Takimi i sotëm Thaçi-Vuçiqi pa asnjë rezultat konkret

Takimi i sotëm Thaçi-Vuçiqi pa asnjë rezultat konkret

Pa asnjë rezultat konkret ka përfunduar takimi rreth një orësh mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Pas takimeve të ndara me Mogherinin, dy presidentët patën takim trepalësh nga i cili dolën me deklarata kontraverse.

I pari që foli pas takimit ishte Vuçiq. Ai me tone të nervozizmit deklarimet i orientoi kah kritikat ndaj Kosovës për vendimin për vendosjen e tarifës për mallrat serbe.

Ai tha që Prishtina po provon të bëjë ushtrinë një pjesë të së cilës, sipas tij, Kosova do ta nisë drejt veriut.

Pas tij mediave iu drejtua presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që kritikoi qasjen e Serbisë në dialog duke e quajtur diskurs agresiv.

Thaçi ka pranuar se po ka diskutime jo të lehta me palën serbe, por ka shtuar se dialogu nuk ka alternativë.

Me të përfunduar takimi edhe zyra e Mogherinit ka lëshuar një njoftim për media me ç’rast ka kërkuar nga dy vendet të shpejtojnë angazhimin ndaj dialogut.

“Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të shpejtojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë që ka dialogu me normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve dhe aspiratat e tyre për BE.” u shpreh Mogherini në një komunikatë për media pas takimit

Shpërndaje në: