Të kujt janë 200 trupat në Morgun e Prishtinës?

Të kujt janë 200 trupat në Morgun e Prishtinës?

Informata e vetme që ekziston për ta është se ata trupa i takojnë luftës së fundit në Kosovë.

Ka mbi 17 vite që eshtrat e më shumë se 200 trupave e 100 mbetjeve kockore të kosovarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë janë duke qëndruar në morgun e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Kjo ngase Mjekësia Ligjore e ka të pamundur që ta bëjë të ditur identitetin e këtyre personave. Ndonëse informata e vetme që ekziston për ta është se ata trupa i takojnë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenkë Gjetaj, ka thënë për Gazetën Fjala se janë bërë mostrat e atyre mbetjeve por që të njëjtat nuk kanë treguar përputhshmëri me mostrat e gjakut të familjarëve të personave të zhdukur.

“Për ne është shqetësuese që 200 deri në 300 trupa të mbesin në morg dhe pa pasur identifikim, mos të dihen se kush janë. Mostrat e atyre mbetjeve mortore janë bërë por të njëjtat nuk kanë treguar përputhshmëri me mostrat e gjakut të familjarëve të atyre të zhdukurve. Ata trupa mbeten ende në morgun e Prishtinës”, ka shpjeguar Gjetaj për Gazetën Fjala.

Sipas tij nëse veprohet sipas ligjit, morgun e Mjekësisë Ligjore ka mundur që pas gjashtë muajve të arritjes së atyre trupave në morg t’i rivarrosë ata.

“Ne bashkë me Mjekësinë Ligjore duhet ta hartojmë një strategji për zgjidhjen e këtij problem, por fatkeqësisht ajo strategji ende nuk ka filluar hartimin, duke fillua nga Qeveria e Kosovës, Eulexi, komuniteti ndërkombëtarë”, ka shtuar Gjetaj.

Ndërkohë që Kosova ende nuk ka laborator për kryerjen e analizave të AND-së.

Mbi 2 mijë trupa janë rivarrosur pa analizën e AND-së

Janë mbi 2 mijë trupa të kosovarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë vitit 1998/99 që janë varrosur pa e bërë analizën e AND-së që tregon qartë mbi identitetin e tyre.

Ata trupa sipas Gjetajt janë varrosur me metoda klasike, që nënkupton në baze të rrobave që kanë pasë veshur, ndonjë shenjë në trup, unazë apo ndonjë mjet tjetër të identifikueshëm.

“Mos të harrojmë se janë mbi 2 mijë trupa të kosovareve që janë varrosur pa ua bërë analizën e AND-së. Ata persona që janë identifikuar me metoda klasike”, ka shpjeguar Gjetaj.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë që të zhvarrosen edhe disa trupa të tjerë në disa lokacione në Kosovë.

“Ekziston mundësia të jetë bërë ndonjë gabim në rivarrosjen e tyre, normalisht që jo tek të gjithë, por testet e para që I kemi bërë në regjionin e Mitrovicës kanë treguar një shkallë të gabimeve që shkon deri në 17 për qint të këtyre personave që janë varrosur”, ka thënë ai.

Aktualisht në Kosovë janë rreth 1670 persona, fati i të cilëve nuk dihet ende.

Dyshohet se varreza tjera masive mund të ketë në Kalludër të Zubin Potokut, pjesa veriore tek varrezat muslimane te xhamia e Ibrit, fshati Bukush i qytetit të Vushtrrisë. /GazetaFjala/

 

 

Shpërndaje në: