LDK dhe VV biseduan për themelimin e Zyrës Shtetërore për Hetim. Ja si e shohin njohësit e çështjeve juridike këtë hap

Periskopi.com Lajme

Para disa orëve ka përfunduar takimi i katër i grupeve punuese në mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas këtij takimi para mediave ka folur ish-deputeti i  LDK-së, Arben Gashi i cili bëri të ditur se është diskutuar hapja e Zyrës Shtetërore për Hetim, shkruan Periskopi.

Gashi tha se për këtë nuk ka ndonjë qëndrim final.

“‘Zyra Shtetërore e hetimit do t’i ketë disa komponentë në vështrimin tonë, komponentja e parë lufta kundër krimit, hetimi i krimit të vjetëruar sidomos atyre politike, lufta kundër korrupsionit si dhe sundimi i ligjit në aspektin e antikorrupsionit dhe verifikimit të pasurisë’, ka thënë Gashi.

Mirëpo, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj në një bisedë për Periskopin se themelimi i kësaj zyre duhet të bëhet pas rishikimit institucional dhe ligjor të mekanizmave që kanë mandat luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Iniciativa e partnerëve të koalicionit për themelimin e Zyrës Shtetëore të Hetimit, në parim mund të duket ide e mirë me kusht që themelimi i kësaj zyre të realizohet vetëm pas përfundimit të rishikimit institucional dhe ligjor të mekanizmave aktual qe për mandat kane parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Përmes këtij rishikimi mund të shuhen apo të iu ndërrohet/plotësohet mandati zyreve apo institucioneve apo edhe themelimit të zyrës së re që fokus do të duhej të kishte luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë”, ka thënë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Ai po ashtu tha se qeveria e ardhshme nuk duhet të propozojë mekanizma të rinj pa ndonjë analizë të duhur.

“Sidoqoftë, qeveria e ardhshme nuk mund dhe nuk duhet të propozojë mekanizma të rinj pa një analizë të duhur dhe pa konsultuar rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit që është në fazën e fundit të finalizimit nga Ministria e Drejtësisë”, ka thënë Miftaraj për Periskopin.

Tutje, Miftaraj ka thënë se themelimi i Byrosë Nacionale të Hetimit ishte paraparë edhe nga Qeveria Haradinaj, por kjo iniciativë nuk ishte materializuar./Periskopi/