Talibanët nuk gjejnë rehati: Po sulmohen ashtu qysh ata sulmonin

Periskopi.com Lajme

Pak më shumë se një muaj qëkur rrëzuan nga pushteti Qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul, sunduesit e rinj të Afganistanit, talibanët, tani po përballen me armikun e brendshëm, i cili po përdor shumë taktika të sulmeve të cilat i kanë praktikuar vetë talibanët.

Grupi ekstremist i Shtetit Islamik (IS) paraqet kërcënim serioz për Afganistanin.

Sulmi vdekjeprurës në aeroportin e Kabulit, muajin e kaluar, dhe një seri sulmesh me bomba në qytetin Xhalalabad, që u morën përsipër nga IS-i, shpërfaqin kërcënimin për stabilitetin e vendit nga grupet militante, dhe talibanëve do t’u duhet të merren me këtë situatë, shkruan Reuters.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, këtë javë e ka minimizuar kërcënimin duke thënë se IS-i nuk ka prezencë aktive në Afganistan.

Por, komandantët talibanë në terren nuk e shpërfillin aq lehtë kërcënimin nga militantët e këtij grupi ekstremist.

Dy anëtarë të shërbimeve të inteligjencës të talibanëve të cilët hetuan disa nga sulmet e fundit në Xhalalabad thanë se taktikat që përdori IS-i dëshmojnë se ky grup mbetet një rrezik, edhe nëse nuk ka numër të mjaftueshëm të luftëtarëve dhe burime tjera që do t’i përdorte për të marrë nën kontrolll territorin.

Në sulme u përdorën bomba që ngjiten me magnet, të cilat vendosen kryesisht poshtë veturave. Ato kishin në shënjestër militantët talibanë. Të njëjtin lloj të sulmeve e kishin përdorur edhe talibanët kur sulmonin zyrtarët dhe pjesëtarët e forcave të sigurisë si dhe figurat e shoqërisë civile në përpjekje për të destabilizuar Qeverinë e mbështetur nga Perëndimi.

“Ne jemi të shqetësuar me përdorimin e këtyre bombave ngjitëse, të cilat ne i përdornim dikur për të sulmuar armiqtë tanë në Kabul. Ne jemi të shqetësuar për udhëheqjen tonë pasi ata mund të jenë cak i sulmeve”, tha një nga zyrtarët e inteligjencës talibane./rel/

 

 

Shpërndaje në: