Talibanët përdorën kamxhikë e shkopinj kundër grave që protestuan

Talibanët përdorën kamxhikë e shkopinj kundër grave që protestuan

Luftëtarët talibanë përdorën kamxhikë dhe shkopinj kundër një grupi grash që protestoi në Kabul të mërkurën pas prezantimit të qeverisë së re, të përbërë vetëm nga burrat.

Në pamjet e siguruara nga televizioni amerikan, CNN, gratë dëgjohen duke brohoritur “Jetë të gjatë grave të Afganistanit”. Disa prej tyre mbajtën në duar parulla ku shkruhej “Asnjë qeveri s’mund ta mohojë praninë e grave” dhe “Do të këndoj vazhdimisht për lirinë”.

Talibanët rrahën edhe disa gazetarë që po raportonin për protestën, sipas dëshmitarëve.

“Jemi mbledhur këtu për të protestuar kundër njoftimit për qeverinë e re, ku nuk ka përfaqësim të grave brenda qeverisë”, tha një grua që po merrte pjesë në protestën e së mërkurës.

Ajo tha se disa protestuese u goditën me kamxhikë. “Po na thonë që të shkojmë në shtëpi e ta njohim dhe ta pranojmë Emiratin. Pse duhet ta pranojmë Emiratin, kur nuk ka përfshirje ose të drejta për ne”, shtoi gruaja.

Sipas saj, disa gazetarë që po raportonin për protestën janë arrestuar dhe bëri thirrje për lirimin e tyre.

Shpërndaje në: