Tahiri – ministres Haxhiut: Blerim Sallahu e ka vëllain e involvuar në fajde, s’keni kredibilitet për Vetting

Tahiri – ministres Haxhiut: Blerim Sallahu e ka vëllain e involvuar në fajde, s’keni kredibilitet për Vetting

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka replikuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku tha se u ka mundësuar noterëve që të kenë monopol, dhe sipas tij, kjo është arsyeja se pse gjykata e ka anuluar Provimin e Noterisë.

“Provimi i Noterisë ka qenë i organizuar jashtëzakonisht mirë. Ti s’ki me pasë qare pa i emëru qata noterë, sepse gjykata nuk mundët ta anulojë një proces të tillë dhe ti në të ardhmen do t’i emërosh qata noterë”, tha Tahiri në replikë me Haxhiun.

Më tej, Tahiri tha se kjo është edhe arsyeja se pse Bashkimi Evropian nuk po lejon të ecët përpara me Vetting, sepse sipas tij, s’kanë kredibilitet, duke akuzuar zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahun, se vëllai i tij është i involvuar në fajde.

“Pra, për herë të parë Vettingu nxirret si vërejte në Raportin e Progresit. S’mundet sepse ke ne staf njerëz të kriminalizuar. Ki zëvendësministër ku vëllain e ka të involvuar në fajde. Vëllain e ka të dënuar për haraq e fajde”, ka thënë Tahiri, njofton Klankosova.tv.

Por, e menjëhershme ka qenë kundër-replika e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i tha Tahirit se hallin e ka tek shkatërrimi i grupeve kriminale brenda Shërbimit Korrektues.

“Ju nuk keni të drejtë të flasësh në emër të gjykatës sepse unë mund të them se ti po ndikojshe në vendimin e gjykatës”.

“Ndërsa, sa i përket çështjes për zëvendësministrin, unë e di ku e ke hallin ti. Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, grupet kriminale që i ke pasur ti brenda Shërbimit Korrektues, t’i ka prishë Abelard Tahiri”, është shprehur Haxhiu.

Shpërndaje në: