Mësohet arsyeja pse u suspenduan zyrtarët policorë në Gjakovë

Periskopi.com Lajme

Avokati Tomë Gashi ka zbuluar arsyen se pse zyrtarët policorë të Stacionit të Gjakovës, komandanti Kristë Gjokaj, eprorët Gëzim Biblekaj, Bekim Preqi dhe oficerët Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limani janë pezulluar me rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Sipas tij, kjo ka ndodhur pasi kanë ushtruar dhunë ndaj një plaçkitësi të armatosur i cili është kapur në flagrancë dhe pas shkëmbimit të zjarrit mes tij dhe policëve.

Vendimin për suspendim, Gashi e ka quajtur të ngutshëm pasi nuk ka pasur hetime në suaza normale dhe nuk është konfirmuar asnjë argument.

“Ata u suspenduan me një arsyetim të pa vërtetuar, se kinse para një viti gjatë shkëmbimit të zjarrit me grabitës që donin t’i grabisnin me armë zjarri qytetarët e Gjakovës në mesnatë e zunë njërin dhe e rrahën pak si më shumë! Dhe sikur plaçkitja nuk ju mjaftonte krimineleve të natës në Gjakovë, ata donin edhe të vrisnin këta policë, heronj të luftimit të krimit. Këta oficerë të cilët në ndjekje të tyre përmes plumbave të kallashnikovëve të tyre dhe duke ju përgjigjur zjarrit me zjarr, arritën ta zënë mjerisht të gjallë njërin prej këtyre krimineleve vrasës”, tha Gashi.

Sipas tij, policët duhej të dekoroheshin me medalje për trimëri dhe jo të pezulloheshin.

“Dhe ja epilogu pas një viti, kriminelët në liri dhe komandant Kristë Gjokaj me 5 oficerë të tij në vend që të dekorohet me medalje për trimëri, ata suspendohen me një veprim të ngutshëm të Drejtorit të Policisë së Kosovës se kinse paska rrahur një plaçkitës që donte edhe të plaçkiste me armë dhe të mos i pengonte policia jonë! Bile ata donin edhe t’i vrisnin policët që hynë në luftë me ta. Kjo ndodhi pas një sugjerimi të pa argumentuar të IPK! Si suspendohen heronjtë e policisë tonë kur ata na mbrojnë nga plaçkitësit vrastar, të cilët edhe vet po vriten nga qytetarë te thjeshtë në mbrojtje të shtëpive dhe jetëve të tyre”, vijoi Gashi.

Arrestohen dy rreshterë policorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Periskopi.com Lajme

Inspektorati Policor i Kosovës bën me dije se hetuesit e Departamentit të Hetimeve të këtij institucioni kanë arrestuar dy zyrtarë policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 dhe “Keqpërdorim i informatës zyrtare” nga neni 416 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Hetuesit e IPK-së kanë pranuar dje (25.07.2019) autorizimin nga Prokuroria Themelore Prishtinë që të bëjë intervistimin në cilësi të të dyshuarve të dy zyrtarëve policorë (që të dy me gradën e rreshterit) – punonjës në Drejtorinë kundër Krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Aty tregohet se pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarve dy vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, me vendim të prokurorit kompetent këta zyrtarë policorë janë arrestuar dhe u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore Prishtinë, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast. Gjithashtu, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës vazhdimin e suspendimit për zyrtarët policorë tashmë të arrestuar si të dyshuar për rastin si më lart”, thuhet në njoftimin e IPK-së, pa dhënë më shumë detaje.

​​IPK rekomandon suspendimin e pesë zyrtarëve policorë

Periskopi.com Lajme

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë në Leposaviç, për tejkalim të autorizimeve policore, respektivisht keqtrajtim nga zyrtarët policorë.

Njoftimi i plotë i Inspektorati Policor:

Inspektorati Policor i Kosovës më 18.05.2019 është njoftuar nga policia respektivisht Drejtoria Rajonale e Mitrovicës së Veriut lidhur më një ankesë të një qytetari (i mitur) nga Leposaviqi, i cili është ankuar për tejkalim të autorizimeve policore respektivisht keqtrajtim nga zyrtarët policorë.

Hetuesit e IPK-së pas pranimit të ankesës kanë ndërmarrë veprime hetimore në konsultim me prokurorin kompetent duke dalë në vendin e ngjarjes dhe sigurimin e dëshmive të ndryshme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

Pas mbledhjes së informacioneve nga hetuesit në konsultim me prokurorinë kompetente, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor” .

Në përputhje me ligjin e IPK-së si pjesë e procedurës hetimore Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e pesë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Leposaviqit deri në përfundim të këtij hetimi penal.

Aktakuzë ndaj dy policëve doganorë, bënë dallavere me punën zyrtare

Periskopi.com Lajme

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve, I.D., dhe B. Sh., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, dy të pandehurit I.D. dhe B. Sh. gjatë kryerjes së pozitës zyrtare në cilësinë e zyrtarëve policorë, më 6 prill të vitit të kaluar, në pikë kalimin kufitar në Qafë Prush, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke kaluar kompetencat e tyre, me qëllim që të sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe për të tjerët.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.

Për një vit hetohen 194 policë të dyshuar për vepra penale

Periskopi.com Lajme

Inspektorati Policor i Kosovës bëri publike një raport përmes të cilit bën të ditur aktivitetet e tij gjatë vitit të kaluar.

IPK gjatë vitit 2018 ka pranuar dhe ka menaxhuar 1419 ankesa dhe informata, që në krahasim me vitin e kaluar numri i tyre ka një ngritje të lehtë (vitin e kaluar IPK ka trajtuar 1226 ankesa), thuhet në fillim të këtij raporti. Prej tyre 762 ankesa, që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë, janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës.

Nga 143 raste me elemente të veprës penale, 90 janë dërguar me kallëzim penal nga Departamenti i Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 18 raste. Gjithsej gjatë vitit 2018 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 194 punonjës të PK-së. E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.29 % i punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale.

Gjatë vitit 2018, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime:

  • 12 arrestime;
  • 50 suspendime;
  • 10 transfere.

Këtë vit IPK-ja ka hetuar 36 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare .

Një ndër funksionet bazë të Inspektoratit Policor të Kosovës është edhe zhvillimi i inspektimeve ndaj Policisë së Kosovës. Këto inspektime realizohen në mënyrë që përmes tyre të bëhet identifikimi dhe parandalimi i çfarëdo devijimi nga aktet ligjore dhe procedurat me të cilat funksionon Policia e Kosovës.

Në përmbushje të përgjegjësive dhe detyrave, Divizioni i Inspektimit dhe Raportimit në kuadër të Departamentit të Inspektimit në drejtim të vlerësimit të kryerjes së detyrave policore në raport me legjislacionin dhe standardet e kërkuara, gjatë vitit 2018 ka realizuar nëntë (9) inspektime, nga të cilat, pesë (5) të rregullta bazuar në Planin Vjetor të Inspektimit dhe katër (4) të jashtëzakonshme. Gjatë vitit 2018 janë realizuar këto inspektime:

Respektimi i procedurave dhe rregullave nga Policia e Kosovës gjatë largimit me forcë të shtetasve turq nga territori i Republikës së Kosovës (inspektim i jashtëzakonshëm);

Respektimi i procedurave dhe rregullave gjatë trajtimit të incidentit me përfshirje të zyrtarëve policorë (inspektim i jashtëzakonshëm);

Menaxhimi i armëve të zjarrit, municionit dhe pajisjeve policore (inspektim i rregullt);

Menaxhimi i burimeve njerëzore të Policisë së Kosovës (inspektim i rregullt);

Respektimi i rregullave dhe procedurës së trajtimit të dëshmive në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë-Veriu dhe Stacionin Policor në Shtime (inspektim i jashtëzakonshëm);

Kryerja e detyrave gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje (i jashtëzakonshëm);

Menaxhimi i procedurave të shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit (inspektim i rregullt);

Menaxhimi i planeve vendore të policimit, të sigurisë në komunitet dhe nismave të policimit në komunitet (inspektim i rregullt);

Menaxhimi i ankesave dhe hetimit disiplinor (inspektim i rregullt).

10. Vlerësimi i performancës policore gjatë fillimit të ndërrimit nga ora 08-16 në Stacionet policore;

Gjatë këtij viti, IPK-ja ka pasur një mori aktivitetesh nën vazhdën e përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me qytetarë dhe partnerë të ndryshëm, me organizata qeveritare e jo qeveritare dhe me media. IPK ka realizuar edhe disa takime me qytetarë që kishin për synim diskutimet e hapura me qytetarët për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), shpjegimet për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, procedura disiplinore dhe ecuria e saj dhe rëndësinë e integritetit policor.

Zhvillimi i marrëdhënieve me publikun dhe fuqizimi i bashkëpunimit me organizatat vendore dhe ndërkombëtare është i rëndësisë së veçantë për IPK-në dhe në kuadër të kësaj ka pasur shumë aktivitete të realizuara nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.

Për detaje shtesë mund t’ i referoheni Raportit vjetor duke klikuar në këtu.

Shpallen të pafajshëm policët që u akuzuan për 10 euro ryshfet

Periskopi.com Lajme

Haxhi Vojvoda dhe Flurim Hoxha, janë shpallur të pafajshëm kundrejt akuzave të prokurorisë se dy të akuzuarit në cilësi të zyrtarëve policor në mëngjesin e 30 prillit 2016, në autostradë, në Komoran, i kërkuan dhe i morën një vozitësi 10 euro ryshfet.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues Vehbi Kashtanjeva me anëtaret e trupit gjykues, Gjykatësit Naser Foniqi e Agim Kuçi, nuk është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale sikurse është përshkruar në aktakuzë.

Prandaj në mungesë të provave trupi gjykues vendosi që të akuzuarit  t’i liroj nga aktakuza.

Haxhi Vojvoda dhe Flurim Hoxha akuzohen se si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, deri sa kanë qenë në kryerje të detyrës në autostradë, në pikë kontrollin në Komoran, e kanë ndalë vozitësin Ardit Ramaj dhe nga i njëjti kanë kërkuar dhe pranuar ryshfet, shumën e parave 10 euro, për ta liruar pa i shqiptuar tiketë.