Të burgosurit e gjyqtarët në të njëjtin ashensorë në Pallatin e Drejtësisë

Të burgosurit e gjyqtarët në të njëjtin ashensorë në Pallatin e Drejtësisë

Tash e gjashtë muaj ashensori i cili shfrytëzohet nga të akuzuarit që sillen nga qendrat e paraburgimit për në sallat e gjykimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk është funksional.

Andaj, të akuzuarit e paraburgosur detyrohen të sillen përmes ashensorit i cili shfrytëzohet nga qytetarët,  palët tjera, gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës apo përmes shkallëve të objektit.

Këtë për ‘‘Betimi për Drejtësi’’ e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila ka thënë se kjo po shkakton shumë pasiguri si për të paraburgosurit, ashtu edhe për stafin e gjykatës.

‘‘Ka disa muaj që nuk është funksional ashensori në objektin D, në të cilin bëhet bartja e të paraburgosurve, me çka edhe po vështirësohet bartja e të paraburgosurve përmes shkallëve të objektit, gjë që po e rrit pasigurinë e tyre, të stafit dhe shoqëruesve si dhe njëkohësisht po shkakton problem me bartje, sepse disa nga të paraburgosurit janë me probleme shëndetësore dhe duhet të lëvizin nëpër shkallë prej pesë kateve’’, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Ajo ka shtuar se ky problem paraqitet shpesh, për shkak se gjatë kohës së të reshurave, podrumi i objektit D mbushet me ujë dhe si pasojë e kësaj gjendje po vjen edhe deri te prishja e ashensorit.

‘‘Kryesisht janë rregulluar brenda një afati të shkurtër, këtë herë ka disa muaj që nuk është funksional’’, ka thënë ndër të tjera Gashi për “Betimit për Drejtësi’’.

Tutje ajo ka thënë se nga menaxhmenti i kësaj gjykate janë të njoftuar të gjitha institucionet përgjegjëse si Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për sajimin e defektit të ashensorit, por që sipas saj deri më tash  gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë.

‘‘Nga përgjegjësi për menaxhimin e objektit të Pallatit të Drejtësisë ( MAP) jemi njoftuar se ata i kanë adresuar kërkesat e Gjykatës Themelore në Prishtinë tek institucioni i tyre, ndërsa lidhur me veprimet e MAP-it nuk kemi informacione’’, thuhet në përgjigjen e Gashit.

Lidhur me këtë çështje, është pyetur edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku të njëjtin kanë thënë se për çdo defekt teknik në Pallatin e Drejtësisë, duke përfshirë edhe ashensorët, nga gjykata njoftohen zyrtarët e mirëmbajtjes që janë të vendosur në Pallat nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

‘‘Kjo ministri është përgjegjëse për Mirëmbajtjen Teknike dhe Higjienike të Pallatit të Drejtësisë’’, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së KGJK-së, Aishe Qorraj – Berisha.

Ndryshe, në mbledhjen e 287-të të KGJK-së, të mbajtur më 12 maj 2022, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjykatësja Albina Shabani – Rama ka ngritur shqetësimet e saj lidhur me mos funksionimin e ashensorëve të paraburgosurve.

Kurse, në po këtë takim, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj tha se me përgjegjësi i klasifikon zyrtarët e MPBAP-së si kategorinë më të papërgjegjshme që kanë takuar ndonjëherë.

Tutje tha se kanë adresuar çështjen në nivelin më të lartë të mundshëm, sepse sipas tij gjendja dhe  kushtet e punës në pallatin e drejtësisë janë të papërballueshme.

‘‘Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pjesa e Administratës Publike janë pjesa më e papërgjegjshme e institucioneve, në këtë rast për pjesën e menaxhimit të një objekti. Nuk më vjen keq që po shprehem kështu në mënyrë të ashpër sepse ka kaluar çdo kufi i arsyes dhe i diskutimit të komunikimit normal me ta’’, ka thënë kryesuesi Zogaj.

Sipas tij, shqetësimi më i madh është se nuk ka asnjë reagim nga ministria përkatëse.

Për problemin në fjalë ‘‘Betimi për Drejtësi’’ ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike se a janë të informuar për mos funksionimin e ashensorit të të akuzuarve në Pallatin e Drejtësisë dhe se a kanë ndërmarr ndonjë veprim për ta rregulluar këtë problem, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje.

Lidhur me këtë “Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të kontaktojë edhe Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK), por të njëjtit nuk e kanë hapur telefonin, si dhe nuk janë përgjigjur as në pyetjet drejtuar në email-in zyrtar të ShKK-së, nëse kjo gjendje vështirëson punën e tyre apo paraqet rrezik për punën e zyrtarëve korrektues.

Shpërndaje në: