Tahiri: Albin Kurti dëshiron të lëkundë themelet e UÇK-së

Tahiri: Albin Kurti dëshiron të lëkundë themelet e UÇK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë të dielën se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është duke u përpjekur “të lëkundë themelet e UÇK-së”.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se Kurti po i viziton varret e dëshmorëve, mirëpo nuk po i trajton me dinjitet veteranët.

Këtë e ka lidhur me projektligjin për pagën minimale, ku veteranët po kërkojnë të përfshihen.

“Me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, ai është duke u përpjekur të lëkundë themelet e dinjitetit të këtyre burrave e grave që kanë lënë gjymtyrët nëpër çdo cep të Kosovës, atëkohë kur asaj ia kishin falur edhe jetën, edhe të ardhmen”, ka thënë Tahiri.

Sjelljen e kryeministrit Kurti ai e ka cilësuar si “dyfytyrësi”.

“Prandaj kjo sjellje prej lavjerrësi e Kryeministrit Kurti, i cili sot paturpësisht viziton varrezat e dëshmorëve, përderisa injoron mijëra veteranë që kanë derdhur gjak e djersë pranë atyre që u përjetësuan, është asgjë më shumë se një dyfytyrësi”.

Ish-ministri i Drejtësisë, ka kujtuar edhe themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale.

Shpërndaje në: