrofuar gabimishtē emrin tim në mjetet e informimit gjoja për uzurpim prone, kjo është dezinformatë sepse vllau im ka pasur kontestë toksor për një pronë të blerë me një fqinj i cili ka aktakuzën për uzurpimin e kësaj prone, pastaj prej një dëshmitari që kam dëshmuar në polici ka ndodhur keqkuptimi dhe drejtsia në kosovë ka publikuar emrin tim gjoja se unë jam ozurpatori.

Unë do të inicojë padi ndaj mediave që shpifin me emrin tim” shkruan Krasniqi në reagim.

Digjet vetura e zv/ministrit serb, dyshohet se zjarri ishte i qëllimshëm

Periskopi.com Lajme

Automjeti Passat B7, ngjyrë e zezë dhe me targa KM, pronë e Millosh Peroviq, zëvendësministrit për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Qeverinë e Kosovës, njëherit funksionar i lartë i SNS-së, partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është përfshirë nga flakët mbrëmë pas mesnatës në qendër të Zubin Potokut, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se automjeti është djegur qëllimisht nga një ose më shumë persona, ndërsa përkundër përpjekjeve të zjarrfikësve, automjeti është djegur i tërë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

“Rreth orës 02:45 në Zubin Potok është djegur automjetit Passat, ndërsa ankuesi është M.P.”, ka thënë shkurt majori Hoti.

Sipas tij, policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe është duke punuar intensivisht në zbardhjen e plotë të këtij incidenti.

Disa banorë të asaj ane kanë bërë të ditur se incidenti nuk ndërlidhet me zgjedhjet që do të mbahen të dielën në veri, por ka të bëjë me pakënaqësitë rreth një konkursi të Komunës së Zubin Potokut, me ç’rast para një jave janë punësuar rreth 45 persona.

Jemi të shqetësuar tej mase dhe shpresojmë që policia sa më parë të gjejë autorët e këtij incidenti, u shprehën banorët, duke mos dashur t’u bëhen emrat publikë.

Ndryshe, ky është rasti i dytë i djegies së automjeteve në këtë komunë brenda një periudhe të shkurtër, sepse para tre muajsh në fshatin Varagë të kësaj komune, ishte djegur po ashtu automjeti Golf 7.

Lekaj me zëvendësministra shpenzojnë mbi 90 mijë euro për paga e shpenzime operative

Periskopi.com Lajme

Në total 91 mijë euro ka shpenzuar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, për ministrin Pal Lekaj dhe tre zëvendësit e tij, vitin e kaluar.

Kjo ministri ka treguar vetëm shumën totale që ka shpenzuar ministri Lekaj dhe tre zëvendësministrat, Rexhep Kadriu, Fehmi Mujota e Idriz Selimaj, jo edhe kategoritë për secilin shpenzim të bërë.

Ministri Pal Lekaj ka marrë pagë dhe meditje në shumën prej 21 mijë e 503 euro, ndërsa shpenzime operative, sic i kanë cilësuar ministria ka pasur në shumën e 17 mijë e 174 euro.

Zv/ministri Rexhep Kadriu ka marrë 12 mijë euro pagë e meditje, ndërsa shpenzime operativë ka pasur mbi 9 mijë euro.

Fahmi Mujota ka marrë pagë 13 mijë e 433 ndërsa si shpenzime i janë shënuar  rreth 3 mijë euro.

Zv/ministri Idriz Selimaj ka marrë mbi 12 mijë euro ndërsa shpenzime mbi 2 mijë euro.

Kujtojmë se rreth 300 mijë euro ka shpenzuar vetëm Ministria e Financave e drejtuar nga Bedri Hamza, për paga, meditje, udhëtime zyrtare, dreka, darka e karburante.

25 mijë euro kanë shpenzuar gjatë vitit të kaluar ministri i i shkarkuar i Bujqësisë, Nenad Rikallo dhe katër zëvendësit e tij për shpenzime të reprezentacionit, udhëtime jashtë vendit dhe mëditje.

Rreth 20 mijë euro (19.496) të taksapaguesve kosovarë kanë shpenzuar kabineti i ministrit dhe zëvendësministrave të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete përgjatë vitit 2018. Dalibor Jevtiq, bashkë me vartësit e tij bërë këto shpenzime për telefona, udhëtime jashtë vendit, dreka zyrtare e mëditje.

Mbi 10 mijë euro të taksapaguesve kosovarë janë shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare, nga ministri dhe zëvendësministrat e Zhvillimit Rajonal gjatë vitit 2018.

Përveç mijëra eurove të harxhuara në shpenzime të reprezentacionit, ministri dhe tre zëvendësministrat të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR) kanë shpenzuar edhe disa mijëra euro të tjerë në udhëtime zyrtare. Rreth 5 mijë sosh janë shpenzuar për udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Arbana Xharra tregon se çfarë do duhej të na shqetësonte më shumë se taksa

Periskopi.com Lajme

Gazetarja Arbana Xharra përmes një publikimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se më shumë se taksa, do të duhej ta na shqetësonte emërimi i Besnik Berishës në postin e zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale – raporton Periskopi.

Emërimi i Berishës në këtë post nga i cili u largua Çerkin Dukolli u bë pavarësisht faktit që ishte i dënuar për marrje ryshfeti e histori të tjera të dyshimta gjatë kohës sa ishte udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Xharra ka shkruar se Berisha e ka vendin në burg, jo në Qeveri.

“Kush o more ky tash ? Keto vendime e emerime, duhet me na shqetesu me teper se taksa me Serbine. Ky ne vend se me u dergu ne burg, behet zv/minister. #Kosova #YoungEuropeans”, shkroi ajo në Facebook para pak çastesh.

Në anën tjetër, sot në media u raportua se si Berisha ishte shpallur fajtor nga Gjykata në Prishtinë gjatë kohës sa ishte udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Po ashtu, ai përmendet, ai përmendet edhe nga Natali Velija e dënuar për rastin pasaporta se zv/ministrit të ri i kishte dhënë 650 mijë euro, ryshfet.

Në rastin e parë, Berisha akuzohej për keqpërdorim detyre dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare në lidhje me prodhimin e dokumenteve dhe shenjave të sigurisë së pasaportave.

Gjykata Berishën e kishte dënuar me 6 muaj burg me kusht për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa e kishte liruar nga akuza për keqpërdorim detyre.

Në aktakuzë, prokuroria pretendonte se Berisha informacionet për prodhimin e dokumenteve dhe shenjave elementare të sigurisë së pasaportave biometrike-vendosjen e çipit, mënyrën e lansimit dhe qepjen e tyre.

Për një rast tjetër me pasaporta ishte përfshirë përsëri, Besnik Berisha që tani gëzon postin e zv/ministrit. Natali Velija që është e dënuar në skandalin me pasaporta për Insajderin në një intervistë të vitit të kaluar deklaronte publikisht se Besnik Berishës i kishte dhënë fiks 650 mijë euro ryshfet.

Madje ajo rrëfente edhe emra të tjerë me të cilët sipas saj Berisha ka ndarë këto para.

“Plus, 650 mijë euro ia kam dhanë Besnik Berishës, shef i prodhimit në Ministri të Punëve të Brendshme.

Berisha, nuk ishte akuzuar për këtë, pasi sipas Velijat, Prokuroria nuk ka pasur vullnet t’i hetojë të tjerët.

Ajo shton se shumën e dhënë prej 650 mijë eurosh, Besnik Berisha i ka ndarë më zyrtarët tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Arben Osmani – drejtor i Regjistrit të Gjendjes Civile, Bekim Hoxha, Agim Fejzullahu – drejtor i Zyrës së Prokurimit në MPB dhe Abedin Mehmetin, kryeshef i Agjencisë së Regjistrimit Civil.

