Tahiri njofton për arritjen e Marrëveshjes së tabelave me Serbinë
Ministrja për Dialog Edita Tahiri ka njoftuar se sot në Bruksel është arritur marrëveshja rreth përdorimit të tabelave Kosovë-Serbi.
“Marrëveshja për reciprocitet në tabela të automjeteve dhe heqja e tabelave ilegale u përmbyll sot”, ka thënë ajo.
Sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pas njëmbëdhjetëorësh bisedime është përmbyllur marrëveshja për reciprocitetin në tabelat e automjeteve në mes të dyshteteve, Kosovës dhe Serbisë, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.
Sipas kumtesës, ministrja Edita Tahiri, kryenegociatore në Dialogun e Brukselit, deklaroi se me këtë marrëveshje është vendosur parimi i reciprocitetit në tabelat e automjeteve në mes të dyja shteteve, që do të thotë se çfarë vlen për tabelat e njërit shtetet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër si dhe kjo marrëveshje i jep fund përdorimit të tabelave “prova” të cilat njëanshëm ishin vendosur nga ana e Serbisë ndaj veturave me regjistrimin RKS të Kosovës.
Siç ka deklaruar Tahiri, kjo marrëveshje ishte arritur javën e kaluar dhe sot është rikonfirmuar edhe në dokumentin e shkruar të marrëveshjes.
Marrëveshja konfirmon nisjen e punës së zyrave të gjendjes civile dhe të Agjencisë për Regjistrim Civil në katër komunat veriore që do të realizohet në nëntor 2016. Këto zyra do të pajisin qytetarët e asaj pjese me dokumentet shtetërore dhe të gjendjes civile të Republikës së Kosovës, duke mundësuar që të konsolidohet ky aspekt i sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës në veri të vendit të munguar që nga fundi i luftës.
Bashkë me kumtesën në e-mailin e Koha.net, ka ardhur edhe teksti i marrëveshjes i përkthyer në gjuhën shqipe si dhe varianti i saj anglisht.
Ky është teksti zyrtar i Marrëveshjes dërguar nga Qeveria :
Aranzhimet lidhur me finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të vitit 2011
Bruksel, 14 Shtator 2016
- Palët janë pajtuar që të mbulohen pjesët relevante të tabelave respektive të automjeteve me dy letërngjitëse të bardha.
- Ky sistem me letërngjitëse do të hyjë në fuqi me 15 nëntor 2016.
- Infrastruktura administrative për lëshimin e të gjitha dokumenteve të nevojshme për regjistrimin e automjeteve me tabela të lëshuara nga autoritetet e Kosovës do të hyjë në fuqi në nëntor 2016.
- Regjistrimi i të gjitha automjeteve me tabelat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës (KS/RKS) do të fillojë më 15 janar 2017 dhe do të zgjasë për 12 muaj, në fund të së cilës periudhë do të ketë vlerësim nga të dy palët me ndërmjetësimin e BE-së.
- Kosova do të zgjasë validitetin e tabelave KS për pesë vite në fund të së cilës çështja do të shqyrtohet nga të dyja palët (me ndihmën e BE-së nëse është kërkohet).
- Përjashtimet nga taksat dhe detyrimet për regjistrimin e automjeteve do të garantohet nga Kosova në të njëjtën mënyrë sikurse në rastin e kaluar. Bashkëpunim i ngushtë dhe i shpejtë do të vendoset në mes të dyja palëve për të verifikuar pronësinë e automjetit.
- Një fushatë informuese për tu`a shpjeguar banorëve të afektuar modalitetet për ri-regjistrim te automjeteve do të ndërmerret nga të dy palët dhe BE-ja. Diskutimet e mëtejshme mbi fushëveprimin dhe modalitetet e fushatës së lartë përmendur do të diskutohen në grupin për zbatim.
- Tabelat e veturave që preken nga procesi i regjistrimit nuk do të afektohen nga sistemi i letërngjitëseve.
- Për shkak të ndjeshmërisë ndërlidhur më pikat e lartë përmendura, palët janë pajtuar të që shqyrtojnë zbatimin e këtyre konkluzioneve në një interval kohorë prej tremuajsh.