“Po e përsëris: 650 mijë euro janë dhënë për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, insistonte ajo në një intervistë dhënë Insajderit vitin e kaluar.

Ryshfeti për zyrtarët e MPB-së është dhënë, sipas saj, për të bërë lëshime për kompaninë austriake. Thuajse të gjitha kërkesat e kompanisë plotësoheshin nga MPB.

“Prej 1 milion e 400 mijë eurove që janë paguar nga MPB, 30 mijë ia kam dhënë kesh Bashkim Shalës, 650 mijë Besnik Berishës. 150 mijë i kam qit në llogari të Bujar Canollit në emër të rinovimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 160 mijë janë paguar Doganë edhe TVSH”, saktëson ajo.

Ndërkaq, Besnik Berisha kishte mohuar gjithçka. Ai kishte thënë se nuk është e vërtetë se ka marrë ryshfet. Ka thënë se asnjë pretendim i Natali Velijajt nuk qëndron.

“Unë nuk kam deklaruar, nëse i ka thënë ndonjë kush, i ka thanë dikush prej kabinetit, unë nuk kam mujt sepse unë nuk jam kanë ai që kom vendos për tender se as nuk jam kon menaxher i kontratës, as që i kom bo specifikat, do me thënë atë e ka bërë një komision që e ka caktuar ministri i asaj kohe dhe kabineti”, ka thënë Berisha.

Ai mohonte pranimin e makinave me kapacitet më të vogël dhe pa makinat rezervë. Kishte thënë se nuk e ka pasur këtë kompetencë.

“Unë nuk jam kanë kërkuesi, ato bëhen përmes komisionit që i ka bo specifikat e tenderit. Unë në atë komision nuk jam kanë, as nuk jam kanë në komision as nuk kam qenë menaxher i kontratës”, ka thënë Berisha për Insajderin.

Kishte treguar kur ishin pranuar 50 mijë pasaporta të cilat ishin kontrolluar. Me kaq kishte përfunduar puna e tij. Ka thënë po ashtu se departamenti i tij nuk ka pasur kompetencë për përcaktimin e specifikave.

“Unë nuk kam mujt me ndiku asgjë aty sepse unë jam kanë krejt ‘out’”, thotë Berisha.

Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Natali Velija dhe Fisnik Blakaj shpërndante paratë nëpër një rrjet të kompanive private të ndërtimit që nuk paguanin obligimet ndaj shtetit.

Aktakuza e ngritur ndaj grupit përshkuan se si qindra mijëra euro shpërndaheshin nëpër rrjetin e kompanive të tyre për të fshehur origjinën e parave. Sipas akuzës, qëllimi i tyre ishte që ta fshehin natyrën dhe origjinën e parave të vjedhura.

Qeveria emëron zv/ministër të dënuarin për marrje ryshfeti

Periskopi.com Lajme

Besnik Berisha i cili është emëruar gjatë ditës së sotme në postim e zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale është i përfshirë në histori mjaftë të dyshimta.

Në rastin e parë, ai si ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është shpallur fajtor nga Gjykata në Prishtinë. Ndërsa në rastin e dytë, ai përmendet nga Natali Velija e dënuar për rastin pasaporta se zv/ministrit të ri i kishte dhënë 650 mijë euro, ryshfet.

Në rastin e parë, Berisha akuzohej për keqpërdorim detyre dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare në lidhje me prodhimin e dokumenteve dhe shenjave të sigurisë së pasaportave.

Gjykata Berishën e kishte dënuar me 6 muaj burg me kusht për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ndërsa e kishte liruar nga akuza për keqpërdorim detyre.

Në aktakuzë, prokuroria pretendonte se Berisha informacionet për prodhimin e dokumenteve dhe shenjave elementare të sigurisë së pasaportave biometrike-vendosjen e çipit, mënyrën e lansimit dhe qepjen e tyre.

Për një rast tjetër me pasaporta ishte përfshirë përsëri, Besnik Berisha që tani gëzon postin e zv/ministrit. Natali Velija që është e dënuar në skandalin me pasaporta për Insajderin në një intervistë të vitit të kaluar deklaronte publikisht se Besnik Berishës i kishte dhënë fiks 650 mijë euro ryshfet.

(Gjykata shpallte fajtor Besnik Berishën)

Madje ajo rrëfente edhe emra të tjerë me të cilët sipas saj Berisha ka ndarë këto para.

“Plus, 650 mijë euro ia kam dhanë Besnik Berishës, shef i prodhimit në Ministri të Punëve të Brendshme.

Berisha, nuk ishte akuzuar për këtë, pasi sipas Velijat, Prokuroria nuk ka pasur vullnet t’i hetojë të tjerët.

Ajo shton se shumën e dhënë prej 650 mijë eurosh, Besnik Berisha i ka ndarë më zyrtarët tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Arben Osmani – drejtor i Regjistrit të Gjendjes Civile, Bekim Hoxha, Agim Fejzullahu – drejtor i Zyrës së Prokurimit në MPB dhe Abedin Mehmetin, kryeshef i Agjencisë së Regjistrimit Civil.

“Po e përsëris: 650 mijë euro janë dhënë për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, insistonte ajo në një intervistë dhënë Insajderit vitin e kaluar.

Ryshfeti për zyrtarët e MPB-së është dhënë, sipas saj, për të bërë lëshime për kompaninë austriake. Thuajse të gjitha kërkesat e kompanisë plotësoheshin nga MPB.

“Prej 1 milion e 400 mijë eurove që janë paguar nga MPB, 30 mijë ia kam dhënë kesh Bashkim Shalës, 650 mijë Besnik Berishës. 150 mijë i kam qit në llogari të Bujar Canollit në emër të rinovimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, 160 mijë janë paguar Doganë edhe TVSH”, saktëson ajo.

Ndërkaq, Besnik Berisha kishte mohuar gjithçka. Ai kishte thënë se nuk është e vërtetë se ka marrë ryshfet. Ka thënë se asnjë pretendim i Natali Velijajt nuk qëndron.

“Unë nuk kam deklaruar, nëse i ka thënë ndonjë kush, i ka thanë dikush prej kabinetit, unë nuk kam mujt sepse unë nuk jam kanë ai që kom vendos për tender se as nuk jam kon menaxher i kontratës, as që i kom bo specifikat, do me thënë atë e ka bërë një komision që e ka caktuar ministri i asaj kohe dhe kabineti”, ka thënë Berisha.

Ai mohonte pranimin e makinave me kapacitet më të vogël dhe pa makinat rezervë. Kishte thënë se nuk e ka pasur këtë kompetencë.

“Unë nuk jam kanë kërkuesi, ato bëhen përmes komisionit që i ka bo specifikat e tenderit. Unë në atë komision nuk jam kanë, as nuk jam kanë në komision as nuk kam qenë menaxher i kontratës”, ka thënë Berisha për Insajderin.

Kishte treguar kur ishin pranuar 50 mijë pasaporta të cilat ishin kontrolluar. Me kaq kishte përfunduar puna e tij. Ka thënë po ashtu se departamenti i tij nuk ka pasur kompetencë për përcaktimin e specifikave.

“Unë nuk kam mujt me ndiku asgjë aty sepse unë jam kanë krejt ‘out’”, thotë Berisha.

Qeveria Kosovës përmes një vendimi sot e ka emëruar, Besnik Berishën në postin e zv/ministrit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas aktakuzës, grupi i udhëhequr nga Natali Velija dhe Fisnik Blakaj shpërndante paratë nëpër një rrjet të kompanive private të ndërtimit që nuk paguanin obligimet ndaj shtetit.

Aktakuza e ngritur ndaj grupit përshkuan se si qindra mijëra euro shpërndaheshin nëpër rrjetin e kompanive të tyre për të fshehur origjinën e parave. Sipas akuzës, qëllimi i tyre ishte që ta fshehin natyrën dhe origjinën e parave të vjedhura./Insajderi